OpEd

Apokalipsi, kur?

Sfida e përnjëmendtë është ajo e udhëheqjes: një numër i vogël i liderëve politikë në botë mund të pajtohen që t’i adresojnë disa prej këtyre problemeve të liga në interes të përbashkët të të gjithëve. Por në të njëjtën kohë, universitetet dhe institutet e kërkimeve duhet t’i eliminojnë kufizimet disiplinore dhe strukturat e karrierës që i shpërblejnë vetëm ngushtësinë dhe zbulimin. Ekspertët e shkencave klimatike duhet ta integrojnë punën e tyre me atë të ekspertëve të shkencave politike teksa epidemiologët duhet ta bëjnë të njëjtën me ekonomistët. Analizimi i rreziqeve që kanosen nga katastrofat e krijon detyrimin për të vepruar tani

Në memoarin e tij elegjik “The World of Yesterday”, të cilin e shkroi derisa ishte në ikje nga nazistët, shkrimtari austriak Stefan Zweig vëzhgon se shumica e njerëzve nuk arrijnë t’i perceptojnë gjasat e ndryshimeve katastrike në situatat e tyre. Gjërat mund të përkeqësohen gradualisht pa e nxitur ndonjë reagim për kohë të gjatë. E kur katastrofa godet është tepër vonë për të vepruar.

Ndryshime dramatike po ndodhin edhe në kohën tonë dhe ne duhet të shpresojmë se ende nuk është bërë tepër vonë për t’i adresuar ato. Mjerisht, vështirë se do të mund të mobilizohet veprimi mjaftueshëm urgjent, i koordinuar dhe i vendosur kur shumica prej nesh – sikurse bretkosa e fjalës së urtë që vlon ngadalë – e perceptojmë ndryshimin si gradual. Andaj, ia vlen të pyetemi se me çfarë mund të ballafaqohemi nëse më e keqja ndodh.

Ngjarjet e pazakonta të motit, të nxitura nga ndryshimet klimatike, janë një lloj i dukshëm i katastrofës. Ato mund t’i kaplojnë pjesët e mëdha të planetit, të pabanueshme, por edhe me popullatë të dendur, dhe veçse mund të jetë e pamundur që të shmangen lëvizjet e popullsive në shkallë të gjerë shkaku i tyre. Shumica e viktimave të klimës mund të duken sikur janë tepër larg – Tuvalu i vockël në Paqësor shpeshherë portretizohet si një prej viktimave të para të mundshme. Por ngjarjet e fundit klimatike po i godasin rajonet më afër qendrave globale të fuqisë – si Floridan, qytetet e luginës së Lumit të Verdhë në Kinë, Seattlen dhe New Delhin – qoftë me vërshime apo me temperatura tepër të larta për t’u përballuar nga njerëzit.

Qeveritë dhe organizatat ndërkombëtare prandaj duhet t’i nisin përgatitjet për mundësinë e shfaqjes së miliona refugjatëve të klimës në të ardhmen. Sipas Kombeve të Bashkuara, 79.5 milionë njerëz ishin zhvendosur kudo nëpër botë deri në fund të vitit 2019, shifër kjo më e larta që ka regjistruar ndonjëherë dhe më shumë se kurdoherë që nga migrimet masive dhe të detyrueshme pas Luftës së Dytë Botërore.

Ngrohja e vazhdueshme globale nënkupton se ky numër do të rritet.

Që gjendja të bëhet edhe më e rëndë, ndryshimet klimatike, të kombinuara me humbjen e biodiversitetit dhe shkatërrimin e tokave, kërcënojnë ta shkaktojnë një spirale në rënie për prodhimet bujqësore. Kjo do t’i zhbënte shumë prej përfitimeve të gjeneruara nga Revolucioni i Gjelbër, që ia mundësoi Tokës t’i mbajë 7.9 miliardë banorët e saj.

