Plani gjigant i Bidenit për infrastrukturë mund ta transformojë SHBA-në dhe të caktojë një shembull të rëndësishëm që mund ta pasojnë vendet e tjera të zhvilluara. Por për ta arritur potencialin e tij, duhet që t’i shmangë diktomitë çorientuese “shtet kundruall treg” dhe trofetë e vjetruara të Luftës së Ftohtë. Vetëm nëpërmjet lënies prapa supeve të modeleve të së shkuarës mund të skicohet një vizion i ri për të ardhmen
Plani dy biliardë dollarësh për infrastrukturë i presidentit Joe Biden, padyshim se do të jetë një moment vendimtar për ekonominë amerikane, duke sinjalizuar qartë se epoka neoliberale, bashkë me besimin e saj se tregjet funksionojnë dhe veprojnë më së miri kur lihen vetëm, ka marrë fund. Por, derisa neoliberalizmi veçse mund të jetë i vdekur, është më pak e qartë se çfarë do ta zëvendësojë atë.
Sfidat me të cilat Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ekonomitë e tjera të avancuara po ballafaqohen sot janë thelbësisht të ndryshme prej atyre me të cilat ato janë përballur në dekadat e hershme të shekullit të njëzetë.
Këto sfida të hershme i dhanë hov ngritjes së Ujdisë së Re dhe gjendjes së mirëqenies. Problemet e së sotmes – ndryshimet klimatike, vështirësitë në tregjet e punës si pasojë e teknologjive të reja dhe hiperglobalizimit – kërkojnë zgjidhje të reja. Ne kemi nevojë për një vizion të ri ekonomik, e jo nostalgji për një epokë të mitizuar të prosperitetit të përbashkët të gjithmbarshëm në vend dhe supremacie globale gjetkë.
Për sa u përket ndryshimeve klimatike, plani i Bidenit nuk përkon me Marrëveshjen e Re të Gjelbër, të avancuar nga demokratët progresistë, si përfaqësuesja Alexandria Ocasio-Cortez. Por i përmban investimet thelbësore në një ekonomi të gjelbër, siç është mbështetja e tregjeve për vetura elektrike dhe për programe të tjera rreth reduktimit të emetimeve të dyoksidit të karbonit, duke e shndërruar atë në përpjekjen më të madhe federale ndonjëherë për shkurtimin e gazeve serrë. Për sa u përket vendeve të punës, plani e synon zgjerimin e punësimeve në vendet që ofrojnë paga të mira dhe përfitime, duke u përqendruar, përveçse në infrastrukturë, edhe në prodhim dhe rritje, si dhe në përkujdesjen esenciale për ekonomi.
Mënyrat e reja të së menduarit për sa i përket rolit të Qeverisë janë po aq të rëndësishme sa prioritetet e reja. Shumë komentues e kanë përkufizuar planin infrastrukturor të Bidenit si kthim në një Qeveri të madhe. Por, pakoja është e përhapur përgjatë tetë vjetësh, do t’i ngritë shpenzimet publike për vetëm një për qind të pikëve të GDP-së dhe është paraparë që në fund të fundit ta shpaguajë vetveten. Një shtytje në investimet publike për infrastrukturë, transicion të gjelbër dhe në krijimin e vendeve të punës është vonuar kaherë. Edhe sikur plani të ishte asgjë më shumë sesa një nxitje e madhe e investimit publik, e financuar nga taksat e korporatave të mëdha, do t’i bënte goxha të mira ekonomisë së SHBA-së.
Por plani i Bideni mund të jetë shumë më tepër se kaq. Mund ta riformësojë thelbësisht rolin e Qeverisë në ekonomik dhe se si ky rol perceptohet. Skepticizmi tradicional rreth rolit ekonomik të Qeverisë është i rrënjosur në besimin e tregjet private, të shtyra nga motivi i profitit, janë më efikase, derisa qeveritë janë të shkapërdara. Por tejkalimet e tregjeve private gjatë dekadave të fundit – rritja e monopoleve, veprimet e pamendta të financave private, përqendrimi i skajshëm në të ardhura dhe pasiguria ekonomike në ngritje – ia kanë vjedhur shkëlqimin sektorit publik.
