OpEd

Beteja fisnike e Filip Davidit kundër zerove morale

Në kujtim të shkrimtarit të madh serbo-hebraik Filip David, i cili vdiq në moshën 84-vjeçare.

1.

Në jetën e Filip Davidit ka shumë çaste krenarie. Një ndër to u shënua - prej tij personalisht, s’mund të ishte ndryshe - më 2016, kur ky shkrimtar serbo-hebraik mori çmimin për librin më të mirë në rrjetin e bibliotekave publike të Serbisë (për vitin 2015). U nderua Filip Davidi për romanin “Shtëpia e kujtesës dhe e harresës”. Lajtmotiv i kësaj vepre është zëri i pandërprerë i trenit që qarkullon mbi hekurudhat anekënd Europës, treni që vendosi rend në kohë, por që njëherazi u bë instrument që mundësoi efikasitetin e së keqes - nga sjellja e trupave në frontet e Luftës së Parë Botërore deri te organizimi tmerrësisht i përsosur i arritjes së vagonëve në kampet e shfarosjes në Auschwitz, Treblinka, Sobibór.

Pasi pranoi çmimin, David tha se dëshironte fillimisht të thoshte diçka pasi që në ceremoni ishte i pranishëm presidenti i atëhershëm i Serbisë, Tomisllav Nikoliq. “Megjithatë”, nënvizoi Filip David, “duhet të distancohem nga prania e zotit Toma Nikoliq. Duke respektuar institucionin e presidentit të republikës, ndjej se kam detyrimin të them se që nga fillimi i viteve 90-të nuk jam pajtuar me qëndrimet politike dhe veprimtarinë politike të zotit Nikoliq dhe ndjej detyrim ta them këtë këtu para tij”. Kështu flasin intelektualët që kanë dinjitet.


2.

Aty rreth orës 10:00 (ose ndoshta pak më vonë) Filip Davidi shfaqej në kafeterinë “Galerija” në qendër të Beogradit. Rreth tij qëndronin gazetarë (më i rregullti në këto takime me gjasë duhet të ketë qenë Fahri Musliu), shkrimtarë, dramaturgë, kundërshtarë të nacionalizmit, gjurmues të arkivave të kujtesës. Pronar i kafeterisë ishte Dragan Kapiçiq, dikur basketbollist i famshëm i Jugosllavisë. Nganjëherë - madje shpesh - si hije nga historia shfaqej aty edhe babai i tij, Jovo Kapiçiq, partizan, gjeneral, ambasador jugosllav në Suedi e Hungari, organizator i arrestimit të kreut të çetnikëve Drazha Mihajloviq menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. (Këtë nuk do t’ia falnin kurrë nacionalistët serbë, siç do ta urrenin edhe për mbështetjen e pavarësisë së Kosovës dhe Malit të Zi). Më 2010 Kapiçiq, malazez krenar dhe i gjatë si lis, i dha një intervistë televizionit B92 me ç’rast bëri të ditur se kurrë nuk do ta zbulonte vendin se ku ishte varrosur Drazha Mihajlloviqi. Këtë e kërkonin qarqet nacionaliste. “Ata nuk po kërkojnë të dinë se ku është i varrosur, por po kërkojnë eshtrat e tij që të ndërtojnë një përmendore”. Më 2011 Jovo Kapiçiqin e rrahën brutalisht persona të panjohur në Beograd.


3.

Nuk ishte pa rrezik çfarë flitej në kafeterinë “Galerija”. Sepse atë që e thoshin pjesëmarrësit e debateve aty, e mbronin edhe në publik. Për shembull Filip Davidi. Ai ishte një kundërshtar i rreptë i politikave të Sllobodan Millosheviqit, Vojislav Sheshelit, Shoqatës së Shkrimtarëve të Serbisë, Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve. Ai ishte, njëkohësisht, përkrahës i popujve të ish-Jugosllavisë që u vunë në shënjestër nga regjimi i Beogradit në vitet 1990-të (dhe më vonë). Ai ishte në anën e viktimave. Dhe përkrahte me guxim aspiratat e tyre për liri e pavarësi. E quante pavarësinë e Kosovës proces të pakthyeshëm. Me fjalë e vepra ndërtonte ura mes popujve. Më 1989 ishte njëri nga themeluesit e shoqatës së shkrimtarëve të pavarur në Sarajevë. Një vit më vonë do të themelonte Qarkun e Beogradit, një grup intelektualësh që mbajti qëndrim parimor kundër luftës.

