OpEd

Bashkimi i Gjermanisë dhe Kosova

Roli i Gjermanisë së ribashkuar e rriti peshën dhe përgjegjësinë e saj në rajon, në Evropë dhe në botë në tri dekadat e fundit, jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe në atë politik. Ndikimi politik i Gjermanisë në proceset që kanë ndodhur gjatë kohës së shpërbërjes së Jugosllavisë ka qenë i madh dhe vendimtar. Ky ndikim i madh i diplomacisë gjermane ka qenë evident edhe në procesin e adresimit të statusit final të Kosovës

Pas përmbysjes së Gjermanisë naziste dhe përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Gjermania për një periudhë u bë komb pa shtet. Më 1949, në zonat perëndimore (Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Franca dhe Bashkimi Sovjetik) u krijua Republika Federale e Gjermanisë dhe në zonat e kontrolluara nga sovjetikët u krijua Republika Demokratike e Gjermanisë. Më vonë në skenën ndërkombëtare u njohën dy shtete të ndryshme gjermane dhe një komb gjerman.

Aspirata e ligjshme për ribashkim të gjermanëve u afishua edhe përmes Kushtetutës së Republikës Federale të Gjermanisë, e cila në preambulë nënvizonte detyrimin gjermano-perëndimor për ribashkimin e popullit gjerman. Por, Gjermania e ndarë në dy shtete u bë epiqendër e konfrontimit e Luftës së Ftohtë ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit.

Kahe të pakthyeshme

Gjermanët nga të dy anët e kufirit nuk hoqën dorë nga ëndrra e tyre për ribashkim në një shtet, edhe pse kjo dukej thjesht një ëndërr në kohën e ashpërsimit të Luftës së Ftohtë, e cila kulmoi me ngritjen e Murit të Berlinit në vitin 1961, që për tridhjetë vjet u bë sinonim i ndarjes së kombit gjerman, por njëkohësisht u bë edhe simbol i dështimit të politikës sovjetike për Berlinin dhe sovjetizimin e Gjermanisë Lindore.

Çdo periudhë, thuhet, ka aktorët e saj. Willy Brandti ishte një njeri që i dha emrin politikës së tij. Koha e vërtetoi se Ostpolitika e tij ishte me tipare vizionare dhe e guximshme. Brandti solli sërish ekuilibër në politikën e jashtme. “Ndryshim përmes afrimit”, ishte motoja në trajtimin e RDGJ, Polonisë, Çekosllovakisë dhe Bashkimit Sovjetik. Ai ishte thellësisht i bindur, se nuk do të kishte të ardhme, po të mos merrej parasysh e kaluara. Ai ishte më afër realitetit se CDU-ja, që nuk donte të pranonte atë që ishte prej kohësh e pranishme: zonat që më parë ishin gjermane në Lindje të kufijve Oder dhe Neisse. Pranimi i kësaj ishte hapi i parë që sollën gjendjen normale në marrëdhëniet ndërshtetërore. E lidhur me pranimin e fajit, që me gjestin e gjunjëzimit në ish-geton e Varshavës ka mbetur në kujtesën e të gjithëve.

Së bashku me strategun e tij për politikën ndaj Lindjes, Egon Bahr ai krijoi gjëra që e ndryshuan botën. Fjalia që nuk të tërheq shumë vëmendjen në marrëveshjen gjermano-sovjetike të vitit 1970, në bazë të së cilës kufijtë mund të ndryshohen vetëm me dakordim reciprok, është nga perspektiva e sotme fillimi i fundit të Perandorisë Sovjetike. Kuptimi i thellë i këtij formulimi që u arrit me debate të forta u bë i qartë vetëm në vitet 1989/1990, kur qeveria e RDGJ, e RFGJ dhe BS eliminuan në marrëveshje kufirin e brendshëm të Gjermanisë. E parë në këtë mënyrë, Brandti është babai i bashkimit të Gjermanisë, kurse Kohli menaxheri i bashkimit, thotë Volker Wagener.

