Me kalimin e kohës dhe njoftimin tim me internetin, aty nga fundviti i 1993-s unë përzgjodha nofkën “HasDreq”, e cila më përcolli edhe për shumë vite më pas, ku u bëra i njohur në aradhet e mIRC-it nëpër internet dhe për aktet e shumta diversante në #Serbia. Shfrytëzoj rastin t’i përshëndes disa nga nofkat e tjera, të cilat po më kujtohen momentalisht e që gjithashtu e dhanë kontributin e tyre të pashoq për çlirimin e hapësirave tona virtuale, Kapadaija, Kauboji, MeduZZa, Qikki, Dardha, Dardeq, Bazuka e shumë, e shumë të tjerë. (Kërkoj falje që momentalisht nuk më kujtohen të gjitha)
"Mos pyet se çfarë mund të bëjë vendi yt për ty, pyet se çfarë mund të bësh ti për vendin tënd?"
Po e filloj Ditarin tim me këtë thënie shumë të njohur të presidentit amerikan, John Kennedy. Çka kisha mundur unë të bëj për vendin tim?
Kisha mundur për shembull ta mobilizoj kontingjentin e përcjellësve, miqve dhe dashamirëve të mi në Facebook dhe të flijohem për Kosovën, duke e shpallur kandidaturën time për president të Republikës.
Kur e mendoj ashtu hollësisht, nuk e di se do të mund ta gjeje një njeri të dytë, i cili do të ishte më unifikues, si për spektrin politik ashtu edhe për mbarë popullin e Kosovës.
Tani më duhet t’i argumentoj këto gjëra edhe për lexuesin e Ditarit tim.
Rininë e hershme patriotike e kam filluar qysh në hapat e parë të shkollimit tim. Aty në muret e jashtme të shkollës, e cila ishte halë në syrin e armikut për shkakun e emrit të patriotit tonë, “Hasan Prishtina”, të cilin e mbante, unë i gdhenda shkurtesën e thënies dhe inicialet e simpatisë sime.
K.P.SH.M.Z? e kisha gdhendur me shkronja të mëdha në fasadën e jashtme të shkollës.
Me të gdhirë dita e re, nxënësit dhe mësimdhënësit e turnit të mëngjesit u befasuan kur hyrën në oborrin e shkollës dhe u ballafaquan me grafitin gjigand të gdhendur në fasadën e shkollës. U mblodh këshilli i arsimtarëve. U ftuan edhe ekspertët "shtetërorë" të kodimit gjuhësor. Ishin kohëra të vështira. Unë u isha rrëfyer disa shokëve të lagjes, të cilët po ashtu ishin nxënës të asaj shkolle, se autor i grafitit isha unë, si dhe i domethënies së shkurtesave të tij.
Nuk vonoi shumë dhe pas disa ditëve u ftova në zyrën e drejtorit të shkollës, ku ishin prezentë edhe dy persona të tjerë, të cilët asnjëherë nuk i kisha parë në shkollë më parë.
- Asdren, më tha, po kush ta gjeti ty këtë emër? A e di ti se kush ka qenë Asdreni?
A e di ti se çfarë ka shkruar Asdreni?
-E ka shkruar "Lulëkuqen", iu përgjigja! E ka shkruar librin "Rreze Dielli", "Psallme murgu" …
- Nuk u përgjigje se kush ta la ty këtë emër dhe pse nuk ke emër "normal" si të gjithë të tjerët, Rasim për shembull.
- Epo ja, babai ma la. Ka qenë gjithmonë dashamir i poezisë.
- Mirë, mirë u përgjigj njëri nga ata dy burrat që po qëndronin ashtu në këmbë nga të dyja anët e drejtorit të ulur pranë tavolinës së tij të madhe.
- Po këtë parullën me përmbajtjen armiqësore babai ta mësojë në shtëpi?
- Për çfarë parulle armiqësore e keni fjalën zotëri, iu përgjigja njeriut me çehre të murrme.
- Po këtë parullën armiqësore, irredentiste dhe separatiste të cilën e ke gdhendur në fasadën e shkollës K.P.SH.M.Z? (Kosovë, Parti, Shqipëri, Mëmëdhe, Zbor).
