OpEd

Binomi autoritar-poltronist kërcënon me djegien e LDK-së

Guximi i autoritarëve në LDK është i rrejshëm, ngase guximin e kanë fituar nga mbështetja e poltronëve të cilët e bëjnë këtë nga frika e vërtetë se nëse bie “lideri” humbin edhe ata. Pra, relacioni i vërtetë mes autoritarëve dhe poltronëve është lajthitja. Çmimin e paguan Kosova

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, me rastin e 31-vjetorit të themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, i drejtohet anëtarësisë me mesazhin se “partia e tyre në zgjedhjet e reja do të dalë edhe më e fuqishme”. Gjeneruesi kryesor i dështimeve serike zgjedhore të LDK-së, madje edhe në Podujevë për kryetar komune, pa bërë analizë të mirëfilltë për shkaqet e dështimit, premton se LDK do t’i kthehet fitores në Podujeve më 2021 dhe do t’i fitojë zgjedhjet nacionale të cilat priten muajve vijues?! Për më tepër, premton edhe më shumë. “Nga këto zgjedhje LDK do të del edhe më e fuqishme, duke e respektuar votën dhe vullnetin qytetare”?!

Pra, i njëjti person që s’e respektoi “votën e vullnetit qytetar” dhënë kandidates së LDK-së me të votuar, Vjosa Osmani, po “premton” se do të respektojë votën e vullnetit qytetar. I njëjti kryetar që e largoi nga partia Shpejtim Bulliqin , fituesin e votës së vullnetit politik të qytetarëve të Podujevës, por si anëtarë i VV-së, po premton se do ta kthejë Podujevën në zgjedhjet e ardhshme lokale?! Ai, në vend të llogaritjes politike për humbjet e njëpasnjëshme të partisë së tij, me këtë solipsizëm vetëm e paralajmëron radhitjen e humbjeve, që janë të pashmangshme derisa do të tolerohet binomi autoritar-poltronist!

Meqë LDK-ja duket se do të vazhdojë të bjerë më tutje nën menaxhimin e rrethit vicioz të këtij binomi. Kjo do të ketë për pasojë jo vetëm degradimin e sistemit të vlerave që shkaktojnë eliminimin e konkurrencës dhe meritorkarcisë brenda LDK-së, por do të ketë impakt tepër negativ mbi shoqërinë kosovare e cila shpie drejt greminave të natyrave të ndryshme ekonomike, shoqërore, politike, psikologjike, etiko-morale dhe juridike. Ky binom i krijuar nga kryetari i papërgjegjshëm i LDK-së dhe nga rrethi i tij i lakenjve i ngufat vizionin dhe strategjinë afatgjatë të zhvillimit të mirëfilltë kadrovik politik të avancuar sipas vlerave të mirëfillta, të cilat janë standarde botërore politike dhe humane. Në këtë kontest, individi në shoqërinë kosovare do të vazhdojë të jetë nën ndikimin e kuazivlerave, të cilat si epilog kanë shthurjen e individit nga vlerat integrale të cilat i depersonalizon dhe i degradon një kohë të gjatë kryetari aktual i LDK-së.

Duke mos hasur publikisht në kurrfarë kundërshtimi dhe rezistence të anëtarësisë së LDK-së, me përjashtim të disa individëve, realisht ky binom po shndërrohet në “model” të sjelljes jo vetëm në parti, por edhe në shoqëri, pavarësisht karakterit të ligë i cili e vulos sjelljen e përgjithshme të tij në shoqëri. Sjelljet politike të liderit të LDK-së demotivojnë vullnetin e individit duke bërë që në këtë parti të mungojë karakteri i vendosmërisë, konsistencës, iniciativës, përpjekshmërisë, besueshmërisë, besnikërisë, sinqeritetit, ndershmërisë, modestisë, ndërgjegjes, përgjegjësisë... Në vend të kësaj, dominon makiavelizimi, ndërsa motoja ”Qëllimi arsyeton mjetin” bëhet karakteristikë kryesore e këtij binomi partiak!

