Presioni ndërkombëtar tash është intensifikuar. Edhe amerikanët po kërkojnë që të nisin bisedimet për formimin e Zajednicës, se për evropianët tashmë dihet, sepse ata e kanë sponsorizuar atë që më 2013-n. Është shumë e mundur që kërkesa që çështja e AKS-së të hiqet nga rendi i ditës lidhet për propozimin franko-gjerman që do ta kenë parë një grusht zyrtarësh politikë. Pra që ajo të mos jetë temë e diskutimit kur t’i vijë radha kësaj marrëveshjeje që konsiderohet të jetë përfundimtarja dhe juridikisht e obligueshme për të dyja palët. Natyrisht, nëse arrihet ndonjëherë
Edhe pse i pritur, megjithatë, lajmi më zhgënjyes erdhi nga BE-ja, lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën. Demek, shtetet anëtare në grupin punues për vizat në BE, e paskan arritur një kompromis sa i përket Kosovës, dhe kjo është se vizat do të liberalizohen më 1 nëntor 2023. Dhe kjo, kinse, pavarësisht se a hyn në fuqi sistemi ETIAS apo jo, pra një kusht që u shpik nga Franca para disa javësh.
Për dikë të mësuar tashmë që të marrë gënjeshtra për përgjigje sa herë që shtrohej çështja e liberalizimit, edhe kjo “datë historike” dhe ky “konsensus zemërgjerë” u pranua ashtu çfarë është: me zhgënjim dhe me njëmijë teori konspiracioni se përse Evropa nuk e do Kosovën.
E megjithatë, me apo pa dashuri të Evropës, fakti është se me liberalizim a pa të, kosovarët megjithatë shkojnë, e shumë sish nuk kthehen, në kërkim të një perspektive tjetër që këtu nuk e kanë.
E nuk e kanë se ne vazhdojmë t’i kemi problemet e njëjta që vetë i kemi krijuar. Kemi arsim të dobët dhe hiperinflacion shkollash të larta që prodhojnë shumë njerëz me diploma për pak vende pune. Me këtë rast nuk po merrem me cilësinë e nxënies të këtyre baçellorëve e masterëve e aq më pak doktorëve. Konkurset e kohëpaskohshme që shpallen, e tregojnë kapacitetin bazik të disa syresh: nuk dinë ta shkruajnë as madje një letër motivuese prej tre-katër paragrafësh.
Sido që të jetë, loja e Evropës me Kosovën po zgjat shumë, shumë gjatë. Dhe është fatkeqësi e madhe që pas gjithë këtyre viteve, kjo karotë të jetë shfrytëzuar nga BE-ja për të nxjerrë “suksese diplomatike” në Ballkan, kryesisht në dëm të Kosovës.
E kjo qasje nuk është se ka ndryshuar shumë – e është gjë që po shihet tash pas veprimit të Listës Serbe për t’i tërhequr deputetët dhe krejt zyrtarët nga institucionet e Kosovës.
* * *
Një vendim krejtësisht legjitim i Qeverisë së Kosovës për t’i regjistruar veturat me targat e Kosovës, u bë shkas për veprimin demonstrativ të këtij subjekti politik, i cili dihet mirëfilli se është dorë e zgjatur e Vuçiqit në Kosovë.
Pasi nisën të jepnin dorëheqje policët, e pastaj gjykatësit e prokurorët, e pastaj komisionarët komunalë të zgjedhjeve e zyrtarë të doganës, të dielën e shkuar vendosën ta mbanin një protestë në sheshin kryesor në Mitrovicën e Veriut.
Sinqerisht, kisha pritur që numri i protestuesve të ishte shumë më i madh seç e raportonin gazetarët dhe e tregonin kamerat nga vendi i ngjarjes. Kisha pritur gjithashtu edhe më shumë nacionalizëm dhe retorikë edhe më luftënxitëse seç e dëgjuam atë ditë. Porse në fund u pa se qëllimi ishte i qartë: që para botës, serbët e Kosovës të paraqiteshin si viktima pa asnjë të drejtë të vetme, ani pse ishin në gjendje ta organizonin protestën pa i prekur as penguar askush.
