Vetëm pak ditë kishin kaluar qëkur Ministria e Drejtësisë kishte draftuar Kodin e ri Penal, kurse presidenti kishte ndërmarrë nismën për t’ia adresuar Kuvendit të Kosovës për miratim, duke i kërcënuar me burg kundërshtarët politikë - e veçmas gazetarët dhe kritikët e shoqërisë si në kohën e Josip Broz Titos – disa veteranë të UÇK-së mësynë Teatrin Kombëtar të Kosovës!? Ata kishin shkuar në teatër hiç për më pak sesa për të kërkuar që të lexojnë skenarin, përkatësisht tekstin dramatik, i cili kinse po i fyente vlerat e luftës së tyre...
#Folmosutut është motoja e aksionit të Asociacionit të gazetarëve kosovarë më 3 maj – Ditën ndërkombëtare të lirisë së shprehjes në sheshin "Skënderbeu" të Prishtinës. Kjo protestë ka për qëllim kundërshtimin e tendencave për të kufizuar lirinë e shtypit (të mediave) dhe shprehjes në përgjithësi, duke e parë rrezikun latent siç ishte iniciativa e fundit e Ministrisë së Drejtësisë.
Ndonëse nenet “famëkëqija” u hoqën nga drafti i Kodit të ri Penal - pas presionit publik – megjithatë sërish pushteti tregoi se është me armiqtë e lirisë, ngase, nëse një shoqëri vjen në situatë për ta negociuar lirinë e shprehjes, kjo do të thotë se ajo tashmë ashiqare është humbur!
“Liria jonë varet nga liria e shtypit dhe ajo nuk mund të kufizohet pa u humbur”- thoshte ish-presidenti amerikan Jefferson.
Dhe nëse ne debatojmë se si ballafaqohemi me shumë kufizime në këtë aspekt, pavetëdijshëm e pranojmë se tashmë ne nuk jemi të lirë!
Kërcënimet e gazetarëve dhe opinionistëve me vdekje, po edhe i akëcilit qytetar, publikimi i listave të njerëzve për likuidim fizik, që thuhet se vijnë nga organizata të fshehta terroriste (për çka foli publikisht edhe presidenti i vendit Hashim Thaçi) sërish ka marrë hov në Kosovë.
Ndonëse policia pretendon se lista që është publikuar në disa portale është e trilluar – e sipas presidentit ka një listë - do të duhej që të gjurmoheshin e të silleshin para drejtësisë si ata që e kanë përpiluar “listën origjinale”, po njëkohësisht edhe ata që e kanë trilluar një të tillë, sepse të folurit me lehtësi të padurueshme për vrasje është indikacion për një patologji shoqërore, e cila po nuk u frenua sot, nesër do të jetë fatale për lirinë e kosovarëve, të fituar me aq shumë përpjekje e flijime, me aq shumë gjak e lot...
Së fundi ndodhi kërcënimi me vdekje i dramaturgut kosovar Jeton Neziraj, për shkak të artit të tij, nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së për ta ndërtuar mozaikun se nga kush e për ç‘arsye cenohet liria e shprehjes në Kosovë edhe më 3 maj 2017, 18 vjet pas lirisë së Kosovës.
Kur jemi tek nisma për ndryshimin e Kodit Penal, duhet të theksohet se kjo tendencë e ka historinë e vet.
Presidenti i sotshëm, Thaçi, më 2012 (atëbotë kryeministër) i mbronte nenet 37 dhe 38 të Kodit Penal të Republikës, në kohën kur gazetarët bënin presion për t’i hequr ato, sepse mbysnin përfundimisht shtypin e lirë.
Edhe ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, (tash kryetar i Konferencës Kombëtare të “Nismas” aktualisht në opozitë) e mbante po këtë qëndrim, përderisa ka dy vjet që drejton protestat antiqeveritare së bashku me partitë e tjera opozitare kosovare duke pretenduar se pushteti aktual është autoritarist dhe me primesa diktature.
