OpEd

BE-ja vazhdon të improvizojë me Kosovën

Kosova ka bërë mirë që ka aplikuar për anëtarësim në BE. Me këtë e ka bartur përgjegjësinë te BE-ja që ajo të tregojë nëse Kosova mund të përfshihet në procesin e zgjerimit apo jo. Për momentin, BE-ja po dëshmon se Kosova nuk është pjesë formale e procesit të zgjerimit. Gjithçka tjetër që thuhet është vetëm improvizim i Bashkimit Evropian

Më shumë se dy vjet kanë kaluar prej kur Kosova ka aplikuar edhe formalisht për anëtarësim në BE dhe asnjë hap i vetëm nuk është ndërmarrë për ta shqyrtuar këtë kërkesë. Janë ndërruar vendet kryesuese të BE-së, të cilat edhe e kanë për detyrë vendosjen në procedurë të kësaj kërkese, dhe asnjëra prej tyre nuk e ka bërë asnjë hap. Nuk e kanë bërë këtë as vendet që e njohin pavarësinë e Kosovës si Suedia apo Belgjika dhe nuk e ka bërë as Spanja, e cila nuk e ka njohur. Dhe gjasat janë të vogla që të ketë lëvizje në këtë drejtim gjatë kryesimit të radhës së Polonisë.

Aq është injoruar Kosova pas dorëzimit të kërkesës, saqë nganjëherë dëgjohet edhe mendimi se ndoshta nuk ka qenë momenti i duhur që Kosova ta dorëzojë këtë kërkesë. Dhe vërtet në Bruksel nuk ishin të sigurt se a ishte vendim i mirë i Kosovës që në dhjetor të vitit 2022, në fund të kryesimit të radhës së BE-së nga Çekia, të aplikohej edhe formalisht për anëtarësim në BE.

Kosova jo vetëm që ka bërë mirë se ka aplikuar, por edhe mund të thuhet se ishte vonuar që ta bëjë atë. Sepse derisa nuk e kishte dorëzuar kërkesa për anëtarësim në BE në pyetjet se a mund të bëhet Kosova me status kandidati përgjigjeshin se “nuk mund të përgjigjemi në pyetjet hipotetike”. Por ata që kishin rolin kryesor në strukturat e BE-së nuk ishin në favor të Kosovës. Ish-shefi i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë i BE-së, Josep Borrell dhe i dërguari për dialog, Miroslav Lajçak, kanë qenë haptas kundër Kosovës si shtet. Më pak haptas, por shumë i angazhuar kundër Kosovës ka qenë ish-komisionari i zgjerimit, Oliver Varhelyi. Aq shumë sa në fillim të mandatit të tyre, ish-zëdhënësi i BE-së pati thënë qartë se Kosova për BE-në “nuk është shtet” dhe se Kosova pasi nuk trajtohet si shtet nuk mund as të kandidojë për anëtarësim në BE.

Komisionari i Zgjerimit, duke e ditur se Këshilli nuk e bën këtë, thoshte se “Komisioni Evropian mbetet i gatshëm për ta përpiluar opinionin edhe për Kosovën nëse e merr një mandat të tillë nga Këshilli”. Komisioni Evropian vazhdon të thirret në rastin e Kosovës në kriterin formal dhe nuk bën përpjekje që të ndikojë te vendet anëtare në favor të Kosovës.  

