Nё dy vjetët e fundit tё administratёs sё Donald Trumpit vёrehet njё aktivizim i pazakontё me problematikёn ballkanike, sidomos me dialogun Kosovё - Serbi. Veç dy tё dёrguarve tё posaçёm, Riҫard Grenell dhe Metju Palmer, dialogu Kosovё - Serbi ka marrё vёmendjen edhe tё vetë presidentit amerikan. Nё dhjetor të 2018-s, ai iu drejtua me letёr homologёve tё tij nё Kosovё dhe Serbi, nё tё cilёn theksonte nevojёn e ngutshme tё nёnshkrimit tё marrёveshjes pёrfundimtare midis dy vendeve, sepse, sipas tij, ky ёshtё njё shans historik qё mund tё mos pёrsёritet mё. Nё janar tё kёtij viti, Donald Trumpi e vlerёsoi si “historike” njё letёr qёllimi pёr bashkёpunim nё fushёn e transportit ajror midis Prishtinёs dhe Beogradit.
Aktiv dhe jo rrallё agresiv ёshtё shfaqur i Dёrguari i Posaçёm i presidentit, ambasadori Riçard Grenell. Nё vizitat e tij nё rajon, nё deklaratat publike dhe cёrcёritjet diplomatike, ai ka pёrsёritur pa fund njё refren: filloni menjёherё dialogun, shfrytёzojeni momentin, jeni tё vonuar. Edhe nё kulmin e pandemisё, gjatё muajve mars e prill, ai kёrkoi nga Qeveria e Kosovёs heqjen e tarifave e tё reciprocitetit me Serbinё dhe fillimin e menjёhershёm tё dialogut me tё.
Megjithatё, gjatё kёtyre dy vjetëve nuk pati bisedime, ndёrkohё qё gjatё kёsaj periudhe ranё dy qeveri, ajo e Haradinajt me dorёheqje dhe e Kurtit me mocion mosbesimi. Mendimi i pёrgjithshёm ёshtё se nё rёnien e tyre ka gisht Uashingtoni zyrtar, kryesisht pёr mungesёn e hapave konkretё nё rifillimin e dialogut me Serbinё.
Tani kemi njё moment tё ri. Pas një ndёrprerjeje prej dy vjetësh, me ndёrmjetёsimin energjik tё Grenellit, më 27 qershor 2020 nё Uashington do tё rifillojnё bisedimet midis Kosovёs dhe Serbisё, tё pёrfaqёsuara nё nivelin mё tё lartё, atё tё presidentit dhe tё kryeministrit. Siç ёshtё deklaruar nga organizatorёt, objekt i tyre do tё jenё vetёm çёshtjet ekonomike, pёr t’i lёnё mё tё vёshtirat, ato politike, pёr njё fazё tё dytё, tё mёvonshme. Pavarёsisht skepticizmit pёr arritjen e njё zgjidhjeje pёrfundimtare nёpёrmjet ekonomisё, njё miniplani “marshall” ballkanik apo “minishengeni”, pёr shkak se konflikti midis Kosovёs dhe Serbisё nuk ёshtё me natyrё ekonomike, por thellёsisht politike, mbetet i pamohueshёm fakti i aktivizimit energjik tё Uashingtonit nё kёto bisedime.
Si shpjegohet aktivizimi i administratёs amerikane nё bisedimet Kosovё - Serbi, kur nё dy vjetët e parë tё qeverisjes sё saj pothuaj nuk u kujtua fare pёr to? Pёrse ky nxitim kaq i madh pёr t’u marrё me një çёshtje qё duket se nuk prek drejtpёrdrejt interesat e sigurisё kombёtare tё SHBA-sё? Cila ёshtё strategjia e vёrtetё e administratёs aktuale amerikane nё bisedimet Kosovё - Serbi?
Pёr t’iu pёrgjigjur kёtyre pyetjeve, mё poshtё do t’i shqyrtojmё pesё hipoteza.
Sipas hipotezёs sё parё, aktivizimi i administratёs sё Trumpit nё bisedimet Kosovё - Serbi nuk ёshtё gjё tjetёr veç vazhdim i misionit tradicional tё SHBA-sё nё Ballkan, qё nga pёrfundimi i Luftёs sё Ftohtё, pёr zgjidhjen e konflikteve, respektimin e tё drejtave tё njeriut, ruajtjen e paqes dhe pёr shtetndёrtimin. Pёr zyrtarёt e administratёs amerikane, pёr njё numёr politikanёsh nё Kosovё, si presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeministri Isa Mustafa, ish-kryeministri Ramush Haradinaj, e të tjerë, si dhe disa analistё nga Kosova, Shqipёria e ndonjё tjetёr nga rajoni, kjo nuk ёshtё hipotezё, por aksiomё. Nё kёndvёshtrimin e tyre, politika amerikane qёndron mbi binarё strategjikё qё funksionojnё pa ndryshime, pёr dhjetёra vjeçarё; SHBA ёshtë “ndёrmjetёs i ndershёm”; administrata e Trumpit ёshtё e interesuar ta mbyllё kёtë çёshtje tё papёrfunduar dhe tё mos e lёshojё momentin; kjo administratё ёshtё e gatshme qё ta marrё rolin kryesor nё fazёn pёrfundimtare.
Nё qoftё se e zgjerojmё pak kontekstin nё kohё dhe hapёsirё, duke u kthyer katёr vjet pas, pёr tё parë çfarё ndodhi realisht me ardhjen nё postin e presidentit tё SHBA-sё tё Donald Trampit, si dhe tё shohim jashtё Ballkanit pasojat globale tё politikёs sё administratёs sё re, argumenti i vazhdimёsisё sё vlerave, jo vetёm bie poshtё si aksiomё, por vihet nё pikёpyetje serioze edhe si hipotezё.