Në një situatë të tillë, na duhet një Revolucion i Gjelbër i ri që shkon përtej modifikimit gjenetik të të korrave për të përfshirë ndryshimet shoqërore dhe ekonomike, si reformat në toka, dieta të ndryshuara dhe modele të ndryshme afariste. Dështimi për t’i ndryshuar praktikat aktuale intensive dhe të industrializuara bujqësore në mënyrë të ngutshme dhe në përmasa të duhura do të rezultonte me dështimin e të korrave dhe rritjen e urisë. Për importuesit e ushqimit, si Mbretëria e Bashkuar, bollëku i pasluftës me të cilin jemi mësuar mund të shndërrohet në një gjë të së shkuarës. Por si do ta mundësojmë ndryshimin e nevojshëm të sistemit kurse, me gjithë pandeminë, raftet në supermarkete janë ende plot?

Një tjetër lloj katastrofe që ndërlidhet me ndërhyrjet edhe më të mëdha njerëzore në natyrë është shpeshtësia e sëmundjeve zonotike që kalojnë prej kafshëve te njerëzit. Pandemia e pashembullt e COVID-19 ia ka përçuar botës këtë mesazh – Ebola, SARS-i dhe MERS-i ishin paralajmëruesit e mëhershëm – dhe të tjera kriza të këtilla shëndetësore do të pasojnë. Në mënyrë të ngjashme, përhapja e rezistencës anti-mikrobiale nënkupton se betejat e moçme me infeksione kanë rifilluar. Dhe nëse edhe një koronavirus i ri më virulent shfaqet brenda disa vjetëve të ardhshëm, a do të jemi ne të përgatitur për një tjetër katrahurë sikur kjo që të gjithë e kemi përjetuar për më shumë se 18 muaj?

Ngjarje të këtilla do ta rrisin theksueshëm presionin mbi sistemet ekzistuese politike, pa marrë parasysh nëse janë demokratike apo regjime autoritare. Sot, vetëm një vëzhgues Panglosian do ta parashikonte kthimin e afërt në trendin drejt demokracisë liberale që e karakterizoi pjesën e fundit të shekullit njëzet. Përkundrazi, nevoja për t’u bërë ballë emergjencave të tjera mund ta bëjë Perëndimin më autoritar. Dhe kthimi prej multilateralizmit në përplasjet gjeopolitike mund të përshpejtohet, duke i dhënë hov një qarku vicioz që e bën akoma më të vështirë luftimin e problemeve globale.

Mbase këto mendime të zymta janë thjesht një sinjal se autori i tyre ka nevojë për pushime verore. Por duke e pasur në mendje paralajmërimin e Zweigut, nuk do të bënte dëm që të mendohet çfarë nëse.

Çfarë nëse ka ardhur koha për veprime të mëdha, e jo për të vogla? Cilat do të ishin ato?

Samiti i shtatorit i Sistemeve të Ushqimit organizuar nga OKB-ja dhe konferenca klimatike e OKB-së (COP26), që do të mbahet në nëntor në Glasgow, janë mundësi të qarta për të ecur drejt një reforme shtesë drejt progresit domethënës. Por shmangia e krejt këtyre katastrofave potenciale kërkon ndryshim sistemi; këto janë ato që njihen si “probleme të liga”, për arsye të dukshme. Dhe është punë e vështirë që njerëzit të binden për t’i luftuar ato bashkërisht, veçanërisht kur shumica e tyre aktualisht e perceptojnë vetëm një përkeqësim të ngadaltë.

Sfida e përnjëmendtë është ajo e udhëheqjes: një numër i vogël i liderëve politikë në botë mund të pajtohen që t’i adresojnë disa prej këtyre problemeve të liga në interes të përbashkët të të gjithëve. Por në të njëjtën kohë, universitetet dhe institutet e kërkimeve duhet t’i eliminojnë kufizimet disiplinore dhe strukturat e karrierës që i shpërblejnë vetëm ngushtësinë dhe zbulimin. Ekspertët e shkencave klimatike duhet ta integrojnë punën e tyre me atë të ekspertëve të shkencave politike teksa epidemiologët duhet ta bëjnë të njëjtën me ekonomistët. Analizimi i rreziqeve që kanosen nga katastrofat e krijon detyrimin për të vepruar tani.

(Diane Coyle, profesoreshë e Politikave Publike në Universitetin e Cambridges, është autore e librit “Markets, State, and People: Economics for Public Policy”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin ndërkombëtar të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)