Në të njëjtën kohë, sot kuptohet më mirë se në një ekonomi komplekse të karakterizuar nga kaq shumë paqartësi, rregulli nga lart-poshtë nuk ka të ngjarë që të funksionojë. Pavarësisht domenit specifik – promovimit të teknologjive të gjelbra, zhvillimit të aranzhimeve të reja institucionale për punëtorët e përkujdesjes shtëpiake, thellimi i zinxhirëve të brendshëm furnizues për prodhim të teknologjisë së lartë apo ndërtimi i programeve të suksesshme të zhvillimit të forcës punëtore – bashkëpunimi qeveritar me akterët joqeveritarë do të jetë qenësor.
Në të gjitha këto fusha, Qeveria do të duhet të bashkëpunojë me tregjet dhe bizneset private, si dhe me hisedarët e tjerë, si unionet dhe grupet e komunitetit. Do të kërkohen modele të reja të qeverisjes për të garantuar që objektivat publike të vazhdohen me pjesëmarrjen e plotë të atyre akterëve që kanë njohuri dhe kapacitet për realizimin e tyre. Qeveria do të duhej shndërruar në një partner të besueshëm; dhe do të duhej t’u besonte, si kthim, akterëve të tjerë shoqërorë.
Në të shkuarën, secila luhatje e tepërt në baraspeshën shtet-treg ka nxitur në fund të fundit edhe luhatje të tepërt në kahen e kundërt. Plani i Bidenit mund ta thyej këtë cikël. Po qe se kor sukses, shembulli që do ta vërë në tregjet dhe qeveritë që veprojnë si plotësues e jo zëvendësues – duke demonstruar se gjithsecili të punojë më mirë kur tjetri e tërheq peshën e tij – mund të jetë trashëgimia e tij më e rëndësishme dhe më e qëndrueshme.
Në këtë aspekt, është e dobishme që plani i Bidenit të shikohej si një mënyrë për ringjalljen e pozitës konkurruese të Amerikës në botë, sidomos karshi Kinës. Mjerisht, vetë Bideni është fajtor për këtë inkuadrim.
Pakoja do “të na vërë në pozitë për ta fituar garën globale me Kinën gjatë viteve në vijim”, kishte argumentuar ai kohë më parë.
Do të ishte politikisht joshëse që plani i infrastrukturës të shitej në këtë mënyrë. Në një epokë të mëhershme, frika mbizotëruese se SHBA-ja po e humbet avantazhin kundruall Bashkimit Sovjetik në rrafshin e raketave balistike dhe në garën hapësinore ka shërbyer si katalizator për mobilizimin kombëtar teknologjik. Por sot ka shumë më pak arsye për të shkaktuar frikë. Duket e pamundur që të sigurohet mbështetje më e madhe republikane për planin, duke e pasur parasysh intensitetin e polarizimeve politike. Dhe e shpërqendron vëmendjen nga veprimi real: nëse plani i rritë të ardhurat dhe mundësitë për amerikanët e thjeshtë, siç do të duhej, atëherë do t’ia vlente barra qeranë, pa i marrë parasysh efektet në statusin gjeopolitik të Amerikës.
Për më tepër, ekonomia është ndryshe prej një gare armësh. Një ekonomi e fortë amerikane nuk do të duhej të ishte kërcënim për Kinën, siç rritja ekonomike kineze nuk do të duhej të ishte kërcënim për Amerikën. Inkuadrimi i Bidenit është dëmtues për aq sa e shndërron ekonominë e mirë në shtëpi në një instrument të politikave agresive gjetkë.
A mund ta fajësojmë Kinën nëse kërcënon me kufizime për korporatat amerikane, si masë mbrojtëse ndaj planit të Bidenit?
Plani mund ta transformojë SHBA-në dhe të caktojë një shembull të rëndësishëm që mund ta pasojnë vendet e tjera të zhvilluara. Por për ta arritur potencialin e tij, duhet që t’i shmangë diktomitë çorientuese “shtet kundruall treg” dhe trofetë e vjetruara të Luftës së Ftohtë.
Vetëm nëpërmjet lënies prapa supeve të modeleve të së shkuarës mund të skicohet një vizion i ri për të ardhmen.
(Dani Rodrik, profesor i Ekonomisë Ndërkombëtare Politike në shkollën për qeverisje John F. Kennedy në Universitetin e Harvardit, është autor i librit “Straight Talk on Trade: Ideas for a Sane World Economy”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë ndërkombëtare “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).