Sipas pёrfaqёsuesve mё tё shquar amerikanё tё shkollёs realiste, por edhe tё asaj liberale, me ardhjen e Donald Trumpit nё fuqi ndryshoi vetё natyra e hegjemonisё amerikane. Sipas profesorit tё Institutit Teknologjik tё Masaçusets-it, njёrit prej studiuesve mё tё spikatur tё strategjisё sё madhe amerikane, B. R. Pozen, nё vend tё “hegjemonisё liberale”, koncept qё u zbatua si nga demokratёt, ashtu edhe nga republikanёt, qё nga pёrfundimi i Luftёs sё Ftohtё, sot, nёn administratёn e Trampit, kemi njё koncept tjetёr, atё tё “hegjemonisё joliberale”. Teoritё mbi tё cilat ёshtё mbёshtetur hegjemonia liberale janё paqja demokratike, ndёrvarёsia ekonomike dhe institucionalizmi liberal. Ndёrkaq, hegjemonia joliberale mbёshtetet te nacionalizmi nativist, proteksionizmi dhe populizmi i djathtё.
Njё tjetёr personalitet i shquar nё fushёn e politologjisё, profesori U. R. Mid, argumenton se Trampi mbёshtetet te nacionalizmi populist xheksonian. Populistёt e kёsaj kategorie janё tё interesuar pёr politikёn e jashtme vetёm nё mёnyrё fragmentare, nuk janё tё orientuar drejt realizimit tё misionit universal tё Amerikёs pёr transformimin e botёs dhe shfaqin skepticizёm tё hapur nё aftёsinё amerikane pёr tё krijuar dhe udhёhequr njё rend botёror liberal. Rolin e qeverisё ata e kufizojnё me realizimin e pёrgjegjёsisё para qytetarёve tё vet, pёr ngritjen e mirёqёnies sё tyre, si dhe forcimin e sigurisё kombёtare.
Njё tjetёr autoritet i shkencave politike, profesori i Harvardit, G. Allison, nё shkrimin e tij tё fundit nё “Foreign Affairs”, (mars-prill 2020), me titull “Sferat e reja te ndikimit” pohon se bota qё u krijua pas Luftёs sё Ftohtё tashmё ka perёnduar dhe se pasojat e kёsaj zhvendosjeje janё aq tё thella, sa mund tё krahasohen me ato tё fundit tё viteve ‘40 tё shekullit tё kaluar. Sipas tij, “pёr shumё kombe tё tjerё dhe individё nё gjithё botёn, qё kanё gjetur strehё nёn çadrёn e sigurisё amerikane dhe janё frymёzuar nga vizioni i njё rendi ndёrkombёtar tё udhёhequr nga Amerika, i cili mbronte liritё themelore, pasojat do tё jenё tragjike”.
Profesori tjetёr i Harvardit, S. M. Uolt, konstaton çangazhimin amerikan nga çёshtjet globale, si dhe pasivitetin diplomatik tё administratёs sё Trumpit.
Pёr disa studiues tё marrёdhёnieve ndёrkombёtare, strategjia e administratёs sё Trumpit ka elementё edhe tё realpolitikёs sё presidentit Nikson dhe kёshilltarit tё tij tё Sigurisё kombёtare, H. Kisinger, sipas sё cilёs interesat amerikane pёrcaktojnё detyrimet e Uashingtonit dhe jo e kundёrta, se SHBA nuk ёshtë angazhuar sepse ka detyrime, por ka detyrime sepse ёshtë angazhuar.
Nё kёtё kontekst, Allison argumenton domosdoshmёrinё e rishikimit rrёnjёsor të çdo detyrimi, rishikim qё mund të çojё nё heqjen qafe tё disa aleatёve, sepse, sipas tij, Uashingtoni ka nevojё pёr aleatё qё i sjellin dobi, jo rreziqe.
Mendimi i pёrgjithshёm i ekspertizёs politologjike ёshtё se tani nё Uashington ka njё tjetёr politikё dhe njё tjetёr lloj vendimmarrjeje, tё cilat nuk kanё nё bazё parimet uillsoniane, “a ёshtё e drejtё?”, “a ёshtё nё interes tё njerёzimit?”, por “çfarё fiton Amerika?”, “çfarё fiton vetё Donald Trumpi?”. Shkurt, kemi tё bёjmё me rёnien e parimeve dhe marrjen pёrparёsi tё transkaksionit. Pasojё e njё politike tё tillё janё marrёdhёniet e tensionuara tё SHBA-sё me fqinjёt; thelimi i pёrçarjeve transatlantike; krijimi i boshllёqeve gjeostrategjike nё rajone me seizmikё tё ndjeshme gjeopolitike; rritja e autoritarizmit dhe tёrheqja e demokracisё; minimi i bashkёpunimit shumёpalёsh dhe absolutizimi i atij dypalёsh; merkantilizimi i tejskajshёm i tregtisё, etj.
