Fushata parazgjedhore kaloi në finalen e egër. Partitë e kanë kuptuar krejt bukvalisht thënien se “qëllimi i arsyeton mjetet”. Pas debateve të nxehta, dajakut, sulmeve verbale e fizike, nënçmimeve, sharjeve, ofendimeve me grua e nënë, babë e babagjysh e nip e stërnip, mund të presim edhe zhvillime akoma më tronditëse. Telenovela plot intriga po shthuret si lëmshi i leshtë.
Nuk e di as çka më ka gjetur këto ditë të fushatës parazgjedhore, por nuk po arrij t’i ç’kap sytë nga flokët e gjatë e të bujshëm të plot femrave votë-kërkuese të partive të ndryshme. Secila më e bukur e më e bujshme se tjetra, dorën në zemër. Por si për dreq nuk u rrokën dajak mes vete, për të na dhuruar një shfaqje tjetër pa shije.
Merre ti me mend sa shatiri kishte shkuar dëm, sa zgjatime ishin këputur e sa thoni artificialë ishte ngulur diku në botox e diku në mish. Ama bash mangu e kemi këtë për t’u kompletuar kjo cirkusiadë me shpenzime marramendëse të taksapaguesit kosovar, e barabartë më një thes rrena dhe premtime të thata.
Përrallat
E kur jemi te premtimet, ato sivjet i kemi pasur ende më të sofistikuara se gënjeshtrat e herës së kaluar. Helbete, njerëzit po përparojnë e po e mësojnë zanatin me kohë. Sa më gjatë në pushtet ligjet po i bën vetë. Tekefundit edhe paguan njerëz për të gënjyer për ty, bile aq mirë, sa ti fillon dhe e beson edhe vetë.
Shihe tash, del tipi dhe t’ia futë një fushatë tragji-komike, që po të mos ishte për të vajtuar, do t’i mbanin zorrët me dorë nga gazi. Herifi, i cili udhëheq ekipin, i cili tash e sa vjet e ka zbuluar korrupsionin si ilaçin për kancer, tani e udhëheq fushatën me premtimin se do ta luftojë atë.
Me çka bre jaran? Kundër kujt? Pse nuk e bëre deri dje? Veç nëse në premtimet tuaja është një ndërtimi i një burgu të madh për komplet partinë tuaj. Tjerat nuk pinë ujë.
Ani lëre, po spoti me atë autobusin që ngjitet kodrës, sinqerisht me t’i qitë lotët prej sikleti, më zi se serialet kosovare me humor delesh. U ndal autobusi e dolën gra e burra bashkë duke e shtyrë (ku ju mbet xhentilesa kishe!) dhe e sollën autobusin aty ku ishte dhe e lanë përsëri maje kodre kot. Poenta? Ne ju shtyjmë kishe pak e mandej ju braktisim në lloç. Kushedi sa prej tyre kanë hipur në autobus atë ditë, pas sa kohe me xhipa e kabrioletë, gjersa i jepnin zor thuajse u mbeti nusja pa e marrë. Kryeshefi i tyre bile, i mbylli sytë dhimbshëm, a thua ti po qan para murit të vajtimit në Izrael.
Hej more njerëz, sot është viti 2019 dhe ka asi kompanie që vjen me një telefonatë dhe e tërheq autobusin për dy dakika. Po pse bile nuk merreshit aktorë profesionistë, të paktën të mos na i vrasin sytë ata militantë të zgërdhirë kot. Gati si qeshja e presidentit, i cili btw, po shikon prej dika së largu, me veshkë të mbështjella dhe dylbi qysh po del pazari i zgjedhjeve. Tutje, përmenden masterat e doktoratat e shefit dhe vartësve të tij. Çka me thanë këtu, nuk kam fjalë. Lërmëni të kujtohem pak…Prit!..Nah, përsëri nuk më bie ndërmend asgjë, pos nja tri ikonave të Facebookut ku shkrihesh gazit. Doktorata a? Cila temë? Mbase kjo: “Si ta zbusim korrupsionin duke zhdukur të gjitha incizimet e telefonave, aferat, skandalet, hajnitë, ryshfetin.” Ose “Si të prodhosh letra tualeti duke blerë sa më shumë estradë dhe gazetarë për një parti-përdorim”.
Edhe partitë e tjera, me spote të tjera pompoze, tubime të shtrenjta, grushtet naltë dhe fjalët safi premtime, që ky milet po i ha sërish si bukën e parvjetme. Në inboxet tuaja ju sulmojnë frontalisht posterë e sugjerime për djalin, tezen, hallën, veten krejt pa modesti, sepse ky popull e ka zbuluar kaherë formulën anti-turp.
