OpEd

BE-ja, përkëdhelësja e Serbisë

Politika, e dimë, nuk është përherë fer. Është lojë kalkulimesh dhe realizim interesash. E kur nuk di të luash, si Kosova në dekadën e fundit, vjen në pikën kur viktimizuesi patetik u futet në zemër atyre që supozohet se duhen lehtësuar realizimin e një të ardhme më të mirë për popujt e rreshtit të fundit, atij të Ballkanit Perëndimor. Lehtësimi i deritanishëm e ka lënë Kosovën të fundit në këtë rresht

Java nisi me pushim të hënën, siç tashmë është bërë zakon, për t’u pasuar nga mbledhja e mbajtur në Bruksel mes Kurtit dhe Vuçiqit. Në rend dite ishte çështja e Statutit të Zajednicës, që është një nga obligimet që rrjedh nga Marrëveshja e Ohrit.

Pas deklaratës së Kurtit se ai nuk e kishte parë propozimstatutin, ishte shumë e qartë se ky dokument nuk do të miratohej, për shkak se dihej qartë se autorët e vërtetë të këtij dokument ishin njerëzit e Vuçiqit.

Një ekip menaxhues me përbërjen e të cilit ishte pajtuar Thaçi, kur e nënshkroi marrëveshjen e 2013-s, kishte në përbërje vetëm serbë. Prej asaj kohe, ai ekip thuajse nuk ka funksionuar, ani pse kinse ka qenë nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal. Nuk ka pasur edhe pse të funksionojë, kur tashmë punën për të e kishte kryer tjetërkush.

Dy ditë para se të mbahej mbledhja e Brukselit, u lajmërua ministri i MAPL-së, Elbert Krasniqi, duke thënë se ky ekip “ishte rregulluar” në bazë të tri vendimeve të MAPL-së: një nga 2013 në kohën e Thaçit kryeministër, më 2016 në kohën e Mustafës kryeministër dhe më 2020, në kohën e Hotit kryeministër. Sipas Krasniqit, vetëm dy nga anëtarët origjinalë të këtij ekipi kishin mbetur aty. Që do të thotë se ekipi nuk është mur dhe se mund të lëvizë, pra edhe mund ta ndryshojë përbërjen.

* * *

Pas asaj që, Blerim Vela, këshilltar i kryetares Osmani, e quajti “statut të Vojvodinës”, Qeveria vendosi, kurse ministri Krasniqi veproi, duke shkarkuar këtë ekip menaxhues. Arsyetimi i ministrit Krasniqi qe shumë logjik: “Pas prezantimit të djeshëm në Bruksel të draftstatutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas përgjegjësive që i ishin dhënë Ekipit menaxhues në marrëveshjet e Brukselit të viteve 2013 dhe 2015, ky ekip tash edhe vetë është pa status. Andaj, sot më datë 3 maj 2023, kam marrë vendim për lirimin nga detyra të anëtarëve të këtij ekipi menaxhues, në përbërje të Danijela Vujiçiq, Jelena Boloviq, Igor Kalamar dhe Dejan Radojkoviq”.

Por logjika e Qeverisë dhe e Krasniqit nuk i pëlqeu BE-së. Zëdhënësi, sllovaku Peter Stano, doli të thoshte se ky vendim e shkelte frymën e marrëveshjeve të dialogut. Por, po ky i njëjti Stano nuk u dëgjua të fliste për votën kundër të Serbisë për anëtarësimin e Kosovës në KiE, që është shkelje eklatante e frymës së marrëveshjes. Që po del se, kur vjen puna te kritika, pala e cila është në shënjestrën e BE-së, është përherë Kosova.

Sido që të jetë, nga një ekip menaxhues, i krijuar falë miopisë së Thaçit dhe super-autogolit të Mustafës me marrëveshjen e 2015-s, e që në përbërje ka vetëm serbë, nuk do të mund të pritej ndonjë gjë tjetër pos një statuti që do ta krijonte një republikë serbe brenda Kosovës. Pra, një gjë e kundërshtuar nga të gjithë, dhe e “garantuar” se nuk do të ndodhë edhe nga përfaqësuesit e BE-së. E kjo të bën të mendosh se garancitë janë puro deklarative, prandaj edhe refuzimi i Kosovës i një dokumenti të tillë, është e vetmja përgjigje e mundshme që duhet të mbahet, edhe me çmimin e akuzimit të përhershëm se Kosova nuk është bashkëpunuese në këtë proces.