- Jo zotëri. Ajo është një porosi dedikuar simpatisë sime. Kah Po Shkon Moj Zanë?
S'do mend, unë u përjashtova nga zyra e drejtorit dhe nuk vonoi shumë e edhe emri i shkollës "Hasan Prishtina" u ndërrua për një emër të një poeti malazez. Ishin kohëra të vështira ato.
Akti im "patriotik" ra në radarin e celulave të ilegales dhe veprimtaria ime patriotike që nga ajo kohë nuk u shua së vepruari asnjëherë.
Në vitet e shkollës së mesme u shqova për aksione vetjake për ikje orësh nga mësimi. Isha ndoshta nga implementuesit e parë të radiolidhjeve dhe mikrofonave me FM transmetues dhe vokmenëve me FM radio dhe kufjeve në vesh, kur pyetesha nga arsimtarët e lëndëve "të thata". Këto aktivitete me radiolidhje i zgjerova edhe gjatë periudhës së studimeve në fakultetin e mjekësisë e gjithashtu edhe me aksione të ndryshme diversante për shokët në fakultetin e arkitekturës, ekonomisë etj.
Gjithashtu isha pjesëmarrës i demonstratave të viteve 1988 - 1989. Ndërsa në vitin 1992 së bashku me vëllanë tim të ndjerë, Nolin, emigruam për në Mbretërinë e Bashkuar.
Me kalimin e kohës dhe njoftimin tim me internetin, aty nga fundviti i 1993-s unë përzgjodha nofkën “HasDreq”, e cila më përcolli edhe për shumë vite më pas, ku u bëra i njohur në aradhet e mIRC-it nëpër internet dhe për aktet e shumta diversante në #Serbia. Shfrytëzoj rastin t’i përshëndes disa nga nofkat e tjera, të cilat po më kujtohen momentalisht e që gjithashtu e dhanë kontributin e tyre të pashoq për çlirimin e hapësirave tona virtuale, Kapadaija, Kauboji, MeduZZa, Qikki, Dardha, Dardeq, Bazuka e shumë e shumë të tjerë. (Kërkoj falje që momentalisht nuk më kujtohen të gjitha).
Ne ishim komandantët e luftës virtuale kibernetike, e cila po zhvillohej anembanë kontinenteve të rruzullit tokësor. Përderisa NATO po i bënte përgatitjet e saja që të godiste caqet e makinerisë së ushtrisë dhe policisë serbe, lufta në mIRC kishte bërë jehonë dhe po zhvillohej në shumë fronte.
Aktivitetet e mia të pasluftës në asnjë mënyrë nuk ndërlidhen me asnjë veprimtari kriminale apo të zhvatjes së parasë publike, apo keqmenaxhim dhe abuzim me postin të cilin e kam ushtruar. Në asnjë moment nuk e trajtova Kosovën sikur një borxhli timin, por e bëra dhe vazhdoj që ta bëj të kundërtën. Ta shoh veten si një borxhli të atij vendi për të cilin u flijuan gjenerata të tëra njerëzish, në mënyrë që ne sot t’i gëzojmë edhe lirinë, edhe pavarësinë tonë shtetërore.
Dhe ç’është më interesantja, ky është një borxh të cilin asnjëherë nuk mund ta shlyejmë, sepse duhemi të mendojmë për gjeneratat të cilat po i lamë pas. Çka po u lëmë atyre në trashëgimi?
Këtu u intrigova edhe nga një status i artistit të mirënjohur Genc Prelvukaj, të cilin do ta përcjell në Ditarin tim ashtu në plotni.
