OpEd

“Ballë për ballë me krerët e SHIK-ut”

Na ka bërë bashkë një libër krejt i veçantë i autorit Ramiz Krasniqi, avokat i njohur për konsekuencë, kurriz të drejtë dhe kod të qartë profesional.

Libri ka një titull fort domethënës: “Ballë për ballë me krerët e SHIK-ut” dhe nëntitull “Procesi politik ndaj dr. Sadri Ramabajës – fasadë legale e krimit”.

Pasi e lexova librin, ani se e njihja relativisht mirë dosjen tashmë të njohur “Syri i popullit“ që ai trajton, m’u ndërmend një këngë e moçme vajtimi për djalin plëngprishës që ishte vrarë për punë turpi. Kënga i ka dy vargje që trishtojnë

Shumë ma mirë mos t’ishe kanë

Se me t’pa kështu e zeza nanë!

Edhe ky libër do të ishte shumë më mirë të mos ishte, por me kusht që të mos kishte ndodhur kurrë maskarada gjyqësore e koduar “Shteti kundër ‘Syrit të Popullit’”, sepse gjërat që shpërfaqin fletët dhe përthekojnë kopertinat e këtij libri janë më shumë se të tmerrshme. Në të flitet me fakte të pathyeshme për gjëra konkrete e të frikshme, që asnjëri prej nesh nuk besoj t’i kemi imagjinuar se mund të ndodhin ndonjëherë në vendin tonë, kur kemi paguar një çmim aq të lartë për ta prekur lirinë me dorë.

E aq më tepër kur Serbia nuk është më këtu.

Në njërin prej romaneve të Travenit, personazhi kryesor, të cilin po e varnin në litar për rebelim, në çastet e fundit të jetës i drejtohet shokut që e priste po ashtu varja në litar:

“O sa do të dëshiroja ta jetoja vetëm një ditë i lirë. Të shtrihem në kokërr të shpinës dhe t’i vështroja hënën e yjet, t’ i mbush mushkëritë me aromë lirie dhe të më fluturojë shpirti si raketë gjithandej në gjithësi”.

Besoj se kështu, edhe shumë pjesëtarë të brezit tonë e kishin një dëshirë, një gjakim, të jetojnë të lirë, të merren me hallet e veta, t’i pushojnë gjymtyrët e dërrmuar nga prangat, dhe nëse shteti nuk mund t’i ndihmojë, të paktën t’i lërë të qetë në telashet e tyre… dhe nëse ata nuk kanë punë tjetër edhe le të shtrihen gjithashtu e për pikë të qejfit në kokërr të shpinës dhe të flasin me yjet…

Por kjo është e pamundur, sepse liria nuk do ta kishte këtë emër dhe këtë kuptim po të mos rrezikohej në vazhdimësi ashtu si edhe çdo gjë tjetër e shtrenjtë dhe e shenjtë. Ky libër, prandaj është një elegji për lirinë e shkelur, për abuzimin flagrant me ligjin dhe me Kushtetutën, për shpresat e vrara të disa brezave.

Për kapjen e shtetit nga vetja kriminale e psikopatë të rrezikshëm.

1.

Libri ka dy pjesë: në të parën analizën e gjatë të autorit për dosjen “Syri i Popullit”, ndërkaq në pjesën e dytë analiza dhe shkrime të autorëve të tjerë po për këtë dosje.

Autori, siç e dimë të gjithë, është avokat i dr. Sadri Ramabajës, në përballjen e tij të gjatë dhe akoma të papërfunduar me prokurorinë dhe gjyqësinë e Prontomafisë.

Ramiz Krasniqi, këtë libër fort mësimdhënës e demaskues e mbështet mbi 9 shtylla përmbajtjesore:

1. Procedura hetimore, gjegjësisht audiencat në Prokurori;

2. Komunikimi me organet e drejtësisë gjatë hetimeve;

3. Beteja e rëndë gjatë procesit gjyqësor maratonik;

4. Pledoaria në fund të gjykimit, përmes së cilës Ramiz Krasniqi kërkon nga trupi gjykues që aktgjykimet të shqiptohen “nga gjykatat, ku ka gjykatës e jo nga kabinetet ku ka politikanë…”

5. Mbrojtja e dr. Sadri Ramabajës, që është një ese brilante për abuzimin me drejtësinë, për shkeljet drastike të Kodit të Procedurës Penale dhe të Kushtetutës.

