OpEd

Aut Viam Inveniam aut faciam!*

Një thënie e vjetër latine thotë: "Aut viam inveniam aut faciam", që në përkthim do të thoshte: "Unë ose do ta gjej mënyrën ose do ta ndërtoj atë". Këtë qasje do ta prisja nga Qeveria në këto kohë të vështira dhe dëshpëruese. E kam thënë disa herë deri më tani, kjo nuk është koha e drejtimit të gishtit të fajësisë ndaj askujt, fajin e kemi të gjithë, i madh e i vogël. Mirëpo pritshmëritë e mia janë ato që Qeveria ta ndërtojë mënyrën dhe ta ndryshojë qoftë edhe paradigmën të cilën ne e kemi mbi të qeverisurit. Duhet kërkuar ndihmë brenda nesh dhe petkat e animet partiake tash as nuk na kryejnë ndonjë punë e as që na duhen

Fatkeqësisht vazhdimi i Ditarit tim do të jetë vazhdimësi e zymtësisë nga aty ku e lashë herën e fundit.

Varianti Delta i COVID-it ka filluar të bëjë hatanë e vet në hezin e plotë, në veçanti në Kosovë.

Shohim se numri i bashkëqytetarëve tanë çdo ditë tejkalon numrin e mbi 20 të vdekurish, dhe kjo është më se shqetësuese dhe alarmante për vendin dhe shoqërinë tonë. Assesi nuk dëshiroj të hyj në vorbullën e rrezikshme të fajësimit të vetëm Qeverisë, opozitës apo vetëm popullit. Fajtorë jemi të gjithë, në të gjitha nivelet. Pakujdesia dhe nonshalanca jonë për t’i kuptuar përgjegjësinë dhe seriozitetin e rrezikshmërisë e gjithashtu për të kuptuar se kapacitetet e shëndetësisë kosovare lënë shumë për të dëshiruar dhe ato nuk e kanë potencialin për t’u përballur me një fluks të këtillë të të infektuarve dhe të sëmurëve nga ky variant i COVID-it.

Me gjithë përqindjen e madhe të të vaksinuarve, në shumë vende shohim rritje në numrin e të infektuarve, si dhe rritjen e numrit të të vdekurve, po ashtu.

Në Britaninë e Madhe ditën e mërkure u shënua numri më i madh i të vdekurve në gjashtë muajt e fundit. Pak a shumë e njëjta situatë paraqitet edhe në Izrael, ku më shumë se 80% e popullatës veçse ishte vaksinuar me dy dozat e vaksinave. Në këto statistika të dhimbshme të kronikave të zeza po rezulton se numri më i madh i të vdekurve lidhet pikërisht me ata të cilët nuk janë vaksinuar.

Një thënie e vjetër latine thotë: "Aut viam inveniam aut faciam" e që në përkthim do të thoshte: "Unë ose do ta gjej mënyrën ose do ta ndërtoj atë". Këtë qasje do ta prisja nga Qeveria në këto kohë të vështira dhe dëshpëruese. E kam thënë disa herë deri më tani, kjo nuk është koha e drejtimit të gishtit të fajësisë ndaj askujt, fajin e kemi të gjithë, i madh e i vogël. Mirëpo pritshmëritë e mia janë ato që Qeveria ta ndërtojë mënyrën dhe ta ndryshojë qoftë edhe paradigmën të cilën ne e kemi mbi të qeverisurit. Duhet kërkuar ndihma brenda nesh dhe petkat e animet partiake tash as nuk na kryejnë ndonjë punë e as që na duhen.

Unë publikisht deklarohem se këto zgjedhje lokale as që më interesojnë dhe as që do t’i komentoj, e aq më pak ta përkrah zgjedhjen e dikujt për kandidaturat e tyre për kryetarë komunash.

Isha shumë i zëshëm dhe kritik kur u rrëzua Qeveria Kurti 1, në fillimin e pandemisë. Tash situata është shumë më e rëndë dhe më serioze, presidentja Osmani do të duhej që seriozisht ta shqyrtonte mundësinë e shtyrjes së këtyre zgjedhjeve lokale. I kemi provuar të gjitha këto parti të papërgjegjshme, i kemi provuar edhe njerëzit tanë të papërgjegjshëm nga zgjedhjet e fundit. Po e njohim më veten tashmë. Nuk kemi arsye që ta gënjejmë njeri-tjetrin ndër sy. Nuk e besoj se në këto rrethana do të duhej që Kosova të shkonte në zgjedhjet lokale. Veçse i shoh odat e ndryshme të stërmbushura me fshatarët nga të cilët kërkohet vota e asamblistëve pretendues.

Tubime të fshehta e që prapë dikush i fotografon dhe ato fotografi rrjedhin nëpër rrjete sociale dhe pastaj sharjet e shumta, ofendimet që pasojnë.

Largësitë në të cilat njerëzit janë të gatshëm që të shkojnë vetëm për ambiciet e tyre politike, janë me të vërtetë brengosëse.

