OpEd

Babadimri, bilbili, BB dhe xhebraili

Veç kur ta shihni veten si tash e një vit më vonë, me të njëjtat dëshira në pritje, gjersa ju nuk keni lëvizur fare nga jeta dhe divani, duke përcjellë dy big brothera njëkohësisht, duke dhënë mend që nuk ua kërkon askush, duke u ankuar në Kosovën e shkretë dhe duke pritur se vitin tjetër do të bëhet mirë

Përfundoi edhe ky vit, i cili nuk na solli asgjë të re, pos reprizave jetësore të përditshme. Të gjithë jemi si aktorë në një reality show të madh, me histeri e letargji kolektive, me një palë mend që nuk evoluojnë dhe përsëritemi si dramë sapuni, duke ia nxirë jetën pjesës normale të botës.

Babadimri i bullizuar

Megjithatë, kjo pjesë e vitit, disi e ka edhe lezetin e vet: Jo drita festive, xhingla e mingla, babadimra me syze dielli e njerëz që vrapojnë e furnizohen me ushqime, a thua se po vjen sërish Covid 3 ose po ngjan apokalipsi përfundimtar.

Si me një farë rregulli universal, fillojnë e rriten ( lexo - katapultohen) çmimet nëpër markete e shitore të tjera, gjithmonë të maskuara me “oferta zbritjesh” e reklama të tjera me bredha e babadimra. Sa mirë. Një mundësi fantastike për të zbrazur depot me produkte të skaduara një shekull më parë. Me rendësi zbritje ka vërtet. Nëse ju duket mishi i 2 eurove që nuk ka shije, kjo s’do të thotë se ai ka ardhur i ngrirë-shkrirë nga Brazili. Më e besueshme është se jeni me pasoja Covidi.

Shiten pa kontroll petardë e fishekzjarrë, që blihen zakonisht nga fëmijët. Kush po mërzitet për duar të djegura, sy të verbuar e plumba qorrë. Hajt se ne jemi mësuar me krisma, na e do lukthi, që thonë. Nuk bahet nami.

Nëpër kanalet televizive shohim gjallesa si “këngëtarë të njohur” për të cilët nuk kemi dëgjuar deri tash asnjëherë. Njerëzit po bëhen VIP veç me një numër përcjellësish e pëlqimesh në fb e Instagram, bile po quhen “ Influencer”! Shih pashë Zotin! Po të mos e njihja anglishten, do të më tingëllonte si “badihavxhi” ose “ shitës mjegulle” kështu diçka. Qofsha gabim. Apo vdeksha në lloç më mirë.

E si risi, në vend të serialeve spanjolle, kemi Big brother. Një projekt i cili promovon dembelinë njerëzore, intrigat e stërkambcat, dashuritë me lot e shumë e shumë “demokraci” të tjera, për të cilat duhet ta kafshojmë gjuhën dhe pickojmë gishtat para se të shkruajmë a flasim , meqë saora vjen milicia e bullizmit, seksizmit, racizmit e çfarë jo“ izmit” tjetër .Sepse ne jemi krejt në rregull me spote muzikore e filma +18 në pikë të ditës, jemi në rregull me bullizëm në Parlament, rrugë, shkollë e facebook. Që me njëfarë mënyre edhe po i shohim si të njëjtën gjë, dreqi e marrtë. Pse çfarë dallon përshembull Parlamenti prej një klase nxënësish të trazuar? Shumica janë jo aktivë si nxënësit e dobët, të tjerët shtyhen jo unë më i mire, jo ti më i keq, jo partia jote, jo baba yt, jo ti nuk ke luftu, jo baba yt ka punu këtu, jo ti s’paske lidhje, ti e trashë, ti e hollë. Plus pastaj gjuhen me ujë e papuçe, tym e këpucë, ndonjë shkon e i kërcënohet dikujt dhe krejt bashkë, duken si një turmë e nxënësve adoleshentë që nuk arrijnë t’i kontrollojnë hormone në zhvillim.. Në anën tjetër, edhe ky bullizmi e seksizmi u bënë bajat , sidomos kur çajnë dërrasa “ feministet “që në vend të mbrojtjes së të drejtave femërore, e kanë parësor sulmin ndaj secilit mashkull. Nuk do dhe shumë kohë e do të kemi kërkesa për mamadimër, babadimër homoseksual, babadimër drag queen, babadimër transgjinor ose ende më zi: babadimrin do ta quajnë shembull të keq obeziteti, pastaj të tjerët do të vihen në kundërsulm me kartën e bullizmit dhe krejt në fund, babadimri do të ulet në gjykatë. Qysh pse? Një plakaruq që e mban në prehër një fëmijë dhe e pyet për dëshira, po më pyete mua zemër, i bie pedofil me diplomë!

Xhebraili si në bisedime Brukseli

E nejse. Ka edhe prej tyre që Vitin e Ri e presin të jetë apokaliptik. Jo lufta e tretë botërore, mungesë uji e nafte, epidemi e shpërthime të tjera, pas të cilave, njerëzit, me natyrën e tyre instiktive, do të vriten mes vete, do të vjedhin kah të munden, vendi do të shkatërrohet e rrënohet, të fortët do të mbijetojnë të tjerët do të vdesin për bukë. Që me një fjalë popullorçe i bie si dita e kiametit.