6. Ankesa në Gjykatën e Apelit, gjegjësisht rrëzimi i aktakuzës e i aktgjykimit përnjëherë bashkë me sajesën e shëmtuar “Syri i Popullit;

7. Shkresat e lëndës, apo aktvendimet dhe procesverbalet si dokumente plotësuese e sqaruese;

8. Dëshmitarët e shpifur e të mbrojtur, dhe

9. Dimensioni politik i dosjes “Syri i Popullit”

Nga libri del se e veçanta e hetimeve ishte:

- Pjesëmarrja në çdo seancë hetimore e dy policëve hetues: M. K. dhe B. S., të cilët në kundërshtim me çdo nen të Kodit të Procedurës Penale dhe me çdo praktikë juridiko-gjyqësore kudo në botë, ndihmonin dhe plotësonin prokurorin, merrnin shënime, shtronin pyetje dhe shihej se i referoheshin drejtpërdrejt producentit të dosjes “Syri i Popullit“, që njëherësh ishte edhe shef i shtetit me emrin Hashim Thaçi.

- Këmbëngulja e prokurorit që letrat pa zarf, që Murat Jashari ua kishte adresuar krerëve te Prontomafisë pesë vjet më parë, pra më 2012, t’ia vishte me çdo kusht Sadri Ramabajës, vetëm pse ky kishte redaktuar librin e Murat Jasharit “Lufta e pambaruar”;

- Përpjekja e prokurorit personal të Hashim Thaçit, me emrin Sylë Hoxha, që organizatën fiktive “Syri i Popullit”, e cila ishte stisur në zyrat e shefit të shtetit ta bënte me çdo kusht një fakt të kryer;

- Stisja e një aktakuze të pakuptimtë, cinike për nga synimet dhe krejtësisht bosh për nga përmbajtja;

Aktakuza, por edhe shkresat e lëndës, siç e thekson Ramiz Krasniqi në fillim të gjykimit, u ishte dhënë menjëherë mediave, ndërsa avokatëve dhe të akuzuarve deri edhe tri javë më vonë; Këso shkeljesh të ligjit mund të ndodhin vetëm në një shtet të kapur krejtësisht nga keqbërës të pandreqshëm.

2.

Procesi gjyqësor, një maskaradë e shëmtuar

- Sjellja skandaloze e kryetares së trupit gjykues, zonjës Jashanica. Servilizmi i saj përballë krerëve të SHIK-ut që përpiqeshin t’i shpartallonin viktimat e procesit me shpifje monstruoze e sjellje rrugaçesh në gjykatore;

- Dëshmitarët e fshehur që një takim të rëndomtë mes të njohurish në restorantin “Panorama” përpiqeshin ta kthenin në një takim komplotistësh të rrezikshëm;

- Parakalimi në gjykatore i shefave të Prontomafisë. Sjellja skandaloze e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, ndaj të akuzuarve, të cilëve u vërsulej edhe fizikisht;

- Imponimi i Hashim Thaçit që gjykimi të kthehej, me çdo kusht, në gjykim të mbyllur për publikun, në mënyrë që Kosova të mos e marrë vesh asnjëherë se prapa këtij procesi gjyqësor politik qëndronte vetë ai, shefi i shtetit, e i cili nga dëshmitar u kthye në kryeprokuror dhe këmbëngulte që aktakuza të zgjerohej dhe ajo të përfshinte shefin e opozitës Albin Kurti dhe zëvendësin e tij Glauk Konjufca. Me synimin që këtyre dhe të akuzuarit Sadri Ramabaja t’ua veshte fajet e veta të luftës, për të cilat dyshohej nga Gjykata Speciale. Konkretisht komunikatën numër 59 bashkë me listën që Hashim Thaçi vetë e me dorën e tij i kishte përpiluar në emër të UÇK-së e në të cilën shënjoheshin për ekzekutim Ibrahim Rugova, Ahmet Krasniqi, Enver Maloku dhe shumë të tjerë, ndërkohë që krejt Kosova ishte e përfshirë në flakët e luftës.