Pyetja qё shtrohet ёshtё: Si shpjegohet qё nё marrёdhёnie me miqtё dhe me aleatёt mё tё afёrt tё SHBA-sё presidenti Trump tё mos udhёhiqet nga parimet dhe vlerat e administratave tё mёparshme, ndёrsa nё raport me Kosovёn dhe Serbinё tё shfaqet si vazhdues besnik i tyre? Ҫfarё ka tё veçantё Ballkani Perёndimor nё pёrgjithёsi dhe shqiptarёt nё veçanti, qё ta bёjnё Donald Trampin kaq humanist e bamirёs, qё nё ndёrhyrjen e tij nё dialogun Kosovё - Serbi tё mos shohё asnjё lloj interesi tjetёr, veç pajtimit dhe marrёveshjes pёrfundimtare midis kёtyre dy vendeve?
Qasja racionale vёshtirё tё gjejё pёrgjigje ndaj kёtyre pyetjeve, ajo mistike, mbase, mund tё jetё mё rezultatitve.
Edhe hipoteza e dytё ka tё bёjё me vazhdimёsinё, tradicionalitetin dhe qёndrueshmёrinё e politikёs sё jashtme amerikane, kёtё radhё nё fushёn e sigurisё. Sipas mbёshtetёsve tё saj, politika e administratёs sё Trampit nё drejtim tё Rusisё nuk ka ndryshuar, se ashtu si mё parё ajo vazhdon ta konsiderojё Moskёn si kёrcёnim ndaj interesave tё sigurisё sё vet kombёtare, si dhe tё sigurisё sё aleatёve tё saj. Nga ky kёndvёshtrim, pёrpjekjet e Uashingtonit pёr pёrmbylljen e konfliktit midis Kosovёs dhe Serbisё shihen si pjesё e strategjisё amerikane pёr uljen e ndikimit dhe tё pranisё ruse nё rajonin e Ballkanit Perёndimor dhe parandalimin e depёrtimit tё Moskёs drejt ujёrave tё ngrohta tё Mesdheut.
Qё ka njё shtim tё ndikimit rus nё rajon gjatё viteve tё fundit ky ёshtё njё fakt i dёshmuar tashmё me ngjarjet nё Mal tё Zi (tetor 2016), me ato nё Maqedoni (2017), me ato nё veriun e Kosovёs, nё Bosnjё - Hercegovinё, etj., pasojё kjo e drejtpёrdrejtё e pёrgjumjes strategjike tё Perёndimit, gjatё dhjetёvjeçarit tё fundit. Moska ka shfrytёzuar me shkathtёsi paqartёsitё dhe lajthitjet perёndimore nё pёrcaktimin e hierarkisё sё kёrcёnimeve nё Ballkanin Perёndimor, duke vlerёsuar si kёrcёnim jetik, herё terrorizmin, herё Kinёn, herё ndonjё faktor tjetёr. Gjithashtu, Kremlini ka shfrytёzuar me efikasitet dritёshkurtёsinё e elitave tona politike qё kanё ndjekur verbёrisht postulatet e partnerёve tanё perёndimorё, pa i lidhur ato me dinamikat specifike, nё ndryshim tё pёrhershёm, nё terren. Nuk ka dyshim qё pёr shkak tё historisё tё lidhjeve tё ngushta gjuhёsore e kulturore, tё interesave gjeoekonomike dhe gjeostrategjike si dhe tё potencialit qё zotёron dhe vullnetit politik pёr t’u mobilizuar dhe vepruar, Moska ka qenё dhe mbetet kёrcёnimi i jashtёm kryesor ndaj paqes, sigurisё e stabilitetit tё rajonit dhe, sidomos, ndaj ekzistencёs sё shtetit tё pavarur e sovran tё Kosovёs.
Do tё ishte shumё i mirёpritur kontributi i administratёs sё Donald Trumpit pёr ta larguar Rusinё nga Ballkani Perёndimor, gjё qё paraardhёsit e tij, kush mё shumё e kush mё pak, janё pёrpjekur ta bёjnё, por duket se ky nuk pёrbёn njё objektiv strategjik tё presidentit Trump. Edhe nё kёtё rast janё kryesisht politologёt, studiuesit dhe analistёt amerikanё qё na vijnё nё ndihmё pёr tё kuptuar drejt thelbin e hipotezёs sё aktivizimit tё diplomacisё amerikane nё bisedimet Kosovё – Serbi, duke u nisur nga konsideratat e sigurisё.
Ish-kёshilltari i Departamentit tё Shtetit pёr çёshtjet globale gjatё administratёs sё parё tё Bushit, profesor P. Sonders, konstaton se me ardhjen e Trumpit ka ekzistuar frika qё ai do tё pajtohej me dhёnien Rusisё tё njё sfere ndikimi dhe kjo ёshtё arsyeja e miratimit nga Kongresi tё Ligjit mbi Sanksionet, tё ligjit qё ndalon bashkёpunimin e ushtarakёve amerikanё me homologёt e tyre rusё, me pёrjashtim tё njё numri shumё tё kufizuar tё çёshtjeve teknike, tё “Aktit tё Kremlinit”, nga Dhoma e Pёrfaqёsuesve, etj., tё gjitha kёto pёr t’ia pamundёsuar presidentit Trump arritjen e njё ujdie qё ai do ta dёshironte me presidentin Putin.
Ambsasadori Xh. U. Pardju, i cili nё vitin 1999 u mor drejtpёrdrejt me pёrgatitjen e hyrjes sё NATO-s nё Kosovё, shkruan se ka dyshime tё thella rreth natyrёs sё raporteve midis Trumpit dhe Putinit dhe se ai nuk e pёrjashton qe ata tё jenё marrё vesh edhe pёr procesin e dialogut Kosovё - Serbi.