Aman more njerëz, po çfarë kiameti, çfarë hamami!. Po çfarë apokalipsi i dreqit mund të na frikësojë kur krejt këto parashikime të frikshme, për ne janë jetë e përditshme? Kush mund ta frikësojë një popull, që kiametin e ka në tavolinë si kafshatë dhe e përtyp e ripërtyp lezet se e njeh. Ruana Zot të kërkojë ndryshime ky milet! Kujt i duhen ato. Kush merret mandej me punë e përgjegjësi, kontroll e mençuri. Lëre bre, boll mire jemi.

Çka po më gëzon shumë janë filmat e gëzueshëm për Kërshëndella. Zakonisht tema e tyre, pos romancave klishe, është se personazhi kryesor me zemër të keqe vdes në aksident. Pastaj i jepet mundësia që të kthehet në jetë dhe të përmirësojë gabimet. Awww! Sa lezetshëm! Paramendo sa politikani e sa njeri i korruptuar deri në fyt, do të shembej si domate e kalbur natën e Kërshëndellave! Dhe pastaj do të ringjallej për të vepruar njësoj përsëri! Dhe përsëri e përsëri! Se shqiptari nuk ndryshon aq kollaj. Do të lodhej edhe ai Xhebraili prej tyre, shko e kthehu andej e këndej botës sikur t’ishin bisedime me Serbinë në Bruksel. E ajo nuk merr vesh dhe vazhdimisht prodhon më shumë dramë se bukë. Tepër i lodht’ edhe ky Vuçiqi. Shumë më simpatik ishte kur e dërgoi atë trenin me do priftërinj e zile, ikona e fenera, së paku na bëri me qeshë si palaço që është. Bile ca tringëllima e sirena tringi, cing, ving Serbia-marketing!

Bilbilushi i Xhakës

Ky vit që shkoi do të mbahet mend edhe për kampionatin botëror të futbollit. Lojëra fantastike, befasi të shumta e qebesa edhe festime të çuditshme e kacafytje të pakuptimta Të mësuar tashmë, që të krekosemi me pendla të huaja, na rrahën zemrat kuq e zi për lojtarët shqiptarë, që përfaqësonin Zvicrën. Kështu e kishte perceptuar edhe ekipi i Serbisë, të cilët pos “ në mbrojtje të religjionit ortodoks” kishin shkuar edhe për ta plandosur lojtarin shqiptar përtokë. Por shih tash, në vend të referit, Xhaka i bie “ bilbilit” dhe kjo u pa nga bota si më e dënueshme, se sa ngufatja e tij me duar nga lojtari serb.

Sido që të jetë, zëri i këtij “ bilbili” u dëgjua larg, u bënë debate e kërcënime, lëvdata e viktimizime, u ngrit mileti me trimëri e pallavra facebooku, ngaqë tymi i bilbilushit, dukej shumë më i “kapshëm” se sa ai p.sh. në Mitrovicë. Veç edhe me e pasë Kosovën si ekip në kampionat, nuk ishte ngrënë prej së ëmbli. Sa tifozi do të merrte rrugë për në Katar a ku dreqi tjetër. Vërtet nuk kemi viza ende, por kujt po ia ndien. Kurrgjë nuk është. Shkon pret para ambasadave nja dy javë, nënçmohesh nga turli hamaku që punon aty dhe woala, e merr vizën dhe ia ther. Secilin stadium në botë do ta emërtonim “Stadiumi i Kombit’ dhe do të ulërinim “ O sa mirë me qenë shqiptar”! Shyqyr që askush nuk po na pyet pse është mirë të jesh shqiptar. Për çka vërtet jemi të njohur ne shqiptarët? Nuk po bëj pyetje më shumë se akuzohem për shqiptarofob. Pa lëre kur do të ushtonte stadiumi me “ Xhamadanin vija vija” dhe “ Jo nuk ndahet Mitrovica”, sa tupani, sa surla si vuvuzelë shqiptare, do të kallej dynjaja!

Por…

Kështu është kur andrron syçelë. Por, ju kapni lapsin. Bëni lista për sivjet: Do të kryeni kaq e kaq punë, do t’i përfundoni këto e këto plane, do ti hiqni njëzet kilogramë, do ta vizitoni mjekun, do të ecni 5 kilometra në ditë ,do t’i shtrini rrudhat me botoks, do të bëni depilim laserik dhe më në fund, do të lexoni atë librin që ju rri afër shtratit qe shtatë vite pa hapur..

E veç kur ta shihni veten si tash e një vit më vonë, me të njëjtat dëshira në pritje, gjersa ju nuk keni lëvizur fare nga jeta dhe divani, duke përcjellë dy big brothera njëkohësisht, duke dhënë mend që nuk ua kërkon askush, duke u ankuar në Kosovën e shkretë dhe duke pritur se vitin tjetër do të bëhet mirë.

Mirë do të bëhet, sepse ndryshon çdo gjë, pos mendve e viteve tuaja që nuk kthehen më.