- Përgjigjja e Sadri Ramabajës ishte e thjeshtë dhe konkrete: Jo, kjo që po thoni ju është totalisht e pavërtetë, unë kurrë nuk kam përpiluar komunikata të tilla kundër UÇK-së, sikur që asnjëherë nuk kam qenë pjesë e këtyre trupave. E kuptoj se ky e ka një hall të madh për këto kumtesa …

- Në pyetjen e njërit prej avokatëve se kush janë themeluesit e “Syrit të Popullit”, Hashim Thaçi pa një, pa dy thotë se “…organet e sigurisë më kanë vënë në dijeni se themelues të kësaj organizate janë: Sadri Ramabaja, Albin Kurti dhe Glauk Konjufca”, faqe 89. Shtrohet pyetja meqë këta na qenkëshin themelues të organizatës klandestine “Syri i Popullit”, pse atëherë Sylë Hoxha, prokurori personal i Hashim Thaçit, na gënjente kur thoshte se kjo fantom organizate na qenkësh themeluar më 15 maj 2015 diku në shtetet perëndimore, përderisa këta, themeluesit e saj, që të tre jetonin dhe vazhdojnë të jetojnë në Kosovë?

- Në pyetjen e prokurorit: se “a ndiheni i dëmtuar dhe ai i bashkëngjiteni ndjekjes penale ndaj kryerësve nëse vërtetohet apo autorëve sipas kësaj aktakuze?“

- Hashim Thaçi, pa u skuq fare u përgjigj: “Unë e ndiej veten të dëmtuar dhe të kërcënuar së bashku me familjen time. Unë e bazoj dëshminë edhe në situatat e kaluara, sepse mendoj që këto kanë qenë të planifikuara më parë. Po ashtu, e mbështes ndjekjen penale dhe kërkoj dënim maksimal të këtyre njerëzve kërcënues dhe vrasës të Kosovës…”

- Gjatë gjykimit kishte edhe skena që i shohim vetëm nëpër filma: Kadri Veselit, vetëm pasi i sheh në bankën e zezë, i bie ndërmend për Behxhet Luzhën dhe shoqen e tij, Lirien. Këtu del në pah hipokrizia e papërshkrueshme e kreut të SHIK-ut: “A edhe ju jeni këtu zonja Lirie? Po a e di bre sa bukën e kemi ngrënë nga duart tuaja“?!

- Ndërsa ajo, nga banka e zezë i përgjigjet flakë për flakë këtij shkelësi të Kushtetutës: “Po bre, haram të koftë buka që ta kemi dhënë!”.

- Krahas hiçmoralit të shefave të Pronto-mafies, Ramiz Krasniqi, nxjerr në pah plot shkelje të Kodit të Procedurës Penale:

“Procesverbali nuk pasqyronte në tërësi dhe në mënyrë objektive atë që ishte thënë në seancat gjyqësore. Këtë, madje, nuk e kanë thënë as gazetarët, të cilët, pa përjashtim, janë treguar të pasinqertë me lexuesit dhe dëgjuesit e tyre, sepse nuk e kanë pasqyruar atë që e kanë parë dhe dëgjuar në këtë gjykim”…

Prandaj, në ankesën e tij, avokati Krasniqi konstatonte profesionalisht 9 shkelje absolute të Kodit të Procedurës Penale nga 14 që i sanksionon ky Kod.

- Se gjykimi ishte një farsë e dëshmon edhe profesori Mazllum Baraliu, që ishte ftuar si dëshmitar, sigurisht për ta impresionuar opinionin: “Dihet në teori e në praktikë po edhe në bazë të Ligjit të Procedurës Penale se dëshmia është mjet i të provuarit dhe unë as për veprën penale dhe as për elementet e veçoritë e saj të pretenduara dhe të inkriminuara ndaj subjekteve të kësaj akuze, dhe as njohuri direkte ose indirekte nuk kam për këtë rast, dhe mendoj se është rasti më absurd i thirrjes së një dëshmitari për të dëshmuar për gjëra, për të cilat nuk ka asnjë njohuri…“

Të gjitha këto, me detaje e argumente të pathyeshme, i nxjerr në pah në këtë libër dhe i bën të kuptueshme për të gjitha nivelet e lexuesve avokati Ramiz Krasniqi. Çka është fort me rëndësi, autori nuk nxjerr në pah vetëm anët e errëta të një sistemi drejtësie të kapur keq nga jeniçerët e Pronto-mafies, por edhe faktin se, ta zëmë, Gjykata e Apelit, pavarësisht presioneve, megjithatë ishte përpjekur që t’i hapë një udhë ligjore kësaj dosjeje të stisur gjyqësore, prapa së cilës qëndronte krejt kupola udhëheqëse e shtetit.

