OpEd

Batakovina

Nuk po di a ka mashtrim më të madh dhe pandershmëri më të madhe sesa të luhet me shëndetin e qytetarëve. Krejt një popull i lënë ngujuar në një batak të madh, për shkak të dikujt që shëndetin e njerëzve e ka prioritetin e fundit. E këta dikushat, ministrat, në fillim kanë qenë pjesëtarë të komuniteteve turq e boshnjakë, e më pas, kur u zbulua miniera e arit, u rreshtuan shqiptarët pa dallim partie...

Herën e parë e kisha dëgjuar fjalën batakçi nga shumë i nderuari, superoratori, profesor Bardhyl Çaushi. Tash, kur po e kthej filmin prapa, nga ajo kohë kanë kaluar dyzet vjet - tamam ato që do të duhej të kremtoheshin sivjet nga brezi i maturantëve të 1981-tës...

E, megjithatë, për shkak të pandemisë, na ka mbetur t'ia urojmë njëri-tjetrit jubileun në FB me ndonjë fotografi të përbashkët shoqesh e shokësh apo edhe të ndonjë shisheje vere në përpjekje për ta ilustruar maksimën se edhe ne jemi sikur vera: sa më të moçëm, aq më të mirë J.

Hajgaren mënjanë, brezi i gjimnazistëve të cilit i përkas edhe unë, tash ka histori me bollëk për të treguar: ndër to edhe se e ka përjetuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme mu më 1981, e më pas edhe nja tri herë të tjera deri në shpërthimin e luftës. E pas saj ka përjetuar edhe çlirimin, e edhe Pavarësinë, e edhe shndërrimin e shtetit të vet të ri në një batakovinë të vërtetë, të cilën askush nuk e ka ëndërruar.

* * *

Kur profesor Çaushi na i kishte shpjeguar batakçinjtë e kohës së Perandorisë Romake, e kishte përdorur termin për të folur për mashtruesit dhe të pandershmit që pushtetin e përdornin për realizimin e interesave personale në dëm të shoqërisë dhe masës.

Pra, duke e shndërruar të gjithën në një gjendje të amullt dhe të ndyrë, me mashtrime dhe pandershmëri; në një batakovinë apo, me fjalë të tjera, në perandorinë e baltës dhe llumit.

Zor do të kisha besuar se "sjellja primitive" e romakëve të lashtë të para më shumë se 20 shekujve do të ishte një sjellje që do të replikohej madje edhe në shekullin XXI. Logjikisht do të duhej besuar se njeriu me kohën do të evoluonte dhe se zanatet e vjetra të këtij lloji do të tejkaloheshin me një diçka më të frytshme për shoqërinë e jo për individin.

Porse në gjithë naivitetin tim, në Kosovë e kuptova më së miri se një gjë që nuk ndryshon as ndër shekuj e as ndër shtete janë pushteti dhe beneficionet që i sjell ai. Njerëzit e etur për pushtet nuk kanë pengesa për t'i arritur qëllimet e veta personale, në emër të popullit. E po them "në Kosovë e kuptova më së miri", për shkak se kjo etje për pushtet ka pasoja që dhembin shumë, na dhembin të gjithëve që jetojmë në Kosovë.

Për fat të keq, nuk është vetëm Kosova vendi ku pushteti di të shkatërrojë substancën e shtetit. Për të mos shkuar shumë mbrapa në histori, mjafton dhjetëvjetëshi i fundit i luftës në Siri, për të treguar se si një njeri është në gjendje ta shkatërrojë shtetin e vet dhe t'i shndërrojë 11 milionë bashkëkombës në refugjatë e njerëz të dëbuar nga shtëpitë e veta. Pa dyshim, ka edhe më zi. Porse, natyrisht, ka edhe më mirë. Dhe ne kemi mundur të ishim më mirë, por ja që nuk jemi.

* * *

Lajmi i ditës dje qe deklarata e Qeverisë se ishte arritur marrëveshja me Pfizerin për sigurimin e vaksinave dhe se deri në fund të vitit do të arrijnë 1,2 milionë dozat e parapara për ta imunizuar 60-përqindëshin e popullsisë deri në fund të vitit.

Po qe se një kontingjent i madh vaksinash mbërrin, siç përflitet, nga fundi i qershorit, atëherë në fakt të gjithë të planifikuarit do të duhej ta merrnim vaksinën e parë deri në gusht, po qe se Kosova dëshmon se mund të administrojë më shumë se 700-800 vaksina në ditë. E njerëz për këtë ka - vetëm duhet ditur dhe parë a ka edhe vullnet.

Megjithatë, ajo që më la mbresa më së shumti prej të gjitha lajmeve që i dëgjova dhe i përcolla gjatë javës, pos dënimit me burg të përjetshëm të një dhunuesi të konfirmuar me aktgjykim, qe gjendja në depon e barnave nën përkujdesjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Storia dhe xhirimet ekskluzive të realizuara nga KOHA në ndërtesën e ish-Rilindjes, ku dikur kishte qenë depoja e shtypshkronjës ishin, më së buti thënë, tmerruese.

Më 2005-tën, objekti i Farmedit, që tash shërben si seli e EULEX-it aty afër spitalit, u privatizua me spin-off special për më pak se 2,5 milionë euro. Ajo ndërtesë ka qenë e mbaruar nergut për ruajtjen e barnave dhe produkteve mjekësore, mbase në kohën kur brezi im e kryente maturën. Dhe përderisa gjatë luftës do të ketë pësuar dëme nga policia dhe paramilitarët serbë që nuk kanë lënë gjë pa vjedhur, megjithatë ka qenë në gjendje që të riparohej dhe të mbahej për destinimin për të cilin është ndërtuar.