Sipas analistit K. Miçёll, siç rezulton nga skenarёt e zbatuar mё parё, nё Siri dhe Ukrainё, Trumpi ёshtё mё i prirur qё ta lejojё Moskёn tё marrё pёrgjegjёsi, sesa ta sfidojё atё me operacione ose prani amerikane nё rajone tё ndryshme tё botёs.
Dyshimet u shtuan edhe mё shumё pas deklaratёs sё zёdhёnёsit tё ambasadorit Grenell, D. Kustin, rreth mundёsisё sё pёrfshirjes sё Rusisё nё procesin e bisedimeve Kosovё – Serbi, e cila, sipas tij, ёshtё e mirёpritur.
Duket se interesat aktuale tё administratёs sё Trampit kёrkojnё jo ballafaqim dhe pёrplasje me Rusinё, por pajtim dhe, mundёsisht, bashkёpunim me tё. Nuk ёshtё Rusia ajo qё konsiderohet si kёrcёnim pёr hegjemoninё amerikane, por fuqia kineze nё rritje. Profesori G. Allison flet pёr “kurthin e Tukididit” (ballafaqimi i Spartёs sunduese me Athinёn nё ngjitje), ndёrsa studiuesi i njohur Ivan Krastev vё nё dukje se Donald Trumpi ёshtё vёnё nё kёrkim tё aleatёve kundёr Kinёs, sfiduesit kryesorё tё interesave amerikane brenda dhe jashtё vendit.
Me 25 prill tё kёtij viti, Trumpi dhe Putini dolёn me njё deklaratё tё pёrbashkёt, nё tё cilёn flitet pёr rёndёsinё qё ka ruajtja e kujtesёs mbi takimin nё Elbё, 75 vjet mё parё, tё ushtarakёve amerikanё dhe rusё si vёllezёr armёsh. Nё deklaratё theksohet se “Fryma e Elbёs ёshtё njё shembull se si vendet tona mund tё lёnё anash dallimet, tё ndёrtojnё besimin dhe tё bashkёpunojnё pёr njё kauzё mё tё madhe”. Nё qoftё se gjatё Luftёs sё Dytё Botёrore, me “kauzё tё madhe” kuptohej lufta kundёr Gjermanisё naizste, nuk ёshtё vёshtirё qё sot tё merret me mend qё ajo lidhet me pretendentin e ri pёr hegjemoni, Republikёn e Kinёs. Kjo ёshtё arsyeja qё njё pjesё e adminsitratёs sё Trampit dhe disa kongresmenё kanё shprehur shqetёsim se “Fryma e Elbёs” mund tё zbusё gjuhёn e Uashingtonit ndaj Moskёs. Kёtё presidenti Trump e ka dёshmuar mё shumë se njё herё, jo thjesht me zbutje tё gjuhёs, por duke e mbrojtur dhe mbёshtetur Rusinё dhe presidentin Putin. Ajo nuk u besoi 17 agjencive tё zbulimit amerikan pёr ndёrhyrjen e Rusisё nё fushatёn zgjedhore nё SHBA nё vitin 2016, fakt qё e konfirmoi edhe raporti Myller. Pёrkundrazi, në këtë çёshtje, Trumpi i besoi Putinit. Pavarёsisht zёrave kundёrshtues brenda G7, ai e ftoi Rusinё t’i bashohej kёtij grupimi.
Natyrisht, me nxitjen e Kongresit dhe nё funksion tё luftёs sё brendshme politike, Donald Trumpi ka ndёrmarrё edhe ndonjё njё hap kundёr Moskёs, duke kёrkuar, herё hapur e herё fshehur, mirёkuptimin e saj, i cili nuk i ka munguar. Kremlini zyrtar, si rregull, nuk e akuzon presidentin Trump pёr qёndrimet amerikane kundёr Rusisё, por “segmente tё caktuara” tё administratёs sё tij.
Duhet theksuar se pikёpamjet e Trampit dhe tё Putinit pёr njё numёr çёshtjesh tё marrёdhёnieve ndёrkombёtare, pёrfshirё “terrorizmin islamik”, qёndrimin ndaj BE-sё etj., kanё ngjashmёri ose pёrputhen plotёsisht. Pёr kёtё tё fundit, si Trumpi, ashtu edhe Putini, preferojnё tё mbajnё lidhje me kryeqytetet e veçanta europiane, jo me Brukselin dhe organet pёrfaqёsuese tё BE-sё si organizatё.
Vёshtirё tё imagjinohet qё presidenti Trump, i cili duket se ka nevojё jetike qё Rusia t’i bashkohet nё “kauzёn e madhe” kundёr Kinёs, tё bёjё sherr me tё pёr t’ua bёrё qejfin shqiptarёve. Akoma mё vёshtirё ёshtё tё pёrfytyrohet qё njё president si Trumpi, i cili nuk e konsideron Moskёn si kёrcёnim pёr vendin e vet, ta konsiderojё atё si tё tillё pёr njё rajon tё largët si Ballkani dhe tё luftojё pёr largimin e saj nga ky rajon.
Nё kёtё kuptim, edhe logjika e hipotezёs sё dytё, sipas sё cilёs aktivizimi i administratёs sё tanishme amerikane nё dialogun Kosovё - Serbi lidhet me arsye sigurie, bie. Nё qoftё se prapa kёsaj politike nuk qёndrojnё as vlerat amerikane, as interesat e sigurisё, atёherё cilat janё interesat e vёrteta qё e shtyjnё Donald Trampin drejt aktivizimit nё Ballkanin Perёndimor?
