OpEd

Borxhlinj ndaj vetes

Është për të vajtuar se çka lamë të na ikë prej duarve. Shtetin na e bënë, e ne nuk ditëm ta zhvillojmë. Dhe jetojmë dita më ditë duke gjetur një arsye për të bërë luftë verbale mes vete, duke dëshmuar se përfundimisht jemi të papjekur si popull për t’u kujdesur madje edhe për veten

Dy tema na e bllokuan trurin këtë javë – “Zajednica” dhe përcaktimi i vlerës së koeficientit të pagës për të gjithë ata që marrin rroga nga buxheti i shtetit.

Pas shumë vjetësh shtyrjesh kryesisht në heshtje, tash përnjëherë, sikur rrufe, u paraqit presioni i fuqishëm, posaçërisht i amerikanëve, që të themelohet “Zajednica”. E tillë çfarë ishte nënshkruar më 2013-n nga Hashim Thaçi, është autonomi klasike territoriale, me shumë ingerenca të një shteti tjetër në shtetin tonë. Ashtu çfarë është zbërthyer në marrëveshjen vijuese më 2015, nënshkruar nga Isa Mustafa, është copëtim i pushtetit qendror dhe krijim i një shteti brenda shtetit. Një shkalle të re të pengimit të funksionimit të një shteti normal.

Një vit mori hartimi i një draftstatuti, nga Fondacioni Friedrich Ebert dhe aty u gjetën elemente të rrafshit të tretë të pushtetit, që janë antikushtetuese. Natyrisht, është draft që do të duhej të shërbente për shqyrtim e ide të reja mbase, porse assesi të shërbejë si dokument përfundimtar.

Nga fillimi i javës, në Ambasadën amerikane, të ftuar nga amerikanët, u mblodhën disa dhjetëra njerëz për të diskutuar për çështjen e Asociacionit. Takimi nuk qe publik dhe shumë pak u kuptua si për përmbajtjen, ashtu edhe për përfundimet. Se cilat do të jenë hapat e ardhshëm do t’i shohim dhe me gjasë edhe kuptojmë nga veprimet e Ambasadës amerikane.

* * *

Sinqerisht nuk e kuptoj se përse gjithë ky presion për një gjë të nisur mbrapshtë dhe të përfunduar edhe më mbrapshtë. Sa herë e kemi përmendur se nisja e negociatave krye më vete nga Hashim Thaçi dhe marrëveshja e nënshkruar, gjithashtu krye më vete, kanë qenë dy nga gabimet më të mëdha që na kanë ndodhur pas shpalljes së pavarësisë dhe pas opinionit të GJND-së.

Thaçi, për interesat e veta e besoj, duke pasur parasysh se Raporti Marti tashmë ishte bërë publik më 2010-n, pranoi që të hapej Pakoja e Ahtisaarit dhe që në ato negociata të negociohej për punët e brendshme të Kosovës. Kapitullin e mbyllur me shumë vështirësi, e rihapi me një nënshkrim që e quajti “historik”. Me vite u përpoq të na bindte se kjo do të ishte OJQ – dhe përherë ia shtronim pyetjen e njëjtë: po qe se është OJQ, pse duhet marrëveshje ndërkombëtare për ta themeluar atë, kur në Kosovë ekziston një Kushtetutë dhe një ligj për OJQ-të në bazë të të cilave ka mundur të themelohej.

Kjo nuk i doli boll dhe bëri shumë presion, sidomos te deputetët e partisë së tij dhe të partnerit të koalicionit, që kjo marrëveshje të ratifikohej. 30 deputetë të PDK-së së Hashim Thaçit; 15 deputetë të LDK-së së Isa Mustafës; 10 deputetë të AAK-së së Ramush Haradinajt; 7 deputetë të KKR-së së Behgjet Pacollit dhe 1 deputet pa grup parlamentar e ish i KKR-së, ishin deputetët shqiptarë që e ratifikuan atë. Dhe për këtë mbajnë përgjegjësi karshi atyre që i kanë votuar e edhe atyre që nuk i kanë votuar. Pavarësisht faktit se ka të tillë militantë që thonë se publikimi i emrave të tyre është ftesë për linçim. Në çastin kur janë betuar t’i mbrojnë interesat e Republikës, janë bërë përgjegjës për vendimet e tyre. Në çastin kur kanë votuar, janë bërë bashkërrënues të sistemit juridik të Kosovës.

* * *

Larja e duarve e këtyre partive, që tash më nuk i kanë liderët e njëjtë dhe e dy liderëve që janë ende aktivë, është joetike dhe e papranueshme. Të kesh shkretuar kaq shumë, e më pas të thuash duhet t’i dëgjojmë miqtë tanë ndërkombëtarë, pa e bërë as më të voglën përpjekje që të bashkohen në një front të përbashkët politik për të kaluar nëpër këtë fazë imponimi me sa më pak pasoja për shtetin, është oportunizëm i skajshëm.

