Viti i Ri kinez u shënua para ca ditësh. Tani jemi në vitin e tigrit dhe nuk kam se si të mos e kujtoj thënien dhe mallkimin e lashtë kinez: “Jetofsh në kohëra interesante”. Të gjithë ne që ende vazhdojmë të frymojmë në këtë planet jemi duke jetuar në kohëra interesante. Se si do të shtjellohen ato në ditët dhe javët në vijim mbetet që të shihet. Porse, ekzistojnë gjasa reale që njerëzimi ta përjetojë një shkundje të madhe tektonike, të shkaktuar nga faktori njeri. Shkalla dhe niveli i tundjeve, si dhe pasojat mbesin të shoqëruara me shumë variabla dhe të panjohura
Pas një jave super të hareshme me vallëzime të shumta nëpër platforma sociale, gradualisht po i kthehemi normalitetit. E normaliteti nuk është se po e shpërfaq anën tonë më të bukur.
Trishtues qe lajmi që arrinte nga Gostivari. Aty një grup prindërish kishin nënshkruar peticion që fëmijët e tyre të mos e vazhdonin fillimin e gjysmëvjetorit të dytë të mësimit bashkë me shoqen e tyre të klasës, Ëmbla. Arsyetimi i këtyre prindërve ishte se shkaku që Ëmbla është me sindromën Down, ajo shpeshherë ka qenë agresive karshi fëmijëve të tyre.
E ky lloj i prindërve ma forcon bindjen se disa njerëz i shërbejnë këtij planeti vetëm për shtimin e rasadit të budallenjve. Paramendojeni sikur politikat globale dhe interesat nacionale nesër të vareshin prej njerëzve me diapazon dhe qasje të tillë.
Ishte mirë që populli e përkrahu tik-tok profesorin vallëzues nga Vushtrria. Ai nuk kishte bërë kurrfarë krimi pse po vallëzonte në shtëpinë e tij. Por nga shumë paraqitje të tija publike në “15 minutat” e famës gjatë intervistave të shumta, për mua personalisht ai tashmë po e vërteton një thënie të vjetër të Abraham Lincolnit: “Më mirë të heshtësh dhe të të marrin për budalla, sesa të flasësh dhe të heqësh çdo dyshim”.
Po e potencoj, aspak problem nuk e kam pjesën e jetës së tij private dhe se çfarë bën ai në kohën e tij të lirë apo se me çfarë merret (përderisa, natyrisht, ato aktivitete nuk do të ishin të paligjshme), mirëpo nga këndvështrimi dhe pritshmëria prej një mësimdhënësi, z. Paci lë shumë për të dëshiruar. Në rrjete sociale u përcollën edhe shumë mesazhe me pamje dhe xhirime nga ora e tij e mësimit, në të cilën nxënësit merreshin me xhirimin e një tik-toku të ri me profesorin e tyre të ulur në mes. Kishte edhe ulërima kakofonike që mund t’i ngjasojë gjithçkaje tjetër, por një ore mësimore nga lënda e biologjisë.
* * *
Gjatë dy-tri ditëve të kaluara ishim njashtu dëshmitarë të shtjellimit të temës mbi arrestimin e Dardan Molliqajt.
Nuk dëshiroj që ta humbas hapësirën e ditarit tim me argumente shterpe që na silleshin nëpër studiot televizive nga analistë apo bashkëpartiakët e Molliqajt. Por dua ta them një gjë, meqë jetoj në Britaninë e Madhe dhe e kam të njohur sjelljen e Policisë britanike me urtësinë, kulturën dhe demokracinë e dëshmuar. Ama po të ndodhte një ngjarje e njëjtë në hyrje të Qeverisë britanike, në linjën e fundit të sigurisë, Molliqaj nuk do të ndahej bash në atë mënyrë.
Se si do të sillej policia e shtetit më demokratik në botë, ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, këtë ma merr mendja se e dini shumica, edhe pa jetuar asnjë ditë të vetme atje.
* * *
Gjatë dy ditëve të fundit, Kosova i mirëpriti të dërguarin e posaçëm të administratës amerikane për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Gjërat që ranë në sytë dhe në veshët e atyre që i disponojnë ato ishin se së pari ata erdhën bashkë. E dyta se tash BE-ja dhe SHBA-ja duken të jenë më të bashkërenditura në kërkesat e tyre ndaj palëve negociuese. BE-ja ka filluar tani që të flasë si Amerika për njohjen e ndërsjellë të të dyja vendeve me përmbylljen e bisedimeve, si dhe për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Amerika, në anën tjetër, ritheksoi rëndësinë e moscenimit të integritetit, sovranitetit dhe territorit të Kosovës. Njashtu u vërejt se përfaqësuesi i BE-së nuk po u referohej më bisedimeve, si ato mes Prishtinës dhe Beogradit, por të Kosovës dhe Serbisë.