Faktin se Kosova nuk është e njohur si shtet nga 5 anëtare të BE-së e përmendin edhe sot si një prej pengesave pse aplikacioni i Kosovës nuk është shqyrtuar nga BE-ja. Në fakt, sinqerisht kjo është arsyeja e vetme. Sepse vendosja në procedurë të aplikacionit nuk do të duhej të varej nga asnjë kriter që nuk është gjeografik. Kërkesa do të duhej të vendosej në procedurë, Këshilli do të duhej të mandatonte Komisionin Evropian për ta përpiluar opinionin, e pastaj, në bazë të vlerësimeve do të shihej se sa Kosova i përmbush kushtet dhe kriteret objektive. Kështu është bërë për të gjitha vendet tjera evropiane që sot e kanë statusin e vendit kandidat. Në fakt, Kosova është shteti i vetëm në Evropë, i cili ka aplikuar për anëtarësim në BE dhe nuk e ka statusin e vendit kandidat. Do të ishte papërgjegjësi e madhe e Qeverisë së Kosovës sikur të mos e kishte dorëzuar kërkesën për anëtarësim në BE në kohën kur me shpejtësi të madhe statusi i vendit kandidat u jepej Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë, vende të cilat kanë territor shtetëror të okupuar. Ato e kanë merituar një status të tillë, për shkak të orientimit të tyre politik dhe strategjik, por është e tepruar të mendohet se ato janë aq shumë para Kosovës në përmbushjen e kritereve objektive. Nëse shikohet me kujdes raporti vjetor i Progresit i Kosovës, dhe nëse ai krahasohet me ato të vendeve tjera të rajonit, shihet se në disa fusha, përkundër ngecjeve, Kosova qëndron shumë më mirë sesa vendet fqinje. Dhe ky është vlerësimi i vetë Komisionit Evropian. Pra nuk është fjala tek kriteret apo progresi konkret i Kosovës, por vetëm te fakti se Kosova nuk është njohur nga të gjitha vendet anëtare. Dhe në BE, as nga vendet që e kanë njohur Kosovën nuk ka pasur asnjë përpjekje të vetme për ta tejkaluar këtë pengesë, së paku në hapin e parë. Ka juristë edhe në BE që mendojnë se vendet të cilat nuk e kanë njohur Kosovën si shtet mund të japin pëlqimin për hapin e parë, dhënien e mandatit Komisionit Evropian për përpilimin e opinionit për kandidaturën e Kosovës.

Kosova ka bërë mirë që ka aplikuar për anëtarësim, në BE. Me këtë e ka bartur përgjegjësinë tek BE-ja që ajo të tregojë nëse Kosova mund të përfshihet në procesin e zgjerimit apo jo. Për momentin BE-ja po dëshmon se Kosova nuk është pjesë formale e procesit të zgjerimit. Gjithçka tjetër që thuhet është vetëm improvizim i Bashkimit Evropian. Do të ishte më e drejtë sikur për këtë kërkesë të diskutohet dhe votohet në Këshill dhe të shihet se ku qëndron problemi. Së paku Kosova do të dinte se ku qëndron. Është naive nga BE-ja që të besohet se Serbia do ta njohë realitetin, pra se Kosova ekziston si shtet, e pas kësaj edhe pesë vendet e BE-së do të ndryshonin qëndrimin e tyre. Më reale do të ishte e kundërta, që të gjithë nga BE-ja ta njohin Kosovën dhe pastaj Serbia të kuptojë se nuk ka më hapësirë për të mos e njohur. Ky ka qenë edhe gabimi që është bërë me nisjen e këtij dialogu kaq të pasuksesshëm në Bruksel. Dhe këtë dialog Serbia me shumë sukses e ka përdorur kundër Kosovës, duke lënë përshtypjen në njërën anë se “është konstruktive në dialog” e në anën tjetër duke bërë pengesa maksimale për avancimin e Kosovës drejt BE-së. Mund të diskutohet edhe për sjelljen e Kosovës në dialog dhe për përgjegjësinë e saj. Por për hapin e parë në procesin e zgjerimit është një iluzion se kusht për këtë është progresi në dialog. Sepse pjesëmarrja në dialog jo vetëm se nuk e ka penguar, por e ka ndihmuar Serbinë që të avancojë në procesin e anëtarësimit në BE.

Në rrethanat e tashme, që për fat të keq të Kosovës do të vazhdojnë, në procesin e zgjerimit janë nëntë shtete me status kandidati dhe vetëm një që vazhdon të jetë vetëm vend me potencial, por jo edhe kandidat. Kur në vitin 2003, Kroacisë nga BE-ja i thuhej se “nuk është momenti për të aplikuar për anëtarësim në BE”, kryeministri i atëhershëm, Ivica Raçan, thoshte se Kroacia “dëshiron të bëhet kandidat me potencial e jo të mbetet duke u përmendur vetëm si kandidat potencial”. Edhe Kosova duhet ta avancojë statusin në kandidat me potencial e jo të përmendet vetëm si kandidat potencial për BE-në. Kosova e ka bërë hapin e vet dhe përgjegjësia tash është në duart e Bashkimit Evropian.