Shi për këtë, vlerësimet për veprimet e këtij binomi autoritaro-poltronist duhet analizuar varësisht nga tiparet e karaktereve, përkatësisht mungesës së atyre tipareve që personifikojnë Agim Veliu dhe Driton Selmanaj! Prandaj për këtë binom mund të thuhet se guximi i autoritarëve është i rrejshëm, ngase guximin e ka fituar nga mbështetja e poltronëve të cilët e bëjnë këtë nga frika e vërtetë se nëse bie “lideri”- humbin edhe ata. Pra, relacioni i vërtetë mes autoritarëve dhe poltronëve është lajthitja. Autoritari e fiton guximin nga mbështetja e rrejshme e poltronit, ndërsa poltroni “e vulos” përkrahjen nga “lideri” duke e mbështetur atë, pavarësisht se gjendja reale është tjetër.

Marrëdhëniet ndërnjerëzore e ndërpartiake varen nga integriteti personal, por edhe integriteti personal përcakton marrëdhëniet shoqërore, ndërpartiake, që në rastin e binomit i bie se autoritarët dhe poltronët e ushqejnë dhe e mbajnë në jetë njëri-tjetrin sikurse vëllezërit sijamezë. Sa është ky binom i pranishëm dhe në cilat forma ekspozohet, varet përveç nga vlerat mbisunduese etike dhe morale edhe nga natyra e pushtetit . Studiuesit seriozë të shkencave politike me arsye theksojnë se shoqëritë dhe shtetet që kanë marrë rrugën e dështimit (korrupsioni endemik dhe krimi i organizuar, nacionalizimi ...) për një, apo arsye tjetër janë vendet më të përshtatshme për rritjen dhe përhapjen e ndikimit autoritar dhe poltronist.

Autokratët dhe poltronuesit e LDK-së duhet shikuar si pjesë të grupeve sociale të cilat diferencojnë rolet, varësisht nga fakti se çfarë i kanë qëllimet politike. Nëse nga politikëbërja kanë për qëllim të përfitojnë e jo të jenë në shërbim të qytetarëve, atëherë personat autoritarë mbështetjen e kërkojnë nga poltronët, të cilët, në anën tjetër, e kërkojnë pikërisht këtë rast, sepse janë të vetëdijshëm se me forcat dhe kapacitetin e vet individual nuk do të mund të punësoheshin as si konduktor autobusi në vijat nga Prishtina për Podujevë, respektivisht Prizren. Ambiciet i kanë të përbashkëta, dallojnë vetëm mënyrat si i realizojnë ato. Lideri i LDK-së imponon vullnetin e qëllimeve përfituese, ndërsa poltronët duke u servilosur mbështesin qëllimet e tij, ngase në këtë mënyrë përmes realizimit të vullnetit të autoritarëve e realizojnë interesin e vet.

Prandaj anëtarësia, si dhe të gjithë ata emrat e mëdhenj në LDK që nuk i janë nënshtruar “pionierit komunist”, nëse dëshirojnë të ndërpresin margjinalizimin e partisë së tyre, duhet të reflektojë. Arsyet janë të thjeshta. Sikur që asnjë shoqëri, qoftë edhe totalitare, nuk do të pranojë se mungojnë liria dhe demokracia, ashtu edhe çdo individ autoritar, apo poltron, nuk do të pranojë se është jomoral. Pavarësisht se nuk kemi hulumtime të besueshme për sistemin aksiologjik, i cili është mjaft variabil, varësisht nga konteksti i shumë rrethanave historike por edhe ideologjike, megjithatë mund të themi se janë shumë të rrallë individët që nuk kanë së paku disa ndjenja morale, njerëz që nuk kanë ndier asnjëherë prekje të ndërgjegjes për veprimet e veta të cilat nuk konsiderohen si standarde të pranueshme shoqërore. Prandaj edhe ata pak gardianë të politikës së mirëfilltë të LDK-së duhet të ngrihen kundër aventurave të liderit plak të LDK-së, i cili e ka zënë karrigen e pushtetit që nga fëmijëria dhe nuk do ta lirojë atë vullnetarisht, madje edhe nëse LDK-ja e paguan çmimin më të lartë: djegien e saj në krematoriumin e historisë politike!