OpEd

“Atëherë, s’ka gjë”

Kur flitet për “normalizimin” e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, apo për “zgjidhjen historike”, e vetmja fjali e sinqertë e Vuçiqit është ajo: “atëherë asgjë”.

Derisa në Prishtinë të gjithë presin të shohin se si do të kalojë seanca e sotme konstitutive e Kuvendit, në të cilën, më në fund, do të shihet nëse Ramush Haradinaj dhe koalicioni i tij i partive të dala nga Ushtria e dikurshme Çlirimtare e Kosovës i kanë votat e nevojshme për ta formuar Qeverinë e re, apo ka ardhur koha e partive, politikanëve dhe opsioneve tjera – në Beograd Kosova është po aq temë kryesore, por nga një kënd krejtësisht tjetër: Si do ta ndalë Serbia futjen e kokës në rërë, si struc?

Kështu disi tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke arsyetuar nevojën për hapjen e një dialogu të brendshëm serb rreth Kosovës, me çka e hapi derën që rreth Kosovës sërish të deklarohen të gjithë ata serbë që mendojnë se kanë çka të thonë – që, në këtë rast, do të thotë pothuajse secili serb!

Dhe kështu, hapin e ri të Vuçiqit disa e kanë interpretuar si shenjë të sigurt dhe të qartë që Serbia ka lëvizur një hap më afër njohjes së Kosovës së pavarur, meqë, ja pra, edhe vetë ai, presidenti i gjithëpushtetshëm serb, më në fund e ka pranuar: “…ne serbët nuk kemi dashur të jemi sa duhet të përgjegjshëm për të kuptuar edhe fuqinë, edhe dëshirat e shqiptarëve…” si dhe, “… mos të presim se në duar do të na vijë edhe ajo që ka shumë kohë që e kemi humbur” (Vuçiqi në “Blic”).

Nga ana tjetër, ka mjaft edhe të tillë që gjithë këtë e shohin si edhe një prej manipulimeve mediale të Vuçiqit, me të cilën përpiqet të fitojë poenë pozitivë në Bruksel, pa një synim të sinqertë që vërtet të bëjë diçka në ndryshimin e realiteteve, si në Kosovë ashtu edhe në mesin e serbëve. Diç të tillë, në fakt, e ka pranuar edhe vetë Vuçiqi, kur ka thënë: “Do të doja që, si president i Republikës, të përpiqem që të zgjidhim konfliktet tona njëherë e përgjithmonë, nëse kjo është e mundur, e nëse nuk është e mundur, atëherë asgjë”.

Është e qartë që Vuçiqi me këtë përpiqet që vetes dhe Serbisë t’u sigurojë pozicion më të mirë në dialog me Kosovën, e mbase edhe hapjen e pjesshme të çështjes së statusit të Kosovës, me gjithë faktin se pavarësinë e Kosovës e kanë njohur dy të tretat e shteteve të botës dhe shumica dërrmuese e demokracive perëndimore. Dhe, në gjithë këtë rrëfim, ndoshta, edhe mund të fitojë “diçka” – në formën e përkrahjes së Perëndimit, për të cilin afrimi i Serbisë është i rëndësishëm për shkak se njëkohësisht nënkupton edhe largimin e Beogradit nga Moska.

Për këtë shkak, kur flitet për “normalizimin” e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, apo për “zgjidhjen historike”, e vetmja fjali e sinqertë e Vuçiqit është ajo: “atëherë asgjë”.

* * *

Konfirmimin se nga i gjithë paralajmërimi për kërkimin e “pajtimit historik” dhe “kompromisit të përhershëm” në fakt nuk ka asgjë erdhi menjëherë, pasi që dora e djathtë e deritanishme e Vuçiqit, ministri kuazi-socialist i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, në një tekst të tij autorial tha se zgjidhja më e mirë, dhe, sipas tij, mbase edhe e vetme është “caktimi i kufijve të rinj me shqiptarët në Kosovë”.

Ndarja e Kosovës, pra, siç e paramendon Daçiqi, është zgjidhje që e kryen punën “njëherë e përgjithmonë”. Ai këtë e shpjegon kështu: “Serbët kurrë nuk do të pranojnë të bëhen pjesë e Kosovës apo Shqipërisë, e as që Mitrovica veriore apo Leposaviqi do të pranojnë ndonjëherë pushtetin e Prishtinës”.