* * *

E se qëndrimi i BE-së vazhdon ta mbajë animin në favor të Serbisë, e tregoi edhe një detaj të cilin e zbuloi njëri këshilltar i Kurtit në emisionin Interaktiv.

Jeton Zulfaj, duke folur për procesin në Bruksel, e zbuloi edhe një detaj tejet interesant: se BE-ja kishte kërkuar që të digjen mandatet në veri dhe të mos bëhet betimi i kryetarëve të sapozgjedhur. Pra, në vend se të ushtronte trysni te Vuçiqi, i cili i detyroi pjesëtarët e Listës Serbe që të dilnin nga institucionet në nëntorin e vjetëm, BE-ja tash, kur përfunduan zgjedhjet të cilat u zhvilluan jashtë mandatit zgjedhor, me kërkesën e partnerëve ndërkombëtarë, por që gjithashtu u zhvilluan në bazë të dispozitave ligjore dhe të Kushtetutës, kërkon që ato me mosveprim të anulohen.

Është për të ardhur keq që për BE-në, në Kosovë mund të shkelen ligjet e edhe Kushtetuta për t’i akomoduar qejfet e Vuçiqit dhe piunëve të tij. Në vend se, sërish, të ushtronte trysni mbi të, që t’i urdhëronte serbët që të votonin në zgjedhjet e prillit, që pavarësisht daljes së ulët të qytetarëve, megjithatë, prodhuan zgjedhje legjitime, dalin e kërkojnë që mandatet të flaken, ashtu që zyrtarët e zgjedhur të mos e japin betimin.

Është edhe një ligj tjetër, ai i vetëqeverisjes lokale që e rregullon çështjen e funksionimit të organeve komunale. Po qe se ky ligj nuk mund të zbatohet për çfarëdo arsye, atëherë thjesht parashihet mbajtja e zgjedhjeve të reja. E nuk ka garanci më të madhe demokratike sesa mbajtja e zgjedhjeve të lira, në të cilat secili e ka të drejtën e pjesëmarrjes ose jo, në rrethana ku nuk ka as kërcënim ushtarak e as gjendje lufte.

Serbët kanë mundur të merrnin pjesë në zgjedhje. Zgjodhën të mos dalin të votojnë. Dhe mbetën pa mandate, sepse ashtu deshën. Sepse e dëgjuan shefin që ua dirigjon jetën qe thuajse një dekadë e gjysmë.

* * *

Një nga vendimet e para të Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut qe hapja e Urës së Ibrit. Pra, një marrëveshje e para tetë vjetësh, që parashihte që ura që i lidh dy pjesët e Mitrovicës të rihapej për qarkullim, nuk u zbatua kurrë, ani që garancinë për hapjen e saj e kishte dhënë BE-ja.

Reagimi i parë erdhi nga KFOR-i, i cili kërkoi që kjo çështje të zgjidhet me marrëveshje politike. Pasuan edhe reagimet e Beogradit, Listës serbe dhe në fund të Lajçakut. Që të gjithë kundër hapjes së urës, sepse “nuk është momenti”. E problemi është se momenti nuk u bë kurrë: as me garanci e as pa garanci, nuk ka vullnet nga BE-ja që të shkohet tutje në këtë proces, për shkak se më parë se interesat e qytetarëve, BE-ja shikon të mos ia prishë qejfin Vuçiqit, i cili brenda natës u bë paqedashës. Njësoj sikurse njëri nga paraardhësit të tij, Millosheviqi, që e kalli Ballkanin dhe më pas nënshkroi marrëveshje paqeje për Bosnjën.