Atëbotë ish-kryekuvendari Krasniqi gjatë një ligjërate në kolegjin “Universum” pati thënë se “gazetaria në Kosovë është përplot shpifje" dhe Kodi i ri Penal, sipas tij, ka të bëjë kryesisht me penalizmin e shpifjes dhe jo të medieve dhe gazetarëve.
Sipas ndryshimeve në Kodin Penal, nenet 37 e 38 definonin përgjegjësinë penale për vepra penale të kryera përmes mediave!?
Me nenet 37 dhe 38 në Kodin Penal të Kosovës autoritetet i kishin përcaktuar kufijtë se deri ku mund të shkohet me shkrime dhe kur gazetarët duhet të ndalen, sepse mund t’i presë ndëshkimi.
Pushteti ose klasa politike po mëtonte që t’i legalizonte edhe ashtu veprimet abuzive në vazhdimësi, duke vendosur një pushtet të frikës dhe frikësimit.
Një Kod Penal me këto dy nene dilte jo vetëm kundër demokracisë, fjalës së lirë, medias, shtypit të lirë, por objektivisht kundër secilit qytetar të Kosovës që kishte diç për të thënë dhe praktikisht me këto dy nene i mbyllej goja.
Nenet kontestuese u patën hequr, porse intenca latent për ta penguar lirinë e shprehjes mbeti.
Pra, më 2012 pas një presioni të madh qytetar nenet që kishin të bënin me shpifjet “u hoqën” nga Kodi Penal (ndëshkohen vetëm me gjoba) kurse të njëjtat nene, nga e njëjta kastë politike, u tentua të “kontrabandoheshin” pesë vjet më vonë, pra më 2017.
Derisa propozimi më i ri për ndryshimin e Kodit Penal po tingëllonte sikur kasta aktuale politike mëtonte ta mbronte veten nga kritikat (dhe fyerjet), përkatësisht mësynte t’i merrte në mbrojtje ligjore emrat e përveçëm të politikës kosovare, veteranët po orvateshin që me aurën prej të paprekshmëve të instalonin censurën në vend.
Drafti i ri i Kodit Penal penalizonte lirinë e shprehjes përmes nenit 134, i cili thoshte:
“Kushdo që publikisht, në një takim, ose nëpërmjet shpërndarjes së materialeve të shkruara shpif ndaj një organi kushtetues, presidentit, Kuvendit, Qeverisë, Gjykatës Kushtetuese ose një prej anëtarëve të tyre, do të dënohet me burgim nga tre muaj deri në pesë vjet.”
Kjo mësymje ngjalli reagime të mëdha në Kosovë, ngase kishte në të cok intenca autoritare dhe diktatoriale.
Sikur shfaqej intenca e të bërit ligj që mbron emrat dhe "veprat" e presidentit, kryeministrit, ministrave të Qeverisë kosovare, kryekuvendarit dhe drejtuesve të Gjykatës Kushtetuese, përballë kritikës publike, njollosjes ose fyerjes, që mund t’u vinte nga qytetarët (kundërshtarët politikë apo gazetarët) qoftë edhe kur kanë shkelur vetë ligjet.
Dikur, për ta fshehur fytyrën e vërtetë dhe veprën e Josip Broz Titos, diktatorit jugosllav, biografët e tij komunistë, historianët dhe pasuesit e tij, për së gjalli, nga ai krijuan të paprekshmin, e për ta fshehur të vërtetën për të dhe regjimin e tij, pas vdekjes miratuan një ligj për mbrojtjen e emrit dhe veprës së tij, qe besohet të ishte rast unik në tërë botën, që me ligj të mbrohej një njeri i vdekur (posthume) për t’u miratuar dhe përligjur kështu krimet e tij eventuale nga e vërteta dhe drejtësia...