Por jo, ndërtesa u qit në privatizim dhe iu shit Pacollit me vlerë simbolike për gjithë atë strukturë e lokacion. Dhe, me spin-off special, pra me kushte të veçanta, që zakonisht nënkuptonte ruajtjen e një numri të vendeve të punës; planin e biznesit, si dhe planin e investimeve. Jo përherë është kërkuar ruajtja e veprimtarisë primare, edhe pse logjika edhe ekonomike do ta kërkonte një gjë të tillë. Porse jo në Kosovë.

Nuk di asnjë detaj për nëse kushtet e spin-offit special janë respektuar ose jo. Atë që e di tash, është se ky objekt është me qira dhe qiranë aty e paguan misioni më i shtrenjtë që ka pasur Evropa ndonjëherë në histori.

* * *

Ministria e Shëndetësisë ka qenë një nga dhjetë ministritë e themeluara pas zgjedhjeve të para parlamentare më 2001. Me gjithë kompetencat e kufizuara dhe buxhet jo fort të madh, MSH-ja ka pasur në dorë përherë vendimin për furnizimin e vendit me barna esenciale. Pra, për pasojë ka pasur nevojë për hapësirë magazinimi të mallit. Nuk e di nëse depoja qendrore do të ketë qenë e vendosur në “Farmed” para privatizimit, por tash e di se është e vendosur në një objekt që prej kohësh nuk i plotëson as kushtet elementare për një gjë të tillë.

Do të ishte shumë, ama shumë interesante të kuptohej se kush e ka gjetur atë vend; me çfarë kushtesh e ka lidhur kontratën dhe sa paguan shteti qira për atë hapësirë që nuk është e përshtatshme as për brejtës, e lëre më për barna.

Pamjet dhe përshkrimet e paraqitura në dy storiet e transmetuara në KTV dhe në KOHA Premium tregojnë për nivelin më të ulët të përgjegjësisë dhe nivelin më të lartë të mashtrimit dhe të pandershmërisë, kur bëhet fjalë për menaxhimin e produkteve që supozohet se duhen shpëtuar jetë.

Me qindra kuti barnash të skaduara të produkteve që janë të detyrueshme për shpërndarje te pacientët me sëmurje kronike ishin përzier me plot kuti barnash, që supozohet se janë ende me afat dhe se duhen të jenë pjesë e listës esenciale të barnave.

* * *

KOHA prej ditësh ka insistuar të dijë se për çfarë sasie barnash bëhet fjalë; për çfarë lloj barnash; për afatin e përdorimit dhe për arsyen se përse ato kuti qëndrojnë në një hapësirë që nuk ka as ventilim, as ftohje, as ngrohje e as izolim. Nuk mori përgjigje as nga Agjencia Kosovare për Produkte Mjekësore e as nga Inspektorati Farmaceutik (ani pse janë përgjegjëse për depot e barnave); as nga përgjegjësi i depos, as nga drejtori i Divizionit për Farmaci, as nga sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, as nga drejtori për media e as nga kabineti i ministrit të Shëndetësisë.

Sinqerisht, shumë po më intereson ta di nëse në mesin e këtyre kutive të hedhura si pleh do të ketë edhe barna që është dashur të administroheshin për rastet e prekura me COVID.

Nuk dita ta gjeja një statistikë të saktë se sa para i ka shpenzuar buxheti i vjedhur i Kosovës për blerjen e barnave që nga 2001-ta. Nëse themi se i kemi ndarë 25 milionë euro në vit për barna, kjo i bie se i kemi shpenzuar gjysmë miliardi eurosh këta 20 vjet. Gjysmë miliardi prej të cilave nuk e dimë nëse i kemi blerë barnat me çmim të fryrë ose jo; nëse i kemi blerë barnat që na duhen ose jo; nëse i kemi asgjësuar për shkak se kanë skaduar ose jo, për shkak se Ministria e Shëndetësisë, si institucion që ekziston qe 20 vjet, nuk ka evidencë, ose së paku kështu po del.

Për shkak se nuk ka Sistem të Informimit Shëndetësor, i cili do të duhej t'i kishte krejt shënimet, për të gjithë pacientët, për të gjitha shërbimet, për të gjitha barnat që hyjnë në shtet e administrohen. E nuk ka, për shkak se atyre që kanë qenë vendimmarrës në atë ministri dhe shefave të tyre kjo nuk u ka konvenuar.

* * *

Nuk po di a ka mashtrim më të madh, papërgjegjësi dhe pandershmëri më të madhe sesa të luhet me shëndetin e qytetarëve. Krejt një popull i lënë ngujuar në një batak të madh, për shkak të dikujt që shëndetin e njerëzve e ka prioritetin e fundit.

Në fillim ministra kanë qenë pjesëtarë të komuniteteve turq e boshnjakë, e më pas, kur u zbulua miniera e arit, u rreshtuan ministrat shqiptarë, nga të gjitha partitë e mëdha. Dhe na e sollën sistemin më të keq shëndetësor në rajon, e besa edhe në Evropë.

Dhe krejt kjo, thoshin, për të mirën tonë.

Ishim dhe vazhdojmë të jemi të vjedhur!

[email protected]