OpEd

Bota arabe ia ka kthyer shpinën kauzës së Palestinës

Veshtrim

Sa i përket rendit politik arab, ai ka treguar se nuk është i besueshëm, për sa kohë që është autoritar dhe i varur nga vetë fuqia që mbështet Izraelin dhe mbështet politikat e tij. Në të vërtetë, bota arabe një ditë mund të jetë në gjendje të luajë një rol pozitiv në ndihmë palestinezëve, por kjo do të jetë e mundur vetëm pasi t'i nënshtrohet procesit të vet të demokratizimit dhe rinovimit

Palestinezët kanë humbur aleatët e tyre arabë mes autoritarizmit në rritje të regjimeve arabe dhe varësisë nga SHBA-ja.

Kur forcat sioniste filluan spastrimin etnik të Palestinës për të krijuar shtetin e Izraelit në vitin 1948, gjendja e vështirë e popullit palestinez tronditi botën arabe. Zemëroi kombet arabe që ishin në mes të betejave të tyre antikoloniale dhe e ngritën çlirimin e Palestinës në statusin e një kauze pan-arabe.

Por teksa regjimet arabe, qoftë republikane a monarkike, u rrënjosën më shumë, tërheqja dhe dobia e kauzës palestineze për udhëheqësit arabë filloi të zbehej ngadalë.

Braktisja e palestinezëve lidhet drejtpërdrejt me natyrën jodemokratike të regjimeve arabe dhe varësinë e tyre politike të vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara, mbështetësi kryesor i Izraelit dhe projektit të tij kolonial.

Në të vërtetë, Palestina sot duket si mendim i mëvonshëm në rendin politik arab, me shumë shtete që bëjnë paqe dhe normalizojnë marrëdhëniet me Izraelin, i vetmi shtet kolonial i mbetur në botën arabe, teksa fajësojnë përçarjen politike palestineze për këtë gjendje të trishtuar të raporteve.

Censura autokratike e Palestinës

Kauza palestineze ka qenë gjithmonë, dhe në të vërtetë mbetet një çështje qendrore në imagjinatën e publikut arab dhe një simbol i ushtrimit të shprehjes së lirë. Regjimet e kishin të vështirë të kufizonin dëshirën e njerëzve të tyre për të shprehur solidaritetin e tyre me palestinezët që jetonin si qytetarë të shtresës së dytë brenda Izraelit, nën okupim në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës dhe në kushte të mjerueshme në kampet e refugjatëve në të gjithë rajonin.

Por me qeveritë arabe që po bëhen më autoritare dhe të rrënjosura, hapësira për avokim për kauzën palestineze është zvogëluar. Rritja e kontrollit mbi diskursin publik, rritja e censurës dhe përshkallëzimi i dhunës politike kanë heshtur mospajtimet në të gjithë botën arabe.

Jo vetëm që thirrjet për ndryshime demokratike pengohen në vendet arabe, por shprehjet e solidaritetit me palestinezët po përballen gjithashtu me shtypje të egër, pasi regjimet kërkojnë të kontrollojnë narrativën e kauzës palestineze.

Qëllimi i këtij monopolizimi të mënyrës se si lufta palestineze trajtohet në publik është të mbulojë faktin se regjimet arabe kanë braktisur gjithnjë e më shumë çdo përpjekje të rëndësishme politike për të ndihmuar palestinezët. Në vend të kësaj, mbështetja zyrtare ka qenë e kufizuar në retorikë mashtruese dhe gjeste simbolike në mënyrë që të shmanget konfrontimi me Izraelin dhe mbështetësin e tij, Shtetet e Bashkuara.

Ndërsa kjo ka qenë e dëmshme për luftën palestineze dhe solidaritetin popullor arab me të, ajo u ka mundësuar qeverive arabe që t'i kushtojnë energjitë e tyre mbijetesës së tyre në mes të një morie sëmundjesh politike, ekonomike dhe sociale me të cilat përballen.

Dorëzimi i Palestinës në SHBA

Në vitin 1977, disa muaj para udhëtimit të tij fatal në Izrael, i cili hapi rrugën për një marrëveshje paqeje të ndërmjetësuar nga SHBA-ja midis Egjiptit dhe Izraelit, presidenti egjiptian, Anwar Sadat ka thënë se Washingtoni mbante “99 për qind të kartave” në Lindjen e Mesme. Rënia e Bashkimit Sovjetik 14 vjet më vonë forcoi bindjen se realiteti dhe varësia arabe nga SHBA-ja vetëm sa janë rritur që atëherë.

Duke kërkuar të ruanin marrëdhënie të mira me superfuqinë, regjimet arabe lejuan Washingtonin – furnizuesin kryesor të armëve dhe mbështetjes ushtarake të Izraelit – të merrte kontrollin e përpjekjeve për paqe në rajon. Kjo nuk u la hapësirë udhëheqësve arabë që të ndikonin pozitivisht në vendimmarrje në lidhje me palestinezët.

Ngadalë, por me siguri, të drejtat e popullit palestinez ranë në listën prioritare të qeverive arabe, të cilat panë SHBA-në si garantuesen kryesore të mbijetesës së tyre politike dhe interesave të ngushta ekonomike.