Përderisa presioni publik ishte shumë i madh (kanë reaguar shumë organizata të shoqërisë civile dhe juristë, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Grupi për Studime Juridike dhe Politike, organizata “Çohu”, Instituti Demokratik i Kosovës dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës) kishte afërmendsh ndër armiqtë e lirisë mjaft miratues të këtyre neneve, porse dy nenet arkaike u tërhoqën nga Ministria e Drejtësisë dhe kjo të kujton tërheqjen e dikurshme të neneve 37 dhe 38 të Kodit Penal, pra të kujton faktin e gjithëkohshëm se lufta e pushtetit ndaj lirisë së shprehjes është permanente, sikur edhe lufta në mbrojtje të saj!
Për çfarë dëshmon ky gjest?
Nëse shoqëria nën presion të vazhdueshëm të pushtetit politik frikësohet ose tërhiqet nga mësymja e realizimit të të drejtave, nëse shoqëria civile topitet dhe nuk reagon, nëse tehu i kritikës gazetareske thyhet, askush më në atë shoqëri nuk e mendon atë që s’mund ta thotë!
Së këndejmi del se e tërë një shoqëri nuk mendon fare!
Sipas draftligjit të lartcekur, burgu e priste edhe cilindo person që guxonte të fyente ngjyrat, flamurin, stemën apo himnin e Kosovës.
Në këtë kontekst duhet të theksohet fakti se nene të tilla në kodin penal gjerman kanë mbetur si relikte të së kaluarës (epoka e luftës së ftohtë ), por që asnjëherë në kushtet bashkëkohore nuk janë aplikuar, ndërsa
për sa i përket nenit që parashihte mbrojtjen e reputacionit të shtetit dhe rendit të tij simbolik, shfaqej hapur mosnjohja e Kushtetutës amerikane që thotë: “Djegia ose përdhosja e flamurit amerikan është e drejtë e mbrojtur nga amendamenti i parë i Kushtetutës amerikane”.
Në vitin 1989, Gjykata e Lartë (Gjykata Supreme) vendosi në rastin Teksas vs Johnson se djegia e flamurit si shenjë proteste përbënte fjalën e lirë dhe ishte/ është e mbrojtur me kushtetutë.
Meiklejohn, në analizën që u bën dispozitave të amendamentit të parë të Kushtetutës amerikane, shprehet se ky amendament zuri fill si zgjidhja përfundimtare e problemeve të lirisë së shprehjes, por më vonë u pa një konflikt i cili doli në sipërfaqe mes dy grupimeve të interesave sociale: konflikti mes promovimit të fjalës së lirë dhe interesit social që dëmtohej nga ushtrimi i saj. (3 Meiklejohn, Alexander; “Political Freedom”, viti1960, fq.54-55 (në këtë punim autori Redi Shehu rreket të shpjegojë se amendamenti i parë nuk arrin të mbrojë si individin dhe lirinë e tij dhe të sigurojë në të njëjtë kohë mbrojtje të interesave sociale).
Kurse Bork H. Robert në një punim tjetër, “Neutral Principles and Some First Amendment Problems”, 47 IND. L. J.1, viti 1971, fq 24-26 (argumenton se amendamenti i parë mbron vetëm lirinë e fjalës në diskursin politik).
Ngjarjet zinxhirë që rrodhën - sikur të koordinoheshin nga një dorë e padukshme – dëshmuan se disa forca politike e kanë seriozisht kur e kërcënojnë lirinë e shprehjes dhe aplikimin e censurës.
Sepse kanë frikë nga vetvetja, nga e kaluara dhe e sotmja e tyre, nga e vërteta dhe drejtësia.
Sapo ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, njoftoi publikun se dy nenet e diskutueshme ishin hequr nga draftimi i Kodit Penal, pëlciti skandali tjetër.
