OpEd

BE-ja duhet ta mbështetë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Pas shumë dëmeve që i ka bërë Kosovës dialogu i Brukselit, duke u shfrytëzuar si argument për tërheqjen e njohjeve dhe parandalimin e njohjeve të reja, tash ekziston rreziku që dialogu të jetë pengesë edhe për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Në vend që të bjerë në grackën e Serbisë se kjo kërkesë është “ilegale dhe prish dialogun”, BE-ja duhet vetë, fuqishëm, ta mbështetë Kosovën në këtë drejtim. Fundi i fundit, në BE për më shumë se dhjetë vjet pohojnë se palët “nuk duhet ta pengojnë njëra-tjetrën e as t’i inkurajojnë të tjerët të pengojnë në rrugëtimin e tyre përkatës evropian”. BE-ja nuk e ka monopolin në termin “evropian” dhe pa dyshim edhe anëtarësimi në Këshillin e Evropës është pjesë e këtij rrugëtimi

Për dhjetë vjet Kosova ka qenë më shumë në shërbim të dialogut të Brukselit sesa dialogu në shërbim të Kosovës. Çfarëdo që ka bërë Kosova, apo ka paralajmëruar se do të bëjë, ka marrë porosi që të ketë kujdes e të mos e dëmtojë atmosferën në dialog. Kur Kosova kishte dështuar të siguronte votat e mjaftueshme për anëtarësim në UNESCO e më vonë edhe në Interpol, disa zyrtarë të institucioneve të Bashkimi Evropian nuk e fshinin gëzimin e tyre: “A po e shihni, nuk mundeni pa Serbinë. Ju kemi thënë, më mirë të kishit pritur e të bëhej përmes dialogut dhe do të kalonit ndryshe”, thoshin zyrtarët e BE-së të përfshirë në dialog.

Edhe sot mënyra e të menduarit e njerëzve që në emër të BE-së “lehtësojnë dialogun” ka mbetur e njëjtë. Nuk u intereson fati i Kosovës, por vetëm se si do të reflektohet ndonjë zhvillim në dialog. A është veprimi i policisë kundër kriminelëve apo kërkesa e Kosovës për anëtarësim në ndonjë nismë; apo votimi i serbëve të Kosovës në zgjedhjet e Serbisë - që të gjitha nuk kanë asnjë lidhje me dialogun. Gjithmonë Beogradi i paraqet këto si “veprime të njëanshme”, dhe në BE nisin shprehjet e shqetësimeve se kjo mund të reflektohet negativisht në dialog.

Në këtë mënyrë BE-ja apo më saktësisht ata që merren me Ballkanin në strukturat e institucioneve të BE-së, po presin nga Kosova që të sillet sikur është neutrale ndaj statusit të vet. Kosova duhet ta dijë se e ka shpallur veten shtet i pavarur, dhe duhet të veprojë si e tillë. Nuk duhet Kosova gjithmonë të kërkojë leje nga Brukseli, i cili kërkon nga Beogradi për secilin veprim që i takon shtetit ta bëjë. Mund ta kuptojmë se BE-ja mund të ketë qëndrim neutral ndaj statusit, por Kosova nuk mund të ketë qëndrim neutral ndaj statusit të vet.

Bashkimi Evropian javën e shkuar ka huq një rast të mirë për të dëshmuar se dialogu nuk është vetëm në dëm të Kosovës. Nuk e ka mbështetur publikisht aplikacionin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. E, ka mundur ta mbështesë. Sepse anëtarësimi në këtë organizatë është i domosdoshëm edhe për “rrugëtimin përkatës evropian”, për të cilin BE-ja me vite thotë se “është i garantuar për të gjithë gjashtë partnerët në Ballkanin Perëndimor”.

Mënyra se si ka reaguar BE-ja ndaj kësaj kërkese dhe qëndrimet private të disa zyrtarëve, lënë të kuptohet se nuk u ka ardhur shumë mirë. Dhe përsëri mendojnë se kjo “mund të ndikojë negativisht në dialogun e Brukselit”. Ka ardhur koha që BE-ja të pranojë edhe dështimet e veta në dialog. Pa marrë parasysh se përgjegjësia kryesore për mungesë të marrëveshjes bie mbi palët, ky është një dështim i madh i BE-së si ndërmjetësuese.

Nga BE-ja, javën e shkuar, pasi Kosova i kishte njoftuar edhe më herët se do të aplikojë, vetëm thanë se kanë qenë në dijeni edhe më herët se Kosova do ta dorëzojë kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Evropës, por nuk kanë komentuar këtë hap, pasi kjo organizatë nuk ka të bëjë me BE-në.

“Ne jemi në dijeni për qëllimin e shprehur të Kosovës për të kërkuar anëtarësim në Këshillin e Evropës. Por në njërën anë ne nuk i komentojmë paralajmërimet dhe shprehjen e qëllimeve, e në anën tjetër nuk i komentojmë proceset e mundshme në institucionet e tjera. Vetëm t’ua rikujtojmë se Bashkimi Evropian nuk është anëtar i Këshillit të Evropës”, pati thënë zëdhënësi i BE-së për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano.