Është për të vajtuar se çka lamë të na ikë prej duarve. Shtetin na e bënë, e ne nuk ditëm ta zhvillojmë. Dhe jetojmë dita më ditë duke gjetur një arsye për të bërë luftë verbale mes vete, duke dëshmuar se përfundimisht jemi të papjekur si popull për t’u kujdesur madje edhe për veten.

* * *

Saga dyvjeçare e Ligjit të Pagave e mori epilogun në shkallë të parë. Pasi që mezi kaloi Ligji i cili përmbante kategorizim të ri vendesh pune, këtë javë u bë publike se vlera e koeficientit do të ishte 105 euro. Se pse 105, e jo 125 a 135 a 150 – u mundua ta shpjegonte ministri, i cili e mban postin vetëm për t’i rehatuar shërbyesit civilë e publikë dhe për të ndarë ndihma me efekte parazitare kategorive të caktuara të popullsisë.

Tha se vlera ishte caktuar brenda kufijve buxhetorë dhe se në fakt kjo paraqiste mjet për kalkulimin vetëm të rrogës bazë dhe se ishin mjete të tjera të ndara, që do të shërbenin për shtesa dhe pagesa në bazë të përvojës së punës, e tjera.

Natyrisht, dhe nuk mund të pritej ndryshe, opozita reagoi duke i qitur kalkulimet e veta, se ka mundur kështu apo edhe ashtu. Fakti është se kjo opozitë ka qenë dikur në pushtet dhe edhe pse e ka pasur vlerën e koeficientit më të lartë ndoshta, e ka pasur kategorizimin më të ulët, për pasojë edhe rrogat kanë qenë më të vogla.

Kategoria më e prekur me këtë ligj është gjyqësori, rrogat e të cilëve thuajse janë përgjysmuar. Udhëheqësit e këtyre institucioneve vrapuan për të deklaruar se kjo është “përpjekje për përzierje politike në gjyqësor”. Por është shumë interesante se kur ua rritën rrogat, nuk u çuan për ta thënë të njëjtën gjë – e procedura ka qenë e njëllojtë.

Gjyqësia prej kohësh çalon në Kosovë. Dhe përderisa intenca ka qenë që nëpërmjet rrogave të majme të ndalet apo të parandalohet korrupsioni, në fakt është arritur që lëndët të zvarriten me vite dhe që gjyqësori, me përjashtimet e veta, të jetë shtylla më joefikase e pushtetit.

Fjalën me gjasë do ta ketë Kushtetuesja. Presim.

* * *

Se a ka mundur të ishte ndryshe - natyrisht se ka mundur. Ashtu siç është duke u insistuar për vettingun e gjyqtarëve, vendit tonë i duhet vettingu edhe i arsimtarëve e edhe i administratës publike.

Meqenëse vetë kam qenë dëshmitare e punës së institucioneve shtetërore, mundem edhe ta them me siguri të plotë se administrata jonë punëson më shumë njerëz seç na duhen në të vërtetë. Prej vitesh, institucionet kanë shërbyer për punësimin e militantëve dhe kushërinjve dhe nuk ka mbetur parti politike pa e punësuar dikë të vetin diku në një ministri a agjenci.

Është fakt se numri i madh i të punësuarve në sektorin publik ndihmon në uljen e papunësisë, porse punësimi i tepërt i njerëzve aty e bën administratën publike të paefektshme. Më mirë më pak të punësuar, por profesionistë që do të paguheshin më mirë seç paguhen tash.

Nga ana tjetër, Kosova sui generis, është shtet ku ministri i Financav’ krekoset se të ardhurat mesatare të sektorit publik janë dyfish më të mëdha sesa ato të sektorit privat. Dhe për këtë punë, natyrisht, se i akuzon pronarët e kompanive private. Nuk po i shfajësoj krejt pronarët e kompanive, se ka edhe të tillë që i mbajnë punëtorët pa kontrata, pa rroga të dinjitetshme dhe pa të drejta që rrjedhin nga punësimi. Por po e pyes ministrin a është lodhur ndonjëherë që të dalë, të shohë e të kuptojë se përse sektori privat nuk mund t’i rrisë rrogat – dhe kjo jo për inat tijin, por për shkak se ekonomia e Kosovës e ka një problem shuuumë serioz dhe nuk po funksionon si duhet.

A i ka dëgjuar me seriozitet ankesat se në treg nuk ka para dhe se firmat private që nuk marrin asnjë ndihmë nga shteti, buxhetin e të cilit e mbushin, duhen t’u qasen bankave për kredi, ashtu që ATK-ja t’u mos ua bllokojë llogaritë. Nuk e besoj t’i ketë dëgjuar. Sepse jeton me bindjen që i gjithë sektori privat udhëhiqet nga oligarkët, se sektori privat vetëm zhvat dhe se ka qejf që punëtorët t’i ikin për shkak se nuk mund të jetojnë me rrogat që i marrin.

* * *

Shumë dëshpëruese e gjithë situata, sepse fajet i kemi vetë. Dhe e keqja është që nuk po mësojmë as nga gabimet tona e as nga gabimet e të tjerëve. Thuajse dikush diçka na ka borxh. Pa e pranuar se borxhlinjtë më të mëdhenj ndaj vetes jemi vetë ne.

[email protected]