Këtë përpiqet të sqarojë hipoteza e tretë, e cila ndryshon thelbësisht nga dy të parat. Në themel të saj qëndron argumenti se administrata e Trampit dallon nga ato të mëparshmet, se politika e saj në Ballkanin Perëndimor nuk është ajo e vazhdimësisë, përkundrazi, ka prishur konsensusin dypartiak, rreth 30-vjeҫar.
Në një deklaratë të saj, ish-Sekretarja e Shtetit, M. Ollbrajt, pasi dënoi “spastrimin gjenocidial” të regjimit të Beogradit, shprehu keqardhjen që SHBA-ja nuk është duke ndihmuar në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të Kosovës me Serbinë. Kryetari i Komitetit për Ҫështje të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, Eliot Engel, e ka kritikuar administratën e Trampit se i ka kthyer shpinën Kosovës, si dhe për mungesën e një qëndrimi të balancuar në raportet Kosovë-Serbi. Profesori i Universitetit Kolumbia, D. Filips, shprehet akoma më hapur “Kemi harruar kush është klienti ynë. Nuk është Serbia, por Kosova, shteti të cilin e kemi ndihmuar të formohet, i kemi shërbyer dhe e kemi mbrojtur”. Së njëjtës pikëpamje i përmbahet edhe Koalicioni i Organizatave shqiptaro-amerikane, i cili me një letër drejtuar Presidentit Tramp, shpreh keqardhjen që diplomacia dritëshkurtër e administratës së tij “ka rezultuar në keqtrajtimin e viktimës”, duke u rreshtuar me një udhëheqës të tillë si A. Vuҫiqi.
Ndër mbështetësit e kësaj teze shquhet ish-Kryeministri Albin Kurti, i cili ka qenë i drejtpërdrejtё në akuzat e tij kundër të Dërguarit të Posaҫëm, Ambasadorit Grenell, për favorizim të Serbisë në raport me Kosovën. Ai ka deklaruar se përfaqësuesi i Trampit nuk është mes Prishtinës dhe Beogradit, por qëndron në pozicionin e këtij të fundit.
Nga ana e tyre, udhëheqësit serbë, jo pa ngazëllim, kanë konstatuar se Amerika po ua vë veshin argumenteve të Beogradit mbi Kosovën dhe se administrata e Trampit, ndryshe nga ato të mëparshmet, vlerëson se ҫështja e Kosovës nuk është zgjidhur, ndaj duhen zhvilluar bisedime për të arritur një kompromis. Natyrisht, Beogradi bën lojën e vet dhe deklaratat e tij duhen marrë me rezervë, por është i padiskutueshëm fakti që qëndrimi i administratës së tanishme amerikane ndaj Serbisë nuk është qëndrimi tradicional i politikës së jashtme amerikane që ne kemi njohur gjatë 30 vjetëve të fundit.
Shkaqet e një ndryshimi të tillë të sjelljes amerikane mbështetësit e kësaj teze i lidhin, veҫ të tjerash, me aktivizimin pas ardhjes së Trampit në pushtet, të lobit serb në SHBA. Profesori i Universitetit Hopkins, D. Server, shkruan se lobistë të angazhuar nga Beogradi kanë arritur të ndikojnë te një administratë që kujdeset pak për Ballkanin dhe aspak për Kosovën. Ish-Ambasadori i Republikës së Kosovës në Uashington, Avni Spahiu, në librin e tij “Misioni i Parë”, shkruan se lobistët serbë filluan të aktivizohen në Uashington që në vitin 2010. Ndërkohë, ka të dhëna se lobi serb arriti të organizojë një vizitë sekrete në Beograd të një grupi nga stafi i Presidentit Tramp në prill 2018.
Ndonjë analist apo studiues përpiqet të argumentojë se shtimi i vëmendjes së administratës së Trampit ndaj Beogradit shpjegohet me pozitën qendrore të Serbisë në Gadishullin Ballkanik dhe interesat ekonomike amerikane, sidomos në fushën energjetike (gazi i presuar).
Megjithëse mbështetësit e kësaj teze orvaten t`i gjejnë shkaqet e aktivizimit amerikan në dialogun Kosovë-Serbi tek ndikimi i forcave dhe faktorëve të caktuar (lobimi serb), ose i interesave të caktuara (energjitike), pra jo tek faktorë abstraktë (vlerat), gjithsesi, nuk janë bindës në argumentet e tyre. Vështirë të pranohet logjika se një vend i vogël si Serbia, paska lobim aq të fuqishëm dhe efektiv, sa të arrijë të zhvendosë nga binarët e saj politikën e jashtme të një superfuqie, si SHBA, të trasuar që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë. Duhen kërkuar faktorë dhe interesa më të thella dhe më të qëndrueshme, se sa lobimi i një vendi, pesha dhe roli i të cilit në vendimmarrjen e fuqive të mëdha, janë të papërfillshme. Nuk qëndron as argumenti që lidh pozitën qendrore të Serbisë në Ballkan dhe interesat energjetike amerikane në rajon. Aleatët e vet në këtë fushë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i kanë siguruar me kohë dhe konsiderohen shumë më të besueshëm për ta sesa Beogradi, i njohur për qëndrimin e tij në “dy karrige”. Një aleat i tillë për amerikanët në Ballkan është Kroacia, ndërsa në Evropën Lindore, Polonia. Kjo është arsyeja e mbështetjes pa rezervë nga ana e Uashingtonit të “Nismës së tri deteve”.
Në qoftë se edhe kjo hipotezë nuk arrin të shpjegojë shkaqet e vërteta të aktivizimit kaq intensiv të diplomacisë amerikane në dialogun Kosovë-Serbi, në ҫfarë drejtimi tjetër duhet hulumtuar për të gjetur përgjigjen e duhur?
