OpEd

Bota dhe qytetarët shohin

Lojërat politike në kohën e pandemisë së koronavirusit shihen qartë nga brenda e jashtë Kosovës. Konstruktimi i një krize politike në kohën e shfaqjes së murtajës moderne do ta ketë koston e vet që do ta paguajmë të gjithë. Por, këtë radhë, qytetarët do të mbajnë mend...

Në një vend të lirë, krizat si kjo me pandeminë e virusit me kurorë është një provë e karakterit kombëtar, por edhe e virtyteve individuale. Tani që sfida me COVID19 është e gjithë botës, qartë mund të shohim, bazuar në reagimet e shoqërive dhe liderëve të tyre, se çfarë vendesh dhe shoqërish janë shtetet e ndryshme të botës, se çfarë karakteri kanë ato si bashkësi kombëtare, dhe çfarë virtytesh apo vesesh kanë ata që janë zgjedhur t’i udhëheqin.

Kështu, për shembull, është e qartë për t’u parë se si disa nga vendet që janë goditur rëndë nga virusi, siç është rasti me Italinë, qëndrojnë të bashkuar përballë krizës, edhe nëse ka që mendojnë se krerët e shtetit nuk reaguan me shpejtësinë e duhur.

Kundërshtarët politikë në vendet demokratike kryesisht përmbahen nga goditja e qeveritarëve, nëse ajo goditje nuk ndihmon në përmirësimin e luftës kundër virusit. Kështu ndodh në shumicën dërmuese të demokracive perëndimore, të cilat Kosova i merr si model për shtet-ndërtim. Solidariteti dhe përgjegjësia mbeten në themel të përpjekjeve të shteteve dhe shoqërive të lira e demokratike në këto kohë të rënda për të gjithë. Luftërat politike, hiq rastet e pakta që përbëjnë përjashtim prej rregullit, lihen anash për një kohë më të përshtatshme, kur njerëzit dhe vendi nuk janë të rrezikuar.

* * *

Njëjtë sikur që ne mund ta shohim botën, ashtu dhe bota na sheh ne.

Dhe, çfarë sheh bota në Kosovë këto ditë?

Një shoqëri që solidaritetin e ka karakteristikë natyrore, por që vazhdimisht mbetet e ngufatur nga politika. Dhe një popull që në masën më të madhe respekton shtetin dhe institucionet, shfaq solidaritet me njëri-tjetrin dhe botën, është i brengosur nga sfida, por jo edhe në panik.

Sheh një vend i cili, përkundër se ka vite që kalon nga kriza në krizë, qëndron i fortë në ballafaqimin me sfidën e paprovuar më parë. Me një popull që nuk ul kokën përballë vështirësive. Një shoqëri që përpiqet të ecë përpara edhe në këto momente kur gjithçka duket se është ndalur.

Sheh dhe disa zyrtarë të përkushtuar, si puna e ministrit të Shëndetësisë, ministrit të Infrastrukturës apo kryetarit të Komunës së Prishtinës, që bashkërisht punojnë për tejkalimin e krizës, edhe nëse partitë e tyre politike kanë animozitete që rriten nga dita në ditë.

Por, bota e sheh edhe atë anën tjetër të medaljes. Sheh atë pjesën e politikës e cila po përpiqet të krijojë ndonjë avantazh për vete edhe në këto momente, kur njerëzit ballafaqohen me një armik ekzistencial, i cili ka ditë që na e ka ndryshuar rrënjësisht mënyrën e jetës dhe komunikimit mes vete.

Sheh një koalicion qeverisës që tashmë është përçarë dhe mund të mos e mbijetojë javën, në një kohë kur vendit nuk i duhen as lojërat politike as eksperimentimet me koalicione të interesave të momentit.

Sheh një president që nuk heziton të shfrytëzojë krizën për t’i siguruar vetes një pozicion më të favorshëm politik, në kohën kur projektet e tij politike me kufij kanë pësuar goditje nga të gjitha anët.

Sheh një opozitë, e cila kalkulon momentin e volitshëm për ta rrëzuar Qeverinë, pa e marrë parasysh pasojën e një akti të tillë, dhe atë, përkundër faktit që deri para vetëm dy muajve ishte vetë Qeveri dhe në opozitë i dërgoi vota e popullit.

Jo pak prej miqve perëndimorë që ka Kosova kanë marrë mundin që edhe në këtë kohë, kur edhe ata ballafaqohen me problemet ekzistenciale, t’i dërgojnë mesazhe paralajmëruese Kosovës: kujdes çka po bëni!

Amerikanë e evropianë, politikanë, diplomatë e ish-diplomatë, njerëz që me Kosovën janë marrë prej viteve ’90 e merren edhe sot, kanë kërkuar që politikanët e Kosovës, ata që veten e quajnë liderë institucionalë e partiakë, të frenojnë aspiratat për pushtet për pak kohë, deri sa të tejkalohet sfida me koronavirusin dhe të ndihmojnë vendin dhe qytetarët.

Rrëzimi i qeverisë në këtë situatë është quajtur i papërgjegjshëm dhe i rrezikshëm nga disa politikanë perëndimorë, përfshirë raportuesen e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon-Taubadel.

Rrëzimi i qeverisë, e cila deri tani ka treguar aftësi për t’u përballur me krizën dhe ka arritur të nxisë ndjenjën e sigurisë dhe qetësisë te qytetarët, të parandalojë panikun, do të ishte një sulm ndaj qytetarëve të Kosovës, sigurisë e mirëqenies së tyre dhe shtyrje e vendit në një drejtim të panjohur, që shumë ka gjasa të na çojë nga kriza në kaos.

* * *

Këtë e sheh bota.

Por, të njëjtën e shohin edhe qytetarët e Kosovës.

Përgjegjësia për gjenerimin e një krize të re politike mbi valën e krizës pandemike do t’u faturohet politikanëve që e konstruktuan këtë manipulim politik në kohë të murtajës moderne. Fatkeqësisht, çmimin për dëmin që do të shkaktojë kriza tashmë e paralajmëruar, do ta paguajmë të gjithë ne.

Por, do të vijnë zgjedhjet...

[email protected]