Ndryshimi në Gjermaninë Lindore erdhi më i papritur sesa në vendet tjera të Evropës Lindore. Gjatë korrikut dhe gushtit të vitit 1989, me mijëra gjermanolindorë vërshuan në ambasadat e Gjermanisë Perëndimore në Budapest, Pragë dhe Varshavë duke kërkuan strehim politik. Gjatë muajve të fundvitit 1989 dhe fillimvitit 1990 vala e gjermanolindorëve që largoheshin për në Perëndim vazhdoi me ritme edhe më të mëdha edhe pse diktatori stalinist Erich Honeker kishte dhënë dorëheqje. Qyteti i Lajpcigut u kthye në skenën kryesore të demonstrimit të protestës kundër regjimit komunist. Pika e kthesës arriti më 6 dhe 7 tetor, kur në mbarë RDGJ-në ishin planifikuar të bëheshin festime të mëdha me rastin e dyzetvjetorit të themelimit të regjimit komunist. Festimet filluan me parada të zakonshme, por në mbrëmje u njoftua se në mbarë Gjermaninë Lindore kishin filluar demonstratat antiqeveritare, në të cilat kërkohej reformimi i sistemit politik, zgjedhjet e lira, liria e fjalës, liria e lëvizjes dhe kërkesa të tjera politike.

Katër javë më pas, Muri i Berlinit ra. Gjermano-lindorët dëshironin ta braktisnin RDGJ-në. Nga mbrëmja e 9 nëntorit 1989 dhe në vazhdim, me miliona gjermano-lindorë vërshuan në Berlinin Perëndimor dhe Gjermaninë Perëndimore. Ndodhi ajo që pak kush e kishte pritur dhe planifikuar: rënia e Murit të Berlinit, i cili për afro 30 vjet me radhë kishte ndarë më dysh qytetin e Berlinit dhe kombin gjerman, përkatësisht Gjermaninë Perëndimore(kapitaliste) dhe Gjermaninë Lindore (komuniste ).

“Ne jemi një popull”, “Hiqeni murin!”, thërrisnin njerëzit që ishin ngjitur mbi platon e betonit të Murit të Berlinit, ndërkaq rojat kufitare, ushtarët dhe pjesëtarët e shërbimit informativ vështronin si në ankth, pa ditur se si të veprohej. Shteti i Gjermanisë Lindore po i numëronte orët e tija të fundit. Slogan i ri u bë “unitet gjerman”. Kërkesat për bashkim gjerman gëzonte më pak popullaritet mes fqinjëve të Gjermanisë, veçanërisht të atyre lindorë. Aleatët perëndimorë të Gjermanisë, pas disa ngurrimesh fillestare, e pranuan këtë si një gjë të pashmangshme.

Bashkimi i Gjermanisë, fundi i Luftës së Ftohtë

Këto zhvillime të shpejta dhe dramatike ndryshuan zhvillimet e ardhshme në arenën ndërkombëtare dhe i dhanë fund Luftës së Ftohtë dhe konfrontimit Lindje- Perëndim. Rënia e murit të Berlinit hapi perspektiva për një kalim në një etapë paqësore të historisë botërore. Me 3 tetor 1990 RDGJ iu bashkua edhe formalisht Republikës Federale të Gjermanisë. Bashkimi i Gjermanisë u bë realitet përmes vendimeve demokratike, përmes ratifikimit të marrëveshjes për bashkim nga ana e Bundestagu-t (Bon) dhe Kuvendit popullor (Berlini Lindor), dhe marrëveshjeve paqësore ndërkombëtare “Dy-plus-katër” nga gjashtë ministra të jashtëm (dy ministrat e jashtëm të shteteve gjermane dhe ministrat e jashtëm të katër fuqive fituese të Luftës së Dytë Botërore).

