Automobili ka një rëndësi të jashtëzakonshme në jetën moderne, andaj sot është e pamundur të bëhet ndonjë veprim pa shfrytëzimin e tij, por ai mbart edhe rreziqe të konsiderueshme.
Sipas dispozitave të Ligjit mbi Rregullat e Trafikut Rrugor, “automjet është çdo mjet që lëviz në rrugë me fuqi të motorit të vet.” Por, a lëviz automobili me gjithë atë fuqi të motorit, i cili nuk mund të krahasohet me fuqinë e njeriut apo duhet drejtuar nga njeriu?
Automobili lëviz në rrugë me komandën e njeriut, respektivisht shoferit. Për drejtimin e automobilit kërkohen aftësi fizike, psikike, edukative, njohuri ligjore e shumë karakteristika të tjera. Për aftësimin e një shoferi nuk mjafton vetëm edukimi në autoshkollë dhe marrja e patentës, por edhe përvoja gjatë ngasjes, andaj shoferi gjithmonë duhet ta mbajë nën kontroll automjetin. Të gjitha këto kushte janë të parapara me Ligjin mbi Rregullat e Trafikut Rrugor.
Çdo shkelje e rregullave të trafikut mund të jetë shkaktar i aksidentit në trafik, duke filluar nga hyrja në trafik, kthimi, përparësia e kalimit, përshtatja e shpejtësisë, trafiku në kryqëzim, distanca e sigurisë, tejkalimi, ndikimi i alkoolit dhe shumë rregulla të tjera.
Faktori kryesor i aksidenteve është mospërshtatja e shpejtësisë së lëvizjes së mjetit. Me të lidhen edhe mbajtja e distancës, tejkalimi, anashkalimi e rregulla të tjera, andaj sot përdorim sloganin “shpejtësia vret.” Tek shpejtësia nuk duhet kuptuar vetëm çështjen teknike që sa më e madhe është shpejtësia, aq më i madh është dëmi, por edhe anën psikologjike, ku gjatë marrjes se vendimit të shoferit për frenim, sa më e madhe të jetë shpejtësia, kalohet rrugë më e gjatë e lëvizjes, andaj rritet “sekonda psikike”.
Sa u përket aksidenteve në trafik, ky vit ka filluar keq. Zakonisht fillon keq edhe për shkak të sezonit dimëror. Në ketë stinë paraqiten edhe befasi në rrugë siç janë: pas një kthese befasisht hasim në mjegull, hasim në shtresë të rrëshqitshme nga bora apo akulli.
Më i rrezikshmi është “akulli i zi”, i cili është një nga shkaktarët që rrezikon të gjithë pjesëmarrësit në trafik, duke filluar nga këmbësorët, automjetet, por edhe në transportin ajror ku ngrihen pistat dhe pengohen ngritja dhe aterrimi i aeroplanëve.
Akulli i zi paraqitet kur sipërfaqja e lagët ngrihet pas shiut, pas shkrirjes së borës ose kur bie shi i ngrirë.
“Akulli i zi” më së shumti paraqitet në vende nën hije, mbi ura, në vende ku ka derdhje, por edhe kur njerëzit e papërgjegjshëm lënë automjetet afër rrugës dhe kështu gomat bartin lagështinë me qindra metra. Preferohet që shoferi para se ta vazhdojë ngasjen ta provojë sipërfaqen e rrugës duke frenuar në një distancë të vogël.
Është gabim, sidomos te shoferët fillestarë, që frenojnë mbi sipërfaqen e ngrirë. Kur gjatë drejtimit të mjetit vërejmë një sipërfaqe të ngrirë, duhet frenuar para se të hyjmë mbi atë sipërfaqe, pastaj lëshojmë komandën e frenimit dhe vazhdojmë frenimin pasi që ta kemi kaluar akullin.
Gjatë analizave dhe ekspertizave të aksidenteve në trafik, ekspertët përmendin ata tre faktorë të sigurisë: njeri, automjet dhe rrugë. Por, njeriu është faktori kryesor si subjekt. Automjeti dhe rruga janë objekte. Shpeshherë behën gabime në interpretime, siç janë “automjeti humbi kontrollin dhe doli nga rruga.” Kontrollin e humb shoferi ndaj automjetit, sidomos kur shoferi më nuk është “zotëri” i automjetit.
Sipas dispozitave ligjore, ndalohet ta drejtojë mjetin shoferi që është i lodhur, i sëmurë ose që ndodhet në gjendje të tillë psikike, saqë është i paaftë për ta drejtuar mjetin në mënyrë të sigurt, si dhe shoferi që është nën ndikim të narkotikëve, barnave dhe substancave në udhëzimin e të cilave është e shënuar se ndalohet përdorimi i tyre para ose gjatë kohës së drejtimit të mjetit. Njashtu shoferi mund të dërgohet në kontroll të jashtëzakonshëm shëndetësor.
Me ligjin më të ri u ashpëruan dënimet, por shihet se kjo nuk dha ndonjë efekt pozitiv. Nëse bëjmë një analizë të thjeshtë të dënimeve gjatë 24 orëve dhe i shumëzojmë për një vit, atëherë mesatarja del se çdo shofer është i dënuar gjatë vitit, bile ka edhe recidivist, andaj duhet përdorur sa më shumë mjete teknike, sidomos me “elementin e befasisë”, duke vendosur kamera e radarë statikë në rrugë, si dhe mjete të tjera që sot gjenden në dispozicion.
Autori është ekspert i trafikut rrugor