Ishte çështje kohe kur do të ndëshkohej nga regjimi. Kjo ndodhi më 1992: Filip Davidin e larguan nga puna në Radiotelevizionin e Serbisë (RTS) për shkak të themelimit të sindikatës së pavarur. Punonte aty në Programin e Dramës. Më 1999 u bë anëtar i Grupit 99, të themeluar në Panarin e Librit në Frankfurt, pjesë e të cilit ishin edhe personalitete të kulturës nga Kosova si Ali Podrimja e Shkëlzen Maliqi. Falip David ishte profesor në Fakultetin e Arteve Dramatike në Beograd, ku lidhi një miqësi prej disa dekadash me Petrit Imanin, profesor e dramaturg po ashtu i njohur, i cili ndërroi jetë në vitin 2019.


4.

“Historia”, sipas shkrimtares së njohur kroate Sllavenka Drakuliq, “tek ne është si një lavatriçe e madhe. Hedh brenda pluhurin e ideologjisë, dhe jashtë del një histori e pastruar”. Filip David nuk e donte historinë e pastruar nacionale. Sepse një histori e tillë i fsheh anët e errëta. Filip Davidi ishte në anën e dritës. Dhe drejt dritës e shtynte përvoja e tij familjare. U lind më 1940 në Kragujevc në një familje hebraike, e cila çdo ditë duhej të jetonte mes jetës dhe vdekjes. Shumë anëtarë të saj u vranë në kampin Staro Sajmishte afër Beogradit dhe në Jasenovc të Kroacisë, të dy të drejtuar nga kolaboracionistët e nazistëve. Si fëmijë Filip David duhej të mbante mend mirë emrin e tij të ri: Fiça Kaliniq. Me këtë emër mund të shpëtonte, sepse Filip David tingëllonte shumë hebraisht. “Fiço” e quanin nganjëherë shokët e tij në kafeterinë “Galerija” në Beograd. Gjatë Luftës së Dytë Botërore familja David u strehua në një fshat të Frushka Gorës në Vojvodinë. “Banorët e fshatit e dinin kush ishim dhe çfarë ishim, dhe sipas ligjeve raciale të asaj kohe, ishte rreptësisht e ndaluar të strehoheshin, të fshiheshin dhe të mbroheshin hebrenjtë. Po të zbuloheshin, fshati mund të shkatërrohej dhe të gjithë banorët e tij do të vriteshin. Edhe sot i admiroj ata që na pranuan, përkundër të gjithave. Kjo është vetëm një dëshmi se edhe në periudhat më të errëta ka njerëz që meritojnë adhurim”, theksoi Filip David në një intrevistë për portalin boshnjak “Polis”.

Njëherë, ndërsa po pinim kafe te “Galerija”, në oborr të lokalit pamë drejtpërdrejtë një përleshje mes dy grupeve. Të frikësuar se mund të kapeshin nga policia, keqbërësit ikën. Pas mbeti, në asfalt, një revole. “I ka këto anë kriminalizimi shumëvjeçar i shoqërisë”, tha Filip David dhe vazhdoi të fliste për vajzën e tij, e cila punonte në Zürich dhe si qindra-mijëra të rinj nga Ballkani ia kishte kthyer shpinën vendit të vet për shkak të mugëtirës pas shtrëngatave të mëdha politike.

5.

Liberal në kuptimin më të çiltër të mundshëm, Filip David nuk ngurronte të kundërshtonte çdo autoritet, jo vetëm politik. Kur shkrimtari austriak Peter Handke, një apologjet i Sllobodan Millosheviqit, u nderua me Nobelin për Letërsi, Filip David protestoi: “Handke është një zero morale. Është e vështirë, në mos e pamundur, të ndash veprën e tij të përgjithshme nga aktivitetet e tij politike. Çmimi Nobel do t’i thellojë edhe më tej keqkuptimet në rajonin tonë dhe do të hapë sërish plagët e viteve 90-të”.

Filip Davidi, autor romanesh, skenarist, eseist, dramaturg dhe aktivist i të drejtave të njeriut, kaloi në amshim të hënën pas një beteje fisnike kundër zerove morale dhe për një botë më të drejtë, më paqësore dhe më të ndriçuar nga kultura.