Si po kthehen Facebook dhe Google në armiqtë më të mëdhenj të dijes?
ANËS DETIT i palarë,
Anës dritës i paparë,
Pranë sofrës i pangrënë,
Pranë dijes i panxënë,
Lakuriq dhe i dregosur,
Trup e shpirt i sakatosur.
Ish-kryeministri Fan S. Noli sigurisht kurrë nuk e kishte menduar se poezia e tij e famshme - ku vajtohej pamundësia që Shqipëria të bëhej shtet demokratik pas puçit nga Ahmet Zogu – do të mund të përdorej 90 vjet më vonë për të përshkruar pikërisht të kundërtën e demokracisë nga teprimi me demokraci.
Ja që këto vargje sot mund të shërbejnë si një ilustrim për kohën kur liria që ka dhënë interneti po na kthehet në ngufatje të lirisë, një ndër temat që kanë filluar të diskutohen jo edhe pa panik në vitin 2017.
Sot, në kohën kur më shumë se gjysma e popullatës së botës janë të lidhur mes vete nëpërmjet internetit dhe kanë qasje të menjëhershme në arkivin më të madh të imagjinueshëm të informatave, kanë filluar brengat kryesore se kjo shumëllojshmëri nuk po përkthehet medoemos në atë që pandehej - më shumë informim, më shumë dije, më shumë mendim kritik dhe më shumë marrje të vendimeve të mira. Përkundrazi! Koncentrimi i madh i informatave nën menaxhimin e drejtpërdrejtë të 2-3 korporatave të mëdha ka nxitur me të drejtë edhe frikën se superstruktura e dijes gjithnjë e më tepër po (keq)përdoret, nga ose nëpërmjet këtyre grupeve të interesit ekonomik, kundër lirisë së informimit, gjegjësisht dijes në përgjithësi.
NJË E TRETA e gjithë popullatës së botës aktualisht shfrytëzon sot rrjetet sociale, si Facebook, Twitter e Instagram. Gjithashtu, mbi gjysma e shfrytëzuesve të rrjeteve sociale lexojnë lajmet që servohen vetëm nga rrjetet sociale. Kjo ka shkaktuar varësinë e përdoruesve për të kuptuar se çka po ndodh rreth tij dhe në botë duke u qasur kryesisht në Facebook.
Mirëpo, njerëzit harrojnë se Facebooku nuk është një medium. Me media, deri më tash, është nënkuptuar një organizatë e njerëzve që marrin vesh nga lajmi dhe informacioni, janë arsimuar për punë në to, si dhe u nënshtrohen atyre që quhen kode të gazetarisë.
Në Facebook, në anën tjetër, këto fare nuk kanë rëndësi. Të gjithë përdoruesit mund të marrin lajme dhe të prodhojnë “lajme” në të njëjtën kohë. Kështu edhe lindi hapësira e madhe për manipulim me ato që kohëve të fundit janë emërtuar si fake news, ose lajme të rreme.
Kompania amerikane “Buzzfeed” ka vërejtur se 20 lajmet më të lexuara të shpërndara nëpërmjet Facebookut lidhur me zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA që të gjitha janë plotësisht të rreme ose fakenews, duke lënë kështu mbrapa lajmet më të lexuara të vërteta për zgjedhjet që janë botuar në 19 mediet më të mëdha amerikane.
Vladimir Putin vlerësohet të ketë qenë përfituesi më largpamës i shfrytëzimit të mundësisë së artë që kanë vënë në dispozicion rrjetet sociale. Agjencitë e themeluara prej tij viteve të fundit vlerësohet se kanë punuar 24 orë duke prodhuar lajme të rreme, të cilat kanë ndikuar në fushatat zgjedhore në Ukrainë, Gjermani, Francë e sidomos në SHBA. Sot ka një opinion të përhapur, i cili flet se fitorja e Donald Trumpit është ndihmuar pikërisht nga lajmet e rreme, në masë të madhe nga rivali kryesor i SHBA-së, Rusia, si ironi, duke e përdorur zbulimin amerikan – rrjetet sociale.
ÇKA PO NDODH? Nëse nuk ndërmerren hapa të shpejtë, ka skenarë ogurzinj që flasin se interneti do të kthehet në një ankth për masën e madhe të përdoruesve të pakujdesshëm, të cilët tash për tash përbëjnë numrin më të madh.
