Viti 2020, pos që shfaqi të metat e mospunës 20-vjeçare në Kosovë, duhet të shihet me sy optimizmi se të rinjtë janë të gatshëm të marrin përgjegjësi për t’i dhënë drejtim të ri shtetit
“S’ka gjë në Kosovë”. “Kurrë s’ka me u bë mirë”. Fjalë që çdo i dyti në Kosovë i mendon. Gjysma e popullatës është e gatshme të largohet nga vendlindja për një jetë më të mirë. Kudo. Sa më larg vendlindjes. U është neveritur. S’u duhet një jetë e varfër. Jo veç ekonomikisht, por edhe emocionalisht. S'e kanë merituar. Humbja e shpresës se do të përmirësohet gjendja ekonomike, politike e shoqërore po i shtyn gati 70 për qind të të rinjve të mendojnë për largim. Kjo shifër, bazuar në një anketë të GLPS-së publikuar në dhjetor, do të duhej të shihej nga autoritetet si alarmante. Të paktën në një vend normal. Por “çuditërisht” jo në vendin ku rinia ka humbur shpresën. Në Kosovë jemi mësuar me dëshirën për ikje. Kjo po kthehet në traditë.
2020-a ishte një vagon tjetër i trenit të quajtur katandisje. Pandemia rëndoi gjithë botën, por Kosovës ia nxori në pah “sekretet”. Ky vit hoqi çdo mbulojë. Paskemi qenë ujqër për vetveten. Pandemia na zbuloi. 20 vjet si vend i lirë dhe s’kemi arritur të ndërtojmë shtet që ofron siguri. Bëmë shtet që s’kishte dorë për periudhën më të rëndë qëkur ekziston si i tillë. Në kohën kur u desh më së shumti, ai heshti. Ndoshta s’mund të shpëtohej askush nga 1,300 të vdekurit si pasojë e virusit, por të gjallëve mund t’u jepte shpresë. Por as shteti nuk ka si t’ia dalë kur vetë është fajtor që shumicën e të rinjve i ka lënë pa punë, e studentët kanë fituar bindjen vetëm për largim. Gjetja e shpresës do të ishte e vështirë. Të paktë janë ata që gjejnë shpresë në një vend ku mbizotëron mungesa e mundësive për çfarëdo.
Megjithatë, në vendin ku më s’vlen thënia “hajt se bëhet mirë”, pandemia nxori diçka që mund ta kthejë në realitet thënien që përcillet me gjenerata. Situatën s’mund ta rregullojë shteti tashmë, por populli po. E populli duhet t’i besojë rinisë, e rinia të shprehë gatishmërinë për të marrë përgjegjësinë.
Në një vit me ngjarje të rënda, ku gjatë gjithë vitit dëgjon fjalën lamtumirë e ngushëllime, befasisht një ditë nxiti inspirim e kureshtje për një të ardhme më pozitive. Gjatë udhëtimit me autobus, një ditë dhjetori sytë më vunë re diçka që nuk e kisha perceptuar më herët. Një i mitur ishte i ulur në autobus, afër një polici rreth të 50-ve. Nuk po mbante plotësisht maskën siç duhej. Edhe polici mbante maskën nën hundë, siç po bëjnë shumica. Me të arritur në destinacion, djaloshi doli nga autobusi dhe me të dalë, pa jashtë dy policë të rinj. Ata që në popull po konsiderohen si “ah këta të rinjtë që s’falin”. Shtatgjatë, kokëlart e shpinëdrejt. Me maskën deri te sytë. Sado e zezë që ishte, të jepte ndjenjën e rregullit dhe pedanterisë. Me t’i parë, ktheu maskën në rregull, duke mbyllur edhe hundën. Fitova bindjen që “u frikësua” nga ta. A thua vetëm frika rregullon gjithçka? Jo. Puna e drejtë dhe me nder e bën. Thashë me vete, ‘të rinjtë po ta kenë lirinë e bëjnë edhe shtetin’. Ndoshta duhet të jenë të gjithë sikur ata dy policë. Të rinj që janë të gatshëm të marrin përgjegjësi, e që punën e kryejnë me nder për t’i bërë të tjerët të mburren.
