I dërguari i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak, ka bërë mirë kur në një intervistë për RTK-në ka konfirmuar se Kosova në mënyrë legjitime ka vendosur masat rreth targave dhe hyrje-daljes me Serbinë. Por kur thotë se BE-ja dëshiron që këto të zgjidhen “sipas standardeve evropiane”, krijohet një keqkuptim. Sepse, nuk ka “standarde evropiane” sipas të cilave, autoritetet në një shtet lëshojnë targa me emrat e qyteteve të një shteti tjetër
I ashtuquajturi “ambiguiteti konstruktiv” me të cilin u nis dialogu mes “Prishtinës dhe Beogradit” (edhe vetë ky emërtim i dialogut është me ambiguitet) vazhdon të jetë në fuqi nga “lehtësuesit” e BE-së. Ai vazhdon ta pengojë përparimin e dialogut, e kthen shpesh atë prapa dhe rrezikon krijimin e tensioneve edhe në terren për shkak se palët në mënyra të ndryshme i interpretojnë edhe dialogun, edhe marrëveshjet që janë arritur në të, edhe ato që kanë dështuar e po ashtu edhe qëllimin përfundimtar të dialogut.
Ndoshta qasja e “ambiguitetit konstruktiv” duket e duhur në teori të ndërmjetësimit mes palëve me qëndrime diametralisht të kundërta, siç janë pa dyshim Kosova dhe Serbia, por ato nuk sjellin më rezultate, sidomos në kohën moderne të mundësive të pakufizuara të komunikimit.
Dialogu është quajtur si dialog mes “Beogradit dhe Prishtinës” qëllimisht për të pasur kuptime të ndryshme. Asnjëherë në Bruksel nuk i kemi parë duke u takuar kryetarët e këtyre dy qyteteve. Ai është emërtuar ashtu për shkak se Serbia nuk pranon se Kosova ekziston. Qeveria e Serbisë vazhdon edhe pas 11 vjetësh të pretendojë se po bën dialog me “përfaqësuesit e Prishtinës”, apo “përfaqësuesit e Shqiptarëve” apo me “autoritetet vetë qeverisëse nga Prishtina sipas Rezolutës 1244”. E ky emërtim ishte një zgjidhje e mirë edhe për BE-në, sepse me këtë u adresuan shqetësimet e 5 vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën. Pa marrë parasysh shumë parulla që janë dëgjuar nga shumë liderë të Kosovës se këto vende “po lëvizin”, asnjë milimetër nuk kanë lëvizur ato. Për më tepër, e kanë forcuar qëndrimin e tyre kundër shtetësisë së Kosovës, nuk u bëhet presion nga askush dhe me këtë po inkurajohet edhe Serbia.
Në këtë qasje, siç ka thënë disa herë autori i kësaj qasjeje, një “ish-diplomat shumë i lartë i BE-së”, palëve qëllimisht u krijohet mundësia që, sipas nevojave të tyre, të thonë çfarë të duan rreth dialogut, e BE-ja asnjëherë nuk do t’i sqarojë.
Kjo qasje, pos që është e pa suksesshme, është edhe manipuluese. BE me të po bëhet pjesë e mashtrimeve. Pjesë e mashtrimeve të serbëve të Kosovës se “dialogu është për interesin e tyre” dhe se “ata po jetojnë në Serbi, sepse Kosova dhe Metohija janë pjesë e Serbisë”. Por edhe pjesë e mashtrimeve të qytetarëve të Kosovës se dialogu “është mes dy shteteve” dhe se “qëllimi i dialogut është njohja e ndërsjellë”. Shtetet, liderët e të cilave po thonë se qëllimi i dialogut është njihja e ndërsjellë e kanë thënë këtë edhe më herët. Por ato nuk kanë ndikim në Serbinë që ajo ta pranojë se ky është qëllimi i dialogut.