* * *

Java u përmbyll me një artikull të jashtëzakonshëm të botuar në New York Times, nga autori Robert Worth. Nuk e di sa kohë i ka marrë ta bëjë hulumtimin, por kur e lexon artikullin nuk është se befasohesh shumë: lidhjet e ngushta me kriminelët e krimin, të cilëve ua mundëson ekzistimin dhe veprimin, është modus operandi i kryetarëve serbë si puna e Millosheviqit e tash edhe Vuçiqit.

Pra, nëse një gazetar mund t’i zbulojë detaje të këtilla, nuk ka asnjë dyshim se shërbimet e inteligjencës të shteteve perëndimore do të kenë edhe më shumë informata të këtij lloji. Që do të thotë se udhëheqësit e këtyre shteteve e kanë shumë të qartë se me kë kanë punë. E megjithatë, Vuçiqi vazhdon të përkëdhelet nga BE-ja.

Sa për ilustrim, ja një citat nga shkrimi: “Stili qeverisës i Vuçiqit po bëhej haptazi autoritar, me shfaqje të shtirura publike të besnikërisë nga aleatët e tij. Në të njëjtën kohë, Vuçiqi u bë më i hapur në miqësinë me liderët autoritarë të Rusisë, Hungarisë dhe Kinës. Pavarësisht gjithë këtyre shenjave të rrëshqitjes, liderët evropianë vazhduan ta përshëndesnin ngrohtësisht, duke bërë investime dhe duke mos dhënë asnjë shenjë se aplikimi serb për BE ishte në rrezik. (Në vitin 2020, BE-ja i dhuroi Serbisë rreth 300 milionë euro dhe përbënte 62 për qind të tregtisë së Serbisë). Arsyeja nuk ishte sekrete: statusi i Kosovës është ende i pazgjidhur. Evropianët i lidhnin shpresat e tyre te Vuçiqi për të mbikëqyrur një zgjidhje. “Ai është shumë i fuqishëm, dikush që mund t'i bëjë gjërat nëse dëshiron”, më tha një diplomat gjerman.“Vuçiqi mund të jetë njeriu që mund të shënojë përparim thelbësor lidhur me Kosovën”.

E për ta forcuar edhe më shumë këtë bindje, ja edhe citati i radhës: “Dhe raporti i Vuçiqit me kriminelët e tejkalon Serbinë. Më 2018, një biznesmen kosovar, i akuzuar nga Departamenti amerikan i Thesarit për trafikim masiv të drogave dhe armëve, u akuzua për vrasjen e një politikani atje. Vuçiqi e mbrojti duke e quajtur: “njeri që e mbron popullin serb dhe vatrat në Kosovën e veriut”. Paradoksalisht, ndikimi i Vuçiqit në veriun e Kosovës është pjesë e arsyes se përse BE-ja e sheh si partner të vlefshëm. E dëshmoi këtë vitin e shkuar gjatë një krize në kufi që për pak sa nuk u shndërrua në një konflikt të hapur”.

* * *

Shumë vjet negociata të kota tregojnë se Serbia do që ta mbajë këtë status quo sa më shumë që është e mundur. Pse jo? Gjithë ato investime të huaja i vijnë, përderisa prej kohësh është faktori që mund ta ndezë ose jo një luftë të re këndej. E mundet për shkak se BE-ja ia lejon. Sepse i mbyll sytë edhe kur nuk i vë sanksione Rusisë, e edhe kur nuk e zbaton asnjë marrëveshje të arritur me Kosovën, për shkak se nuk ka kush e sanksionon, edhe pse kjo mundësi është.

Politika, e dimë, nuk është përherë fer. Është lojë kalkulimesh dhe realizim interesash. E kur nuk di të luash, sikurse nuk ka ditur Kosova në dekadën e fundit, vjen në pikën kur viktimizuesi patetik u futet në zemër atyre që supozohet duhen lehtësuar realizimin e një të ardhmeje më të mirë për popujt e rreshtit të fundit, atij të Ballkanit Perëndimor.

Lehtësimi i deritanishëm e ka lënë Kosovën të fundit në këtë rresht.

[email protected]