OpEd

“Armëpushimi” kushtetues

Rreziku u shmang përkohësisht dhe vendi ka ca javë për të menduar si mund t’i ikë shndërrimit të dramës politike në një tragjedi të përgjithshme shoqërore, një plage të llojit që merr kohë të gjatë të shërohet, e edhe kur të shërohet prapa vetes lë vragë të thellë të përhershme

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar përkohësisht dekretin e presidentit për mandatarin e ri, e ka ndalur po ashtu përkohësisht krizën politike.

Siç u vërejt tashmë prej shumëkujt, vendimi parandaloi kalimin në një fazë të re të konfliktit politik mes partive parlamentare, shumë më të rrezikshme dhe dëmshme për vendin.

Pa këtë vendim të Kushtetueses, e shtuna ka mundur të na gjejë me një Qeveri të re të votuar nga shumica e deputetëve të Kuvendit dhe me një Qeveri në detyrë që do të pretendonte se mandati i saj vazhdon deri në vendimin final të Gjykatës.

Dhe me popullin në mes, që edhe më tej nuk e kupton se çfarë iu desh kastës politike të rrëzojë qeverinë në kohë pandemie.

Marrë parasysh se çfarë drame kishim këto javët e fundit me Qeverinë Kurti në detyrë, nuk është zor të imagjinohet se si do të dukej përplasja e taborreve politike të armiqësuara tashmë, në një situatë ku vendi ka jo një, po dy Qeveri që pretendojnë legjitimitet.

Sidoqoftë, rrëziku u shmang, sërish të theksojmë përkohësisht, dhe vendi ka ca javë për të menduar si mund t’i ikë shndërrimit të dramës politike në një tragjedi të përgjithshme shoqërore, një plage të llojit që merr kohë të gjatë të shërohet, e edhe kur të shërohet, prapa vetes lë vragë të thellë të përhershme.

* * *

Shpëtimin nga situata nuk besoj se mund ta presim nga një pajtim mes partive politike.

Ideja e arritjes së një konsensusi politik, një pajtimi për hir të shtetit dhe kombit, sidomos tani, në një moment kur vendi është i rrezikuar nga pandemia, tashmë duhet të jetë e qartë se është ide utopike! Po të kishin shumica e liderëve politikë e institucionalë sens dhe përgjegjësi për të mirën e qytetarit dhe vendit, nuk do ta nisnin këtë krizë politike në kohë të pandemisë. Po ashtu, po të kishin ndjenjën e përgjegjësisë, nuk do të iniconin një ndërrim qeverie në mënyrë pothuajse klandestine, duke tentuar t’i shmangen interpretimit kushtetues.

Andaj, është e qartë se nuk duhet pritur që sulmet dhe akuzat mes partive dhe veprimet provokuese politike të frenohen, tani që jemi në një lloj “armëpushimi” të shpallur nga Gjykata Kushtetuese. Rrjedhimisht, ajo që do pritur është se partitë politike, liderët e tyre, do të vazhdojnë me debatet dhe përplasjet publike, provokimin e kundërshtarëve dhe nxitjen e militantëve, me synimin që të intensifikohet lufta politike si në rrjetet sociale, ashtu dhe në realitetin faktik.

Krejt kjo do të vazhdojë deri në momentin kur Gjykata Kushtetuese të vendosë nëse dekreti i presidentit është apo nuk është shkelje e Kushtetutës së Kosovës. Dhe kur kjo të vendoset, do të hyjmë në fazën e ardhshme të krizës, atë që e shmangëm për pak me “armëpushimin” e imponuar nga Kushtetuesja.

Sepse, nëse Kushtetuesja vendos që dekreti i presidentit është shkelje – nuk shoh si këtë vendim do ta pranojë e zbatojë presidenti, i cili në atë rast do të duhej edhe të japë dorëheqje! Zgjedhjet, që do të duhej të pasojnë pashmangshëm, nuk di si do t’i pranojnë partitë që tashmë janë bërë gati ta marrin qeverinë, edhe pse e dinë që në garë për vota të qytetarëve nuk kanë më asnjë gjasë për fitore.

Apo, nëse Kushtetuesja vendos që dekreti nuk përbën shkelje, atëherë mund të supozojmë se qeveria e ardhshme, e imponuar jo nga vota në zgjedhje, por nga vullneti i presidentit dhe disa partive politike, do të jetë një që nuk gëzon legjitimitet demokratik te shumica e qytetarëve dhe do të shembë edhe atë pak besimi që ka mbetur në rendin demokratik të vendit. Në këtë rast, nuk më duket e besueshme as që fituesi i zgjedhjeve të fundit dhe përkrahësit e tij të njohur për aktivizëm shpeshherë edhe radikal, të dorëzojnë paqësisht çelësat e ndërtesës së qeverisë.

Nuk di si do të vendosë Kushtetuesja, por në çdo rast më duket se do të jetë vendim me efekte të rënda, që para së gjithash, do ta dëmtojnë vendin.

* * *

Nuk duhet pritur pra, shpëtim nga krerët politikë. Ata edhe e krijuan këtë krizë, ata edhe e thelluan këtë krizë, ata edhe e shtyjnë krizën tutje drejt pikës së shpërthimit.

As Gjykata Kushtetuese nuk mund të na shpëtojë. E politizuar apo jo, Gjykata tashmë është një lojtar anësor, që mund vetëm të imponojë një armëpushim të përkohshëm, duke e ditur se përpasja e madhe nuk është shmangur, por vetëm është shtyrë për më vonë, ca javë.

Nuk mund të na shpëtojnë as ata që zakonisht na kanë shpëtuar në kohë kur i jemi vërsulur njëri-tjetrit – demokracitë perëndimore, të cilat Kosova i konsideron shtete mike. Në një anë, SHBA dhe vendet evropiane tashmë janë të rënduara me pandeminë e koronavirusit, dhe zor se do të kenë energji dhe resurse për të ndërmjetësuar një paqe mes shqiptarëve të Kosovës. Në anën tjetër, edhe po të kenë energji dhe resurse, kjo krizë ka treguar se as zëri i tyre më nuk është i pakontestueshëm ndër politikanët kosovarë; tash ka këtu edhe që i tnonë jo Amerikës, edhe që i thonë jo Evropës.

E vetmja shpresë që ka mbetur për ta parandaluar këtë rënie të Kosovës janë qytetarët e saj. Ata që në fund gjithmonë e kanë paguar faturën për dështimet e politikës. Ata në emër të të cilëve kryhen këto manipulime e mashtrime politike. Ata të cilëve u keqpërdoret vota. Ata që nuk mund të durojnë më që fëmijët t’u rriten dhe të krijojnë familje në një vend që mbetet i pakryer.

Ndër këta qytetarë ka shumë që janë brenda po këtyre partive politike që edhe e krijuan këtë problem. Tani është koha që ata, bashkë me gjithë të tjerët, të ngrehin zërin e kundërshtimit të kësaj lufte politike.

Përgjegjësia për krijimin e krizës është e një grushti politikanësh të etshëm për pushtet. Përgjegjësia për ndaljen e saj para se vendi të rrëzohet tërësisht, është e secilit qytetar.

Ndryshe, nuk di si do të përgjigjemi pas dhjetëra vjetësh, kur të na pyesin: Po ku ishit ju kur e shkatërruan Kosovën?