OpEd

BBC dhe shqiptarët

Një shënim i vogël për një radio të madhe, në 100-vjetorin e themelimit – dhe disa të dhëna për Tajar Zavalanin, Dervish Dumën, Ihsan Toptanin, Anton Logorecin

1.

„This is London calling“
„This is the BBC home and forces program.“
„This is 1, this is BBC, Radio 1.“

Kështu i përshëndet BBC qe 100 vjet dëgjueset dhe dëgjuesit e saj. Më 18 tetor 1922 disa firma britanike dhe amerikane të prodhimit të aparateve elektrike themeluan BBC-në. Drejtori i parë i BBC-së ishte John Reith, një inxhinier skocez. Nuk kishte përvojë si gazetar, por Reith ishte vizionar. Çfarë të duhet përvoja kur ke vizion! Sidomos në vitin 1922. “Radioja është një zhvillim që duhet të merret seriozisht në të ardhmen. Një instrument me vlerë të paçmuar për jetën shoqërore dhe politike të komunitetit në çështjet kombëtare dhe ndërkombëtare”, tha Reith atëbotë. 100 vjet më vonë BBC njofton se çdo javë me programet e saj dëgjohet e shikohet nga 492 milionë njerëz. Gati gjysmë miliardë! BBC është sinonim i pavarësisë dhe objektivitetit. John Reith, inxhinieri me vizion, kështu e përshkruante misionin e BBC-së: “Të informojë, të shpjegojë, të argëtojë”. Më 1932, një vit para se në Gjermani të marrë pushtetin një piktor i dështuar austriak, startoi BBC Empire Service, pararendësi i BBC World Service, siç njihet në ditët tona. Përmes BBC kryeministri britanik Neville Chamberlaine njoftoi publikun për fillimin e Luftës së Dytë Botërore. Winston Churchilli, kryeministri legjendar britanik i Luftës së Dytë Botërore, përmes valëve të BBC-së motivoi dhe trimëroi bashkëkombësit e tij për t’i rezistuar regjimit të Adolf Hitlerit. Sot, si shumica e mediave publike, edhe BBC ndodhet nën presionin e qeverisë konservatore e cila synon të shkurtojë buxhetin e kësaj shtëpie mediale.

2.

