OpEd

Babadimri në distancë shoqërore

Lexues të nderuar, ashtu siç mund ta dini çdo fundvit, Ditari im përfundon me figurën e Babadimrit dhe dhuratat e tij për fundvit.

Po ua shkruaj letrën të cilën e pranova personalisht nga Babadimri me lutjen që ta publikoja në Ditarin tim.

I nderuari ekselencë, ambasador i Republikës së Kosovës në “Facebook”.

Po ua shkruaj këtë letër me zemër të thyer pasi që OBSH-ja me rekomandimet e saj më pamundësoi që edhe sivjet dhuratat t’i sjell personalisht. Duke marrë parasysh se sa shtete i vizitoj para festave të fundvitit e me gjithë ato shpenzime për PCR testet në hyrje-daljet nga secili shtet nuk e paguante barra qiranë që t’i hyja asaj pune.

Por, atë që mund ta bëj duke e shfrytëzuar edhe autoritetin tuaj të respektueshëm ishte që t'ua publikoja plotësimin e dëshirave me shkrim të cilat i kam pranuar prej fëmijëve të mi më të dashur në mbarë globin.

1. I dashuri Ramush Haradinaj,

Letrën tuaj për plotësimin e dëshirave tuaja për këtë fundvit e lexova me shumë kujdes. E kuptova se "AJO" nuk kishte performuar bash në sallën kryesore të Royal Albert Hall, por nga njëra nga sallat ndihmëse. Dëshirën tënde që ti të interpretosh në sallën kryesore dhe të jesh shqiptari i parë, i cili ka performuar aty ndonjëherë, më vjen keq që nuk do të kem mundësi që ta plotësoj, jo pse ti nuk këndon bukur, por aty nuk po lejojnë me qitë alltia e as kallasha se e kishin tavanin e shtrenjtë, nuk ish plloçë po krejt knauff i punuar.

Në pamundësi që ta plotësoj këtë dëshirë, sivjet do ta kompensoj me një tjetër. Para nja dy muajsh këtu në një pyll të Laplandit e takova një kaproll po disi ishte i n'hallshëm, i paushqyer mirë, i ligë për nga shëndeti. E pyeta

He more jahu ç'është kjo puna jote kështu?

Jam prej Gllogjani më tha. Kam marrë rrugë të gjatë për me të taku ty edhe me të shërby ty o Babadimër.

Hajri e daftë. Ku është ky Gllogjani?

Është fshati me tokat e babs të Ramushit.

I nderuari Ramush. Në pamundësi që sivjet të vij me kaprojtë e mi e edhe me kaprollin e Gllogjanit, unë kam vendosur që për sa të ketë ymër ky kaproll edhe kudo që ai e markon territorin edhe e zverdh borën, ty si merakli të tokave, ato toka të Laplandit tonat me i qitë mbi ty. Shpresoj se ma bon hallall.

2. I nderuari Fatmir Limaj,

Dëshirën tënde që disiplinën e kapërcimit të pragjeve zgjedhore të hiqet nga sporti zgjedhor, fatkeqësisht nuk mundem me ta plotësu, jo për diçka po skam qejf me u përzi në politikë. Mirëpo, miqtë e tu më kanë thënë se je merakli i bojlerave (kaldajave). Do ta dërgoj bojlerin më të ri, i cili është konform rregullave të Qeverisë për kursimin e energjisë elektrike dhe i cili vjen me një thupër ekstra të qëndrueshme bambusi. Mund ta rrahësh me thupër derisa të vaket uji. Me i sjell ma fort dro që edhe pare qet.

3. I respektuari Behxhet Pacolli,

Letrën tuaj me dëshirat e tua për Vitin e Ri e lexova me shumë vëmendje. Më pikuan ca lot në faqe dhe nga e gjithë bamirësia jote unë i kisha nja tri dëshira që me mi plotësu ti mua.

Më janë plakur eshtrat dhe po qe se hapen kufijtë vitin tjetër, këta eshtrat e mi të vjetër nuk e di se a do të përballojnë udhëtimin e gjatë me saja e me kaproj. Sikur të ma dhuroje fluturaken tënde kurrë nuk ta kisha harru atë të mirë. Gjithsesi këtë të mirë ta kisha kthyer, duke lobuar për ty anembanë globit. Desha me thënë kisha lobu për Kosovën edhe atë pa fusnotë.

