Virtytet ndërthureshin në mënyrë të përkryer në karakterin e Benetit. Ai nuk ishte konformist. Ishte rebel. Kjo do t’i kushtonte me jetë. Por, ju duhet ta njihni. Andaj në fund të këtij teksti do të mund ta gjeni një shkëndijë të tij
1975 – 2000 – 2025
Këta numra janë vjet. Tregojnë për jetën. Për vdekjen. Për një qark gjysmëshekullor të Kosovës. Tregojnë për Benetin, vëllain tim.
VITI 1975 - Pranvera solli në një familje të re një gëzim. Një çift në të tridhjetat e hershme, pas shkollimit e punësimit bashkëjetonin në një banesë në Prishtinë. Nuk ndiqnin formalitetet. Bënin jetë të udhëhequr nga parimet dhe ndjenjat. Beneti u solli rreze. Të ardhmen e shihnin këtu. Krejt çka patën, vunë në shërbim të këtij vendi.
Unë erdha në familje pak më vonë. Isha e dyta. Përveç kësaj, nuk isha e bukur sa Beneti. As e famshme, e besa as e kthjellët sa ai. Ishte i veçantë. Më donte. Çdo herë më lëshonte pe. E adhuroja. Por, jo veç unë. Mamit i xixëllonin sytë nga ai. Babi mburrej, edhe pse më diskret se mami. Matit, vëllait të vogël, i jepte siguri. Në familjen e babit ishte fëmija i parë që mbante mbiemrin Rexhepi. Në familjen e mamit ishte nipi i madh. Për miqtë, fqinjët, të njohshmit... ishte djali i edukuar që nxjerr duart nga xhepat dhe ndalon kur i përshëndet. Për arsimtarët e profesorët, studenti shembullor. Për moshatarët, shoku besnik, e për plot vajza djaloshi që e shikonin fshehurazi. Harrova. Basketin e luante magjishëm. Unë isha njëfarë mesi.
Në gjenerata të ndryshme, filloren e kryem në të njëjtën shkollë – ku është tash “Ismail Qemali”. Edhe të mesmen - ku ka qenë “Xhevdet Doda”. Ai e donte më shumë matematikën ndaj studioi për informatikë e telekomunikim. Por, sa bukur e zotëronte shqipen. Do ta shihni në fund të këtij shkrimi në një hartim të shkurtër të para 32 vjetëve. Do ta kuptoni edhe preokupimin e tij si tinejxher. Beneti nuk ishte konformist. Ishte rebel.
Kjo do t’i kushtonte me jetë.
VITI 2000 – Nuk e zu pranverën e 25-të. Më 8 mars, Beneti u ekzekutua. Dy plumba në ballë nga një vrasës profesionist. Në lagjen “Ulpiana”, në rrugën që bënte për çdo ditë për në shtëpi.
Hartimi nuk ka të bëjë me vrasjen. Ka të bëjë me Benin. Pra janë diku afro dhjetë vjet ndërmjet, aty ku mbetëm - te hartimi, dhe vrasjes. Ishin vitet nëntëdhjetë - shkolla e mesme dhe fakulteti; përjashtimi i prindërve nga puna e yni nga shkollat. Beneti ishte nxënës e student i shkëlqyeshëm dhe një i ri aktiv në organizimet e asokohshme. Nuk tregohej, imponohej apo lavdërohej - karakteristika të tjera të tij. U ballafaqua me rreziqe jashtë dhe brenda në shtëpi. Provoi hapjen e syve nga tyta të gjata pushkësh mëngjesin e një dite afati provimesh, qershorin e ‘98-s. Dhe i dha ato. Provimet. Nuk mund ta shpërqendroje. Beneti ishte ndryshe. Virtytet ndërthureshin në mënyrë të përkryer në karakterin e tij.
Kjo do t’i kushtonte me jetë.
Kosova e lirë mori rrugë tjetër nga ajo që e ëndërruam. Nuk donte njerëz si ai. E ai e donte atë. Beneti filloi të punojë në UNHCR. Nuk ishte ky vendi ku e shihte veten gjatë. Por jo as aq shkurt. Kishte diçka që e preokuponte. Fliste për padrejtësi e parregullsi. Nuk e di cila ishte brenga e vërtetë. Nuk e di në ishin tanët a të huajt. Veçmas apo bashkë? Por, punën e la papritur. Pas tri ditësh u vra.
