Gjashtë shtete, pesë ambicie, katër karrige, tri drejtime, dy shpejtësi, një lëmsh
1.
Ballkani Perëndimor përbëhet prej gjashtë shtetesh dhe një lëmshi.
Këtë ka mundur ta kuptojë Angela Merkel, duke u zhytur edhe vetë, pa dëshirë në të.
Në fillimjavë ia bëri vizitën e saj lamtumire Ballkanit Perëndimor, ma merr mendja për të shënjuar kështu edhe atë që është pjesë e trashëgimisë së saj politike në regjion, trashëgimisë transformative evropiane.
Përzgjedhja e ndarjes së kësaj vizite lamtumire në dy ngjarje, një në Beograd dhe një tjetër në Tiranë, ka lënë hapësirë për interpretime semiotike. Ja një i thjeshtë: kancelarja gjermane qe në Beograd për vizitë presidentit Vuçiq e në Tiranë - pas një intermexoje në Pallatin e Brigadave me kryeministrin e vendit - për një takim shumëpalësh, me kryeministrat e Ballkanit Perëndimor.
Në Beograd foli për Serbinë, vendin ku investimet gjermane kanë punësuar 73 mijë veta, përkrahjen për reformat e madje edhe interesin që eksploatimi i litiumit, mineralit të nevojshëm për automobilat elektrikë të bëhet sipas kritereve ekologjike evropiane.
Në Tiranë foli për Proces të Berlinit, përkrahje regjionit për integrim, përkrahje reformave.
Ndonjë lexues tjetër semiotik do të thoshte që më mirë që takimi i kryeministrave të Ballkanit Perëndimor nuk u mbajt në Beograd (kjo do të ishte vizita e parë e kryeministrit Kurti pas lirimit nga burgu i Nishit para 20 vjetësh) dhe se me përzgjedhjen e Tiranës iu dha rëndësia Shqipërisë si vendi ideal për të mbledhur pesë vendet e tjera pa ndonjë telash, pra një qendër regjionale e natyrshme.
Mund të jetë edhe kështu, por leximi im është se vizita e ndarë dyshe tregon për dy shpejtësi, njërën të cilën e zhvillon Serbia dhe tjetrën që e zhvillon regjioni.
2.
Serbia ka arsye ta shënojë mandatin e kancelares Merkel si një periudhë transformative. Ky mandat përputhet me ngritjen e A.Vuçiqit në pushtet. Presidenti Vuçiq tregoi aftësi të madhe për ta transformuar pozitën e Serbisë dhe të veten personalisht (prej perceptimit të një aktivisti fashist të Sheshelit është shndërruar në burrështetas, fjala e të cilit besohet nga znj.Merkel) duke iu falënderuar një çështjeje që mund të ishte disavantazh, Kosovës. Gjatë mandatit të znj. Merkel presidenti Vuçiq tregoi aftësi negociatore për ta drejtuar “dialogun e Brukselit” gjatë një dhjetëvjetëshi nga presioni drejtuar Serbisë kah interesi i Serbisë, që është dhe ishte që ta mbante Kosovën si territor të kontestuar. Me aftësi të veten dhe me paaftësi të skajshme të pushtetit në Kosovë, presidenti Vuçiq arriti ta legjitimonte pozitën e tij të Kosovës si territor i kontestuar, gjë e konfirmuar edhe nga qëndrimi i kancelares në Beograd kur çështjen e përmbylljes së “dialogut” me Kosovën e la si diçka që do të ndodhë në fund të procesit të përgatitjes së aderimit të Serbisë në BE.
Serbia kështu ka fituar të drejtën që me Kosovën të merret seriozisht kur t’i vijë koha; ndërkohë mund të merret me investime të reja gjermane e automobilat elektrikë (e ky është simboli më beninj i asaj se me çka realisht merret Serbia ndërkohë).
Përballë kësaj pasqyre është regjioni i gjashtë shteteve që u mblodhën në Tiranë, për të dëgjuar përkrahjen rituale (dhe të sinqertë gjithashtu) për reforma.
3.