Më 1940 BBC filloi të transmetojë në gjuhën shqipe. Qëllimi i emisioneve ishte mobilizimi i kryengritësve kundër pushtuesve italianë dhe gjermanë. Redaksinë në gjuhën shqipe e udhëhoqën Anton Logoreci dhe Tajar Zavalani. Sipas disa burimeve Zavalani u lind në Manastir, burime të tjera thonë se u lind në Korçë. I ati i tij, Fehim Zavalani, një pasanik nga krahina e Kolonjës, kishte një hotel në Manastir. Në atë hotel më 1908 u mbajt Kongresi i Alfabetit, ku u vendos që shqiptarët të shkruajnë me alfabet latin. Ky ishte një ndër vendimet më të rëndësishme properëndimore të historisë të vështirë shqiptare. Më 1936 Tajar Zavalani u martua me Selma Vrionin, bijë e Kahreman Vrionit, një beu të pasur nga treva e Fierit, dhe e Emine Frashërit, e cila ishte vajza e Abdyl Frashërit. Tajar Zavalani, me orientim politik fillimisht majtist, i shkolluar në Selanik dhe në Bashkimin Sovjetik, u bë më vonë kundërshtar i rreptë i barbarisë komuniste. I qëndroi besnik BBC-së deri në vdekjen e tij në një aksident më 1966. Anton Logoreci, i lindur në Shkodër, dha po ashtu kontribut të madh në konsolidimin e BBC-së në shqip. Shqiptari tjetër që i lexonte lajmet e BBC ishte Dervish Duma. I lindur në Borsh (aty ku sot shqiptarët pinë birra “Korça” dhe rrokullisen në rërën e plazhit), Duma në fund të viteve 30-të ishte diplomat i Shqipërisë në Londër. Kur Mossolini pushtoi Shqipërinë, Dervish Duma mbeti pa punë. U punësua në një fabrikë të letrës në Londër. Pasi mbaronte punën në fabrikë, shkonte në studiot e BBC-së dhe lexonte për 10 minuta lajmet në gjuhën shqipe. Para disa vitesh një gazetar zviceran vajti për pushime në rivierën franceze. Në plazh gazetarit i ra në sy një zotëri që gërhiste. Në mbrëmje ata u takuan në një bar. Zotëria quhej Alexander Duma, i cili i tha zviceranit: “Ju jeni ai djali nga plazhi”. E ky djali nga plazhi i tha: “Ju jeni ai zotëria që gërhiste shumë”. Alexander Duma nuk e pranoi se ka gërhitur, por pranoi që gazetarit zviceran t’ia tregojë krejt historinë e familjes së tij. Ky rrëfim është botuar në dy tekste të gjata në fillim të vitit 2019 në portalin zviceran “Republik”. Një tekst si një film mahnitës. Një gazetar tjetër brilant i BBC-së në redaksinë e gjuhës ishte Ihsan Toptani, gjatë Luftës së Dytë Botërore bashkëpunëtor i misionit sekret ushtarak të Britanisë së Madhe në Shqipëri. Pas luftës Toptani – krahas BBC-së - punoi edhe për revistën e famshme “Newsweek” (duhet të ketë qenë shqiptari i parë ka shkruar për këtë revistë). Doli në pension më 1967. Atë vit Britania e Madhe humbi besimin se gjendja politike në Shqipërinë komuniste do të ndryshonte. Atë vit diktatori Enver Hoxha e shpalli Shqipërinë shtetin e parë ateist në botë – dhe BBC mbylli redaksinë ne gjuhën shqipe.

3.

Pas fillimit të ndryshimeve politike në Europën Lindore në fund të viteve 80-të dhe në fillim të viteve 90-të, i pari gazetar shqiptar që raportoi për BBC-në (për redaksinë në gjuhën kroate) ishte Ibrahim Osmani. Gazetar dhe redaktor i shumëvjeçar i gazetës kroate “Vjesnik”, Ibrahim Osmani njoftonte opinionin e gjerë botëror mbi represionin serb në Kosovë në fillim të viteve 90-të. Ndërsa mediat në gjuhën shqipe në Kosovë ishin të mbyllura, BBC në kroatisht ishte një dritare e rrallë për të kuptuar se çfarë po ngjante në Kosovë, rajon dhe botë.

4.

Më 28 shkurt 1993 BBC rifilloi transmetimet në gjuhën shqipe. Veton Surroi, Adi Krasta, Sokol Balla, Faik dhe Ragip Luta janë disa prej gazetarëve shqiptarë që punuan për redaksinë e BBC-së në gjuhën shqipe. Në emisionin e parë të lajmeve të BBC-së në gjuhën shqipe më 1993 folën Sali Berisha dhe Ibrahim Rugova, të cilët mirëpritën fillimin e punës së redaksisë së BBC-së në shqip. Më 2005 presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu e dekoroi BBC-në në shqip me medaljen “Për merita të veçanta civile”. Në motivacionin shoqërues thuhet: “Për kontributin historik që nga Lufta e Dytë Botërore e në vazhdim, për informimin e ndërgjegjësimin e publikut shqiptar për ngjarjet dhe zhvillimet e vendit dhe ato ndërkombëtare, për rolin aktiv në zhvillimet kombëtare e transformimet demokratike në Shqipëri si dhe për ndihmesën e dhënë në forcimin e miqësisë e të lidhjeve midis Britanisë e Shqipërisë.” Në janar 2011 BBC njoftoi se për arsye financiare do të mbyllet redaksia në gjuhën shqipe. Më 28 shkurt 2011, 18 vjet pasi rifilloi transmetimet, BBC në shqip emitoi emisionin e fundit.