OpEd

Bifurkacioni politik i LDK-së

"Atë çfarë ua thosha njerëzve, kur isha shumë më tepër i angazhuar me veten time, është se nuk mund të qëndroni apolitikë. Ajo do të vijë dhe do t’ju rrëmbejë. Nuk ka të bëjë me atë që ju nuk duhet të jeni neutralë. Ka të bëjë me faktin se ju nuk do të jeni në gjendje të qëndroni neutralë". E fillova ditarin tim me këtë thënie nga Christopher Eric Hitchens, i cili ishte një autor anglo-amerikan, eseist, orator, gazetar dhe kritik shoqëror. Disi më duket se është shumë e aplikueshme, sikur thënie në kohërat nëpër të cilat jemi duke kaluar ne si shoqëri njerëzore.

Mund të jesh injoranti më i madh i politikës ditore dhe të pretendosh se ty ajo nuk të intereson, mirëpo ja një rast i një pandemie globale si ky i Covid-19 shpalos të gjitha pisllëqet e vendimeve politike të qeverive të ndryshme botërore, të cilat për pasojë tashmë kanë qindra-mijëra viktima të cilat humbën jetën dhe fundi i kësaj katrahure ende nuk është në horizont.

Pandemia e Covid-19 shpërfaqi një keqtrajtim dhe disorganizim në logjistikat e shërbimeve shëndetësore, të cilat kryesisht bëhen me vendime politike duke ia ndarë këtij segmenti të nevojshëm shoqëror buxhetin e nevojshëm si dhe parashikimet për përballjet me sfida të tilla eventuale. Nëse do ta përmendja Anglinë si shembull, atëherë këtu do të shohim një dështim total dhe si rezultat i gjithë kësaj për aq kohë të shkurtër humbën jetën më shumë se 13,000 persona. E këta nuk janë vetëm numra për statistikë. Këta janë prindërit e dikujt, gjyshërit e dikujt, më të dashurit e dikujt, kontribuuesit dhe taksapaguesit me dekada të kësaj shoqërie. Një ditë kjo pandemi do të tërhiqet dhe do të fillojnë të ngrihen pyetjet e përgjegjësive politike në këtë shoqëri, ato përgjegjësi do të shkojnë në retrospektivën e disa dekadave të vendimeve politike në raportin me segmentin e shëndetësisë në Britaninë e Madhe. Të vdesin anëtarë të personelit mjekësor në mungesë të materialeve mbrojtëse nga sëmundjet ngjitëse është e papranueshme edhe për një vend të pazhvilluar të rendit të tretë botëror, se lëre më Britaninë e Madhe.

Po Kosova? Përgjegjësia politike mbi qeverisjen dhe organizimin e shëndetësisë në Kosovë në këta 20 vjetët e fundit, më së buti thënë, është krim kundër njerëzimit. 100 respiratorë në nivel vendi (shumica nga ta donacione të huaja), 2-3 mikrobiologë në nivel vendi dhe 1-2 makina për testimet e nevojshme virale do të mjaftonin për të ngritur pyetje të shumta të përgjegjësive politike? Nuk është kjo diçka për gjuajtje shtrigash, por parandalim që diçka e këtillë të na përsëritet ndonjëherë.

Po, ne kemi me qindra hulumtime gazetarësh të bëra për këtë segment të shoqërisë. Me mijëra artikuj dhe reportazhe të realizuara gjatë dy dekadave. Me qindra keqpërdorime, dënime gjyqësore, abuzime me buxhet të shëndetësisë, abuzime menaxheriale në kuadër të QKUK-së dhe një qendër spitalore të lënë në mëshirën e lëmoshës së donatorëve. Ndoshta unë po tingëlloj i vrazhdë në vlerësimet e mia, por ju nuk duhet të më besoni mua. Pyesni me mijëra pacientë që shpëtimin e tyre e kërkojnë në spitale të Serbisë, të Maqedonisë Veriore, Turqisë dhe ata që merren aktivisht me politikë nëpër spitalet gjermane, normalisht këta të fundit me para të popullit. Pyesni ata se çka i ka shtyrë për t’i ndërmarrë këta hapa? Ju edhe mund ta dini përgjigjen por e preferoni heshtjen. Ju e keni atë të drejtë, por ja që politika do të vijë t’ju rrëmbejë, deshët apo nuk deshët ju, nuk do të mund të qëndroni neutralë.

Duhet të bëni shumë kujdes se ku do të rreshtoheni në përzgjedhjen e mosqëndrimit tuaj neutralë ndaj politikave të gabuara të dy dekadave të kaluara. Nuk kërkohet nga askush që të shndërrohet në militant të ndonjë partie politike, por identifikimi i problemeve të vendimeve dhe abuzimeve katastrofike politike në këtë 20-vjeçar ka edhe emra edhe adresa politike. Ndërsa në këtë çast, pas mocionit që i është bërë qeverisë nga ana e presidentit dhe akterëve të atij mocionit LDK-së dhe PAN-it, tentohet një formim i një qeverie që do të ishte tjetërsim i votave të fituara në zgjedhjet e fundit dhe një precedent i rrezikshëm për kushtetutshmërinë e jetës politike kosovare.

Partia e cila ishte bashkëqeverisëse me Vetëvendosjen me gjysmën e resurseve qeveritare, LDK-ja, tashmë na paraqitet me një bifurkacion politik të saj. Për hir të lexuesve të ditarit të cilët rastësisht mund të mos e dinë se çka quhet bifurkacion, do ta jap edhe atë sqarim.

