Tani kur zgjerimi është përsëri në epiqendër të vëmendjes së BE-së, Kosova duhet të dyfishojë përpjekjet drejt zbatimit të reformave evropiane. Publikimi i sotëm i Barometrit të Reformave Evropiane është një kontribut modest i shoqërisë civile drejt këtij qëllimi sublim
Ka qenë dikur para shumë kohe, një kohë kur integrimi në BE ishte gjëja më prioritare e këtij vendi. Mbi 90% e qytetarëve dëshironin anëtarësimin në BE. Politikanët shtyheshin për të dalë në foto me zyrtarë të lartë të BE-së. Çdo parti kishte gojën plot për rëndësinë e Bashkimit Evropian dhe integrimit tonë në BE. Madje gjithë identiteti ynë nacional ishte promovuar si “Evropianët e rinj”. Aq atraktive ishte Evropa asaj kohe saqë partitë besonin se vetëm përmendja e emrit Evropë i fiton zgjedhjet. Kësisoj, ishim dëshmitarë të sloganeve zgjedhore “Për Kosovën Evropiane”, “Për Prishtinën Evropiane”, e kështu me radhë.
Por kjo kohë nuk është më. Me kalimin e kohës, ideja e integrimit evropian humbi shkëlqimin e vet. Rruga integruese e Kosovës praktikisht u pezullua. Pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit në vitin 2016, Kosova nuk bëri më asnjë hap më tutje drejt BE-së. Në fakt, krejt e kundërta, Kosova u vendos nën sanksione evropiane. Rruga integruese e Kosovës u zëvendësua me procesin e dialogut dhe rrjedhimisht çdo diskutim për rëndësinë e reformave thelbësore evropiane, siç është sundimi i ligjit, reforma e administratës publike apo cilësia e arsimit, u zëvendësua me diskutimin për dialogun dhe temat siç janë letërnjoftimet, targat apo zgjedhjet.
Kjo është deri në një masë e kuptueshme. Patjetër se urgjencat imediate politike, siç janë krizat e dialogut, do të përmbysin çdo diskutim mbi reformat afatgjata evropiane. Por nga ana tjetër, Qeveria patjetër mund të bëjë dy gjëra të njëjtën kohë: edhe të merret me urgjencat e dialogut, edhe të avancojë reformat evropiane.
Në fund fare, në gjithë qeverinë vetëm dy persona merren me dialogun, rrjedhimisht shtrohet pyetja se çfarë janë duke bërë 15 ministra të tjerë?
Është në këtë kuadër që me kolegët prej shoqërisë civile kemi filluar një diskutim disamujor se çfarë mund të bëjmë si shoqëri civile për të kthyer vëmendjen e diskursit tonë publik drejt reformave evropiane me shpresën se kjo do t’i japë një dinamikë të re procesit tonë integrues.
Pas shumë diskutimeve dhe debateve lindi ideja e Barometrit të Reformave Evropiane, i cili publikohet për herë të parë sot. Barometri është një lloj “kampionati evropian”, i cili synon ta bëjë rangimin e performancës së ministrave në ndërmarrjen e reformave evropiane.
Barometri i Reformave Evropiane ka tri qëllime parësore: (1) të avancojë diskursin publik mbi zbatimin e reformave evropiane, duke komunikuar në mënyrë të qartë dhe të kuptueshme reformat respektive; (2) të rrisë transparencën dhe llogaridhënien e institucioneve, duke ofruar vlerësim strikt, por fer të performancës së ministrive të linjës; dhe (3) të mbështesë ministritë në dizajnimin sa më efektiv të reformave evropiane, duke ofruar analizë objektive dhe empirike mbi kornizën planifikuese të qeverisë në fushën e integrimit evropian.
Për të arritur këtë, ne është dashur të dizajnojmë një metodologji unike, e cila synon të bëjë një vlerësim holistik të kornizës planifikuese të Qeverisë në fushën e integrimit evropian, duke marrë për bazë dy dokumente kryesore planifikuese të ekzekutivit në fushën e integrimit evropian: Planin Kombëtar për Integrim Evropian dhe Agjendën Evropiane të Reformave.