Shumë të panjohura. Nuk e di nëse po të kishte qenë Beni në vendin tim e unë në të tijin, do të ishte përpjekur të kuptonte më shumë për brengën time, se që unë bëra me të. Nuk e di nëse unë do t’i kisha treguar apo do ta kisha mbrojtur siç ai bëri me mua. Ai nuk më dha informata dhe ata që e vranë e dinë këtë. Do të doja t’i dija dhe do të doja të ballafaqohesha.
E di. Kosova nuk ka institucione që mbrojnë qytetarin e që sjellin drejtësi. Nuk pati më 2000 dhe nuk ka as tash. Por, edhe ashtu, pesha e dilemave është vrastare vetë. Ajo i mori shumëçka familjes sonë. I mori jetë. I mori lumturi. I mori shpresë. Familjes, pra që dikur ishte e re e që të ardhmen e projektoi në këtë vend. Që ia bëri gati fëmijët e ia vuri në dispozicion. Vendit ku pas luftës një soj tjetër njeriu lulëzoi. Vendit të lirë që mbron vrasësit.
VITI 2025 – Një gjysmë shekulli është qarku që tregon për Kosovën. Për atë se si për 25 vjet një njeri lind, rritet, edukohet, shkollohet dhe vritet. Dhe, për 25 vjet të tjerë ku vrasja shpërfillet, rrjeti kriminal inkurajohet e vrasësit amnistohen.
Hetimi nisi nga policë të UNMIK-ut. Ajo që mblodhën në fillim ishte: tre persona në vendin e ngjarjes; njëri me flokë të gjatë duke ikur vrap i buzëqeshur; dy të tjerë te trupi derisa ende nuk kishte nxjerrë frymën e fundit. Mos ta kishin gjetur edhe këtë dëshmitar, do të kishin mbetur pa gjë. Dy-tre muaj pas, hetuesi kryesor doli në “njësinë e biçikletave”. E dëshpëruar e pata pyetur pse. “Është më interesant”, më pati thënë. Kjo ishte rruga që ndoqi hetimi. Herë nga të huajt, e herë nga tanët. Shko një, hajde tjetri. UNMIK-u para se të përmblidhej nga drejtësia, e mbylli rastin krejt. Tha se nuk kishte prova dhe që nëse ne do ta gjenim ndonjë, do të mund të rihapej. E dorëzoi të tillë në EULEX. Aty s’u mor kush me të. Nuk u morën as Policia e Prokuroria e Kosovës. Të gjithë bashkë mezi kishin pritur të mbyllej.
Gjatë këtyre vjetëve, nëna ime me peshën e dhimbjes më të madhe që rëndon mbi tokë, trokiti në çdo derë institucionesh. U ballafaqua me çfarëdo surrati. Shkroi dhjetëra, mos qindra letra. Ia dërgoi prej Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara e deri të stacioni policor numër dy në Prishtinë. U shkroi të gjitha qeverive e prokurorive. Kërkoi veç drejtësi për djalin e saj. Askush, pra në kuptimin e plotë të fjalës – ASKUSH – nuk u mërzit për këtë.
Ka një çerek shekulli që Kosova po mban në gji vrasësit e një djali të mirë të saj. Ky është qarku i vendit që e rriti dhe e vrau atë. Ky është qarku i Kosovës.
Benetin duhet ta njihni. Një shkëndijë të tij mund ta shihni te hartimi i shkurtër për "Xhevdet Dodën". Andaj po e ndaj me ju. E pati shkruar me një frymë kur ishte 16-17 vjeç, i prekur nga thyerja e bustit të heroit pranë gjimnazit që mbante emrin e tij.
Pranë bustit të rrënuar të heroit
Bustet janë tablo historike të shndërruara në gurë. Janë personalitete të ngurtësuara të cilat edhe pse memece, flasin. Ato paraqesin mburrjen e çdo populli. Për to nuk mjafton fjala në letër. Duhet edhe fytyra në gurë që ta shohin edhe ata që nuk e dinë gjuhën.
Busti flet zëshëm, por ka që nuk mund ta dëgjojnë, disa e dëgjojnë me mburrje e të tjerëve u pengon edhe heshtja e tij. E heshtja e flet të vërtetën. Atë që dikush nuk do ta dëgjojë.
Bustet për ne kanë qenë komunikim i rëndësishëm me realitetin historik. Me të parët tanë. Grafiti e ndërron formën e guri nuk mund të shlyhet. Bustet mund të bëhen copë e grimë por pastaj buçitja e fjalëve buron prej secilës grimcë të tyre. Mund të nënçmohet realiteti jonë historik e ne t’i vështrojmë me lot që shprehin pafuqinë dhe mençurinë e bërë gurë në bustet që ecin.