Dhe tek i shikoja pamjet prej atje, m’u kujtua protesta masive e mbajtur në Prishtinë më 9 mars 1998, pas masakrave në Likoshan e Qirez e më pas edhe në Prekaz. Nuk mbaj mend protestë më të madhe se ajo që u mbajt atë ditë – lumi i njerëzve zhdirgjej nga drejtimi i Mensës së Studentëve pa mundësi lëvizjeje të madhe, kurse kreu i protestës tashmë kishte mbërritur te Rektorati.
Atëherë, shqiptarëve nuk iu dha as e drejta minimale për ta shprehur zemërimin dhe dhimbjen për humbjen e thuajse 100 civilëve për dy ditë aksioni policor/ushtarak serb në Drenicë.
Atëherë iu dhanë, me bollëk, ujë nga topat policorë të ujit, goditje me pendrekë, shkelmime, rrahje, gjakosje e gaz lotsjellës – sa për t’ua tërhequr vërejtjen se herën tjetër do të kërcasë plumbi.
Atëherë ishte luftë, por Grupi i Kontaktit nuk e kuptonte si të tillë. E quante represion policor, derisa nuk u futëm thellë në vrasje e shkatërrim masiv të një Kosovë edhe ashtu të pazhvilluar e të varfër.
* * *
Një pjesë e atyre njerëzve që kishin qenë përgjegjës për këto veprime mbetën në Kosovë pas lufte. Dhe, për më tepër, u bënë më vonë pjesë e institucioneve të Kosovës. Nuk është se dikush i përndoqi e as që ua mohoi mundësinë e aktivitetit politik. Me ndërmjetësimin e BE-së, u insistua se ata duheshin integruar, pavarësisht se vazhdonin të merrnin urdhra dhe para nga qeveria e udhëhequr herë nga ministri, e herë nga zëdhënësi i Millosheviqit nga koha e protestës së shqiptarëve të përshkruar më lart.
Binomi serb vazhdon të veprojë dhe tash u ka dhënë urdhër që të tërhiqen nga “institucionet e Prishtinës”, për të na bërë presion për themelimin e një asociacioni monoetnik që po qe se zbatohet siç e duan në Beograd, do të na çojë në defunksionalizimin e plotë të shtetit të Kosovës, edhe ashtu me probleme.
Tashmë është përmendur shumë e shumë herë, se çështja AKS-së, të njohur si Zajednicë, ka qenë gabim trashanik i Thaçit në negociata me Daçiqin nën mbikëqyrjen e baroneshës Ashton. Por edhe më trashanik ka qenë gabimi i Kuvendit që e ka ratifikuar atë dhe i ka dhënë fuqi më të madhe sesa ka Kushtetuta. Marrëveshja shtesë që e ka nënshkruar Mustafa vetëm sa e ka vështirësuar edhe më – për shkak se detajet që i parashihte ishin të një autonomie politike me fuqi ekzekutive. Kushtetuesja e shpalli pjesën më të madhe të kapitujve të saj antikushtetues, porse nuk e shpalli antikushtetuese edhe marrëveshjen e Thaçit, burimit të së keqes me të cilën duhet marrë tash.
* * *
Presioni ndërkombëtar tash është intensifikuar. Edhe amerikanët po kërkojnë që të nisin bisedimet për formimin e Zajednicës, se për evropianët tashmë dihet, sepse ata e kanë sponsorizuar atë që më 2013-n.
Është shumë e mundur që kërkesa që çështja e AKS-së të hiqet nga rendi i ditës lidhet për propozimin franko-gjerman që do ta kenë parë një grusht zyrtarësh politikë. Pra që ajo të mos jetë temë e diskutimit kur t’i vijë radha kësaj marrëveshjeje që konsiderohet të jetë përfundimtarja dhe juridikisht e obligueshme për të dyja palët. Natyrisht, nëse arrihet ndonjëherë.