Duke lexuar librin “Ballë për ballë me krerët e SHIK-ut“, m’u kujtua pledoaria e avokatit Bajram Kelmendi, në procesin e Paraqinit, si dhe ankesa që ai ia kishte dërguar Gjykatës ushtarake të shkallës së dytë në Beograd. Që të dy këta avokatë, ani se në kohë të ndryshme, por duke pasur përballë organe keqdashëse të shtetit, dëshmojnë me fakte e argumente juridike të pathyeshme se, si njëri, si tjetri ishin procese gjyqësore të kurdisura pjesë për pjesë, e në të cilat organet e fuqishme të shtetit ishin vërsulur me egërsi diabolike mbi njerëz të pafajshëm e të pambrojtur, me qëllim që përmes inskenimesh kriminale të realizojnë synime të pista politike.

Ramiz Krasniqi me fakte e dokumenton se atentati kundër Azem Vllasit ishte një vrasje e paralajmëruar nga vetë shteti: Më 3 janar 2917, ishte mbajtur një tubim i zhurmshëm në fshatin Mazgit. Aty Murat Jashari në një delir të mirëfilltë paralajmëronte aksione hakmarrëse. Në tubim kishte pasur prezent edhe njerëz të AKI-së, prandaj më 24 shkurt 2017, policia kishte ushtruar kallëzim penal për vepër penale “Vrasje e përfaqësuesve të shtetit”, neni 126 lidhur me nenin 34 të KP-së, ndërkaq më 1 mars 2017, prokurori Sylë Hoxha kishte nxjerrë aktvendimin për fillimin e hetimeve lidhur me organizatën fiktive “Syri i popullit“, në të cilën Murat Jashari kishte rol me rëndësi.

Më 6 mars 2017, pra një jave para se ta kryente atentatin, Murat Jashari vjen legalisht në Kosovë pa e shqetësuar njeri i gjallë. Duhet të jesh budalla me brirë për të besuar se ai nuk është përcjellë në vazhdimësi nga organet e sigurisë prej që kishte hyrë në Kosovë dhe gjithandej kah kishte shkuar.

Nuk është aspak e rastit, prandaj pse policisë i ra ndërmend ta priste Murat Jasharin te Hoteli në Veternik, por vetëm pasi ai kishte zbrazur marrëzisht plumbat në trupin e një qytetari të pafajshëm.

Për Dosjen “Syri i Popullit”, sigurisht se do të shkruhen edhe libra të tjerë dhe meritueshëm, sepse kjo dosje e ka shënjuar Kosovën përgjithmonë duke vënë në bankë të zezë një sistem drejtësie të kapur nga kriminelë që kishin zaptuar krejt shtetin...

Në libër, për herë të parë lexuesi do ta gjejë të plotë edhe “Programin” e “Syrit të Popullit”, faqe 223. Është fjala për një shkarravinë skizofrenike, me kërkesa politike e strukturë organizative qesharake. Nuk është çudi që pikërisht këtu “ushqeheshin“ kumtesa e lista që vazhdonin të publikoheshin e plotësoheshin në mediat e regjimit edhe një vit pas arrestimeve. Ato, ashiqare, sajoheshin në zyrat e institucioneve qendrore të vendit në përputhje me nevojat imediate të Policisë dhe të Prokurorisë.

Se kumtesat dhe listat ishin sajuar nëpër zyrat e shtetit e dëshmoi edhe Murat Jashari kur deklaroi para trupit gjykues: “…kërkoj nga ju gjyqtarë që ta pyesni Prokurorinë se pse e kanë futur në listë edhe Fahri Musliun, i kanë fryrë listat e mia (duke i futur në listë) Albulena Haxhiun, Berat Buzhalën, Halil Matoshin, Fatmir Limajn… për çka me i ftu këta kur nuk kanë qenë në listën që unë e kam formuluar në vitin 2015… në listë thanë ka qenë edhe Ibrahim Rugova, e qysh e di unë ai ka vdekur më 21 janar të vitit 2006, e unë listën e kam bërë në vitin 2015.“

3.

Në libër një vend me rëndësi zë edhe fjala mbrojtëse e profesor Ramabajës, Drajfusit aktual të Kosovës, të cilin Pronto-mafia përpiqej me çdo kusht ta gozhdonte në kryqin e saj.