Në Tiranë kanë mundur të lexoheshin tri drejtime të ndryshme të Ballkanit Perëndimor. Njëri ishte ai i Procesit të Berlinit, të përkrahur nga kancelarja Merkel, drejtim i kurorëzuar me idenë e një Tregu të Përbashkët Regjional (TPR) i themeluar në bazë të katër lirive evropiane. Kjo ide mori përkrahjen me shkrim të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, por kur vjen koha te konkretizimi nëpërmjet marrëveshjeve nuk mund të ecet tutje për shkak të bllokimit të Serbisë të çfarëdo formulimi që do ta shihte Kosovën të barabartë me të.
Tjetri drejtim është ai i “Ballkanit të Hapur”, avokuar në Tiranë nga kryeministri i Shqipërisë, favorizuar nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut, por jo edhe nga tri shtetet e tjera. Në rastin më të mirë, kjo ide do të synonte atë që synon Procesi i Berlinit, por pa mekanizma lehtësues e përkrahës të BE-së. Në rastin më të keq, kjo ide synon krijimin e vëmendjeve paralele dhe ndarjes mes shteteve të Ballkanit Perëndimor që të mos mund të bëhet përqendrimi te Procesi i Berlinit dhe TPR.
Dhe drejtimi i tretë është ai i statu quosë, që regjioni të ecë kështu siç bën. Brenda një jave të këtij regjioni në Mal të Zi u zhvillua konfrontimi i radhës në rrugë mes qytetarëve, Kishës ortodokse serbe dhe institucioneve të shtetit për ridefinimin e identitetit të Malit të Zi (në republikë detare serbe). Brenda asaj jave u paralajmërua se Kosova së shpejti mund të vendosë masa reciprociteti tregtar ndaj Serbisë. Brenda po asaj jave në Serbi e Republikën serbe të BeH u vendos që më 15 shtator të shënohet dita e serbizmit, dhe flamujt serbë valojnë në Kosovë e Mal të Zi gjithashtu. Brenda po asaj jave në Bullgari, një shtet anëtar i BE-së që nuk ka arritur të vaksinojë as 20 për qind të popullatës së vet kundër COVID-it, doli projekti i radhës për të zgjidhur kontestin identitar me Maqedoninë e Veriut.
4.
Në fakt, regjioni nuk është nisur kah BE-ja dhe këtë e di edhe kancelarja Merkel.
Serbia, të cilën e veçoi në vizitë dypalëshe, është e ulur në katër karrige. Presidenti Vuçiq i thotë zonjës Merkel se Serbia është shtet me ambicie për të qenë anëtar i BE-së, SHBA-së se do marrëdhënie të fuqishme me të, Rusisë se ka partneritet strategjik dhe Kinës se Serbia nuk ka mik më të madh se presidenti Xi. Që të gjitha këto i bën njëkohësisht, duke besuar në që të gjitha dhe duke përfituar nga to.
Ambicia e presidentit Vuçiq është që kjo gjendje të vazhdojë për sa kohë të jetë e mundur, sepse për aq sa ka zgjatur i ka mundësuar Serbisë të zhvillohet ekonomikisht, të krijojë epërsi regjionale e të krijojë apo të mbajë të hapura konflikte në Kosovë, BeH dhe Mal të Zi, madje të ndihmojë në acarimin mes Kosovës e Shqipërisë. Me këtë ka përmbushur ambicien tjetër të presidentit Putin që regjioni i Ballkanit Perëndimor të mos integrohet në Perëndim e të mbetet një konflikt i papërfunduar.
Përballë këtyre ambicieve është ajo e shteteve të veçanta të zonës së konfliktit: Kosovës që të dalë nga situata e tanishme (qoftë edhe me liberalizim të vizave), BeH që disi të bëhet (për të satën herë) përpjekja për reformim të Daytonit, Mali i Zi ta ruajë identitetin e vet të sulmuar malazias dhe Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut që t’u lejohet së paku të fillojnë negociatat për anëtarësim në NE.
Ambicia e katërt është ajo e BE-së, që të mos bëhet gjë derisa të përcaktohet, ritualisht, se kah do të shkojë BE-ja.
Dhe e pesta, e SHBA-së, që me këtë regjion më në fund të merret seriozisht, por BE-ja.
5.
Regjioni është në një lëmsh, 22 vjet pas luftës në Kosovë, që i bie viti 1967 në orën e Evropës Perëndimore.
Në vend të fjalëve të kurtoazisë e motit të mirë, Samiti ka mundur të përcillej simbolikisht mirë nga përshkrimi i një rapsodi me çifteli: e lash borë, e gjeta dimën.