***

Amerika, Britania e Madhe e edhe vendet e tjera tërhoqën edhe ushtarin e tyre të fundit nga Afganistani. Talebanët tashmë i shohim se kanë avancuar nga lodrat e luna parkut të javës së shkuar, tashmë kanë filluar të pilotojnë me helikopterët “Black Hawk” të lënë mbrapa nga ushtria e rregullt afgane dhe ajo amerikane. Talebanët tashmë i shohim edhe të veshur dhe të pajisur me rroba dhe armët më moderne të ushtrisë amerikane. Gjithashtu i pamë edhe afganët e parë të cilët arritën në Shqipëri e gjithashtu edhe ata të cilët u sollën në Kosovë. Ata do të qëndrojnë aty derisa nuk të procesohen kërkesat e tyre për vizat amerikane. Sidoqoftë, nga ajo që po lexojmë nga lajmet e shumta nga Afganistani, jo të gjithë e kanë pasur fatin që ta lëshonin Kabulin, apo vendet e tjera me kohë dhe ata tashmë po përndiqen e edhe vriten si kolaboracionistë të ushtrive të huaja. Për të drejtat e grave nuk kemi çka të flasim, ato kthehen në pikën zero.

Nga qarqet e konspiracionistëve flitet se shteti i ardhshëm i cili do ta invadojë Afganistanin do të jetë Kina, e cila e ka syrin në resurset natyrore të Afganistanit. Kjo thonë konspiracionistët e arsyeton edhe faktin se pse bash aq kollaj ua lanë amerikanët talebanëve gjithë atë armatim pas vetes!? Kinezët po qe se u shkon mendja që ta okupojnë Afganistanin tashmë përballë vetes do të kenë shumë John Rambo talebanë nga shpellat e Afganistanit. A do të jemi dëshmitarë që Afganistani të jetë vendi ku dështoi Aleksandri i Madh, ku dështoi Rusia, ku dështoi Amerika dhe ku do të dështojë edhe Kina, mbetet që të shihet.

Gjeopolitika e ditëve të sotme është bërë më shumë luftë informative dhe luftë propagandash e prekje pulsesh të lojtarëve të mëdhenj, natyrisht gjithmonë në shpinë të atyre më të vegjëlve, më të pafuqimshmëve dhe më lehtë përçarës dhe antagonistë ndaj njëri- tjetrit.

***

Dje u mbajt edhe takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor në Bled të Sllovenisë. Ajo që më ra në sy dhe që më la përshtypje ishte akuza e Edi Rampës ndaj shtetit të Bullgarisë se do të duhej të sillej më shumë si ballkanike sesa si bllokuese e shteteve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të BE-së. Diçka nuk dyshoj që gjatë ndonjë pauze t’i ketë propozuar Edi Rampa homologut të tij bullgar anëtarësimin në “Open Balkan”, aty ku lulet "çelin" katër herë në vit. Lulebora si lajmëtar i pranverës, lule kanabisi si lajmëtar i profitit, lule duhani për ta mbështjellë atë lulen pararendëse dhe mbesim në pritje nëse afganët e arritur në Shqipëri e në Kosovë na i kanë sjellë me vete farat e luleve të tyre gjithashtu shumë fitimprurëse në këtë herbariumin e “Open Balkan”.

Më 4 shtator skadon moratoriumi i nënshkruar në Marrëveshjen e Washingtonit mbi atë se Kosova për një vit do t’i pezullojë të gjitha aktivitetet dhe lobimet e saj për aplikim dhe pranim në instanca të ndryshme ndërkombëtare. Gjithashtu ky moratorium parashihte edhe pezullimin e aktiviteteve diplomatike të Serbisë në lobimin për çnjohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës. Do të jetë interesant se si do të sillen të dyja këto shtete ndaj tashmë moratoriumit të skaduar. Fundja, Kosova mund t’i jetë përmbajtur atij moratoriumi në plotëni, sepse ka qenë shumë e zënë me rrëzime e ngritje qeverish në kohë pandemie, përderisa asgjë nuk ma lëkund bindjen se Serbia ndonjëherë ka hesht së punuari kundër njohjeve të Pavarësisë së Kosovës.

Sa i përket Serbisë, çdo gjë është njëlloj mirëpo vetëm ai mungon (Milosheviqi).

***

Për në fund do t’i drejtohesha Qeverisë së Republikës së Kosovës me sinqeritetin më të madh. Në 51%-shin e popullit që iu votoi për ndryshimet rrënjësore edhe unë jam njëri nga ta. Mirëpo vota ime nuk iu është dhënë blanko. Pritshmëritë tona e edhe vetë premtimet e juaja gjatë viteve si opozitë aktive e cila ishit, ngritën pritshmëri për standarde të larta qeverisëse.

Ajo që unë dëshiroj t'ua them, përkundër asaj se jeni bërë sikur ai boksi pranë Ministrisë së Kulturës e po ju sjell gjithkush që po mbërrin, kush me të drejtë e shumëkush pa të drejtë as morale, unë prapë do jua them se nuk do të keni luksin e të qeverisurit për 20 vjet e që ky popull të kfillet, mos i nënçmoni votuesit tuaj e posaçërisht jo ata të cilët nuk janë militantët e juaj partiakë, por thjesht njerëz të cilët deshën që edhe juve t'ua japin rastin për ta sjellë ndryshimin aq gjatë të proklamuar.

Mos i zhgënjeni pikërisht ata, sepse po qe se ata ua kthejnë shpinën nga zhgënjimi, mandati i dytë nuk do t'ju gjejë të ulur në ata kolltukë.