Vlerësimi tradicional i performancës së Qeverisë bazohet ekskluzivisht në një kriter vlerësues: shkalla e zbatueshmërisë së kornizës planifikuese. Sidoqoftë, ne kemi konsideruar se një vlerësim i tillë nuk do të ishte i mjaftueshëm dhe i drejtë; dhe si i tillë do të na ofronte një pikturë të shtrembëruar të performancës së ministrive në procesin integrues. Rrjedhimisht, metodologjia e barometrit bazohet në katër kritere të vlerësimit të cilat ofrojnë një vlerësim më holistik dhe më të drejtë:
1. Kriteri i parë i kompleksitetit bën vlerësimin e vështirësisë së masave të Qeverisë. Pra, jo të gjitha masat e planifikuara nga ana e ministrive të linjës kanë peshën dhe vështirësinë e barabartë. Disa masa janë shumë më të vështira për t’u zbatuar se disa të tjera. Përgatitja e një strategjie dhe organizimi i një trajnimi nuk janë e njëjta gjë. Rrjedhimisht, qëllimi i këtij kriteri është që të sigurojë se vlerësimi përfundimtar i performancës së ministrive në zbatimin e reformave evropiane merr parasysh kompleksitetin e masave për të cilat ministritë janë zotuar, duke shpërblyer kështu ato ministritë të cilat kanë bërë një planifikim më serioz dhe më të avancuar të reformave evropiane. Ky kriter bart 25% të pikëve totale të vlerësimit.
2. Kriteri i dytë bën vlerësimin e saktësisë së kornizës planifikuese të Qeverisë në procesin integrues. Pra, është e rëndësishme që masat të cilat Qeveria i ka paraparë në kuadër të kornizës së saj planifikuese të jenë në harmoni me obligimet që Qeveria ka marrë në kuadër të procesit integrues. Thënë ndryshe, qëllimi i këtij kriteri është që të sigurojë se Qeveria është duke bërë gjërat e duhura në procesin integrues, duke shpërblyer kështu ato ministritë të cilat kanë siguruar një përputhshmëri më të madhe në mes obligimeve në procesin integrues dhe kornizës planifikuese të ministrisë. Ky kriter bart 35% të pikëve totale të vlerësimit.
3. Kriteri i tretë është kriter klasik, i cili thjesht bën vlerësimin e zbatueshmërisë së kornizës planifikuese nga ana e ministrive, duke shpërblyer kështu ministritë me shkallën më të lartë të zbatimit të masave në kuadër të procesit integruese. Ky kriter bart 30% të pikëve totale të vlerësimit.
4. Kriteri i katërt është vlerësim i një faktori të jashtëm për performancën e çdo ministrie e ai është vlerësimi i Komisionit Evropian në kuadër të raportit të BE-së. Raporti i BE-së ofron një vlerësim të kuantifikueshëm të performancës vjetore të Kosovës në kuadër të kapitujve të ndryshëm të BE-së. Në masë të madhe, këta kapituj përputhen me mandatet dhe fushëpërgjegjësitë e ministrive të linjës. Rrjedhimisht, qëllimi i këtij kriteri është që të shpërblejë me pikë shtesë ato ministri të cilat Komisioni Evropian ka vlerësuar se kanë bërë progres vjetor më të madh se vitin paraprak. Ky kriter bart 10% të pikëve totale të vlerësimit.
Mbledhja totale e pikëve të fituara në kuadër të këtyre katër kritereve ofron rezultatin dhe rangimin përfundimtar të performancës së ministrive në kuadër të zbatimit të reformave evropiane. Çdo ministri eventualisht fiton një numër të pikëve në shkallën nga 0 deri 100, sipas gradimit të më poshtëm:
1. 0-25 pikë: performancë e dobët
2. 26-50 pikë: performancë e kufizuar
3. 51-75 pikë: performancë e mirë
4. 76-100 pikë: performancë shumë e mirë.
Duhet nënvizuar se unifikimi i barometrit qëndron në faktin se është dashur të dizajnohej një metodologji e veçantë, e cila me një anë do të jetë mjaft teknike për të analizuar kornizën komplekse dhe voluminoze të planifikimit të Qeverisë në fushën e integrimit evropian, por në anën tjetër do të jetë mjaft e thjeshtë dhe e qartë për të kuptuar jo vetëm nga ana e ministrive të linjës, por edhe nga ana e publikut të gjerë. Kjo është edhe arsyeja përse produkti final i barometrit përbëhet nga tri nivele të informatave për tri audiencat e ndryshme.
Niveli i parë dhe më voluminozi është ai i vlerësimit teknik të ministrive në formatin Excel. Ky nivel i barometrit është i menduar për diskutime teknike në nivel të ekspertëve. Ai, po ashtu, shërben si bazë e të dhënave teknike për ndërtimin e niveleve të tjera të barometrit.
Niveli i dytë i barometrit është ai në formatin Word, i cili prezanton të dhënat teknike të Excelit në një format më të kuptueshëm dhe të lexueshëm për audiencën, që nuk e përcjell procesin integrues në baza ditore. Ky nivel i barometrit është i menduar për nivelin e vendimmarrësve institucionalë, ambasadat e huaja, OJQ-të dhe mediat.
Niveli i tretë i barometrit është ai i platformës online, i cili në mënyrë vizuale dhe interaktive prezanton gjetjet më të rëndësishme lidhur me performancën e ministrive në procesin integrues. Ky nivel i barometrit është i menduar për audiencën e gjerë, me ç’rast çdo kush me një klikim mund të kuptojë përgjegjësitë dhe performancën e ministrive në kuadër të reformave evropiane.
Tani kur kemi sqaruar se çfarë është barometri ka ardhur koha që të bëjmë publike rezultatet e edicionit të parë të Barometrit të Reformave Evropiane për vitin 2023.
Qeveria e Republikës së Kosovës përbëhet nga 15 ministri, plus Zyra e Kryeministrit. Tri nga këto ministri (Ministria e Jashtme, ajo e Forcës dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal) nuk janë pjesë e barometrit, pasi që ato nuk kanë pasur obligime në kuadër të procesit integrues të Kosovës. Kështu na ngelin 13 ministritë (përfshirë Zyrën e Kryeministrit) të cilat përfundimisht kanë mbetur pjesë e barometrit.
Nga trembëdhjetë ministritë, tetë ministri kanë treguar performancë të mirë dhe pesë ministri kanë treguar performancë të kufizuar në zbatimin e reformave evropiane në vitin 2023.
Tetë ministri me performancë të mirë janë:
1. Ministria e Ekonomisë, me 64 pikë
2. Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, me 64 pikë
3. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, me 60 pikë
4. Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rajonal, me 60 pikë
5. Ministria e Punëve të Brendshme, me 56 pikë
6. Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, me 56 pikë
7. Ministria e Drejtësisë, me 53 pikë; dhe
8. Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, me 53 pikë.
Tetë ministri me performancë të kufizuar janë:
1. Ministria për Kthim dhe Komunitete, me 46 pikë
2. Ministria e Shëndetësisë, me 45 pikë
3. Zyra e Kryeministrit, me 39 pikë
4. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, me 36 pikë; dhe
5. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, me 29 pikë.
Në fund, kjo ka rezultuar me vlerësimin përfundimtar të të gjithë Qeverisë me 51 pikë total, duke e vlerësuar kështu gjithë kabinetin qeveritar me performancë të mirë në ndërmarrjen e reformave evropiane gjatë vitit 2023.
Publikimi i sotëm i Barometrit të Reformave Evropiane është vetëm hapi i parë në përpjekjen tonë për të kontribuar në ngritjen e diskursit publik për procesin integrues të vendit. Ne shpresojmë se barometri do të rrisë interesimin publik për rëndësinë e reformave evropiane, duke motivuar kështu ministritë e linjës për një performancë edhe më të mirë në planifikimin dhe zbatimin e reformave evropiane në vitin 2024.
Në fund fare, këto reforma nuk do të përmirësojnë jetën e qytetarëve në Paris dhe Berlin, por jetën tonë këtu në Prishtinë dhe Mitrovicë.