Radhët e gjata të qytetarëve që prisnin për të blerë një thes miell shpërfaqën dimensionin e gjerë të frikës e mosbesimit, si dhe shfaqjen e dy krizave të reja njëkohësisht – shëndetësore e ekonomike (me krizën politike ata ishin mësuar për më shumë se 20 vjet). “Distanca sociale” dhe masat mbrojtëse nuk ishin të padëgjuara për turmën. Dhe, në momentin kritik, ata vunë bast - mes rrezikut nga infeksioni dhe sigurimit të bukës për familje zgjodhën të dytën
Menaxhimi i krizës nuk është gjithmonë i thjeshtë dhe i lehtë. Për pjesën dërmuese të publikut, lajmi i keq është më interesant se lajmi i mirë ndaj një shoqërie apo institucioni në telashe. Sa më me ngjyra të jenë faktet e paraqitura gjatë krizës, aq më interesante do të duket historia, edhe kur ajo është e trishtueshme, ashtu siç tash është shfaqur me tërë agresivitetin e saj COVID-19.
Kosova, si edhe shumica e vendeve të botës, sot përballet me krizë shëndetësore. Në nivel global, për shkak të përmasave të përhapjes së koronavirusit, ajo është shpallur pandemi.
Në Kosovë, shifra e të prekurve në fundjavë i është afruar 100-shit, ndërsa në botë betejë me vdekjen janë duke bërë afro 700 mijë njerëz, me tendencë që kjo shifër të rritet. Afro 4 për qind e të prekurve kanë përfunduar me fatalitet.
Më e keqja është se ende mungon kura adekuate dhe ende s’ka përgjigje se sa do të zgjasë pandemia. Prioritet i të gjitha vendeve në botë tash është ruajtja e shëndetit publik, mobilizimi për ta parandaluar përhapjen e infeksionit, për të ofruar shërbime minimale për qytetarë dhe për ta garantuar funksionimin e aparatit shtetëror.
Krahas emergjencës shëndetësore janë bërë analiza preliminare edhe mbi ndikimin e saj në ekonomi. Shtetet e ndryshme, varësisht nga vlerësimet e brendshme dhe shkalla e përhapjes së virusit, kanë ndërmarrë veprime në favor të sektorëve të rrezikuar të ekonomisë, sidomos të sektorit privat, si gjeneruesi kryesor i të hyrave, punësimit dhe zhvillimit të përgjithshëm.
Njohësit e ekonomisë në Kosovë, duke iu referuar indikatorëve të hershëm, kanë thënë se dëmi financiar mund të arrijë në 300 milionë euro brenda një muaji. Nëse ajo zgjat me muaj të tërë, atëherë shifrat, sipas tyre, mund të jenë të frikshme.
Qeveria në detyrë ka miratuar disa vendime në favor të qytetarëve, sidomos të atyre në asistencë sociale. Me kërkesë të përfaqësuesve të biznesit ka aplikuar masa lehtësuese tatimore, ndërkohë që ka stimuluar shërbimet që janë drejtpërdrejt të përfshira në menaxhimin e situatës. Është paralajmëruar edhe një pako shtesë e emergjencës fiskale.
Por, Qeveria, paralelisht me këto masa, duhet të nxjerrë edhe një raport të detajuar mbi potencialet e “fjetura”. Ajo duhet ta analizojë koston e përgjithshme të menaxhimit të institucioneve publike, të shpenzimeve për ngrohje, energji, karburante, qira, mëditje e paga. Të tregojë se sa është planifikimi buxhetor për rrethana normale dhe sa janë reduktuar apo mund të reduktohen ato në rrethana krize. Ngase, masat e ndërmarra dhe ato që parashikohen sikur po lënë të kuptohet se si të tilla po e fusin vendin në një krizë tjetër paralele, krahas asaj shëndetësore.
Qeveria, në funksion të racionalizimit të shpenzimeve të saj por edhe të institucioneve tjera, duhet ta miratojë pakon e ndryshimeve mbi financimin e institucioneve publike, duke ulur koston e administrimit. Përjashtim bëjnë institucionet dhe shërbimet që janë prekur nga kriza apo që janë të angazhuara në menaxhimin e saj.