Një grup veteranësh të UÇK-së kësaj here ia kishin mësyrë Teatrit Kombëtar të Kosovës, përkatësisht “të ndalonin” shfaqjen “Bordell Ballkan” të dramaturgut Jeton Neziraj, me regji të hungarezit Andras Urban!?
Përderisa neni 48 i Kushtetutës, pika 1, e garanton lirinë e artit dhe të shkencës, kurse shoqata e bashkëluftëtarëve të Hashim Thaçit, Kadri Veselit etj. hapur e në pikë të ditës kërcënojnë Kosovën me censurë dhe vrasje!
Madje që arroganca dhe injoranca të jenë kulmore regjisori i shfaqjes, hungarezi Andras Urban – sipas veteranëve të luftës së fundit në Kosovë – na qenka nga Serbia, së këndejmi nuk bëka që ai të realizojë shfaqje në Kosovë!?
Në anën tjetër, Policia e Kosovës është interesuar për rastin, duke intervistuar liderin e veteranëve, porse askush nuk është arrestuar.
Ndonëse Policia kosovare është dëshmuar efikase kur individë të ndryshëm kanë kërcënuar me jetë disa figura publike, njerëzit e fortë në Kosovë vazhdojnë të jenë të paprekshëm.
Ja vetëm tre shembuj që dëshmojnë efikasitetin e Policisë kosovare:
1. Më 14 tetor 2014 , një javë pasi kishte kanosur përmes Facebookut deputeten e Kuvendit të Kosovës, Alma Lama, ka përfunduar në pranga të policisë.
2. Më 31 gusht 2016, Alban Morina është arrestuar se kishte kërcënuar djalin e kryeministrit Isa Mustafa;
3. Më 23 prill 2017 është arrestuar një person i quajtur Fitim Boshnjaku për kërcënim ndaj gazetarit dhe botuesit Berat Buzhala;
Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe komandantët e tjerë të luftës që kanë qenë ose janë në majat e pushtetit, sikur në luftë që nuk ua kanë bërë të ditur Konventën e Gjenevës për zakonet e të luftuarit, duket se as pas 18 vjet lirie bashkëluftëtarëve të tyre nuk ua kanë dhënë për ta lexuar Kushtetutën e vendit.
Ajo thotë: [Neni 42, liria e medieve] 1. Garantohet liria dhe pluralizmi i medieve. 2. Censura është e ndaluar. Askush nuk mund të pengojë shpërndarjen e informacionit ose të ideve nëpërmjet medieve…
Kurse neni 10 i Konventës së të Drejtave të Njeriut thotë se kushdo për qëllime artistike mund të përdorë gjuhë të ashpër kritike madje edhe ofendim ndaj kujtdo.
Porse kur gratë dhe burrat e Kosovës janë thirrur në luftën për liri, frymëzuesit dhe liderët e tyre politikë, si dhe komandantët e tyre ashiqare nuk u kanë treguar asgjë, madje as për arsyet pse kanë rrokur armët?
Për liri – sigurisht se e kanë ditur që të gjithë.
Mirëpo që të gjithë nuk e kanë ditur se liria është shumëdimensionale dhe ajo lëndohet nëse cenohet ndonjë dimension i saj.
Ata luftëtarë thjesht nuk i ka mësuar askush se po luftohej që në liri secili të mendojë, të shprehet, të bashkohet e të protestojë lirshëm, të shkruajë lirisht, pa censurë dhe autocensurë.
Ata nuk e paskëshin ditur se kishin rrokur armët pikërisht se shqiptarëve në Kosovë fashizmi serb u ndalonte gjithçka, pra edhe të drejtën për jetë, e të mos flasim për mendimin dhe shprehjen e lirë, shtypin e lirë, si dhe lirinë e besimit, të drejtën e dëshirimit të lumturisë (liria ekonomike) dhe lirinë nga frika.
Kryesisht dhe para së gjithash këtë të fundit.
Vetëm njeriu i lirë mund të vendosë për veten.