Në ditën e bashkimit të Gjermanisë kancelari i atëhershëm gjerman Helmut Kohl, në një mesazh drejtuar të gjitha qeverive të botës, thoshte: “Vendi ynë me rifitimin e bashkimit do t´i shërbej paqes botërore dhe do të shpie përpara Bashkimin Evropian”.

Rënia e Murit të Berlinit dhe ribashkimi i Gjermanisë ishte një triumf i lirisë jo vetëm për gjermanët, por dhe për popujt tjerë të kontinentit, sepse nga ky moment filloi desovjetizimi i Evropës Lindore dhe triumfi i një rendi të ri demokratik në Evropën Lindore dhe Juglindore.

Kjo ngjarje pashmangshëm pati influencë të fuqishme dhe në botën shqiptare, veçanërisht në Kosovë, e cila asokohe po përballje me brutalitetin e regjimit okupues të Milosheviqit. Triumfi i rendit demokratik gjithandej në Evropën Lindore krijoi pritje të mëdha për realizimin e vetëvendosjes së shqiptarëve të Kosovës, të cilët krahas sllovenëve, kroatëve, boshnjakëve dhe maqedonasve dëshironin ta braktisnin Jugosllavinë të dominuar nga nacionalistët serbë, të cilët po përpiqeshin të krijon Serbinë e Madhe.

Diplomacia gjermane dhe Kosova

Sfida e krijimit të stabilitetit të qëndrueshëm në Ballkan ka qenë pjesë e agjendës së Gjermanisë shumë e gjatë. Qysh në Kongresin e Berlinit më 1878, nën drejtimin e kancelarit Otto Bismarck, u përpoq të ndërmjetësonte një paqe në Evropë për të parandaluar një luftë, e cila, me gjithë përpjekjet e bëra për ta parandaluar, shpërtheu tridhjetë e gjashtë vjet më vonë në Ballkan. Më shumë se një shekull më vonë, Gjermania u përfshi në menaxhimin e shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë, një ngjarje e cila ishte e paparashikueshme në rrjedhën e saj dhe përkoi me ribashkimin e shtetit gjerman. Përfshirja e Gjermanisë, ashtu si edhe e shteteve të tjera evropiane dhe SHBA, në krizat e shumta në Ballkan gjatë dekadës së fundit flet shumë se si ka evoluar politika e jashtme dhe e sigurisë të këtij vendi të fuqishëm evropian.

Gjatë pranverës së vitit 1999, ndërsa NATO-ja po festonte përvjetorin e saj të pesëdhjetë, ishin forcat e NATO-s të angazhuar në një fushatë bombardimesh në Ballkan, forcat e armatosura gjermane ishin ndër paqeruajtësit e dërguar për të ndalur gjakderdhjen në Kosovë. Vetëm pesë vjet më parë, Gjermania kishte debatuar nëse mund ta lejonte që trupat të përfshihen në një konflikt të tillë. Megjithatë, në vjeshtën e vitit 1999, një gjenerali gjerman mori komandën e trupave paqeruajtëse KFOR-it për të ndihmuar në zbatimin e plani i stabilizimit që ishte zhvilluar nga Ministri i Jashtëm i Gjermanisë dhe miratuar nga Kombet e Bashkuara dhe Grupi i Tetë (G8) në Këln në qershor 1999.

Se Gjermania do të bënte pjesë në shtetet që do ta njihnin pavarësinë e Kosovës, kjo ishte diçka që pritej. Shteti gjerman ishte në krye të listës së shteteve që e mbështesnin propozimin për pavarësi të mbikëqyrur të përfaqësuesit të OKB-së, ish-presidentit Martri Ahtisaari. Por, akti i thjeshtë diplomatik përmban një fuqi të madhe simbolike, pasi rasti i Kosovës është sinonim i ndryshimit rrënjësor të politikës gjermane, e cila përfundimisht hoqi dorë nga pozicioni i vetëpërmbajtjes. Gjermania njohu natyrën potencialisht eksplozive të problemit kosovar më herët se shtetet tjera evropiane. Që në vitin 1992, Gjermania e ribashkuar përkrahu dërgimin e vëzhguesve, të cilët ishin pjesë të Misionit me Kohëzgjatje të Gjatë në Kosovë. Qeveria gjermane gjatë tërë kohës ka ndjekur vazhdimisht qasjen trekahore për zgjidhjen e çështjes së Kosovës: përpjekjet politike, ushtarake dhe humanitare.

