Liderët e nismës së “Ballkanit të Hapur” po e promovojnë këtë nismë, e përmes saj edhe veten. Deri tash kryesisht po marrin mbështetje, më shumë personale sesa institucionale dhe shtetërore nga jashtë. E nga pjesëmarrësit në rajon ajo vazhdon të ketë anëtarë vetëm shtetet që nuk kanë pasur dhe nuk kanë probleme të hapura me Serbinë, e as nuk kanë qenë viktimë e agresionit të Serbisë
Kaloi dhe një takim i nivelit të lartë në Beograd i nismës së “Ballkanit të Hapur” e që nuk pati fare jehonë jashtë kufijve të rajonit. Mediat në Serbi pandërprerë transmetonin takimet, por edhe ndejat e organizuara në margjina të kësaj ngjarjeje, përfshirë edhe panairin e verërave. Dhe në rolin kryesor gjithmonë ishte presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ishte në rolin kryesor edhe kur testonte verën, edhe kur fliste për mungesën e rrymës, edhe kur i ftonte të tjerët që t’i bashkoheshin kësaj nisme. Të gjithë të tjerët në këtë nismë, së paku në mediat e Serbisë, ishin më shumë si statistë. Aty-këtu citoheshin nga mediat për t’i dhënë rëndësi Serbisë dhe liderit të saj Vuçiq.
Nga mysafirët e huaj në takim ishin kryesisht ata me të cilët Vuçiqi ka raporte aq të mira, saqë mund t’i ftojë që edhe t’i bëjnë shërbim personal. Ministri i Jashtëm i Hungarisë dhe ministri i Jashtëm i Turqisë. Ky i fundit nga një vend i cili jo vetëm se nuk i ka vendosur sanksione Rusisë, por edhe ka përfituar nga fakti se vazhdon tregtinë me këtë shtet sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Ministri i Hungarisë është një zëdhënës i madh brenda BE-së kundër sanksioneve të reja ndaj Rusisë dhe shteti i tij mban etiketën e “kalit të Trojës së Putinit në Evropë, krahas Serbisë”. Këtë takim përmes videolidhjes e përshëndeti edhe komisioneri i BE-së për Zgjerim, Oliver Verhelyi, për të cilin në qarqet e BE-së flitet se është “tepër mbështetës për Serbinë” dhe heziton ta kritikojë Serbinë edhe për refuzimin që të mbështesë sanksionet e BE-së ndaj Rusisë. Në këtë mënyrë edhe Verhelyi, thonë burimet në BE-së, më shumë vepron sipas instruksioneve të qeverisë së tij, asaj të Viktor Orbanit në Budapest, sesa që ndjek një linjë të përbashkët të BE-së. E BE-ja, siç e dimë, nuk ka akoma një linjë të vetme të qartë rreth nismës “Ballkani i Hapur”. Nuk e mbështet qartë, por heziton të shprehet kundër, sepse në parim mbështet çdo nismë që ka për qëllim rritjen e bashkëpunimit rajonal. Në takim ishte edhe kryeministri në largim i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, për të cilin gjithnjë e më shumë flitet se “i ka bërë një argat të madh Beogradit, Qeverisë së Serbisë dhe Kishës Ortodokse Serbe”, që në fund i kushtoi dhe me votim të mosbesimit në Mal të Zi. Nga Bosnjë-Hercegovina ishte kryesuesi i Këshillit të Ministrave, Zoran Tegeltija, por ai më shumë ishte si serb etnik, që mbështet Serbinë, sesa si përfaqësues i shtetit prej nga vjen. Sepse, përkundër mbështetjeve personale që Tegeltijas dhe Abazoviqit, edhe Mali i Zi, edhe Bosnjë-Hercegovina nuk duan të jenë pjesë e nismës “Ballkani i Hapur”. Në Kosovë, së paku nëse gjykojmë nga deklaratat publike, ka pothuajse konsensus që Kosova të mos jetë pjesë e kësaj nisme. E në Bosnjë-Hercegovinë nuk ka konsensus për asgjë, dhe si pasojë nuk është pjesë e kësaj nisme. Por ata që janë kundër, janë forcat kombëtare që e shohin këtë nismë si përpjekje për rritjen e ndikimit të Serbisë në rajon, e nuk kanë përvojë të mirë me përzierjen e Serbisë në këto shtete në të kaluarën.
Nismën e mbështeti edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Crhistopher Hill. Mbështetja amerikane për këtë nismë, për dallim nga BE-ja, ka qenë e qartë.
Por kjo nismë, përkundër përpjekjeve maksimale të nismëtarëve të saj, presidentit të Serbisë, Vuçiq, dhe kryeministrit të Shqipërisë, Rama, ka dështuar të jetë inkluzive dhe të përfshijë të gjitha gjashtë shtetet e rajonit. Për momentin, tri nga to nuk duan të jenë pjesë. E, nëse do të vijë momenti që të duan, atëherë nuk do të dihet se në cilën cilësi do t’u bashkohej Kosova, si shtet sovran, si pjesë e Serbisë apo si një “entitet pa status”. Sepse Serbia nuk jep shenja se do të mund ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe ta mirëpresë atë në nismat dhe organizatat rajonale e ndërkombëtare si partnere të barabartë, si shtet sovran.
Liderët e nismës së “Ballkanit të Hapur” po vazhdojnë ta promovojnë këtë nismë, e përmes saj edhe veten. Deri tash, kryesisht po marrin mbështetje më shumë personale sesa institucionale dhe shtetërore nga jashtë. E nga pjesëmarrësit në rajon ajo vazhdon të ketë anëtare vetëm shtetet, të cilat nuk kanë pasur dhe nuk kanë probleme të hapura me Serbinë, e as nuk kanë qenë viktima të agresionit të Serbisë.