Prandaj, thotë Daçiqi, në dialogun e brendshëm serb rreth Kosovës ai do të angazhohet për “caktimin e kufijve të rinj” – një ide kjo që shumë kohë më parë e ka lansuar, mes të tjerëve, edhe Dobrica Çosiqi – e “nëse del që kjo është e pamundur, apo se është e papranueshme, nuk do të jem i pafat, por do të provoj të jap kontributin në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme dhe reale” (Daçiqi për “Blic”)

Ja pra, do të thotë, edhe Daçiqi është për opsionin “atëherë asgjë”.

Natyrisht, edhe Daçiqi, edhe Vuçiqi “harrojnë” se negociatat mbi zgjidhjen e përhershme për Kosovën tashmë kanë ndodhur, para më shumë se dhjetë vjetëve, në Vjenë, dhe se rezultati është ky që është – pavarësia e Kosovës, me garancitë për pakicën serbe. Ky ishte kompromisi i arritur nën Ahtisaarin, të cilin si zgjidhje të përhershme dhe të drejtë e kanë pranuar shumica e vendeve të Bashkimit Evropian dhe SHBA-ja.

Por, për ta duket se është me rëndësi që i gjithë ky debat tashmë ka prodhuar mjaft tituj e komente mediale që të arrijë të fusë në hije, së paku për një kohë të shkurtër, shumë probleme të tjera në Serbi – prej grevave të punëtorëve deri te deficiti i demokracisë. Por, megjithatë, prej gjithë kësaj, ka edhe pak përfitim, meqë del qartë se nuk është e vërtetë që në Serbi Kosova konsiderohet aq e shenjtë saqë ai që do të guxonte edhe të mendonte vetëm për dorëzimin e saj do ta humbiste menjëherë kokën. Edhe Vuçiqi, edhe Daçiqi qartë dhe zëshëm kanë paralajmëruar se janë të gatshëm të pranojnë nëse jo e gjitha, atëherë së paku një pjesë e madhe e Kosovës u takon shqiptarëve. Dhe jo vetëm cilado qoftë pjesë, por pikërisht pjesa të cilën politikanët serbë të fiksuar me mite e quanin “Jerusalemi serb” – Graçanica, Patrikana e Pejës, Manastiri i Deçanit, Fushë- Kosova… të gjitha këto do t’u mbetnin shqiptarëve në çfarëdo versioni të “caktimit të kufijve të rinj” – term ky që, edhe te Daçiqi, edhe të Qosiqi, është vetëm eufemizëm për ndarjen klasike të territoreve dhe shkëmbimin e popullatave.

Sigurisht, është iluzion të besohet se çfarëdo prej kësaj është e mundur të realizohet në terren pa gjak e luftëra, apo se bashkësia ndërkombëtare, ai Perëndimi i cili të gjithë politikën e vet ndaj Ballkanit tash e tri dekada e ka ndërtuar në parime të caktuara të tolerancës, të drejtave të pakicave dhe multietnicitetit, tani, përnjëherë, do të pranojë një zgjidhje nga shekulli i 19-të, të cilën e ofron Daçiqi me teorinë e tij.

E dinë këtë shumë mirë edhe Vuçiqi, edhe Daçiqi, andaj dhe paraprakisht e kanë përgatitur përgjigjen: “Atëherë asgjë”.

* * *

Në Kosovë pakkush ka qenë i befasuar me këto deklarata, por, thënë të vërtetën, pakkush edhe ka pasur interesim për të përcjellë se çka thonë rreth Kosovës Vuçiqi e Daçiqi apo dikush tjetër në Serbi.

Sytë, veshët dhe mendjet kosovare janë kthyer në drejtim të ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, ku, sot, do të duhej të niste çpështjellimi i lëmshit të krizës politike kosovare.

Sa do të zgjasë dhe si do të përfundojë kjo, nuk e di kush. Por, kurdo që kësaj t’i vijë fundi, nuk duhet dyshuar se edhe politikanët kosovarë me kënaqësi të madhe do t’i bashkohen rrëfimit të Vuçiqit “atëherë asgjë”.

Kjo, megjithatë, është mënyra më efektive që popullit t’i shitet edhe pakëz mjegull.

Nëse kjo nuk funksionon, atëherë asgjë…

(Kolumne e kryeredaktorit të “Kohës Ditore”, e botuar në të përditshmen “Vijesti”, gazetën më të madhe në Mal të Zi)