Meqë, Gjermania e kishte hipotekën e fajësisë për njohjen e shpejtuar të Sllovenisë dhe Kroacisë, përmes së cilës njohu fillimin e shpërbërjes së Jugosllavisë, në rastin e Kosovës ajo vazhdimisht u tregua më e përmbajtur, bile shpesh ndodhej në periferi të marrjes së vendimeve ushtarake dhe politike, të cilat ishin edhe refleksion i të kaluarës së shtetit gjerman.

Ndryshimi i paradigmës në politikën e jashtme gjermane

Roli i Gjermanisë së ribashkuar në rajon ka qenë i fuqishëm në tri dekadat e fundit, jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe në atë politik. Ndikimi politik i Gjermanisë në proceset që kanë ndodhur gjatë kohës së shpërbërjes së Jugosllavisë ka qenë i madh dhe vendimtar. Ky ndikim i madh i diplomacisë gjermane ka qenë evident edhe në procesin e adresimit të statusit final të Kosovës. Janë katër momente kulmore që shënojnë ndryshimin e paradigmës në politikës së jashtme gjermane në raport me Kosovës.

E para, është angazhimi i parë ushtarak gjerman në luftën e Kosovës në kuadër të intervenimit humanitar të NATO-s në vitin 1999. Ky intervenim në të vërtetë ishte angazhimi i parë ushtarak i Gjermanisë pas Luftës së Dyte Botërore, që në realitet shënon fillimin e transformimit të vazhdueshëm të politikës së jashtme gjermane, Lufta e Kosovës shënoi rikthimin e fuqishëm të Gjermanisë në parketin e diplomacisë ndërkombëtar dhe rritjen e rolit të sa në Ballkan, respektivisht ishte fillimi i asaj, çfarë më vonë kancelari Gerhard Schroeder e quante “detabuizimi” ushtarak.

Derisa vetëm disa vite më parë, shteti gjerman kishte debatuar mbi atë se a duhej të lejoj që trupat e tij të angazhohen në një luftë të tillë, për të cilën mungonte edhe miratimi i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, me 24 mars 1999 koalicioni qeveritar kuq/gjelbër i drejtuar nga Gehard Shrëder dhe Joshka Fisher mori përgjegjësinë që aeroplanët ushtarakë gjermanë u bashkuan fushatës bombarduese të NATO-s kundër Jugosllavisë së mbetur me qëllim që të ndalojnë trupat serbe në një tentim tjetër për pastrimin etnik të dizajnuar për të përzënë shqiptarët jashtë Kosovës. I takoi qeverisë së kuq/gjelbër që të udhëheqë Gjermaninë në konfliktin e tij të parë të armatosur që nga përfundimi i Luftës së II –të Botërore. Me këtë hap qeveria gjermane hoqi dorë nga pozicioni “përmbajtjes”, qeveria kuq/gjelbër dëshmoi lojalitetin ndaj Aleancës Veriatlantike, duke vënë në plan të parë të drejtat e njeriut në raport me sovranitetin shtetëror, që në rrethanat e pas përfundimit të konfrontimit ideologjik Lindje-Perëndim kishte pësuar domethënie restriktive.

Në këtë fazë politikanët gjermanë, kancelari Gerhard Schroeder, ministri i Jashtëm, Joshka Fisher, dhe ministri i Mbrojtjes, Rudolf Sharping, në luftën e tyre për Kosovën përdorën edhe argumentin moral. Është e njohur thënia lapidare e Fisherit: “Kurrë më Aushvic”, “Kurrë më gjenocid”. Ky qëndrim dëshmonte se në fokus të angazhimit gjerman ishte mbrojtja vlerave humane përballë terrorit të Beogradit dhe jo e interesave nacionale.