Në një klimë presioni të jashtëzakonshme, ku mediat e regjimit akuzonin viktimat e procesit gjyqësor, edhe më keq se vetë prokurori, ku mjerisht edhe media e gazetarë seriozë, megjithatë nuk kishin guximin të demaskonin këtë maskaradë gjyqësore, Sadri Ramabaja dhe mbrojtësi i tij, ani se krejtësisht të vetmuar, arritën ta thyejnë aktgjykimin e padrejtë dhe të dëshmojnë me fakte se:

a. Sadri Ramabaja nuk ishte autor i letrave pa zarf, të cilat Murat Jashari, në verë të vitit 2012, ua kishte dërguar krerëve të Pronto-mafies. Nga shkresat e lëndës del qartë se Ramabaja nuk ishte takuar me Murat Jasharin mbi 20 vjet, dhe se ai 6 muaj rresht nuk kishte pranuar ta redaktonte librin “Lufta e pambaruar” të Murat Jasharit, e i cili përmbante letrat publike drejtuar Hashim Thaçit, Xhavit Halitit, Azem Sylës, Fatmir Limajt etj.

b. Një ish-funksionar i lartë i Policisë së Kosovës kishte deklaruar se, Murat Jashari, dy ditë para atentatit, pra që me datën 11 mars 2017 i kishte shkuar Azem Vllasit te dera, por si duket ai nuk kishte qenë aty, prandaj edhe teza se gjoja Sadri Ramabaja ia kishte dhënë atentatorit adresën e Azem Vllasit në restorantin “Panorama”, bie poshtë…

c. Ky ishte një proces gjyqësor i kurdisur fillim e mbarim e me synime të errëta politike dhe se Murat Jashari, duke qenë i sëmurë rëndë, ishte manipuluar nga segmente të SHIK-ut, madje dy prej tyre diplomatë, të cilët kishin kapur shtetin për fyti dhe kishin nxitur një person të sëmurë rëndë ta vriste Azem Vllasin me qëllim që të arriheshin këto objektiva të Pronto-mafies:

- T’i hakmerreshin Murat Jasharit për letrat e tij të famshme, përmes së cilave ai, ndër të tjera, kishte nxjerrë në pah ekzekutimin mizor të Behadin Allaqit;

- T’ia vishnin Sadri Ramabajës komunikatat, si ajo me numër 59, që ishin bërë objekt serioz i Gjykatës Speciale, dhe

- Duke u përpjekur që organizatën fantome “Syri i Popullit” ta paraqesin si krah i armatosur i Lëvizjes Vetëvendosje, ta ndalojnë me ligj VV-në, partinë më të madhe politike në Kosovë.

Mirëpo, falë mbrojtjes profesionale të avokatit Ramiz Krasniqi etj., falë argumenteve të pathyeshme të Sadri Ramabajës, falë ndryshimeve të domosdoshme politike që ndodhën së fundi, procesi i koduar “Shteti kundër Syrit të Popullit”, dështoi me turp dhe në të gjitha rrafshet; në rrafshin juridik, në rrafshin moral dhe në rrafshin politik.

Ndërkaq maskarada e gjyqnajës me objekt “Syri i Popullit“ mund të vazhdojë, por dështimi i saj i plotë e me turp është i pashmangshëm.

Ky proces gjyqësor politik dhe protagonistët e tij do të mbeten në histori, në vetëdijen dhe në kujtesën e shqiptarëve ashtu siç mbeten Procesi i Prizrenit i vitit 1957, Procesi kundër Adem Demaçit, i vitit 1976 dhe procesi gjyqësor i Paraqinit, i vitit 1987…

4.

Për ata që nuk janë të informuar, një përkujtim faktesh:

Dosja që trajton avokati Ramiz Krasniqi në librin e tij “Ballë për ballë me krerët e ShIK-ut“ nuk e ka gjenezën në vitin 2015, siç gënjen prokurori dështak Sylë Hoxha, por në një ditë korriku të vitit të kahershëm 1998:

“Isha me kamionin plot duke u kthyer nga Lichtenstein për në banesë Murg/SG, fshat i vogël buzë liqenit të bukur Valense. Në rrugë e sipër m’u lajmërua vëllai im Ismet Jashari, – tani luftëtarët e lirisë, (bashkëluftëtarët dhe populli e kishin pagëzuar me pseudonimin “Komandant Kumanova).

