Në zgjedhjet e 11 qershorit për herë të parë do të votojnë fëmijët e lindur gjatë luftës dhe të rritur jashtë robërisë. Kosova ende nuk është ajo, të cilën e kishin pandehur prindërit e tyre se do të ishte në çastet kur i kishin sjellë në jetë
DIELLI dje i ka mbushur 18 vjet.
Sot një javë për herë të parë ishte veshur me këmishë të bardhë e kravatë, për të shënuar përfundimin e maturës.
Pas dhjetë ditësh do të bëjë edhe diçka tjetër për t’parën herë – do të kthehet në shkollën ku e kishte përfunduar filloren dhe do të votojë për pesë persona të cilëve u beson.
Dy fotografi tashmë i ka shpërndarë në llogarinë e tij në Facebook, bashkë me Mimozën e Lolin, prindërit e tij krenarë.
Nuk e di se a do të bëjë edhe një fotografi ditën e zgjedhjeve. Nuk është krejt i sigurt nëse më vonë, kur ta shohë atë foto, do të ndihet krenar.
MIMOZA E LOLI kishin vendosur të martoheshin, por s’mund të vendosnin për datën. Gjatë ditës dëgjonin granatimet e fshatrave shqiptare, kurse në mbrëmje dëgjonin në lajme numrin e civilëve të vrarë.
“Të presim edhe pak”, pajtoheshin të dytë. Por s’ishte edhe punë që priste shumë. Mimoza tashmë bartte në barkun e saj frytin e dashurisë së tyre.
Në ditën kur filluan bombardimet e NATO-s, Loli e ftoi Mimozën që të vinte të flinte në banesën e tij. Natën e parë të martesës - "hyrjen dhëndër të Lolit" - e kishin kaluar të shtrirë, së bashku me të gjithë anëtarët e tjerë të familjes, në korridorin e ngushtë të apartamentit tredhomësh, vendin e vetëm ku nuk kishte dritare.
"E gjithë bota është duke shënuar martesën tuaj. A e shihni çfarë kalibrash janë 'alltitë', me të cilat shtinë e festojnë për ju...?", kishte bërë shaka Titi, i vëllai i dhëndrit të ri.
Ata, vërtet, në vend që të dëgjonin të shtënat me armë në shenjë festimi të martesës - dëgjonin shpërthimet dhe detonimet e bombave të NATO-s, dhe në vend që të prisnin që t'u vinin të afërmit dhe miqtë për t'i uruar - prisnin në do të vinte policia serbe për t'i terrorizuar në shtëpinë e tyre.
Kishin planifikuar të udhëtonin diku jashtë shtetit për të kaluar muajin e mjaltit, por situata e krijuar ia kishte imponuar muajin e mjaltit më të pazakontë në botë - askush deri më atëherë nuk kishte përjetuar një të tillë nën bombat e 19 shteteve më të zhvilluara në botë, thonë ata.
MIMOZA LINDI plot 16 mijë kilometra larg Prishtinës.
Vetëm dy javë më herët mezi ishte lejuar që të hipte në avion, në Shkup, për t’i çuar drejt Sydneyit. Kishin tashmë 10 ditë që po qëndronin në kampin e Stankovecit, kur kishte parë Lolin të vraponte drejt saj me gëzim mes lotësh: “Na kanë dalë emrat për në Australi”.
Diell, ishin pajtuar për emrin. Se çfarëdo që ndodhë, gjithmonë të nesërmen lind dielli – u pëlqente si thënie.
Një jetë e re, në kontinentin më të ri. Me shumë diell. Larg, shumë larg luftës, dëbimit, vdekjes.
“Ishim me fat”, ia përsërisnin shpesh vetvetes. “Vetëm të na shpëtojnë edhe familjet e të përfundojë kjo luftë”.
NË JAVËN e dytë të tetorit u ulën me avion në Aeroportin e Shkupit.
Kishin shkuar dy, po ktheheshin tre. Familje.
Me të shkuar ishin frikësuar nga të uniformuarit, tash nga të uniformuarit po e ndienin sigurinë.
“A jeni normalë?”, ishte pyetja më e shpeshtë së cilës duhej t’i përgjigjeshin.
Njerëzit çuditeshin se si dikush lëshon Australinë, ku iu kishte lindur fëmija, dhe kishin mundësi për jetë të re.
“Ju, a jeni krejt mirë?”, përgjigjeshin me pyetje. “S’ka si në Kosovë”.
“Bëhet mirë”, mbyllej biseda.
“BËHET MIRË!” Mimoza e Loli ia kishin përsëritur vetvetes dhe pastaj edhe Diellit, e edhe vëllait dhe motrës së tij, kur ata po rriteshin dhe po flisnin me ta.
Bëhet mirë, e përsëritën edhe kur të dytë ishin pa punë me t’u kthyer në Kosovë.
Bëhet mirë, thanë edhe kur panë se plot njerëz që thoshin se po punonin e luftonin për liri, filluan të punonin për të zënë banesa e pompa të benzinës.
Bëhet mirë, e përsëritën edhe kur shefi ndërkombëtar i Lolit në organizatë nuk paraqitej fare në punë dhe ai detyrohej t’ia kryente detyrat.
Bëhet mirë, u gëzuan të dytë më 17 shkurt.
Bëhet mirë, tashmë ishte kthyer në kapakun e çdo bisede.
Hera e fundit që Mimoza tha“bëhet mirë” ishte kur Dielli e pyeti përse Kosova mbeti jashtë liberalizimit të vizave, edhe pse ishte në një grup me Ukrainën e Gjeorgjinë.
“NDOSHTA”, po iu fliste me ngacmim Dielli. “Ndoshta, ju për 18 vjet s’keni ditur se kë ta votoni”.
“U bë ky!”, e shikonin njëri-tjetrin Mimoza e Loli.
Twitter: @adriatikk