Aksidentet në vendkalimet hekurudhore ndodhin gjithkund në botë, por nëse aq shumë aksidente ndodhin në një hekurudhë me gjatësi 80 kilometra, siç është ajo Fushë- Kosovë-Pejë, atëherë kjo është shenjë për alarm.
Rasti tragjik i fundit në hekurudhën Fushë-Kosovë-Pejë në vendkalimin në fshatin Kryshevë e Madhe të Klinës tronditi familjen e viktimave dhe të gjithë njerëzit në vendin tonë. Nuk duhet harruar edhe traumat e stresin e makinistit të trenit, i cili gjatë gjithë jetës e mban në shpirt këtë tragjedi.
Në afërsi të atij vendkalimi të kobshëm gjenden edhe pesë vendkalime, ajo në Stupë, në Budisalc, dy në Kryshevë dhe dy në Jagodë, të pasinjalizuara, apo pjesërisht të sinjalizuara, që të gjitha pa barriera. Nëse pjesëmarrësit në trafik sinjalizohen përmes shenjave akustike-borisë së trenit, atëherë këto shenja do të ishin të pandërprera në afër pesë kilometra, andaj ky lloj paralajmërimi pak bën punë.
Sinjalizimi në vendkalimet mbi hekurudhë nuk është aq i thjeshtë. Për një sinjalizim të tillë, pa laura, nevojiten së paku 8 shenja në njërin drejtim dhe aq në drejtimin e kundërt, e këto janë: Paneli me tri vija të pjerrëta që vendoset në largësi prej 240 metrash, një panel tjetër me dy vija, pastaj një me një vijë, shenja e rrezikut, shenja STOP, kryqi i Shën Andreut, dy shenjat ndriçuese. Të gjitha këto shenja duhet të jenë të ndërtuara me materie retro reflektuese.
Nëse pjesëmarrësi në trafik, qoftë shofer, kalorës apo këmbësor përqendrohet më shumë dhe bëhet më i kujdesshëm në kalimin mbi hekurudhë kur i vëren këto shenja. Ka shumë shkaktarë që ndikojnë në aksidente të tilla. Armiku kryesor është paniku, pastaj mungesa e përqendrimit, përdorimi i telefonit mobil apo ndonjë veprim tjetër i rrezikshëm gjatë vozitjes.
Vendkalimet mbi hekurudhë janë zakonisht të dëmtuara nga vibracionet e trenit. Aty formohen gropa nga të cilat vjen deri te fikja e motorit, pastaj fillon paniku të ngasësi, frustrimi dhe hamendja për marrjen e vendimit. Aty ndikojnë të qindtat e sekondës. Ka raste kur shoferi ka pasur kohë ta braktisë makinën, por ka tentuar prapë ta ndezë. Vërejtja e distancës dhe shpejtësisë së trenit nuk është e njëjtë si të automjetet rrugore, prandaj kalimi mbi hekurudhë duhet të bëhet me shumë kujdes.
Lidhur me aksidente të tilla ekzistojnë tri parime. Parimi i besimit: besoj se laura do të ulet, besoj se mund të kalojë para se të arrijë treni. Parimi i mosbesimit: Laura mund të mos ulet dhe ndoshta nuk mund të kaloj para arritjes së trenit. Parimi i besimit të kufizuar: mundet apo nuk mundet, nuk bën ta provojë.
Në bazë të dispozitave ligjore, sinjalizimi vendoset në bazë të projektit nga eksperti i kësaj fushe. Ka shumë raste kur shenjat nuk janë të vendosura në bazë të direktivave evropiane. Kështu, në vendkalim mbi hekurudhë me mbrojtës – në laura vendoset shenja me simbol të lokomotivës me avull, e cila tani është e zëvendësuar me shenjën tjetër përkatëse.
Rastet tragjike nuk janë vetëm nga ngasësit e automjeteve, por edhe të këmbësorëve. Ka raste kur këmbësorët kalojnë nën laura apo duke i ngritur ato, si dhe duke kaluar para trenit, apo duke përdorur telefonin mobil, andaj nevojitet edukim më i madh i pjesëmarrësve në trafik duke filluar nga nxënësit, autoshkollat, përmirësimi i infrastrukturës rrugore dhe asaj ligjore. Sinjalizimi i vendkalimeve mbi hekurudhë është i shtrenjtë, por më e shtrenjtë është jeta e njeriut.
(Autori është ekspert i komunikacionit)