OpEd

As BE-ja nuk është serioze në dialog, e ka futur në një fazë të improvizimeve

Dikur insistonin se “status quo” në raportet Kosovë-Serbi nuk është i qëndrueshëm. Tash BE-ja krenohet se ka arritur një status quo të ri. Insistohej në “marrëveshje ligjërisht obliguese” dhe në vend të saj doli një “Marrëveshje bazë”, që u reduktua në “marrëveshje për rrugën drejt normalizimit”. U tha se Marrëveshja duhet të nënshkruhet dhe u hoq dorë nga kjo, duke thënë se “palët u pajtuan se s’ka nevojë më të diskutohet për tekstin”. U tha se “Marrëveshja duhet të nënshkruhet së bashku me Aneksin e zbatimit, sepse të ndara nuk kanë kuptim” dhe u hoq dorë edhe nga nënshkrimi. Tash thonë se “nuk ia vlen të diskutohet rreth nënshkrimit”. Dhe presidenti i Serbisë tash thotë se ai “nuk ka pranuar asnjë marrëveshje”, por vetëm “një koncept” nga i cili do të zbatojë disa gjëra. Tash BE-ja hoqi dorë edhe nga insistimi në implementimin e plotë dhe të pakusht. Nuk deshi ta quajë “shkelje” të marrëveshjes as kur Serbia votoi kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, edhe pse kjo është tejet evidente. Tash Lajçaku flet për “respektimin e vijave të kuqe”. Shumë joserioze nga BE-ja. Pse atëherë të pritet që palët në dialog të jenë serioze, kur BE-ja dëshmon se kanë hapësirë sa të duan të mos i respektojnë obligimet dhe të mos kenë pasoja.

Një thënie e mirë shqipe ekziston për ta definuar marrëveshjen e supozuar mes Kosovës dhe Serbisë që thuhet të jetë arritur në Bruksel më 27 shkurt të këtij viti dhe për zbatimin e së cilës thuhet se është pranuar aneksi në takimin në Ohër më 18 mars. “Prej kur doli shkresa - humbi besa” është ajo thënie. Dikur besa e dhënë gojarisht ka pasur fuqinë e kontratës, garancosë pa rezerva. Dhe besa ka pasur edhe pasoja për shkeljen e besës. Por, kur doli shkresa, besa mbeti më shumë si emër, si simbol sepse gjithçka tash shkruhet në letër dhe nënshkruhet, prandaj edhe fjala e dhënë nuk e ka më fuqinë formale që e kishte dikur. Besa është fjalë shqipe për të cilën thuhet se nuk ekziston përkthim direkt në gjuhët e tjera, pos se mund të përshkruhet si “fjala e nderit”, “betimi”, “premtimi i fortë”, “besimi” e kështu me radhë.

Bashkimi Evropian tentoi më 27 shkurt ta kthente besën si kategori të arritjes së kontratave obliguese për ta zëvendësuar mungesën e shpresës, apo nënshkrimit të dokumenteve. Madje tentoi ta bëjë këtë mes palëve mes të cilave, thonë vetë në BE: “ka një mungesë të madhe të besimit të ndërsjellë” nëse mund të flitet fare se ka ndonjë besim.