Këtë përpiqen të bëjnë mbështetësit e hipotezës së katërt, të cilët aktivizimin e administratës së Trampit e lidhin me zgjedhjet presidenciale në SHBA dhe dëshirën e papërmbajtur të D. Trampit për të marrë një mandat të dytë. Profesori D. Server e vlerëson atë si “një shfaqje diplomatike për Trampin në prag të zgjedhjeve të 3 nëntorit”. Profesori D. Beҫev, argumenton se Trampi po synon një fitore të politikës së jashtme në Ballkan për ta shfrytëzuar në fushatën presidenciale. Edhe ekspertët për Ballkanin, B. Veber nga Këshilli për Politikat Demokratizuese dhe A. Uolf nga “Der Standart” e vlerësojnë si përpjekje për t`i dhënë një shtytje fushatës së tij elektorale. Analistë të njohur nga “The Economist”, “Wall Street Journal”, “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, “Foreign Policy”, etj i përmbahen kësaj hipoteze, duke theksuar se një marrëveshje eventuale Kosovë-Serbi, e arritur me ndërmjetësimin e administratës së Trampit, do t`i përmirësonte ndjeshëm kredencialet e politikës së tij të jashtme, së cilës i kanë munguar arritjet, qoftë edhe modeste, në zonat e tjera të botës.
Ky është një argument i rëndësishëm, i cili i afrohet shumë së vërtetës. Politikanë si Trampi, me të ardhur në pushtet, fillojnë e mendojnë për mandatin e ardhshëm. Është afër mendjes që hapat e administratës së tij në politikën e jashtme të jenë në funksion të luftës së brendshme politike. Por, as kjo hipotezë nuk i reziston ballafaqimit me dinamikat aktuale të jetës politiko-shoqërore në SHBA, as përvojës historike të zgjedhjeve presidenciale atje apo në vende të tjera.
Tri janë ҫështjet kryesore me të cilat po ballafaqohen sot qytetarët amerikanë: pasojat e pandemisë, kriza e rëndë ekonomike, si dhe protestat masive kundër dallimit racial. Këto janë ҫështjet të cilat, në masë të madhe, do të përcaktojnë fituesin e zgjedhjeve të 3 nëntorit dhe jo “arritjet” në politikën e jashtme, aq më pak në një rajon të largët si Ballkani. Për votuesin e thjeshtë amerikan, nënshkrimi ose jo i marrëveshjes Kosovë-Serbi është fare pa peshë në jetën e tij praktike. Ajo nuk e shpëton atë nga Covid-19, as nga papunësia, as nga protestat politike, shpeshherë të dhunshme. Për pasojë, as “suksesi”, as “dështimi” i kësaj politike të jashtme nuk duket se do të ketë ndikim në votën e amerikanëve.
Nga ana tjetër, precedentët historikë nuk flasin për ndonjë avantazh në zgjedhje të kandidatëve me arritje të spikatura në fushën e politikës së jashtme. H. Kizingeri shkruan se në vitin 1992 Presidenti Bush humbi betejën elektorale, pasi i dha fund Luftës së Ftohtë, bashkoi Gjermaninë dhe fitoi mbi Irakun. Po të kthehemi pak prapa në histori, U. Ҫërҫilli fitoi në Luftën e Dytë Botërore, por vetëm dy muaj më pas, në korrik 1945, humbi në zgjedhjet parlamentare në Britaninë e Madhe.
Gjithsesi, duhet pranuar se kjo hipotezë i afrohet së vërtetës, e cila, natyrisht, ka të bëjë me fushatën e tanishme presidenciale, por është e lidhur shumë ngushtë me atë të mëparshmen, të vitit 2016, si dhe premtimet e atëhershme të Trampit para elektoratit të vet.
Vijmë kështu te hipoteza e pestë. Dy ekspertë të njohur të Ballkanit. J. Bugajski nga Qendra e Analizës së Politikës Evropiane (Uashington) dhe T. Vogel nga Këshilli i Politikave për Demokratizim (Berlin) mendojnë se aktivizimi i administratës së Trampit në dialogun Kosovë-Serbi përbën një përpjekje të nxituar për arritjen e një marrëveshjeje që do t`i jepte fund konfliktit midis dy vendeve dhe kjo do t`u mundësonte amerikanëve tërheqjen e trupave të tyre nga Kosova dhe rajoni. Ata nuk e shtjellojnë, as nuk e argumentojnë mё tej idenë e tyre, megjithatë, sado radikale që të duket nё vështrim të parë, në gjykimin tim, ajo zbulon shkakun e vërtetё prapa të cilit qëndron aktivizimi energjik, në këtë fazë, i politikës dhe diplomacisë së Trampit në Ballkan.
Në vazhdim po sjell argumentet e mia në favor të kësaj teze.
Një ndër premtimet e fushatës zgjedhore të Donald Trampit në vitin 2016, ishte ai për tërheqjen e SHBA-së nga zonat e konflikteve, kthimin e fytyrës nga vetja dhe përqendrimin në ҫështjet e brendshme. Trampi pati nuhatur një prirje të nisur shumë më herët në shoqërinë amerikane. Siҫ vë në dukje profesori Xh. Nai, bazuar në një anketë të vitit 2013, 52% e amerikanëve ishin kundër përzierjes së vendit të tyre në punët e brendshme të të tjerëve.