Meqë edhe pa rrethana krize është pritur që të ulen shpenzimet, tash me reduktimin edhe të aktiviteteve, ulja mund të dyfishohet e rrjedhimisht mund të realizohet pa shumë dhimbje mbulimi i kostove që dalin nga injektimi i sektorit privat, i shtimit të kapaciteteve në shëndetësi e siguri dhe i lehtësimeve tatimore për biznese dhe ekonomi familjare.
Shteti, po ashtu, ka shansin të nxjerrë mësime se si me kapacitete të kufizuara mund të kryejë punë të mëdha. Të analizohet në tërësinë e saj, nëse mobilizimi në punë, efikasiteti dhe disiplina na duhen jo vetëm në krizë. Të mësojë se si komunikimi korrekt me publikun, transparenca dhe bashkëpunimi me qytetarë mund t’i lehtësojë operacionet në terren, edhe pas krizës.
Racionalizimi i shpenzimeve duhet të bëhet edhe nga qytetarët. Në vend se të vajtojmë për dëmet, pamundësinë e daljes në punë e për qejf, si dhe kufizimet tjera, do të duhej të nxjerrnim mësime për një mënyrë tjetër jetese. Ngase kriza mund të mos jetë e shkurtër, as e fundit.
Reduktimi i shpenzimeve, sidomos i atyre të luksit, kufizimi i qarkullimit brenda dhe jashtë shtetit, amnistia e përkohshme nga shërbimet tatimore, shtyrja e shlyerjes së kredive..., janë mundësi të arta për shumicën e ekonomive familjare që në këtë periudhë të kursejnë e edhe t’i rishikojnë “projektet” e tyre.
Dallimi nga “normaliteti” është se potenciali financiar, ai që është, nuk ka dalë jashtë - ose është në arkën e shtetit, ose në arkën e qytetarëve. E rëndësishme është si ta ruajmë atë, si të ekonomizojmë e racionalizojmë.
Bashkëpunimi i institucioneve me komunitetin është forma më e mirë për t’i përballuar krizat, edhe atë ekonomike. Ajo ka ndikim në zhvillimin, stabilitetin dhe sigurinë e shtetit.
Krizat janë edhe moment konfirmimi për aftësinë apo paaftësinë e institucioneve në menaxhimin e shtetit. Në çastin e paraqitjes së indikatorëve të parë këshillohet qëndrimi në kontakt me publikun. Të dihet çfarë është e rëndësishme për komunitetin e prekur nga kriza, por edhe komunitetet që në ndërkohë mund të preken.
Duke qenë të drejtpërdrejtë dhe në kohë, ka më shumë mundësi që të kontrollohet situata. Nëse arrihet me vonesë, atëherë nuk mbetet gjë tjetër pos të reagohet dhe të mbrohet, ndërkohë që të tjerët drejtojnë agjendat dhe debatin mbi të, ashtu siç është praktikë me krizën politike të Kosovës.
Takti i komunikimit me publikun, si nga institucionet ashtu edhe nga mediat, është thelbësor. Gjuha që përdoret po ashtu është e rëndësishme. Jo pak herë interpretimet emocionale kanë krijuar perceptime të gabueshme për krizën, autorët e saj, por edhe për menaxhuesit. Papërgjegjësia në raportim për krizën dhe pas saj, lë mjaft vrima për komentim. Andaj, është e domosdoshme transparenca. Publikut duhet dhënë versionin për shkaktarët, menaxhuesit dhe pasojat që sjell kriza. Por, duhet sqaruar atyre edhe strategjinë e sanimit dhe parandalimit të shfaqjes së saj.
Radhët e gjata të qytetarëve që prisnin për të blerë një thes miell shpërfaqën dimensionin e gjerë të frikës e mosbesimit, e të shfaqjes së dy krizave të reja njëkohësisht – shëndetësore e ekonomike (me krizën politike ishin mësuar për më shumë se 20 vjet). “Distanca sociale” dhe masat mbrojtëse nuk ishin të padëgjuara për turmën. Dhe, në momentin kritik, ata vunë bast – mes rrezikut nga infeksioni dhe sigurimit të bukës për familje zgjodhën të dytën.