Të tri shtetet dhe liderët e tyre kanë plotësisht të drejtë që ta promovojnë këtë ide. Kanë të drejtë edhe të takohen, të festojnë, të testojnë verëra dhe premtojnë rritje të shkëmbimit të mallit. Por aty ku e teprojnë është kur e paraqesin këtë nismë thuajse është një zgjidhje e vetme që do të parandalojë konfliktet në të ardhmen dhe t’i harrojë mospajtimet nga e kaluara.
Në këtë mënyrë liderët e treshesh së “Ballkanit të Hapur” e paraqesin veten sikur të ishin engjëj të paqes. Kjo nuk do të ishte problem për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Një politikan me përvojë artisti, i cili është kryeministër i një shteti të NATO-s, që mbështet 100 për qind qëndrimet e BE-së rreth agresionit të Rusisë në Ukrainë dhe shtet i cili nuk e ka sulmuar askënd. Por nuk është e lehtë për të tjerët në rajon, sidomos për shqiptarët e Kosovës, për boshnjakët myslimanë në Bosnjë-Hercegovinë dhe për kroatët që besojnë se Vuçiqi mund të jetë përçuesi kryesor i paqes në rajon, pa asnjë pendim për rolin e tij nga e kaluara dhe pa asnjë distancim nga politikat e Slobodan Milosheviqit, në qeverinë e të cilit kishte shërbyer. Është e drejtë e popullit të Serbisë që të zgjedhë liderët e vet, sikur secili popull tjetër. Dhe të tjerët duhet të besojnë në ta, sepse ata e përfaqësojnë Serbinë. Por kanë të drejtë që të kenë pak dinjitet dhe të mbajnë pak distancë personale nga personat, të cilët edhe sot mohojnë gjenocidin në Srebrenicë, mbajnë anën e Rusisë në agresionin ndaj Ukrainës, madje duke e krahasuar me ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë dhe thonë se “Milosheviqi ka qenë një lider i madh”.
Kuptohet edhe qëndrimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, por vetëm derisa ai të flasë si kryeministër i Shqipërisë. Nëse Rama flet në emër të shqiptarëve, e jo vetëm të Shqipërisë si shtet, atëherë i takon edhe atij obligimi që pandërprerë të flasë për krimet e regjimit të Milosheviqit ndaj shqiptarëve, dhe kjo nuk duhet asnjëherë të harrohet në emër të ndonjë “të ardhmeje të ndritur evropiane, në paqe dhe bashkëpunim në Ballkanin e Hapur pa kufij”.
Vuçiqi do t’i bënte më së shumti shërbim “Ballkanit të Hapur” nëse do të pranonte gabimet nga e kaluara dhe të distancohej nga politika e Milosheviqit e jo të nxisë mediat dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë të vazhdojnë një fushatë nxitjeje të urrejtjes ndaj shqiptarëve të Kosovës, kroatëve dhe boshnjakëve. Ndoshta është e vërtetë se Serbia dhe Shqipëria asnjëherë në histori nuk i kanë pasur raportet më të mira. Por është e vërtetë edhe se asnjëherë në njëzet vjet[t e fundit më shumë sesa tash Serbia nuk e ka kërcënuar Kosovën dhe mediat nuk kanë përdorur fjalor të urrejtjes ndaj Kosovës sesa tash. Ndoshta vetëm për Kroacinë dhe kroatët këto ditë në mediat e Serbisë ka më shumë shprehje urrejtjesh sesa për Kosovën. Dhe këtë e bëjnë bashkëpunëtorët më të ngushtë të Vuçiqit, kryeministrja Bërnabiq dhe ministri i Brendshëm, Vulin. Gjithsesi në Serbi ekziston një realitet tjetër në qasje ndaj rajonit dhe fqinjëve që ndryshon shumë nga ai që u pa në panairin e verës në Beograd.
Pra, Vuçiqi veten dhe Serbinë i portretizon si një “element paqeje, stabiliteti dhe bashkëpunimi në rajon” në kohën kur Kroacinë dhe Kosovën i qorton si “vende që rrezikojnë paqen dhe bashkëpunimin, sepse flasin për të kaluarën”.
Kroacia dhe Kosova kanë akoma më shumë se 1500 të pagjetur secila nga koha e luftës. Nuk mund të jenë naivë dhe të besojnë se vërtet Beogradi dëshiron “të shikojë nga e ardhmja e jo nga e kaluara”, përderisa në Serbi bëhen glorifikime të kriminelëve të luftës, relativizohen krimet dhe mohohet gjenocidi. Kjo në Serbi nuk bëhet nga individët, por është politikë zyrtare e shtetit.
Çështjet e pazgjidhura nga lufta janë aq të ndjeshme, saqë ato sot janë pengesë edhe në zhvillimin e raporteve normale mes Kroacisë dhe Serbisë, ani pse këto shtete, për dallim nga Kosova dhe Serbia, e kanë bërë njohjen e ndërsjellë. Sot në Serbi nga nivelet qeveritare e jo vetëm nga mediat shpallen pothuajse tradhtarë ata që shkojnë për pushime në bregdetin e Kroacisë. E në anën tjetër në mediat e Serbisë nuk mund të gjesh ndonjë fjalë të keqe për Shqipërinë.
Por ajo që pengon më së shumti realizimin e “Ballkanit të Hapur” është mosmbyllja e pretendimeve territoriale nga e kaluara. Pra, Serbia përderisa të mos e njohë Kosovën nuk mund ta luajë rolin e udhëheqësit të krijimit të një të ardhmeje të ndritshme evropiane në paqe.