Procesi i normalizimit midis disa shteteve arabe dhe Izraelit, i cili u drejtua nga administrata Trump, është vetëm një përsëritje e braktisjes graduale arabe të kauzës së Palestinës. Ajo arriti kulmin në të ashtuquajturën Marrëveshje të Abrahamit, e cila pavarësisht nga të gjitha premtimet për "përfitimet" për palestinezët, nuk kishte asgjë me vlerë për ta apo aspiratat e tyre kombëtare.

Në fakt, normalizimi arab me Izraelin vetëm sa e ka trimëruar shtetin sionist në shtypjen e tij ndaj palestinezëve dhe i ka hapur rrugën aneksimit de fakto të Bregut Perëndimor të pushtuar.

Përshkallëzimi i dhunës së kolonëve kundër popullit palestinez, duke përfshirë pogromin e fundit kundër fshatit palestinez Huwara, dhe thirrjet e hapura nga zyrtarët izraelitë për spastrim etnik janë një pasqyrim se sa i fuqizuar dhe i sigurt ndihet Izraeli se mund të kryejë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit me pandëshkueshmëri të plotë.

Gjëja më e rëndësishme që kanë bërë qeveritë arabe në përgjigje të agresionit izraelit janë shpallja e dënimeve dhe protestave të kota.

Arsyetimi i përçarjes palestineze

Që nga viti 2007, kur Hamasi mori qeverinë në Rripin e Gazës nga Autoriteti Palestinez (PA) i kontrolluar nga Fatahu, Palestina nuk ka pasur një udhëheqje të unifikuar politike. Më keq akoma, AP-ja, e cila është organi i njohur ndërkombëtarisht që qeveris territoret e pushtuara palestineze, ka humbur pothuajse të gjithë legjitimitetin e saj në sytë e popullatës palestineze.

Përçarja politike palestineze jo vetëm që ka funksionuar në favor të Izraelit, por është bërë gjithashtu justifikim i përshtatshëm për regjimet arabe që të mos avancojnë çështjen palestineze. Ata arsyetojnë në mënyrë cinike se nëse palestinezët – të cilët gjatë viteve kanë kërkuar të jenë të pavarur në vendosjen e çështjeve të tyre – nuk kanë një qëndrim të unifikuar, pse dhe si mund të punojë bota arabe në emër të tyre?

Në të njëjtën kohë, shumica e regjimeve arabe kanë hedhur peshën e tyre pas PA-së, e cila është bërë një zgjatim i rendit politik autoritar arab. Ajo refuzon t'i përgjigjet popullit palestinez dhe në të njëjtën kohë nuk bën pothuajse asgjë për të mbrojtur të drejtat kombëtare dhe njerëzore të palestinezëve.

Duke fajësuar përçarjen palestineze dhe duke pretenduar se mbështesin palestinezët përmes AP-së, regjimet arabe në thelb kanë hequr dorë nga përgjegjësia e tyre ndaj tyre.

Të braktisur nga udhëheqësit arabë, palestinezët e gjejnë veten pa aleatë të dukshëm në luftën e tyre kundër një pushtimi gjithnjë e më brutal dhe aparteidit. “Procesi i paqes” i ndërmjetësuar nga SHBA-ja është pa dyshim një farsë dhe institucionet ndërkombëtare, si Kombet e Bashkuara, mbeten shumë të dobëta – ose më mirë të dobësuara qëllimisht nga SHBA-ja – për të ndërmarrë ndonjë veprim kuptimplotë në emër të tyre.

E megjithatë, status quo-ja e shpronësimit palestinez, jeta nën një okupim brutal dhe aparteidi izraelit nuk janë të qëndrueshme. Çështja palestineze vazhdon të jetë plaga e hapur e botës arabe.

Sot, duket se vetëm palestinezët mund të udhëheqin luftën e tyre për çlirim – një që bazohet në një projekt kombëtar që përfshin të gjithë sektorët e shoqërisë palestineze brenda Palestinës dhe në diasporë dhe që bazohet në idetë e përfshirjes, pluralizmit dhe demokraci.

Institucionet kombëtare palestineze duhet të rinovohen përmes proceseve të hapura demokratike, duke përfshirë zgjedhjen e lidershipit të ri që mund të marrë përsipër nga elitat e vjetra dhe të dështuara. Shoqëria civile palestineze, institucionet arsimore dhe sociale, lëvizja rinore dhe organizata të tjera duhet gjithashtu të përfshihen në zhvillimin e këtij projekti kombëtar.

Sa i përket rendit politik arab, ai ka treguar se nuk është i besueshëm, për sa kohë që është autoritar dhe i varur nga vetë fuqia që mbështet Izraelin dhe mbështet politikat e tij. Në të vërtetë, bota arabe një ditë mund të jetë në gjendje të luajë një rol pozitiv në ndihmën e palestinezëve; por kjo do të jetë e mundur vetëm pasi t'i nënshtrohet procesit të vet të demokratizimit dhe rinovimit.

(Imad K Harb është drejtor i Kërkimit dhe Analizës në Qendrën Arabe në Washington DC. Pikëpamjet e shprehura në koment nuk përfaqësojnë politikën e redaksisë së “Al-Jazeeras”).