Rrugën me autobus po e bëja nga puna për në banesë, pas një kohe të gjatë vetmie, pasi me familjen shkëmbenim bisedat veç me telefon, shkaku i situatës. Ishte dita kur duhej të dërgoja familjarë për kontroll te mjeku. Me të hyrë në sallë të klinikës private, gjyshja e uroi me shpirt mjekun që ia shpëtoi jetën. Ishte një djalë i ri, rreth të 30-ve. Fliste shumë lirshëm me të, aq sa dukej se vetëm fjalët po e shëronin gjyshen që vazhdimisht e uronte për jetë të gjatë e të lumtur. Ishte i ri në moshë dhe më kujtoi shokët që edhe pse ndër më të mirët në shkollën e mesme, e studentë me nota maksimale në Mjekësi, u detyruan të vazhdonin jetën në Gjermani, pasi “këtu s’ka gjë”. Mirësjellja e mjekut të ri, për pak orë më zgjati shpresën se ka vend për të rinjtë. I gjithë ky lirim i mendjes erdhi pak javë pasi prindërit u dorëzuan para fjalëve se “këtu s’ka mbetur gjë”. Krejt pasi përjetuan vetë se në krizën më të madhe shëndetësore deri tash mungoi kujdesi i një shteti që për 20 vjet s’kishte qenë në gjendje të bënte as sigurimin shëndetësor për trajtim, ku s’duhet të mendosh a ke para në xhep edhe pse je në spital. Pavarësisht mundit të pashoqë të mjekëve, mospuna 20-vjeçare e shtetit ua zbehu djersën.
Në një shtet ku pak punojnë e edhe më pak paguhen, kjo periudhë shërbeu për mësim të madh. Populli tash ka marrë mësimin. Është vetëdijesuar. Di gjithçka. Kështu më nuk funksionon.
Në shtëpi, gjatë çajit të parë me familje, pas gati një muaji dhimbjeje shpirtërore, për faktin që s’mund t’u jepje ndihmë e drojën se çka po ndodh, pata pak kohë për Facebook. Pashë një postim të ndjeshëm të një kolegu, teksa po shkruante për largimin e dy nipave drejt Evropës për të vazhduar jetën. Shprehte mllefin për mungesën e perspektivës për të rinjtë e të ndershmit e këtij vendi. Pas mërzisë së shprehur, uroi për kthimin e tyre të shpejtë, e që një ditë ta bëjnë krenarë vendin.
Krenarë vendin më shumë se të rinjtë s’mund ta bëjë askush. Të gjithë do të donin një ditë të kthehen në Kosovë, por tash për tash, s’po shohin arsye. Me hapjen e rrugës së përzgjedhjes së liderëve, pas shumë vitesh jetese në skandal, ka ardhur koha që të rinjtë të marrin përgjegjësinë e njëjtë, siç bënë në një vit me shumë ngarkesë policët e mjekët e rinj. Vetëm rikthimi i shpresës tek ta mund të bëjë të shuhet dëshira për largim e përqindja e gatishmërisë për ikje të bjerë. Këtë mund ta caktojë vetëm populli. T’u besojë të rinjve. Është koha që të rinjtë të jenë yjet e vërteta të vendit. Të jenë gurthemel i një shprese që do të bëhet realitet. Të marrin përgjegjësinë për të mos ndjekur “shembullin e keq”, në një vend që e meriton realitetin - “U BË MIRË”.
* * *
Me shpresën për të ardhmen e se një ditë njëmend në vend do të bëhet mirë, kjo letër është shenjë kujtimi për dy gjyshërit që ishin njerëzit më optimistë që njoha. Për ata që deri në fund vazhdonin e ngulmonin se “bëhet mirë”, e të cilët i humba për pesë muaj në kohë pandemie. Më inspiruan gjithmonë e fjalën duhet ta mbaj. Siç duruan ata gjithçka për të vazhduar me shpresë në Kosovë, ashtu duhet të mbesë. Me shpresën për të rinjtë, që t’u hapet rruga, jo për të ikur, por për të punuar me përgjegjësi aty ku lindën.