P.sh. duke parë se pjesa më e madhe e njerëzve që janë online janë edhe në Facebook, thuajse të gjitha mediat “tradicionale” sot kanë faqet e veta zyrtare në këtë rrjet. Kjo gjithsesi se ka ndikuar që të shtrihet ndjeshëm qasja e këtyre mediave te audienca e re, mirëpo në të njëjtën kohë vetë këto media janë bërë gjerësisht të varura nga vetë Facebooku. Edhe në Kosovë, ashtu si dhe gjetiu nëpër botë, rreth gjysma e vizitave në faqet e mediave tradicionale në internet vjen nëpërmjet Facebookut. Në këtë mënyrë, vetë fati i këtyre mediave varet nga qasja që e lejojnë algoritmet që Facebooku i aplikon, që i bie se nuk kanë asfarë ndikimi në këtë shpërndarje.
Një eksperiment i frikshëm i tillë u aplikua edhe në muajin nëntor, kur Facebooku kishte hequr “news feed”-in prej faqeve zyrtare të mediave dhe organizatave në Serbi, Sllovaki, Guatemala, Bolivi dhe Kamboxhia, duke mundësuar që të shkohet tek ato faqe vetëm nëse përzgjidhet një vjegëz e veçantë e quajtur “explore feed”. Në të njëjtën kohë, këtë problem nuk e përjetonin edhe përmbajtjet me pagesë në Facebook nga këto faqe të njëjta.
Në këtë frymë, çka nëse një ditë Facebooku vendos që ta mbyllë krejtësisht faqen e një mediumi të caktuar? Me automatizëm, kjo do të thotë rreth 50 për qind më pak qasje të atij mediumi te audienca e vet. Nëse audienca e një mediumi bie për 50 për qind brenda një nate, atëherë edhe reklamuesit e atij mediumi pritet të bien, rrjedhimisht rrezikohet qëndrueshmëria financiare dhe vetë mbijetesa.
Në anën tjetër, Facebooku, duke pasur në dispozicion të gjitha ato informata që ne vullnetarisht i japim aty – duke filluar nga muzika e librat që na pëlqejnë e deri te vendndodhja dhe punësimi –ia ka dalë që të na ofrojë edhe reklamat e orientuara saktë sipas sferës së interesit. Sot, pra, një kompani mund të llogarisë se nuk ka fare nevojë që të shpenzojë para në reklama në një televizion për koncertin e radhës të Ledri Vulës, por do të paguajë vetëm 5 dollarë në ditë në Facebook dhe informatën do ta ketë e gjitha audienca e targetuar, e cila mund të jetë e moshës prej 12-42 - vjeçare, në Prishtinë, e qasshme nëpërmjet përdorimit të këtyre të dhënave që vetë pjesëtarët e kësaj audience kanë dhënë në rrjetin social.
Kur e kemi parasysh se në nëntorin e këtij viti Facebooku ka arritur 80 për qind më shumë të hyra nga periudha e njëjtë matëse e një viti më parë, kjo është një e dhënë tmerruese. Sot Facebooku dhe Alphabet, kompania amë e Googles - dy faqet më të vizituara në internet- njëkohësisht kontrollojnë gjysmën e reklamave digjitale në botë. Pushteti i tyre monopolizues mbi informatën dhe paranë është më i madhi që është parë ndonjëherë në historinë e njerëzimit.
A MUND TË ketë mobilizim kundër këtij monopoli mbi informatën, gjegjësisht (mos)dijen? Gjithsesi se do të jetë problematike. Meqë, paradoksalisht, si mund të kthehet kontrolli mbi informatën, në kohën kur ende arritja më e madhe e njerëzimit vlerësohet qasja në informatë?!
Idetë më të përhapura janë instalimi i mekanizmave që do të siguronin qarkullimin e informatave të besueshme (sado problematik të tingëllojë ky term).
Gjermania, si shembull, së fundi ka filluar t’i obligojë kompanitë e rrjeteve sociale që t’i heqin lajmet e rreme brenda 24 orësh ose të paguajnë gjoba deri në 50 milionë euro. A do të munden edhe shtetet e tjera të aplikojnë kërkesa të ngjashme dhe a do ta përmirësojnë ato situatën?
Duket se kjo do të jetë dilema kryesore e vitit 2018.
Deri atëherë, të gjithë do të duhej të brengoseshin. Rrjetet sociale, bisha të cilën e ushqyem secili prej nesh, rrezikon të na e gëlltisë lirinë e fituar me aq shumë mund.
Twitter:@adriatikk