– E ndala kamionin në një skaj rruge dhe po bisedonim të qetë, pa rreziqe nga ndonjë incident. Duke respektuar rregullat ushtarake, tim vëlla kurrë nuk e kam pyetur se në cilën zonë je dhe çfarë numri të mobilit ke.

Si zakonisht e prisja që ai të fliste më shumë.

Dhe, gjatë bisedës po më thotë:

‘Na i kanë pru këtu në Kleçkë dy veta, i kemi në burg. Kishin qenë udhëheqës të Lëvizjes dhe na kanë thënë se janë spiunë’!…

Unë e pyeta: Si i kishin emrat?

Behadin Allaqi dhe Shaban Shala.

Unë, fillova ta përdorja memorien, – meqenëse isha shumë i lodhur, dhe më erdhi shpejt një mendim, ndoshta edhe jo më i miri, megjithatë, i fola:

‘Nuk e di gagës se si është organizimi momental tek ju, por mos zbato asnjë urdhër sa u takon atyre dy vetave. Le të merren atë ma të “mëdhenjtë” me ta. Ky emër Behajdin pak më është i njohur, nuk e di nga po më vjen, se nga kam dëgjuar, kurse për atë tjetrin nuk paskam dëgjuar’.

– E kreva bisedën me tim vëlla dhe menjëherë iu lajmërova Zekës (Xhavit Halitit). Zeka më tha se është i informuar për këtë punë...”

Pjesë nga kujtimet e Murat Jasharit të publikuara në vitin 2012.

Tashmë dihet publikisht se Behadin Allaçi ishte njëri prej prijësve të LPK-së në Kosovë. Në një mbledhje të LPK-së, të mbajtur në Kollare të Maqedonisë, në vitin 1993, Behadin Allaçi kundërshton platformën dogmatike të Hashim Thaçit dhe përpjekjet e tij për të uzurpuar postin udhëheqës në organizatë.

15 vjet më vonë, në rrethana lufte, me urdhër të Hashim Thaçit arrestohet Behadin Allaçi dhe prej asaj dite nuk dihet më asgjë as për fatin e as për vendvarrimin e tij.

Shumë burime e pohojnë se Gjykata Speciale dyshon se Behadin Allaçi dhe Shaban Shala janë ekzekutuar me urdhër të Hashim Thaçit.

Pikërisht ky krim i rëndë u bë shkas për letrat e Murat Jasharit e, sipas të gjitha gjasave, edhe për sëmundjen e tij.

Nuk ka asnjë dilemë se edhe dosja e kurdisur “Syri i Popullit” burimin e ka te ekzekutimi mizor i Behadin Allaçit dhe Shaban Shalës. Fjala është për një përpjekje të dështuar e të turpshme për t’u fshehur ky krim i rëndë e i pafalshëm.

Përfundim

Ne shqiptarët jemi të njohur gjithandej se nuk ulemi asnjëherë për të analizuar cilëndo fazë të rrugëtimit tonë nëpër histori. Dhe pikërisht ky fakt i dallon popujt e vonuar nga popujt e përparuar.

Nga ky këndvështrim më duket si detyrë mbi detyrat që institucionet e Kosovës përmes ekipesh të ekspertëve eminentë, përfshirë edhe ekspertë të huaj, t’i hyjnë analizimit themeltar të të dy dosjeve penale që kanë tronditur opinionin në Kosovën e pasluftës:

Zbardhja deri në detaje e vrasjes mizore të Astrit Deharit dhe nxjerrja e kriminelëve para drejtësisë;

Zbardhja me çdo kusht dhe me çdo çmim e dosjes “Syri i Popullit“ dhe nxjerrja para drejtësisë e të gjithë personave që janë të implikuar në këtë dosje të turpshme; ndërkaq viktimave të procesit të shpifur gjyqësor t’u dëmshpërblehen vuajtjet nëpër burgje dhe dinjiteti i cenuar nga zaptuesit e shtetit dhe jeniçerët e tyre.

Kam bindjen se libri “Ballë për ballë me krerët e ShIK-ut“ i avokatit Ramiz Krasniqi është një kontribut madhor në këtë drejtim.

(Fjala në promovimin e librit të avokatit Ramiz Krasniqi)