Me të ardhur në pushtet, Presidenti Tramp iu vu punës për realizimin e këtij premtimi, pa marrë fort në konsideratë mendimin e aleatëve të NATO-s dhe pa u shqetësuar fort për fatin e forcave, me të cilat Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin bashkëpunuar në terren. Me largimin nga Siria, ai dobësoi pozitat amerikane dhe forcoi ato të Rusisë dhe aktorëve të tjerë në një rajon kaq delikat si Lindja e Mesme. Ai i braktisi kurdët, pavarësisht faktit se nën udhëheqjen e amerikanëve, për vite të tëra, ata kishin qenë forca kryesore goditëse kundër ISIS-it. Me logjikën e një biznesmeni të rëndomtë, pa u merakosur për parime e moral politik, ai deklaroi se “kurdët janë paguar me para të majme dhe janë furnizuar me armë për ta bërë këtë punë”.
Më 29 shkurt 2020, duke braktisur aleatin e vet të deritanishëm, qeverinë afgane, administrata e Trampit nënshkroi një marrëveshje të njëanshme me Lëvizjen Talebane, për tërheqjen e trupave amerikane brenda 14 muajve. Presidenti i Institutit Brukings, ish-Komandanti i Forcave të NATO-s (ISAF) dhe atyre amerikane në Afganistan, Xh. Allen, e vlerësoi këtë marrëveshje si hap që dëmton sigurinë e vendit, por që u shërben interesave të Trampit, thjesht si “evidencë e mbajtjes së premtimeve të tij elektorale”. Profesori i Universitetit Xhorxh Taun, P. Miller, pjesë e stafit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, gjatë administratave të Bushit dhe Obamës, e konsideron të gabuar strategjinë e tërheqjes së trupave amerikane nga zonat konfliktuale në Lindjen e Mesme, Azi, apo Evropë. Sipas tij, ajo nuk i përfundon luftërat dhe rrezikon t`i kthejë SHBA-të mbrapsht aty ku ishin, por kur situata të jetë përkeqësuar dhe riangazhimi amerikan të bëhet më i vështirë dhe më i kushtueshëm.
Në fillim të qershorit 2020 u bë i njohur një plan tjetër i Presidentit Tramp, ai për tërheqjen e 9500 trupave amerikane nga Gjermania. Ky plan u kundërshtua ashpër, jo vetëm nga Berlini, por edhe nga vetë republikanët në SHBA. Gjashtë kongresmenё të kësaj partie e cilësuan atë si një hap që vë në pikëpyetje besueshmërinë e kërcënimit të NATO-s dhe forcon pozitat e Putinit. Ata i bënë thirrje Trampit që ta rishikojë këtë vendim, i cili cenon rëndë interesat e SHBA-së dhe të aleatëve të NATO-s.
Gjatë një vizite në Uest Point, më 13 qershor 2020, Donald Trampi u mëshoi pikërisht atyre ideve që kishte ngritur katër vjet më parë. Ai theksoi se “nuk është punë e forcave amerikane të zgjidhin konflikte të lashta në toka të largëta, për të cilat shumë njerëz as që kanë dëgjuar ndonjëherë”. Dhe më tej: detyra e ushtarit amerikan nuk është të rindërtojë vende të tjera, por “të mbrojë me forcë vendin tonë nga armiq të jashtëm”. Duket se si i tillë, pra i lashtë, në toka të largëta, për të cilin shumë njerëz as që kanë dëgjuar ndonjëherë, konsiderohet edhe konflikti midis Kosovës dhe Serbisë. Dhe, jo vetëm për shumё njerëz të zakonshëm, por edhe për vetë Presidentin Tramp, i cili ngatërron Ballkanin me Balltikun.
Në momentin që u shfaqën në horizont zgjedhjet e 3 nëntorit, ai emëroi si të Dërguar të Posaçëm në bisedimet Kosovë-Serbi, Ambasadorin R. Grenell, jo me ndonjë ekspertizë më të mirë se ai vetë për Ballkanin. Por, njohuritë nuk kishin rëndësi. Me rëndësi ishte veprimi i shpejtë për sjelljen e palëve në “Kopshtin e Trëndafilave” në Uashington, për ceremoninë festive të nënshkrimit të marrëveshjes përfundimtare. Përmbajtja e saj nuk kishte rëndësi. Nuk kishte rëndësi as se cila palë do të fitonte më pak, apo cila më shumë. As ҫfarë do të përfitonte, territor apo diҫka tjetër. Rëndësi do të kishte firma e dy palëve në marrëveshje. Thelbin e kësaj strategjie duket se e kishte kuptuar mirë ish-Kryeministri Albin Kurti, i cili në deklarimet e tij publike ka theksuar se Ambasadori Grenell nuk ishte i interesuar për dialog, as për substancën e marrëveshjes, por ushtronte trysni të vazhdueshme për aksion të shpejtë. Pas dështimit të ceremonisë së parashikuar për muajin qershor 2019, për shkak të tarifës 100% ndaj mallrave të Serbisë, të vendosur nga qeveria Haradinaj, si dhe refuzimit të Kurtit për të vajtur si i komanduar në Uashington “për ta mbyllur përfundimisht punën me Serbinë”, u caktua një takim i nivelit të lartë në Uashington për datën 27 qershor 2020. Por këtë radhë, pa pretenduar se do arrihej një marrëveshje e madhe përfundimtare, sepse me gjasë, u kuptua se nyja e konfliktit Kosovë-Serbi nuk mund të mbyllej me një të shtënë të Grenellit apo të Trampit, por thjesht për të diskutuar ҫështje të bashkëpunimit dypalësh midis Kosovës dhe Serbisë. Në këtë mënyrë, u vendos për një kёmbim të pazakontë të roleve midis SHBA-së dhe BE-së. Uashingtoni, i cili gjatë 30 vjetëve të fundit është marrë me problemet e mprehta politike, të sigurisë, të paqebërjes dhe shpesh, të shtetndërtimit në Ballkan, do të merrej me ҫështje të dorës së dytë, ato ekonomiko-tregtare, ndërsa patatja e nxehtë-mbyllja e konfliktit politik do t`i mbetej BE-së. Në Shtëpinë e Bardhë u kuptua se ishte e pamundur që të arrihej shpejt tek ajo që i interesonte në të vërtetё Presidentit Tramp, “një fitore historike”, qoftë edhe në formën e një deklarate politike apo letër qëllimi për gatishmërinë e përmbylljes së konfliktit Kosovë-Serbi, që t`u shitej zgjedhësve amerikanë si një tjetër premtim elektoral i mbajtur nga “njeriu i tyre i fortë dhe besnik”, Donald Trampi.
