OpEd

Autoritarizmi postkomunist ballkanik

Tri dekada pas rënies së Murit të Berlinit, entuziazmi fillestar postkomunist tashmë është zbehur. Sidomos në Ballkan, ku komunizmin e zëvendësoi autoritarizmi.

Fillimi i nëntorit do të shënojë tri dekada nga rënia e Murit të Berlinit, të perdes së hekurt dhe të komunizmit. Entuziazmi fillestar postkomunist më vonë filloi të zbehet. 

Sidomos në Ballkan, ku komunizmin e zëvendësoi autoritarizmi. Pronën shtetërore, prona e shtetarëve; “shuarjen e shtetit”, forcimi i tij. Pas komunizmit, nga shteti i një partie, fituam shtetin e një personi. 

Nga shteti komunist, shtetin privat. Komunizmi u pasua nga kazinokapitalizmi. Ndodhi latinoamerikanizimi i Ballkanit. Shefave të shteteve ballkanike do t’ua kishin zili edhe mbretërit. Nga shteti i drejtuar nga politbyroja partiake, sot ato drejtohen nga mafitë oligarkiake. 

Atëherë sundonin komisarët partiakë, sot tajkunët jopartiakë. I ashtuquajturi privatizim i bëri ish-shefat komunist, pasanikë postkomunistë. Atëherë shteti sundohej nga partia, sot nga individi i quajtur president e kryeministër. Tre prej tyre hynë në burg, të tjerët hynë në dekadën e tretë të sundimit. Atëherë kishim demokraturë, sot demokraci-fasadë.

 Atëherë patëm “demokraci” të imponuar, sot demokraci të dozuar. Vërtet atëherë nuk kishte zgjedhje të lira, por ama as zgjedhje të fryra, me kuti të mbushura. E sot, sikur atëherë listën zgjedhore e cakton partia; atëherë xhaxhi, sot “lideri”. 

Atëherë populli nuk zgjidhte, por as sot. Edhe sot, ai vetëm voton e nuk zgjedh. Populli u bë makinë votuese për legjitimimin e “menagjuesve” të buxhetit shtetëror. 

Fundja, vota e tij edhe nuk e formon qeverinë, por “ca interesa më të lartë”. Ndërkombëtarët i tregojnë popullit se kush duhet të qeverisë - “për hir të stabilitetit”. Pastaj populli sundohet nga qeveritarët e tillë - e jo nga ligji. 

Shkelësit e ligjit pastaj bëhen bashkëbisedues zyrtarë të ndërkombëtarëve. Kjo votë e popullit nuk u përcoll me llogaridhënie. Populli vazhdonte t’i paguante tatimet për buxhetin, pa u njoftuar se si e për çka ai shpenzohej. 

Zgjedhjet në Ballkan nuk bëheshin për ndryshimet shoqërore, por për ndryshimet pasurore të fituesve elektoralë. One in all: kush i fitonte zgjedhjet, e fitonte buxhetin. Prandaj Ballkani mbeti rajon i popullit të varfër, me shtetarë të pasur. I popullit, që i besoi tash tri dekada broçkullave për sundimin e ligjit. Përrallave për gjykata të pavarura, por me gjykatës të varur dhe me prokurorë politikë. Është rajoni ku të jesh i korruptuar është avantazh, e ta luftosh atë - disavantazh. 

Ku dënohesh për mitë, por jo për zhvatje. Shkon në burg për ryshfet, por jo për korrupsion institucional. Ku, në emër të “interesit kombëtar” nacionalistët komercialë dhe patriotët tenderikë zhvatën paranë publike. Në Ballkan, diplokracia: ditën flet për ligjin, e natën i takon ata që e shkelin atë. Na “këshillojnë” për sundim të ligjit, ndonëse shkelësit e tij janë në liri; bile edhe në qeveri. 

Prandaj Ballkani po zbrazet, ku më shumë janë jashtë sesa brenda tij. Ku mbijetohet nga dërgesat e jashtme familjare, e jo nga ndihmat e brendshme sociale. Ku ka shumë shkolla e pak dije, më shumë mësues sesa nxënës, më shumë universitete sesa studentë. 

Ku mund të doktorosh edhe pa fakultet e të bëhesh akademik edhe me një libër. Ku ende ka “kruzhokë kuaziintelektualë”, që në kafe i kritikojnë ata, të cilët publikisht i mbështesin. Në Ballkan e sotmja është kalimtare, kurse e nesërmja vendimtare. Ku e kaluara nuk kthehet, por as nuk harrohet. Është rajoni, ku fajësohen fqinjët, të cilët nuk i zgjodhëm. Ata na u imponuan nga përplasja e historisë me gjeografinë. 

Nga ata, që flijuan historinë e vjetër, për gjeografinë e re. Integrimi i Ballkanit në BE, do të jetë integrim i shteteve të zbrazëta. I pensionistëve dhe jo i rinisë. Sepse, të rinjtë e tij tashmë u “integruan” në BE - para shteteve të tyre. Vetëm ata i besuan “integrimit” individual, e jo atij institucional. Ata ishin më të shpejtë se qeveritë e tyre. E Brukseli, në vend që t’i ndëshkonte qeveritë për mungesë reformash, dënonte shoqëritë. 

Në vend të sanksionimit të qeveritarëve, dëbonte qytetarët e thjeshtë. Sa më shumë që BE-ja i largonte shtetet e rajonit, aq më shumë forconte auokratatët lokalë dhe dobësonte shoqërinë. Kjo qe edhe loja e baronëve postkomunistë me Brukselin: sa më larg radarit të tij, aq më i gjatë sundimi i tyre autokratik.