Kandidatët në vend të programeve të tyre, na shpalosin dështimet e tjetrit, ndërsa si qershia mbi torte të keqe, vjen edhe “prognoza” e disa alla-“ byzentave” të kollomoqit, se kandidatja për kryeministër, nuk ka force të përballet me problemet. Allahile a po mundësh jarani i pites? A po lodhesh a jo? A në ring po hyn kjo kryeministresha potenciale apo në qeveri? A mos deshe fare pehlivani të Dragashit me ta mbush syrin!
Një ndër kandidatët për kryeministër është serb. Boll mirë. Bash po më pëlqen. Tipi as po imponohet e as po lavdërohet; shqip po flet si bilbil plus gjithmonë i buzëqeshur. Po pse more njerëz nuk e votojmë këtë herifin? Fillimisht, Serbia gëzohet e na njeh menjëherë, kur ajo gëzohet - pas saj gëzohet BE-ja e na jep vizën.
I hyjmë në qejf botës e bota na shpërblen me dalje nga burgu kosovar. As përkthyes nuk na duhet në dialog. Po as dialogu se! Think about it!
Kur po mendoj më mirë, po pse bre lodhemi edhe aq shumë për atë liberalizim vizash, tashmë super të vonuar dhe qesharak. Po pse nuk e bëjmë ne një BE tonën dhe i bashkojmë të tëra viset shqiptare. E t’ua fusim vizë të gjithëve rend. Që thonë, po deshët lojë fëlliqtë, na hazër jemi, se na e keni lodhur shpirtin, ju do Mogerinka e dada të tjera faqekuqe, me karriera të lodhëta.
Sidoqoftë, fushata parazgjedhore merr fund dhe tani do vijmë te finalja e madhe. Përsëri vota juaj e dedikuar për dikë, do të shkërryhet kur bëhen koalicionet dhe ju do t’ia shihni dhëmbët e verdhë në pushtet, pikërisht atij që e urreni më së shumti.
Future fushata
Ajo çka askujt nuk i ka shkuar në mendje është mentaliteti i miletit kosovar. Po ku dreqi i premtohen shkolla, fakultete, trena elektrikë, fabrika e rrugë solare, një populli që, pos faktit që e din që ju po rreni fëlliqt, edhe nuk ngopet bukë. Plus, çka mërzitet për shkolla ai që e ka mendjen top me ia therrë prej këtuhi sa më shpejt, ndërkohë që shkollat janë bërë bastione partiake dhe poker sindikatash. Duhet ditur çka po ofron, karshi popullit çka ka nevojë!
Ndaj unë po e përgatis fushatën time, si kandidate e pavarur qysh tani. Premtimet e mia janë gjëra të kërkuara si hallva dhe do të besohen menjëherë. Ah, po rrëqethem qysh tash, kur dal para turmës në kajde të Shote Galicës, me dy gërsheta extension:
Kështu që: 1. Heq mësyshin si me dorë! Heqi frikët e bebeve, rrenat e politikanëve, mësyshat e kunatave, shoqeve e kojshive. Heqi te zinjtë e ullirit dhe ndonjë kg. nganjëherë.
2. Shkurtoj gjuha të vjehrrave dhe mandate të kryetarëve dështakë lokalë dhe qendrorë.
3. Ndreqi fatin në dashuri mes çifteve, bashkoj parti dhe deputetë nga ata që deri dje quheshin mes vete gomarë e tradhtarë, ndërsa sot patriotë e atdhetarë. Ndreqi martesa mes dy, një ose ndonjë gjinie asnjanëse as këndej - as andej.
4. Çdokush që ma jep votën, i ka dy teglla ajvar, turshi me dardha kosovare dhe biletën falas për xhenet, kurdo që shkon. Bile i ka të paguara edhe shpenzimet e varrimit.
5. Ndihmoj në arritje të shtatzënive përmes një afrodiziaku që quhet Lek dhe e qetësoj nevojën pandemike të shqiptarëve me shajte (dhe me thanë diçka tjetër) nana, motra, teze, robt’, fëmijët në djep, listën e dasmës, familjen dhe ku po e di , bën vaki del dikush që i ka mbet zhig pa i provuar edhe gjyshet e dikujt.
pra njerëz, bëhuni gati se po vij. Ani tash që Burdushi është me pushime, do të kem punë tepër. E qe besa edhe mos paça në politikë hiç sukses, bile së paku çkoqna duke bërë pare me thes.
© KOHA Ditore