Ky ndryshim i paradigmave në politikën e jashtme dhe të sigurisë të Gjermanisë çoi në angazhimin e ushtrisë gjermane në rajonet të shumta të botës si dhe në një interpretim të ri të përgjegjësisë ndërkombëtare të shtetit gjerman, si dhe të interesave të saj të sigurisë. Se roli i Gjermanisë ka shënuar ngritje të ndjeshme në planin ndërkombëtar, kjo dëshmohet edhe nga fakti se ushtarët gjermanë aktualisht ndodhen në shumë vende të botës, nga Kosova e deri në Afganistan.

Por, në fund të një krize qëndron sfida për një fillim të ri. Vera e vitit 1999 gjeti ushtarët gjerman në një mision ushtarak në Kosovë, i cili nuk ishte mision përkrahës i vijës së dytë, siç ishte rasti në Kamboxhia, Somali, apo edhe gjatë misionit IFOR në Bosnje, por ushtarët gjerman kishin marrë pjesë aktivisht në një operacion ushtarak të udhëhequr nga NATO, me qëllime ushtarake—tërheqjen e trupave serbe nga Kosova. Veç kësaj, në implementimin e Rezolutës së KB 1244 Berlini, për herë të parë, ka “udhëhequr kombin” në një sektor të KFOR-it —në një nivel me amerikanët, britanikët, francezët dhe italianët. Kjo sinjalizon shumë qartë se Gjermania e ri-bashkuar është e vullnetit të marrë më shumë përgjegjësi dhe se aleatët dhe partnerët e Gjermanisë janë të gatshëm të pranojnë këtë rol të ri të tyre në mbrojtjen e paqes dhe stabilitetit në Evropë. Që nga fillimi, qeveria e re gjermane e koalicionit nuk ka lënë dyshime se Gjermania do të mbetet pjesë e Aleancës, e përcaktuar të bëjë çdo gjë që është e mundur —përfshirë edhe mundësinë e mjeteve ushtarake si ultima ratio—për të ndaluar fillimin e katastrofës humanitare në mes të Evropës.

Momenti i dytë, ishte pozicionomi gjerman në raport me adresimin e statusit përfundimtar të Kosovës, si një çështje thelbësore për stabilitetin dhe evropianizimit të rajonit të Evropës Juglindore. Pesha e veçantë e diplomacisë gjermane u evidentua edhe në çështjen e adresimin e statusit të Kosovës përmes pranisë së saj në kryes të institucioneve kryesore ndërkombëtare në Kosovë. Derisa gjermani Joachim Ryker, ndodhej në krye të UNMIK-ut, diplomati tjetër gjerman, Wolfgang Ishinger, ishte figura kyçe e përfaqësuese e politikës së jashtme evropiane në treshen negociuese për adresimin e statusit të Kosovës. Berlini zyrtar gjithashtu kishte një detyrë të ndjeshme që në koordinim me Uashingtonin dhe Brukselin që të përgatis terrenit diplomatik për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Më 20 shkurt 2008, duke folur në Berlin para Bundestagut për të ardhmen e Kosovës pas shpalljes së pavarësisë, ministri i atëhershëm gjerman Frank Walter Steinmeier deklaroi se i duhet të përpiqemi me të gjitha forcat ta mbështesim Kosovën dhe popullin e saj për ndërtimin e një shteti kushtetues demokratik që do të arrinte të zbatojnë vlerat evropiane në Kosovë, jo vetëm atje, por në të gjithë Ballkanin Perëndimor. “Në fund të fundit, kjo është baza e vetme për stabilitet dhe ekuilibër të drejtë në të gjithë rajonin dhe jo vetëm në Kosovë”, kishte deklaruar Steinemeier