Kërkesa për anëtarësim në Këshillin e Evropës nuk ka asnjë lidhje me dialogun, ani se Serbia po mundohet ta lidhë. Sepse Serbia dëshiron ta ngarkojë dialogun me sa më shumë çështje, për të penguar suksesin e tij në firmën e marrëveshjes finale për të cilën madje dhe ata që nuk e kanë njohur Kosovën thonë se duhet të përmbyllet me normalizimin e raporteve mes Kosovës e Serbisë si dy shtete.

Pas shumë dëmeve që i ka bërë Kosovës dialogu i Brukselit, duke u shfrytëzuar si argument për tërheqjen e njohjeve dhe parandalimin e njohjeve të reja, tash ekziston rreziku që dialogu të jetë pengesë edhe për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Në vend që të bjerë në grackën e Serbisë se kjo kërkesë është “ilegale dhe prish dialogun”, BE-ja duhet fuqishëm ta mbështetë Kosovën në këtë drejtim. Fundi i fundit, në BE për më shumë se dhjetë vjet pohojnë se palët “nuk duhet ta pengojnë njëra-tjetrën e as t’i inkurajojnë të tjerët të pengojnë në rrugëtimin e tyre përkatës evropian”. BE-ja nuk e ka monopolin në termin “evropian” dhe pa dyshim edhe anëtarësimi në Këshillin e Evropës është pjesë e këtij rrugëtimi.

Në BE pranojnë se “Serbia dëshiron më shumë një status quo”, ndërsa Kosova “dëshiron më shumë të lëvizet përpara”. Por asnjëherë nuk e qortojnë Serbinë publikisht për këtë.

Ishte e habitshme pse zëdhënësi i BE-së kur u pyet për kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës e përziu këtë me dialog.

Ai pati thënë se, sa i përket BE-së, “mund të rikujtoj apelin që Kosova dhe Serbia të bëjnë gjithçka në mundësinë e tyre për të avancuar dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e raporteve mes tyre”.

“Ne, po ashtu, u bëjmë ftesë që të veprojnë me përmbajtje dhe të përmbahen nga çfarëdo retorike dhe veprimi që mund të çojnë deri te tensionet. Ne presim nga të dyja palët që të veprojnë me përgjegjësi dhe të kontribuojnë në krijimin e një atmosfere, e cila do të ndihmojë normalizimin e raporteve mes tyre”, ka thënë ky zëdhënës i BE-së. Në këtë mënyrë u dha mundësi mediave në Serbi që përgjigjet e tij t’i paraqesin si dëshmi se BE-ja e quan “të njëanshëm” veprimin e Kosovës, ashtu siç e quan Serbia.

Ndonëse BE-ja nuk është shprehur rreth kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, shumë shtete anëtare në mënyrë jozyrtare kanë paralajmëruar se do ta mbështesin Kosovën për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës sipas procedurave në fuqi.

Nëse mund të bëhet lidhje mes dialogut dhe kërkesës së Kosovës për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës, atëherë kjo mund të bëhet vetëm për të mbështetur këtë kërkesë. Sepse marrëveshja nga dialogu kërkon që palët të mos e pengojnë njëra-tjetrën në “rrugëtimin evropian”, ndërsa Kosova me këtë anëtarësim do të siguronte një mbrojtje më të mirë të të drejtave të gjithë qytetarëve të saj, përfshirë edhe të serbëve. Dhe pa u anëtarësuar në Këshillin e Evropës një shtet nuk mund ta bëjë as hapin fillestar drejt BE-së. Pak ka rëndësi a është ky kusht formal apo jo.

Paralajmërimet dramatike të Serbisë se “kjo nuk do të kalojë pa pasoja”, po ashtu janë diçka për çfarë BE-ja është dashur të reagonte. Sepse Kosova e ka bërë kërkesën e saj pa zhurmë, ndërsa Serbia po krijon tensione me kërcënimet e saj. Edhe pohimi i Serbisë se i ka “të nënshkruara katër nota të tërheqjes së njohjeve të Kosovës” dhe pret “momentin e duhur për t’i bërë publike”, dëshmon se Serbia gjithmonë ka punuar për tërheqjen e njohjeve edhe pse thirret në një marrëveshje se kjo dhe kërkesat e Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare janë nën moratorium. Nëse veç i ka “çnjohjet”, atëherë për to ka punuar edhe para se Kosova ta bëjë aplikimin. E në anën tjetër, nëse vërtet ekzistojnë notat për “çnjohje”, ato duhet t’i dërgohen Kosovës, e jo Serbisë.

Gjithsesi, BE-ja nuk duhet të lejojë që tash dialogu, pas shumë dëmeve që ia ka bërë Kosovës, të jetë pengesë edhe për anëtarësim në Këshillin e Evropës.