Ishte e qartë se refuzimi i Serbisë për ta nënshkruar marrëveshjen nuk ishte diçka e parëndësishme, diçka vetëm simbolike. Por ajo që nuk është e qartë është se pse BE-ja aq shpejt hoqi dorë nga kërkesa që marrëveshja të jetë e nënshkruar. Për më tepër, sipas refuzimit të nënshkrimit pasoi edhe interpretimi i Serbisë se ajo as nuk e ka “pranuar” marrëveshjen dhe tash si rezultat edhe dëshmitë e qarta se nuk e ka ndërmend as ta zbatojë, dhe në dialog merr pjesë vetëm përderisa ai proces nuk prodhon obligime për Serbinë dhe nuk e ndryshon situatën në Kosovë e as pozicionin ndërkombëtar të Kosovës. BE-ja ose është bashkëpjesëmarrëse në realizimin e kësaj strategjie të Serbisë ose është aq naive, saqë të besojë se në këtë mënyrë do të zgjidhen problemet dhe arrihet qëllimi i normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kur presidenti i Serbisë thotë se ai “nuk e ka pranuar marrëveshjen” dhe se “nuk e ka ndërmend të zbatojë“ disa pikë të “njëfarë koncepti që ata e kanë botuar”, nuk mjafton që në BE të thonë se “si parim nuk komentojnë secilën deklaratë të politikanëve në rajon”. Sepse fjala nuk është për koment, por për deklaratën e një prej dy pjesëmarrësve të dialogut. Kur ajo thotë se nuk ka marrëveshje, atëherë kjo është e vërtetë. Prandaj, kanë të drejtë edhe disa diplomatë të cilët gjithnjë e më shumë dyshojnë se përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, e ka ekzagjeruar rëndësinë dhe fuqinë e kësaj marrëveshjeje të supozuar. Nëse Bashkimi Evropian si lehtësues vazhdon t’i përmbahet parimit se në dialog ekziston vetëm ajo për të cilat pajtohen dy palët, atëherë mund të konstatohet se nuk ekziston marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për të cilën aq shumë ka folur BE-ja dhe e cila është përshëndetur aq shumë nga bota, nga Washingtoni e Londra deri tek Ankaraja e Tirana. Presidenti i Serbisë ka thënë në vazhdimësi se ai, jo vetëm se nuk e ka nënshkruar marrëveshjen, por nuk e ka pranuar as gojarisht në mënyrë që vendi i tij të mos ketë asnjë obligim ligjor. Disa herë ka thënë se ka qenë shumë i kujdesshëm në këtë drejtim. Ata që thonë ndryshe Aleksandar Vuçiq i ka quajtur “gënjeshtarë”, “hipokritë” dhe “mashtrues”, duke menduar në vendet e Perëndimit.

nuk ka dokument të nënshkruar, atëherë kthehemi në rëndësinë e fjalës. BE-ja pretendon se palët “kanë dhënë fjalën” se do të zbatojnë tërë marrëveshjen dhe aneksin e saj dhe në këtë mënyrë ata “kanë marrë obligime formale për zbatim”. Por Serbia “me fjalë dhe me vepra” po dëshmon se nuk e ka kuptuar ashtu.

Dikur insistonin se “status quo” në raportet Kosovë-Serbi nuk është i qëndrueshëm. Tash BE-ja krenohet se ka arritur një status quo të ri. Insistohej në “marrëveshje ligjërisht obliguese” dhe në vend të saj doli një “Marrëveshje bazë” që u reduktua në “marrëveshje për rrugën drejt normalizimit”. U tha se Marrëveshja duhet të nënshkruhet dhe u hoq dorë nga kjo, duke thënë se “palët u pajtuan se s’ka nevojë më të diskutohet për tekstin”. U tha se “Marrëveshja duhet të nënshkruhet së bashku me Aneksin e zbatimit, sepse të ndara nuk kanë kuptim” dhe u hoq dorë edhe nga nënshkrimi. Tash thonë se “nuk ia vlen të diskutohet rreth nënshkrimit”. Dhe presidenti i Serbisë tash thotë se ai “nuk ka pranuar asnjë marrëveshje”, por vetëm “një koncept” nga i cili do të zbatojë disa gjëra. Tash BE-ja hoqi dorë edhe nga insistimi në implementimin e plotë dhe të pakusht. Nuk deshi ta quajë “shkelje” të marrëveshjes as kur Serbia votoi kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, edhe pse kjo është tejet evidente. Tash Lajçaku flet për “respektimin e vijave të kuqe”. Shumë joserioze nga BE-ja. Pse atëherë të pritet që palët në dialog të jenë serioze, kur BE-ja dëshmon se kanë hapësirë sa të duan të mos respektojnë obligimet dhe të mos kenë pasoja.