Derisa po ndahemi me shumë nostalgji nga shtypshkrimi (print media) dhe kemi hyrë tashmë në epokën e medias së re online (portaleve, blogjeve), kështu që edhe televizioni duhet rimenduar. Tash është koha ta rimendojmë edhe lirinë e shprehjes: Deri ku janë kufijtë e saj dhe si mund të kontrollohen pasionet primordial të njerëzve?
Liria e shprehjes dhe liria e shtypit shkojnë bashkë dhe asnjëherë të ndara nga përgjegjësia – vërtet secila liri është njëherësh edhe përgjegjësi, prandaj pos lirisë pozitive (të publikimit) ekziston edhe liria negative (e mospublikimit) nëse vlerësohet se me publikimin e informatës apo përmbajtjes tjetër mund të nxitet dhunë dhe të humbën jetët njerëzore.
Mirëpo as gazetarët (karikaturistët) e “Charliue Hebdo” dhe tash as Neziraj me ekipin e TKK-së nuk e zgjodhën heshtjen, për shkak se mund të jenë caqe sulmesh të armiqve të lirisë.
Ata me shembullin personal synojnë emancipimin e një shoqërie me moral të dyshimtë dhe shtetin që ka frikë nga qytetarët e vet, për ta rimenduar vetveten.
Është gabuar diku!
Kosova, sipas “Freedom House”, me seli në Shtetet e Bashkuara, në shtatë vjetët e fundit ka lëvizur fare pak përpara në aspektin e mbrojtjes së lirisë së shtypit.
Më 2011 “Freedom House”, në raportin e saj, e kishte vlerësuar lirinë e shtypit në Kosovë si pjesërisht të lirë, me notën 51, nga 53 sa ishte vitin e kaluar.
Në tabelën e radhitjes së vendeve të anketuara para Kosovës janë të gjitha vendet fqinje.
Kosova ishte në vendin e 104-t, të cilin e ndan me Argjentinën, ndërsa një vit më parë (2010) ishte në vendin 92.
3 maji 2015 Kosovën e gjente në pozitën 100 apo si vend pjesërisht i lirë, sipas “Freedom House”.
Organizata “Freedom House”, që vlerësonte se Shqipëria dhe Kosova janë në mesin e vendeve me liri të pjesshme të medias.
Në raportin e kësaj organizate, më 2017, Kosova radhitet në vendin e 96 me 48 pikë, sikurse edhe një vit më parë (2016), ndërsa Shqipëria është në vendin e 103 me 51 pikë, ndryshe nga vendi i 106-të, në të cilin radhitej një vit më parë.
Në rajon Kroacia është në vendin e 76-të, Mali i Zi në vendin e 84-t, Serbia në vendin e 98-të, dhe Bosnjë-Hercegovina në vendin e 103-të.
Më së keqi radhitet Maqedonia në vendin e 139-të, duke u përfshirë në mesin e vendeve jo të lira.
Në epokën e lulëzimit të lirive civile vetëm një gjykatë e pavarur dhe askush tjetër mund të vendosë nëse dikush ka lënduar liritë e tjetrit ose jo.
“Unë nuk pajtohem me atë që keni për të thënë, por do ta mbroj deri në vdekje të drejtën tuaj që ta thoni atë” – ka thënë Volteri dhe nga kjo mund të nxirret një mësim i mirë sot, kur shumëkush kërkon t’i suspendohet e drejta publikut për të folur, për të dëshmuar, për të kritikuar, kinse për t’i shmangur sharjet dhe thirrjet në dhunë.
Të jetosh në shtetin e lirë (të jesh i lirë) nuk është gjë e lehtë.
Ata që mësynë sot Teatrin dje mësynin kundërshtarët politikë, sepse ata mendonin se nesër mund ta mësyjnë secilin që mbron vlerat e lirisë.
Ata me mësymjet e tyre dëshmojnë se janë armiqtë e lirisë!