Bifurkacioni (Bigëzimi) është fenomen natyror kur një lumë ndahet në dy degë dhe derdhet në ujëmbledhës të ndryshëm detarë. Bifurkacioni i lumit konsiderohet të jetë një fenomen artificial, por i krijuar në kushte shumë të favorshme natyrore. Njihen vetëm dy raste të tilla. Njëri rast është në Kosovë, ku lumi Nerodime ndahet në dy degë. Nerodimja pra është me rëndësi të veçantë për hidrografinë e Kosovës, sepse përfaqëson shembullin e vetëm në Evropë të një bifurkacioni lumor që rrjedh në dy detet, Detin e Zi dhe Egje. Njëra i bashkohet lumit Lepenc, i cili pastaj derdhet në lumin Vardar e i cili përfundon në detin Egje, dhe dega tjetër derdhet në lumin Sitnica, që derdhet në lumin Ibër dhe pastaj përfundon në detin e Zi. Rasti tjetër i bifurkacionit paraqitet me lumin Orinoko në Venezuela.

Analogjia me bifurkacionin politik të LDK-së qëndron në faktin se sot i kemi ministrat në detyrë të LDK-së të cilët vazhdojnë të punojnë në kuadër të qeverisë Kurti dhe të gjithë do të pajtoheshit se ata janë duke e bërë një punë të shkëlqyeshme. Përveç punës shembullore si ministra, ata u qëndruan besnikë dhe vazhdojnë t’u qëndrojnë besnikë premtimeve të tyre elektorale kur e kërkuan besimin e votuesit të tyre për një qeverisje ndryshe. Këta faqebardhë mund të kërkojnë atë votë edhe në të ardhmen, sepse e kanë arsyetuar besimin e tyre, qoftë ai vetëm edhe përbrenda një qeverisjeje 50-ditëshe. Në fakt, jam i bindur se vota e tyre mund të shumëfishohet në të ardhmen, sepse populli nuk harron. Rrjedha e tyre politike derdhet aty prej ku ka buruar, në popull. Dega tjetër e rrjedhës politike vazhdon të derdhet aty ku nuk e kërkoi mandatin prej popullit, vazhdon të derdhet në llumin e politikëbërjes 20-vjeçare kosovare. Kjo është ajo dega e hipokritëve politikë, çmimin e të cilëve ne si shoqëri e paguajmë një kohë të gjatë. Kjo është ajo kasta e urithëve politikë të cilët hapën gropa të shumta politike nga të cilat Kosova aq vështirë po e gjen rrugën që të dalë. Gropat e radhës të cilat do t’i hapin këta urithë politikë mund të jenë edhe gropat e fundit të rrugëtimit të tyre të mbrapsht hipokrit politik. Si do ta mposhtë pandeminë sinergjia e sloganeve të politikanëve "eminentë" të partive pretenduese të koalicionit qeverisës me emërimin e qeverisë të re?

Me duar në xhepa, tu pi çaj për qejf, Serbia deri në Tokio ...!

Populli nuk do të harrojë, e aq më pak të falë rrëzimin e qeverisë në kohë pandemie dhe lojërat e ulëta politike në kohën kur një pjesë fragjile e popullit mund të ballafaqohet me situatën jetë apo vdekje dhe sistemi ynë shëndetësor, i cili edhe ashtu është para kolapsi qe një kohë të gjatë, do ta merrte atë goditjen përfundimtare. Ka pasur mjaft kohë për lojëra dhe kalkulime politike pas pandemisë, qafën e thefshin, mirëpo në kohën kur të gjithë do të duhej të bëheshin një me qeverinë në 50-ditëshin e qeverisjes së saj, në mënyrë që t’u dilnin në mbrojtje popullit dhe rrezikut i cili po i kanosej nga pandemia, këta zgjodhën rrugën e lojërave politike dhe relativizimet hipokrite të përgjegjësve vendimmarrës në politikë qe 20 vjet, me disa të cilët qeverisën vetëm për 50 ditë. No pasarán. Cinikët dhe ata hipokritët par excellance mund të thonë që ishte presion nga ana e amerikanëve. Ani çka, edhe po që ishte? Nuk është mik i sinqertë ai i cili në kohë të pandemisë të bën presion për ta rrëzuar qeverinë. Ajo ka mundur që të presë dhe këta politikanë të pjekur dhe kurrizorë do t’ua bënin me dije qoftë edhe amerikanëve. Urdhëroni, më akuzoni për antiamerikanizëm, aq më bën, sepse ju aq dini, aq veproni. Organizma politikë pakurrizorë, njëqelizorë.

Organizmat e tillë asnjëherë nuk janë marrë seriozisht përgjatë historisë politike të evolucionit njerëzor. Organizma të tillë më shumë janë si mjet njëpërdorimësh për parandalimin e STD-ve. (Sëmundjeve të transmetuara demagogjike).

P O S T M O R T E M - Violeta Rexhepagiqi

Duke e shkruar ditarin tim, sapo e pashë një postim të mikeshës sime Minire Fetahut mbi vdekjen e Violeta Rexhepagiqit. Viki, nuk i kemi pasë fjalët kështu!

Violeta ishte një grua e guximshme, e mençur, e çiltër dhe avangarde. Nuk po gjej fjalë që të kthjellem nga shoku të cilin e përjetova, por ty Viki t’u prehtë shpirti në paqe dhe mirupafshim deri në takimin tonë të sërishëm. Më quaje "rrebeli im i preferuar". Do të më mungosh shumë Viki!

Rock ON Angel!