Por, edhe ky takim dështoi, për shkak të njoftimit të Prokurorit Special se ishte ngritur akuzë për krime lufte kundër Hashim Thaҫit dhe anulimit të pjesëmarrjes në Samit, nga ana e kёtij të fundit. Mbase Ambasadori Grenell do të propozojë një tjetër datë takimi, jo për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve Kosovë-Serbi, por në funksion të strategjisë së Trampit për t`u paraqitur para elektoratit tё vet si njeri i premtimeve të mbajtura dhe që duhet zgjedhur edhe për një mandat të dytë.
Ku është Kosova tani, pas ndërmjetësimit 9-mujor të “mikut të shqiptarëve” Grenell dhe shefit të tij Tramp? Me kërkesën dhe presionin e tyre të vazhduar, ajo ka hequr tarifat 100% me Serbinë, ka hequr reciprocitetin me të, si dhe ka vendosur të pezullojë kërkesat për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. Me një fjalë, ka hequr dorë vullnetarisht, nga atributet themelore të një shteti të pavarur e sovran. Ndërkohë, pavarësisht premtimeve për pezullimin e fushatës kundër njohjes së Kosovës, Serbia po e vazhdon atё edhe këto ditë, siҫ e dëshmoi rasti i fundit me Algjerinë dhe Meksikën.
Nga ana tjetër, kemi deklaratat e Kryeministrit të ri, Avdullah Hoti, i cili, me naivitetin dhe guximin e një adoleshenti politik, shpall publikisht se do të shkojë në Uashington, Berlin e Paris, sa herë t`i kërkohet, pa asnjë platformë dhe pa asnjë kusht, sepse ata janë partnerët tanë dhe se u beson atyre plotësisht. Në këtë qëndrim, ai ka mbështetjen e plotë edhe të një adoleshenti tjetër diplomatik, Ushtruesit të Detyrës së Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, G. Cakaj, i cili, nga Uashingtoni bëri një deklaratë, për t`ia pasur zili edhe vetё Grenelli: Nuk ka marrëveshje të fshehtë, as plane për ndarje të Kosovës, as shkëmbime territoriale, as nxitim për ndonjë marrëveshje të dëmshme, veҫ përpejkje për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe për të forcuar popullin e Kosovës ndërkombëtarisht! Kur këto garanci i jep njё personalitet i kёtyre pёrmasave, e ardhmja e ndritur e Kosovёs ёshtё e sigurt.
Kjo është dëshmia më e qartë se ata nuk kanë kuptuar asgjë nga ndryshimet e thella që kanë ndodhur e po ndodhin në marrëdhëniet ndërkombëtare në sytë tanë, thelbi i të cilave është kthimi drejt vetvetes, forcimi i egoizmit kombëtar të shteteve, përfshirë SHBA-në. Pandemia Covid-19 e rikonfirmoi këtë prirje globale. Ish-Sekretari amerikan i Mbrojtjes, republikani R. Gejts, në një shkrim në numrin e fundit të revistës “Foreign Affairs”, vë në dukje se lufta kundër pandemisë së koronavirusit është shfaqja e radhës e zbehjes së udhëheqjes globale të SHBA-së. Së njëjtës pikëpamje i përmbahet edhe Presidenti i Këshillit të Marrëdhënieve me Jashtë, profesori R. Has, në shkrimin e tij të datës 5 qershor 2020, po në këtë revistë, “Politikë të jashtme, nëpërmjet shembullit”.
Për fat të keq, administrata e Trampit duket se nuk e ka as vullnetin politik, as gatishmërinë e duhur për një zgjidhje të drejtë e të qëndrueshme të konfliktit të papërmbyllur midis Kosovës dhe Serbisë. Në këtë kontekst, mendoj se ka ardhur koha që, më së fundi, elita politike kosovare të përpiqet të kuptojë më mirë prirjet dhe dinamikat e zhvillimeve tё sotme ndërkombëtare, si dhe ta vrasë pak më shumë mendjen edhe vetë për të siguruar mbijetesën e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran, për të mos e lënë atë, si deri më tani, krejtësisht në duart e të tjerëve, qofshin ata edhe partnerët tanë, duke besuar me naivitet se ata do të na ndihmojnë përjetësisht pa asnjë interes. Këtë bën ҫdo elitë politike serioze në ҫdo vend e shtet që e konsiderojnë veten seriozë. Kohës së parazitizmit strategjik, duket se i ka ardhur fundi.
(Autori, profesor universitar, është ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë)