Pushtimi i Ukrainës ka bërë bashkë fanatikët e botës ruse dhe serbe, dishepuj të Ivan Ilyinit dhe Dobrica Çosiqit dhe mohuesit e lirisë së Ukrainës dhe të Kosovës. Duhet të bëhemi gati, barbarët po vijnë
Kur Putini është pyetur se kush është personi i cili ka ndikuar më së shumti në formësimin e tij, ai u përgjigj: Ivan Ilyini. Lidhja e Putinit me Ivan Ilyin është personale. Putini është kujdesur personalisht që eshtrat e Ilyinit të rivarrosen në Moskë dhe më pastaj ka vizituar varrin me buqetë lulesh. Ndër vite, gjatë fjalimeve të rëndësishme të Putinit, ai ka cituar Ilyinin si frymëzim dhe ideolog politik. Putini ka obliguar guvernatorët rajonalë të Rusisë që të lexojnë një nga veprat më të famshme të Ilyinit, “Misioni Ynë”. Ndërkohë, citimet e Ilyinit kanë zënë vende edhe në fjalimet e patriarkut rus, Kirilit, si dhe ministrit të Jashtëm, Lavrov, duke u shndërruar kështu nga zgjedhja personale filozofike e Putinit në doktrinën zyrtare ruse.
Përqafimi i Putinit të ideologjisë së Ivan Ilyinit shpjegon në thelb edhe pushtimin e sotëm të Ukrainës. Një ideologji që ngritët mbi tri shtylla: krijimi i botës ruse, luftën kundër Perëndimit dhe shpëtimin e Rusisë përmes një lideri diktatorial.
***
Ivan Ilyini është figurë kontroverse historike. Në thelb Ilyini ishte adhurues i Rusie fashiste dhe avokues i botës ruse. Në shkrimin e tij në vitin 1933 “Nacional Socializmi: Shpirti i Ri”, ai ka përkrahur hapur nazistët gjermanë dhe fashitët italianë. Madje as pas përfundimi të Luftës së Dytë Botërore ai nuk ka hequr dorë nga këto bindje. Në vitin 1948 në artikullin tjetër famëkeq “Mbi Fashizmin”, ai lavdëron regjimin diktatorial të Francos në Spanjë dhe Salazarit në Portugali dhe vazhdon të besojë se fashizmi është ideologji e drejtë, por gabimisht e zbatuar, prandaj vetëm duhet paksa të korrigjohet: “Franco dhe Salazar kanë kuptuar gabimet (e fashizmit) dhe janë duke u përpjekur të mos bëjnë të njëjtat lëshime. Ata nuk i quajnë regjimet e tyre “fashiste”. Le të shpresojmë se patriotët rusë do të kuptojnë lëshimet e Fashizmit dhe Socializmit Nacional dhe nuk do t’i përsëritin”.
Disa vite më vonë, më 1950, Ilyini do të publikojë esenë e tij më të famshme, e cila do të konsiderohet gur themel ideologjik i botës ruse dhe të menduarit të sotëm të Putinit. Eseja “Çfarë nënkupton për botën shpërbërja e Rusisë” përmban 12 pika dhe ngrit tri argumente kyçe.
E para, shtetet që jetojnë në Euroazi, pra ish-Bashkimi Sovjetik, janë një tërësi organike dhe e pandashme kulturore, historike dhe politike. Janë bota ruse. Si të tillë, respektimi i këtij uniteti shpirtëror, kulturor dhe linguistik rus është qenësor për paqen botërore. Sipas tij, çdo sfidim i kësaj bote ruse do të rezulton në “përplasje të përhershme dhe luftërat botërore”. Në këtë botë ruse nuk ka hapësirë për pavarësi të shteteve të vogla. Rrjedhimisht, Ilyini refuzon të pranojë ekzistencën e shtetit të pavarur ukrainas. Pikërisht mbi këtë bazë ideologjike, Putini ka publikuar vitin e kaluar artikullin me titulli vetëshpjegues “Mbi Bashkimin Historik të Rusëve dhe Ukrainaseve”. Në artikull, Putini sjell në jetë argumentet e Ilyinit duke nënvizuar se “Rusët dhe Ukrainasit janë një popull – një tërësi e vetme”. Në fjalimin e 21 shkurti 2022, i cili parapriu pushtimit të Ukrainës, Putini tha “Ukraina asnjëherë nuk ka pasur traditë të një shtetësie mirëqenë” dhe se Ukraina është “pjesë e pandashme e historisë, kulturës dhe hapësirës sonë”. Pra, për Ilyinin dhe Putinin nuk ekziston Ukraina e lirë dhe e pavarur, por vetëm një Ukrainë si pjesë e botës ruse.
E dyta, Ilyini ishte i bindur se perëndimi do të tentojë të shkatërrojë botën ruse. Dhe këtë do e ta bëjë përmes Ukrainës. Ilyini kishte parashikuar se në rast të shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Fuqitë e mëdha do t’i dominojnë shtetet e vogla që do të lindin nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik dhe “Gjermania do të marrë Ukrainën dhe Shtetet Baltike, Anglia do të marrë Kaukazin dhe Azinë Qendrore, ndërsa Japonia brigjet e Lindjes së Largët”. Në këtë kontekst, Ukraina ishte qenësore për mbrojtjen e botës ruse në sytë e Ilyinit. Ai e shihte Ukrainën si portë kryesore përmes të së cilës do të sulmohet bota ruse. Ai e quante Ukrainën “trampolinë” të dominimit perëndimor. Pikërisht mbi këtë bazë ideologjike, Putini ka sulmuar Gjeorgjinë më 2008, Ukrainën më 2014 dhe tani përsëri Ukrainën më 2022. Rrjedhimisht, në fjalimin e tij të 21 shkurtit 2022, i cili parapriu pushtimit të Ukrainës, Putini tha “Anëtarësimi i Ukrainës në NATO është kërcënim i drejtpërdrejtë i sigurisë ruse...Ukraina do të shërbejë si trampolinë e sulmit mbi Rusinë”.
Ilyini paralajmëronte se çfarëdo tentative e perëndimit për të sfiduar botën ruse do të ishte “aventurë e paprecedentë historike, e cila do të shkaktonte pasojat shkatërrimtare për njerëzimin” dhe se një aventurë e tillë do të shndërronte Rusinë në “një Ballkan gjigant, si burim i përhershëm i konfliktit dhe i luftërave...i cili do të përfshijë të gjithë botën”. Krahasoni këtë diskurs të Ilyini me fjalimin e Putinit të 24 shkurtit 2022, kur ai kërcënoi botën se në rast të përzierjes në pushtimin e Ukrainës, do të ballafaqohen me “pasojat historikisht të paimagjinueshme deri më sot” apo kur thotë se “shpërbërja e Bashkimit Sovjetik ishte tragjedia më e madhe gjeopolitike e shekullit XX”. Pra, për Ilyinin dhe Putinin, bota ruse kërcënohet nga Perëndimi dhe ruajtja e saj është qenësore për ruajtjen e Rusisë.
E treta, pasi që Ilyini identifikon botën ruse si të vetmen mundësi për ruajtjen e paqes botërore dhe pasi që konstaton se Perëndimi është kërcënimi më i madh i këtij projekti, ai identifikon të vetmen zgjidhje që Rusia ka: ngritjen e një diktatori gjithëpushtetshëm rus. Tani, besoj, kuptoni pse Putini personalisht pëlqen Ilyinin. E gjithë trashëgimia filozofike e Ilyinit legjitimon ngritjen e një sistemi diktatorial nën sundimin e Putinit për hir të ruajtjes së botës ruse. Në artikullin e tij më të famshme, Ilyinit thotë se vetëm “ngritja e një sistemi diktatorial nacionalist rus, i cili do të ketë kontroll të fortë mbi pushtetin, do të udhëheqë Rusinë drejt unitetit”. Dështimi i ngritjes së një sistemi të tillë diktatorial do të sjellë “kaos, pogrom dhe anarki”.
***
Janë tri arsye për të cilat kam marrë për epiqendër të këtij shkrimi lidhjen në mes vendimmarrjes së Putinit me ideologjinë e Ivan Ilyinit.
E para, është e gabueshme që pushtimi i Ukrainës të shqyrtohet nga këndvështrimi i ngushtë i sigurisë apo gjeopolitikës ruse dhe perëndimore. Pikënisja e Putinit dhe të afërmeve të tij të ulur në Kremlin është ideologjike dhe e mbjellë thellë në kulturën dhe historinë ruse. Që nga Rusia cariste, shoqëria ruse është ndarë në mes “Perëndimorëve” dhe “Sllavofilëve”. Në mes qytetarëve rus që shohin Rusinë si pjesë e integruar me rendin liberal botëror dhe atyre që shohin botën ruse të papajtueshme me botën e jashtme. Kjo ndarje ka implikime në virtualisht çdo aspekt të shoqërisë ruse, nga mënyra se si perceptojnë gjuhën angleze dhe McDonalds-in, e deri tek të drejtat e Ukrainës dhe Gjeorgjisë për të ekzistuar si shtete të pavarura. Pushtimi i sotëm i Ukrainës është indikator se në Kremlin ende dominojnë “Sllavofillët” dhe dishepuj të Ivan Ilyinit.
E dyta, vendimmarrja e Putinit, e ngritur mbi ideologjinë e Ilyinit, është vendimmarrje që bazohet mbi mit. Një mit në mes të qenët fashist dhe shovinist. Dhe këtu Rusia ndan fatin e Serbisë. Ashtu siç Putini beson në botën ruse, ashtu Vuçiqi beson në botën serbe. Ashtu siç Putini sheh botën nga sytë e një ideologu fashist sikur Ivan Ilyinit, ashtu edhe Vuçiqi sheh botën nga sytë e një ideologu shovinist sikur Dobrica Çosiqin. Ashtu siç Putini nuk pranon ekzistencën e Ukrainës, ashtu edhe Vuçiqi nuk pranon ekzistencën e Kosovës. Dhe në gjithë këtë mes Edi Rama beson se këta janë të interesuar në broçkulla sikur Mini-Shengeni dhe liritë themelore evropiane.
E treta, pushtimi i Ukrainës nuk është skizmë gjeopolitik, por hendek ideologjik, në mes Perëndimit dhe Lindjes. Një hendek që manifestohet në mes botës ruse dhe serbe dhe lirisë së Ukrainës dhe Kosovës. Një hendek në mes fashizmit dhe demokracisë. Rrjedhimisht, pushtimi i Ukrainës nuk është thjesht çështje e izoluar në mes Rusisë dhe Ukrainën. Sot Ukraina është fushëbetejë e radhës në mes fashizmit dhe demokracisë. Në mes terrorit dhe lirisë. Mbijetesa e një regjimi demokratik Ukrainas të udhëhequr nga një president çifut i zgjedhur me 73% të votës së lirë qytetare është ofendimi dhe kërcënimi më i rëndë që mund t’i bëhet një diktatori në ngritje sikur Putinit. Nëse kjo mund të ndodhë në një fqinj sikur që është Ukraina, atëherë ndryshimet demokratike mund të ndodhin edhe në Rusi. Ky është një ofendim që nuk gëlltitet. Ashtu siç është një Ukrainë e lirë dhe demokratike kërcënim për Putinin, ashtu Kosova e lirë dhe demokratike është kërcënim për Vuçiqin. Prandaj, për ta gjërat sikur liria dhe demokracia janë çështje lufte për ekzistencë. Prandaj, të gjithë duhet të vendosemi kundër pushtimit të Ukrainës, sepse po u shemb Ukraina, do të hapet rruga për ne. Perëndimi duhet të bëhet gati. Barbarët po vijnë.