Naive duke u besuar fjalëve mund të ketë dalë edhe Kosova. BE-ja nuk po dëshmon se do të ketë pasoja për ata që shkelin marrëveshjen dhe po e tolerojnë Serbinë të bëjë këtë. Serbia jo vetëm se shkel pikën e marrëveshjes së fundit, ku thuhet se “nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”, por shkel edhe Marrëveshjen e vitit 2013, ku thuhet se “nuk do të pengojë, as të inkurajojë të tjerët të pengojnë rrugëtimin përkatës evropian”. Pasi si “rrugëtim evropian” është edhe anëtarësimi në Këshillin e Evropës, Serbia jo vetëm se i ka inkurajuar të tjerët të pengojnë Kosovën, por edhe u është kërcënuar atyre që nuk kanë bërë pengesa.

Kosova mund të thuhet se ka arritur sukses me nisjen e procedurës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Dhe ky është gjithsesi një hap historik për Kosovën. Por nga ky akt në Këshillin e Evropës dolën edhe disa fakte jo të mira. I pari është testi që kaloi Serbia duke kundërshtuar e duke mos u qortuar fare. Madje zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha vetëm se “BE-ja ka marrë në dijeni votimin” dhe se “I takon secilit shtet anëtar të Këshillit të Evropës të vendosë se si të votojë” që mund t’i bjerë se edhe Serbia, si anëtare e Këshillit të Evropës, ka pasur të drejtë të votojë kundër, ani pse kjo është në kundërshtim të qartë me Marrëveshjen. Argumentimet e disa zyrtarëve të BE-së që sa herë përballen me fakte se Serbia shkel marrëveshjen, përgjigjen se “edhe Kosova nuk po i kryen obligimet” kësaj radhe formalisht është e gabueshme, sepse një pikë e aneksit thotë se të gjitha pikat duhet të zbatohen pa u varur nga njëra-tjetra. Pra edhe nëse Kosova nuk e kryen ndonjë obligim, kjo nuk do të duhej të ishte arsye, së paku formalisht, për të mos zbatuar një pikë tjetër.

Për kosovarët u dëshmua se për momentin ka qenë iluzion kuptimi se “pesë vendet e BE-së do të ndryshojnë qëndrimin ndaj statusit të Kosovës”. Jo vetëm se kjo nuk ndodhi, por atyre që nuk votuan në favor të Kosovës në Këshillin e Evropës iu shtua edhe një shtet tjetër anëtar, Hungaria. Duket se ka qenë i gabuar edhe presupozimi i disa zyrtarëve të Kosovës se, pas marrëveshjes, BE-ja “do ta heqë fusnotën” kur përmendet Kosova. Në këtë drejtim, në BE thonë se “nuk ka asnjë ndryshim”. Votimi i katër vendeve të BE-së kundër nisjes së procedurës për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, abstenimi i dy vendeve të tjera të BE-së, sjellja e Spanjës rreth mosnjohjes së dokumenteve të udhëtimit, me çka liberalizimi i vizave nuk do të vlejë për udhëtimin e kosovarëve në këtë shtet anëtar, dëshmojnë se nuk ka as sinjale më të vogla nga vendet që nuk e kanë njohur Kosovën se do ta bëjnë tash një gjë të tillë, si pasojë e “Marrëveshjes”. Ndoshta vërtet dikush nga ekipi i “lehtësuesve“ u ka thënë zyrtarëve të Kosovës se do të ndryshojë qasja e 5 vendeve, ose se ata do të angazhohen të hiqet fusnota, por një gjë e tillë në këto dy muaj prej kur është arritur marrëveshja e supozuar, nuk është shndërruar në veprim. Për me tepër ata vazhdojnë të kenë më shumë mirëkuptim për “linjat e kuqe” të Beogradit. Ky në asnjë mënyrë nuk është një fillim i mbarë i zbatimit të “Marrëveshjes” dhe në këtë mënyrë, BE-ja po hyn përsëri në fazë të një improvizimi të pasuksesshëm. Nëse vazhdon kështu, BE-ja duhet t’i kthehet paralajmërimit që përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, e kishte dhënë në fund të vitit të kaluar se “lehtësuesi mban të drejtën t’i japë fund procesit”, nëse vlerëson se palët nuk janë serioze dhe konstruktive në qasjen e tyre. Sepse dialogu që nuk prodhon ndryshime në terren, që për më tepër, me paqartësi krijon më shumë sfida dhe rreziqe, po ashtu nuk ka shumë kuptim.