Nëse e ke përfaqësuesin e “Mabetexit” në Finlandë ta kisha rekomanduar për ta pranuar në punë një mbesë timen, të kualifikuar edhe dëshira ime e tretë është që vetëm njëherë me ma dhënë dorën ashtu qysh u solidarizove me kërkesën dhe dëshirën e tij dhe ia zgjate dorën presidentit Trump.

4. I nderuari kryeministër Albin Kurti,

Dëshirat tuaja modeste i lexova me shumë ëndje. Mirëpo, disa nga ato i tejkalojnë kompetencat e mia të Babadimrit dhe më duhet me i prezentu në Sindikatën e Pavarur të Babadimrave.

E di që fjala sindikatë nuk është nga fjalët më të preferuara tuaja kohën e fundit, po çka me bo kështu funksionon sistemi. Mirëpo, po ta dho besën që Sindikata e Pavarur e Babadimrave jo vetëm që na i ka siguruar sapunët, por na i ka siguruar edhe dezinfektuesit për duar me aromë limon çiçeğim. Kështu që unë plotësoj dëshira me duar të pastra.

Albin më kërkove më shumë erë për mullinjtë e erës për prodhimin e energjisë elektrike në Republikën e Kosovës. Dëshira më se e qëlluar, e sinqertë dhe dashamirëse. Mirëpo, hezitoj për ta plotësuar atë, sepse do t’i nxjerrësh vetes telashe me Sindikatën e Pavarur të Botoxxave, Sindikata e Flokëve të Mbjella dhe Sindikata e Dhëmbëve të Zircon-it. Të gjithë atyre që ishin ankuar se fryma ua fluturisë bottoxat, flokët e edhe dhëmbët, sepse ato nuk i përmbushin kriteret aerodinamike.

Albin e kuptoj se ti po ngul këmbë që palës serbe në bisedime mos me ua dhuru Zajednicën. Por, kjo zajednica të ka mbetur në duar si këmbët e arushës nga pararendësit e tu.

Jo nuk muj me e dhezë luftën në Ukrainë për me e tërheq vëmendjen ndërkombëtare prej Asociacionit edhe nemelazëm dej ata djem e çika të bukura të FSK-së me i çu në një luftë që send s’ju hynë në rrugë. Amerikën mundesh ndoshta me e bo “për veti” edhe ndryshe. Provo bëre një këngë me Bill Clintonin, ku ai do t’i binte saksofonit, ti daulleve e edhe Skënder Hyseni diplomati me renome i respektuar në Amerikë, kishte mujtë me ia kris ndonjë gazeli me harmonikë. Për vokalistë ke zgjedhje midis Ramush Haradinajt edhe Shpend Ahmetit, tash i papunë. Vallen me mindil kishte mujtë me e udhëheq Arben Vitija ose Driton Selmanaj, si të kishe preferuar ti.

5. I nderuari staf punonjës në PSD (Dardan, Nol, Zgjim, Natyra dhe Teutë)

E lexova edhe letrën tuaj për dëshirat e fundvitit. Ashtu qysh ia kam shpjeguar edhe Fatmir Limajt unë nuk dëshiroj që të përzihem në politikë, prandaj nuk mund ta rrëzoj Albin Kurtin me qeverinë e tij nga qeverisja.

Mirëpo, në mënyrë që të mos e lë pa dhurata, këtu po ua përpiloj listën time të dhuratave të cilat do t'ju hyjnë mjaft në punë në vitin që po vjen.

  • 20 spreja me ngjyra të kuqe, të zezë dhe pembeli (nga 4 për anëtar të partisë)
  • 100 m² hamer të bardhë (nga 20m² për anëtar të partisë)
  • 50 fllomastera të kuq, të zi dhe pembeli (nga 10 copë për anëtar të partisë)
  • 5 filikaça (1 për secilin anëtar)
  • 150 metra llajsne druri për pankarta (nga 30m për anëtar)
  • 1 megafon për kryetarin e partisë.

6. I nderuari ambasador i Republikës së Kosovës në “Facebook”

Edhe përkundër faktit se nga modestia juaj asnjëherë nuk më kërkuat që t'ua plotësoj ndonjë dëshirë tuajën, unë me vetiniciativën time kam vendosur që sivjet t'ua dhuroj postin e ambasadorit edhe në “Instagram” (mirë po u bohke aty) edhe me ju nominu për “Big Brother VIP” se ashtu kështu kolumnet tuaja kush s’po i lexon e biles ta shohin surratin në “Big Brother VIP” se atë emision nuk e huq asnjë familje shqiptare.

* Falas