Njohja e Kosovës nga Gjermania po ashtu ishte një sprovë për unitetin dhe efektivitetin e politikës së jashtme të sigurisë evropiane, si dhe një dëshmi se evropianët ishin në gjendje të zgjidhim konfliktet në kontinentin evropian në mënyrë të përhershme dhe mbi të gjitha në mënyrë efektive. Në këtë kontekst, Gjermania me vendosmëri i përmbushi detyrimet dhe përgjegjësitë e saj ndaj Kosovës dhe po e marrim seriozisht. Edhe Gjermaninë, bashkë me vendet e tjera evropiane, do të angazhohej jo vetëm me mijëra ushtarë të Bundeswehr-it në Kosovë, por edhe me oficerë policie, gjyqtarë, prokurorë publikë dhe këshilltarët qeveritarë gjithashtu në një masë të konsiderueshme në misionin civil të BE-së në Kosovë, EULEX.

Momenti i tretë, angazhimi gjerman në mbrojtjen ligjore ndërkombëtar të legjitimitetit të pavarësisë së Kosovës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) në vitet 2009-2010. Në këndvështrimin gjerman shpallja e pavarësisë së Kosovës duhej parë në kontekstin e shpërbërjes së Jugosllavisë dhe si një proces që i dha fund të nevojshëm dhe stabilizues një kapitulli të trazuar të historisë së Ballkanit Perëndimor. Në aspektin juridik ndërkombëtar, Gjermania përfaqësonte pikëpamjen se nuk ekzistonte asnjë mospërputhje midis shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit për Kosovën. Për më tepër, shpallja e pavarësisë vlerësohem si produkt i tri proceseve të ndërthurura historike që ndihmojnë të shpjegohen rrethanat e deklarimit të pavarësisë- shpërbërja e Jugosllavisë, represioni i egër dhe shkelja e të drejtave të shqiptarëve nga regjimi i Beogradit në vitet 1989-1999 dhe intervenimi ushtarak i NATO-s dhe administrimit ndërkombëtar në Kosovë (UNMIK).

Në fazë të re të angazhimit gjerman lidhur me Kosovën, respektivisht të normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi, ndodh në gusht të vitit 2011, kur Beogradin e vizitoi kancelarja gjermane Angela Merkel. Si asnjë herë më parë, ajo e kishte bërë ri të qartë për herë të parë dhe shumë prerë Beogradit se pa heqjen e strukturave paralele serbe në veri të Kosovës dhe pa normalizimin e raporteve me vendet fqinje, nuk do të ketë ndonjë afrim të madh me Bashkimin Evropian.

Vizita e kancelares Merkel la gjurmë të mëdha tek autoritetet dhe opinioni serb. Pas disa shtyrjeve gjatë verës, delegacioni i Beogradit vazhdoi në vjeshtë pjesëmarrjen në takimet me delegacionin kosovar, por problemi kryesor ishte realizimi i marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel. Dhe ishte pikërisht ndikimi i Berlinit zyrtar pse Serbia nuk e fitoi statusin e kandidatit në vitin 2011. Kancelarja Angela Merkel shpalli në fillim të dhjetorit 2011 se "Serbia ende nuk i ka plotësuar kushtet për të fituar statusin e kandidatit për anëtarësim". Të gjitha përpjekjet e Serbisë dhe disa vendeve të BE-së, për të ndryshuar këtë qëndrim të Berlinit nuk ndihmuan.