Tash arrijmë edhe tek ai “elefanti në dhomë” e që për kryeministrin Albin Kurti dhe për qeverinë e tij do të jetë formimi i Asociacionit të komunave serbe në veri.
Personalisht mendoj se Kurti dhe Qeveria e tij do të duhej që të ndërronin qasje dhe të ofronin transparencë më të madhe rreth bisedimeve, qoftë me Kuvendin, me popullin apo edhe me përfshirjen paekuivoke të opozitës në procese. Jam i mendimit se kjo dritare e mundësisë për Kosovën mund të jetë viti 2022, e ndoshta edhe njëra pjesë e 2023-s. Por kjo do të jetë e tëra. Më pas, përqendrimi i administratës amerikane jam i sigurt se do të shkojë gjetiu, në përballje me situata të reja dhe zgjedhjet e reja presidenciale të 2024-s.
Pas suksesit të përmbylljes së bisedimeve dhe njohjes së ndërsjellë nëse, e që sigurisht do të ketë kompromise, kryeministri Kurti mbase do të duhej që ta konsideronte kthimin e votëbesimit të mandatit te populli. Nuk mund të shtiremi se tashmë i kemi harruar premtimet dhe të gjitha gjërat që ky kryeministër dhe kjo qeveri kanë thënë se do t’i arrijnë. Pritshmëritë e votuesit të kësaj qeverie janë të tjera prej atyre që ishim mësuar nga shumë zgjedhje të mëparshme. Kërkojmë ngritjen e standardeve të politikëbërjes dhe të përgjegjësive politike, veçmas nga kasta e politikanëve të gjeneratës së re.
Se si ka qenë për 20 vjet jam shumë i vetëdijshëm dhe ia kam dedikuar me dhjetëra shkrime të mia asaj qasjeje të mbrapshtë.
* * *
Në arenën ndërkombëtare vazhdojnë lëvizjet e “pllakave tektonike” të sferave të interesave të fuqive të mëdha.
Se a do të pasojnë “dridhjet e tokës” dhe me çfarë pasojash, aty vetëm mund të hidhemi në presupozime, por sido që të jetë do të ishte shumë e trishtë për Evropën, e edhe botën, në tërësinë e saj.
Ukraina deklaron se nuk do të duhej të shkaktohej panik te populli dhe se Perëndimi është duke e ekzagjeruar situatën në terren. Rusia vazhdon me grumbullimin e forcave të veta rreth kufirit me Ukrainën. Shërbimet amerikane të Inteligjencës kanë njoftuar se ditëve të fundit është pranuar informata për furnizimin me gjak në pikat, ku trupat ruse janë tashmë të stacionuara. Sipas Inteligjencës amerikane, duke e ditur se gjaku ka datë të skadimit, përveç nëse plazma është e ngrirë, atëherë kjo lë të kuptohet se ato trupa janë të gatshme për një ofensivë luftarake për invazion ndaj Ukrainës.
Amerika, me urdhrin e presidentit Joe Biden, gjithashtu do të dërgojë 3.000 trupa shtesë në kufirin e Estonisë, një ish-republikë kjo sovjetike që sot është anëtare e NATO-s.
Rusia, nga ana tjetër, vazhdon me shfaqjen e pakënaqësisë së saj për mosmarrjen në konsideratë prej amerikanëve dhe NATO-s të asnjë pike të kërkesave së saj për sa u përket çështjeve të sigurisë në rajon. E grumbullimet e trupave të NATO-s në vendet baltike i sheh si kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj saj dhe interesave të saja.
Viti i Ri kinez u shënua para ca ditësh. Tani jemi në vitin e tigrit dhe nuk kam se si të mos e kujtoj thënien dhe mallkimin e lashtë kinez: “Jetofsh në kohëra interesante”.
Të gjithë ne që ende vazhdojmë të frymojmë në këtë planet, jemi duke jetuar në kohëra interesante.
Se si do të shtjellohen ato në ditët dhe javët në vijim mbetet që të shihet. Porse ekzistojnë gjasa reale që njerëzimi ta përjetojë një shkundje të madhe tektonike, të shkaktuar nga faktori njeri. Shkalla dhe niveli i tundjeve, si dhe pasojat mbesin të shoqëruara me shumë variabla dhe të panjohura.