Dhe e pamë edhe një herë se as i dërguari i posaçëm për dialog Miroslav Lajçak nuk është në mundësi të thotë se njohja mes Kosovës dhe Serbisë është qëllim i dialogut. Ai është i kufizuar me mandatin e tij që ta thotë këtë. E bashkëkombësi i tij, deputeti në Parlamentin Evropian, Vladimir Biliçik, që është raportues për Serbinë, thotë se “njohja nuk është qëllim i dialogut”, ani pse në raportin e tij, falë shumicës në Parlamentin Evropian, u fut edhe formulimi për njohjen e ndërsjellë si qëllim i dialogut.
Pra edhe këtu kemi një ambiguitet.
E në terren akoma qytetarët nuk e dinë se a duhen ndërruar apo jo targat, a jetojnë në Kosovë apo në Serbi, apo në “Kosovën e Metohinë si krahinë jugore e Serbisë”. Qytetarët e Kosovës e sidomos ata me përkatësi etnike Serbe, janë më shumë viktimë e këtij dialogu sesa përfitues të tij. Prandaj edhe po përdoren si vegël e Beogradit për të krijuar trazira në Kosovë dhe armiqësi me autoritetet e Kosovës.
BE-ja duhet të bëhet krejtësisht transparente në dialog, të thotë të vërtetën sa herë që ka paqartësi, e të tilla ka tepër shumë. Palët pas secilit takim të dialogut thonë gjëra krejtësisht të kundërta. E vetmja gjë që e thonë njësoj është ajo: “nëse nuk na besoni neve pyeteni Miroslav Lajçakun dhe ai do tua konfirmoj”. E Lajçaku asnjëherë nuk ka konfirmuar se kush e ka thënë të vërtetën e kush jo, ndërsa nuk ka pasur mundësi që të dyja palët ta kenë thënë të vërtetën sepse e kanë thënë të kundërtën.
Lajçak po sillet sikur në atë meselenë e vjetër nga Odat e Kosovës e cila shkon kështu: Në një odë vijnë disa mysafirë. Njëri thotë një fjalë dhe i zoti i shtëpisë i thotë “të lumtë goja o burrë se mirë fole”. Një tjetër e kundërshton të parin duke thënë: “kjo që ai burrë foli nuk është aspak e vërtetë. Është krejt ndryshe”. “Të lumtë goja, mirë e ke”, i thotë edhe këtij me mirësjellje nikoqiri. I treti i drejtohet zotit të shtëpisë me pyetjen: “O burrë. Po nuk mund të kenë të dytë të drejtë kur thonë gjëra të kundërta. Të drejtë mund të ketë ose i pari, ose i dyti, por jo të dytë”. Dhe i zoti i shtëpisë i thotë: “Besa, me e këqyrë hollë e hollë as ti nuk e ke fort keq!”.
Ka kaluar koha e “ambiguitetit konstruktiv” nëse vërtetë BE dëshiron të bëj ndryshime në dialog. E nëse BE nuk bën ndryshme, jo 2 vjet por as 12 vjet të mandatit të Miroslav Lajçakut, nuk do të mjaftojnë për të arritur rezultat. Do të krijohen më shumë problem sesa që do të zgjidhen.
dërguari i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak, ka bërë mirë kur në një intervistë për RTK ka konfirmuar se Kosova në mënyrë legjitime ka vendosur masat rreth targave dhe hyrje-daljes me Serbinë. Por kur thotë se BE-ja dëshiron që këto të zgjidhen “sipas standardeve evropiane”, krijohet një keqkuptim. Sepse nuk ka “standarde evropiane” sipas të cilave, autoritetet në një shtet lëshojnë targa me emrat e qyteteve të një shteti tjetër.
Serbia është transparente në qasjen e reciprocitetit. Serbia thjesht pohon se “Kosova nuk është shtet” dhe si pasojë e kësaj, “Kosova nuk mund të bëjë atë që bën Serbia”. BE-ja nuk e njeh Kosovën si shtet, që krijon qasje me ambiguitet dhe dëmton edhe BE-në por më së shumti Kosovën. Por Kosova nuk mund të pranojë mohimin e shtetësisë së saj e as “qasje neutrale” ndaj statusit të vetvetes.