Në këtë mënyrë Gjermania dëshmoi se gjithnjë e më shumë ishte e gatshme të merrte përgjegjësi për Kosovën dhe rajonin në përgjithësi. Në këtë kuadër hynë edhe përfshirja e barabartë e Kosovës në kuadër të Procesit të Berlinit, një nismë e kancelares gjermane Merkel, që si qëllim primar kishte afrimin e mëtejshëm të rajonit me BE-në. Pos kësaj, përmes kësaj nisme Berlini synonte përmirësimin e qeverisjes së përbashkët ekonomike rajonale - në kuadër të perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor – duke hedhur themelet për një rritje ekonomike të lartë dhe të qëndrueshme. Procesi i Berlinit, përmes një agjendë të njohur si “Agjenda e Berlinit”, do të fokusohet kryesisht në qeverisjen ekonomike dhe projektet e ndërlidhjes infrastrukturore. Gjermania prej vitesh e ka vendosur që Ballkanin Perëndimorë ta vendosin në listën e prioriteteve dhe kjo dëshmohet edhe me emërimin e Manuel Sarrazinit në postin e të dërguarit të posaçëm për Ballkanin Perëndimor.

Në të njëjtën kohë Gjermania mbetet një nga investitorët më të mëdhenjtë në Kosovës. Duke pasur parasysh se Kosova ka pozitë shumë të mirë strategjike, shumë kompani të cilat janë tërhequr nga Rusia dhe po e shohin Ballkanin Perëndimor, përkatësisht Kosovën si opsion. Tashmë shumë kompani gjermane kanë sjellë trajnime për programe të caktuara. Investitorët gjermanë e marrin në konsideratë që në Kosovë ka shumë rini. Vetëm gjatë këtij viti Gjermania ka investuar 60.6 milionë euro për energji solare . Edhe ndërtimi linjës 400kV mes Kosovës dhe Shqipërisë, është duke u financuar me përkrahje të Qeverisë gjermane dhe KfW-së. Pa dyshim, edhe pavarësimi energjetik i Kosovës i detyrohet angazhimin gjerman dhe rrjedhimisht anëtarësimi i Kosovës në rrjetin e operatorëve të sistemeve të transmisionit të energjisë elektrike për vendet e BE-së, i njohur si ENTSO, erdhi si rezultat i lobimit gjerman.

Përveç kësaj, Gjermania mbetet e angazhuar në mënyrë tepër aktive edhe në çështjen e arritjes së një zgjidhje në kontestit fqinjësor Kosovë-Serbi, duke qartësuar se njohja reciproke mbetet si rezultat final i këtij procesi të filluar një dekadë në parë. "E qartë është që marrëveshja në fund duhet të zgjidhë edhe çështjen e njohjes së Kosovës, sepse është e paimagjinueshme që dy vende, të cilat nuk e njohin njëra-tjetrën të bëhen anëtare të BE-së", kishte deklaruar Scholz pas takimeve në Prishtinë në qershor të këtij viti.

Ky qëndrimi i liderit gjerman për çështjen e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbinë ishte një mesazh i qartë për Beogradin se shteti gjerman, që e ka njohur prej vitesh shtetin e Kosovës, përjashtohet çfarëdo zgjidhje të provizore dhe se në kohën kur po vazhdon pushtimi rus i Ukrainës, arritja e një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë bëhet edhe më e rëndësishme.

Ky nuk është vetëm një rol i ri për Gjermaninë, por edhe një përgjegjësi me peshë e këtij shteti kryesor të BE-së për krijimin e stabilitetit në Kosovë dhe krijimit të perspektivës evropiane për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Gjermani tashmë ka një rol të rëndësishëm dhe luan kjo fuqi e madhe evropiane 32 vjet pas ribashkimit. Pa dyshim, angazhimi gjerman në Kosovë në vitet 1990 dhe më pas në adresimin e statusit final të Kosovës përbën një pikë kthese në politikën e jashtme gjermane, respektivisht çoi në ndryshimin e paradigmës në çështjet e politikës së jashtme dhe të sigurisë dhe e bëri të nevojshme që Gjermania të merrte një rol udhëheqës në Evropë dhe të marrë përgjegjësinë për sigurinë e kontinentit evropian. Rrjedhimisht, angazhimi gjerman në Kosovë, përkatësisht në Ballkanin Perëndimor, ka ndikuar drejtpërdrejt si katalizator në zhvillimin dhe transferimin e politikës gjermane të jashtme dhe të sigurisë.