Përgjatë viteve 1960-1990 në Kosovë, edhe pse nën okupim, u hapën, dhe u ndërtuan:
Universiteti i Prishtinës
Konviktet e Studentëve
Instituti Albanologjik
Biblioteka Kombëtare e Kosovës
Radio Televizioni i Prishtinës
Korporata Energjetike e Kosovës (Termocentrali A dhe B)
Kompleksi turistik Brezovica
Liqeni artificial i Badovcit
Liqeni artificial i Batllavës
Liqeni artificial i Radoniqit
Liqeni artificial i Gazivodë
Kombinati "Trepça" - Mitrovicë
Galeria e Arteve të Kosovës
Kosovafilmi
Stadiumi i Prishtinës
Aeroporti i Prishtinës
Posta e Kosovës
Termokosi
Stadiumi i Mitrovicës
Spitalet e Kosovës
Palestrat Sportive në 7 qendrat e mëdha të Kosovës
Kompleksi “Boro e Ramizi”
Strehimoret e Prishtinës
Pyllëzimi i mijëra hektareve në Kosovë
Fabrika e Akumulatorëve - Mitrovicë
Fabrika e Tekstilit "Napredak" – Gjakovë
Fabrika e Tekstilit - "Emin Duraku" – Gjakovë
Fabrika e Duhanit Gjilan
Fabrika e Tjerrjes “Kosovka” – Prishtinë
Fabrika e Amortizatorëve – Prishtinë
Fabrika e Coca Cola's në Lipjan
Fabrika e Tubave të Çelikut në Ferizaj
Fabrika e Drurit “Tefik Çanga” Ferizaj
Fabrika e Lëkurës dhe Këpucëve - Pejë
Fabrika e prodhimit të Vajit – Ferizaj
Fabrika e Tullave "Ringo" – Pejë
Fabrika e Tullave – Prishtinë
Fabrika e tapetave "Fazita" - Prishtinë
Fabrika e Gëlqeres – Kaçanik
Fabrika e Çimentos – Hani i Elezit
Fabrika e Perdeve – Gjilan
Fabrika e Plehërave azotike – Mitrovicë
Fabrika e Pllakave të Qeramikës në Kamenicë
Fabrika e Tekstilit “Printex” – Prizren
Fabrika e Eletromotorëve – Gjakovë
Fabrika “Famipa” – Prizren
Fabrika e Shiritave të gomës “Ballkani” – Suharekë
Fabrika e Schweepes-it dhe Jupi-it “ – Suharekë
Fabrika e Dorëzave metalike” – Viti
Fabrika e Armaturës në Podujevë
Fabrika e Municionit dhe Gjuetisë – Skenderaj
Fabrika e Feroniklit në Drenas
Fabrika e Autopjesëve në Pejë
Fabrika e Miellit –Fushë Kosovë
Fabrika e Qumështit ditor – Fushë Kosovë
Fabrika e Llamarinës – Vushtrri
Fabrika e Sheqerit - Pejë
Fabrika e Letrës – Lipjan
Fabrika e Ngjyrave – Vushtrri
Fabrika e Çorapeve në Vushtri
Fabrika e Birrës në Pejë
Fabrika e Lëngjeve "Ereniku" - në Gjakovë
Plantancionet në çdo cep të Kosovës
Koperativat Bujqësore në çdo cep të Kosovës
Sistemet e ujitjes
Lagjia Ulpiana – Prishtinë
Lagjia Dardania –Prishtinë
Pallati i shtypit "Rilindja" - Prishtinë
Menza e studentëve - Prishtinë
Stacioni i autobusëve - Prishtinë
Qindra rrugë e dhjetëra ura
Dhe me mijëra gjëra të tjera vetëm për 30 vite.
Pastaj erdhi koha e Partive Politike të pasluftës …….. dhe vazhdimi dihet.
P.S. Bëni krahasimin sa është ndërtuar për 22 vite në liri (përjashto sektorin privat), me donacione dhe investime enorme nga aleatë dhe organizata ndërkombëtare. Kështu është kur drejtimi i shtetit bie në duar të gabuara.
Në asnjë moment as unë e as Genci me këtë status nuk po shfaqim nostalgji për regjimin komunist, mirëpo udhëheqja e vendit në thelbin e saj do të duhej ta kishte mirëqenien e qytetarit të saj, e në një sistem demokratik këto pritshmëri janë aq herë më të mëdha.
P.S. Me përzgjedhjen time për president, ashtu siç qëndrojnë punët, nuk ka zonjë të parë. Nuk do të ketë shpenzime marramendëse për çanta dhe aksesorë të tjerë të shtrenjtë firmato!