Nuk e di. Nuk e kam as idenë më të vogël se çfarë po zihet dhe se si do të shkohet tutje me këtë çështje. Porse sa herë e dëgjoj fjalën Zajednicë, kjo më asocion në Bosnjën, e sa herë përmendet Bosnja, më kujtohet libri “Njeriu ynë”, në pjesën kur flet për Banjallukën:
“Edhe pa sulmet ajrore, nga mesi i shtatorit, ofensiva në Bosnjën perëndimore ishte afër depërtimit të plotë. Ushtria e serbëve të Bosnjës po shkatërrohej, kurse forcat kroate dhe boshnjake ishin nja 25 kilometra larg Banjallukës, qytetit të dytë më të madh në Bosnjë dhe bazës serbe që nga fillimi i luftës. Miloševići e luti Holbrookeun që të mos lejonte rënien e Banjallukës. Po të binte, edhe disa qindra mijëra refugjatë do të derdheshin në Serbi, me gjasë duke e rrezikuar regjimin e Miloševićit. Në Washington, Lakeu dhe Christopheri donin që ofensiva të ndalej. Holbrookeu dhe Galbraithi donin që ajo të vazhdonte rreth Banjallukës dhe kërkonin nga kroatët dhe boshnjakët që të bëheshin me Prijedorin, Omarskën dhe Manjačën — qytetet që nënkuptonin spastrimin etnik, e që meritonin të ktheheshin. Do të ishte shumë më lehtë të negociohej, po qe se do të ishin nën kontrollin e federatës. Porse Tudjmani, me muaj të tërë, do t'i sugjeronte Holbrookeut se në negociatat përfundimtare Banjalluka të këmbehej me Tuzlën, duke ia mundësuar Kroacisë që ta dominonte Bosnjën, ashtu që pjesa myslimane të zvogëlohej aq sa për ta pasur Sarajevën. Tudjmani ende po fliste për rrezikun islamik dhe për përplasjen e civilizimeve.
Kurse Izetbegovići — Banjallukën e shihte si Sarajevën e serbëve të Bosnjës. Çfarë drejtësie ishte bërë po të bombardohej qyteti i tyre më i madh! Nuk pati shumë kohë për t'u mësuar me panikun dhe disfatën e serbëve.
Secili udhëheqës e urrente atë tjetrin, secili frikësohej se ai tjetri do ta tradhtonte martesën e tyre të lidhur me zor dhe kjo frikë e rriste urinë për pushtim. Trupat myslimane e serbe kishin nisur të luftonin mes vete, gjë që i alarmoi amerikanët më shumë se çfarëdo tjetër. Rënia e Banjallukës do të nënkuptonte t'i vinte në rrezik jetët e njerëzve. 100 mijë tashmë ishin humbur.
Prandaj Holbrookeu ua tha të dy udhëheqësve një rrenë, po të njëjtën gënjeshtër, të vetmen që mund t'i detyronte të ndaleshin. U tha se kishte biseduar në telefon me presidentin Clinton, i cili i kishte thënë se aeroplanët e NATO-s do t'i hidhnin bombat mbi trupat boshnjake dhe kroate po qe se do të përpiqeshin ta pushtonin Banjallukën.
Më 11 tetor nisi një armëpushim 60-ditor në të gjithë Bosnjën. Atëherë harta kishte ndryshuar në frontin e luftës, dhe nga 70% me 30% në favor të serbëve, Federata tashmë i kishte pak më shumë se 51% që ia kishte dhënë plani i Grupit të Kontaktit. Plani ishte kryesisht produkt amerikan dhe ndryshimi eventual në dëm të serbëve do të shkaktonte shumë telashe. Armëpushimi i ndali të shtënat, porse armëpushimet e tjera ishin prishur. Krejt çështjet djallëzore që e kishin nisur dhe mbajtur luftën — kush me cilën tokë u bë, se si do të funksiononte Bosnja si shtet — mbetën për t'u zgjidhur në konferencën e paqes që do të mbahej brenda ca javësh. Pas dy muajsh shtegtimi te udhëheqësit ballkanikë, Holbrookeu nuk e besonte se kishte shanse për sukses.
Por, po ta kishte lënë Banjallukën të binte? Nuk ishte njeri që pendohej, porse ky mendim do ta mundonte në vitet që do të pasonin. Aty do të mbaronte Republika Srpska. Sot Bosnja do të ishte shtet shumetnik, i hallakatur, por i tërë. Lufta do ta kishte një fitues. Dhe nuk do të ndodhte Daytoni”. (George Packer, “Njeriu ynë”, KOHA 2020, fq. 296-297).
Sot Bosnja plot zajednica është shtet disfunksional.
Ky përfundimisht nuk është shembull për Kosovën. Përkundrazi.