OpEd

Apokalips apo bashkëpunim?

Njerëzimi ende e ka një shans për ta hedhur një hap prapa prej pragut. A do ta bëjë këtë apo speciet e ardhshme do të pyeten përse kemi zgjedhur që të marrim pjesë aktivisht në vetë shkatërrimin tonë?

Apokalipsi po ndodh tani. Ky është mesazhi ndezës i një stuhie të përkryer të COVID-19 dhe ndryshimit klimatik që tani ka shpërthyer. Pandemia nuk ka të ngjarë që të përfundojë për vite, teksa koronavirusi i ri po pëson mutacion në variante përherë e më përhapëse e rezistuese ndaj kurave.

Dhe katastrofa klimatike nuk është më “e afërt” porse po ndodh në kohë reale.

Raporti më i fundit i Panelit Ndërqeveritar për Ndryshime Klimatike – vlerësimet e të cilit u paraprijnë ngjarjeve ekstreme klimatike të vitit të shkuar – na tregon se disa prej ndryshimeve të pafavorshme e drastike klimatike tani janë të pakthyeshme. Ato do ta prekin secilin rajon, siç kanë demonstruar valët e fundit të vapës, flakëve dhe përmbytjeve. Njashtu do të shkaktojnë dëme të rënda për shumë specie natyrore dhe të ndikojnë negativisht në mundësitë dhe kushtet e jetesës njerëzore.

Për ta mbajtur në të ardhmen ngrohjen klimatike përbrenda një niveli të menaxhueshëm (edhe po qe se është mbi synimin prej 1.5 gradësh Celsius të përcaktuar me marrëveshjen klimatike të Parisit më 2015) do të nevojiten përpjekje enorme, të cilat përfshijnë përmbysjen ekonomiko-politike në akëcilin vend. Ndryshimet madhore në arkitekturën globale ligjore e ekonomike do të jenë thelbësore.

Nga ana e saj, pandemia ka dërrmuar punësimet dhe kushtet e jetesës, duke i shtyrë me qindra miliona njerëz, kryesisht në botën në zhvillim, drejt varfërisë dhe urisë.

Trendët Botërorë të Punësimit dhe Perspektivës Sociale për 2021, përpiluar nga Organizata Ndërkombëtare e Punës, e shpalosin shtrirjen e dëmit deri në hollësinë më të imtë.

Më 2020, pandemia e shkaktoi humbjen e afro 9 për qind të totalit botëror të orëve të punës, një ekuivalent ky me 255 milionë vende pune me orar të plotë. Ky trend ka vazhduar më 2021, me një humbje të orëve të punës ekuivalente me 140 milionë vende pune me orar të plotë gjatë çerekut të parë dhe të 127 milionë vendeve të punës në çerekun e dytë të vitit.

Bazuar në trendët aktualë, rritja e projektuar në punësime do të jetë e pamjaftueshme për t’i kompensuar këto humbje. Andaj, edhe më 2022, bilanci total i punësimeve do të jetë më i ulët se më 2019, për një ekuivalent prej së paku 23 milionë vendeve të punës me orar të plotë. Dhe kjo do të ndodhë me gjithë shtimin e fuqishëm të vendeve të punës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që do të thotë se përkeqësimi në tregun e punës përgjatë rajoneve të tjera, kryesisht më të varfra, do të jetë edhe më i ashpër dhe më intensiv.

Për më tepër, vendet “e reja” të punës që ndërlidhen me rimëkëmbjen nga pandemia do të ofrojnë paga theksueshëm të ulëta dhe cilësi jo të mirë.

Ndërkohë, pabarazia ekonomike midis dhe përbrenda vendeve ka mbërritur në nivele që ishin të paimagjinueshme në botën edhe ashtu skajshmërisht të pabarabartë para pandemisë. Derisa shumë njerëz përballen me humbje të theksueshme në të ardhura, qasjen e shkurtuar në nevoja bazike, privime akute dhe uri, një pakicë e vockël e atyre që janë jashtëzakonisht të pasur dhe i korporatave të pakta të mëdha kanë rrëmbyer edhe më shumë të ardhura dhe pasuri, duke i shumëfishuar kësisoj asetet e tyre.

Format e reja të konsumit të tepërt ditëve të sotme – siç është rasti i burrit më të kamur në botë, Jeff Bezos, që së fundi shpenzoi 5.5 miliardë dollarë për një shëtitje katërminutëshe përreth hapësirës nënorbitale – janë me plot kuptimin e fjalës përtej kësaj bote. Kjo shumë do të mund të përdorej më mirë për financimin e nisjes Globale të Qasjes në Vaksina kundër COVID-19 (COVAX) me qëllim të ofrimit të vaksinave për dy miliardë njerëz në vendet e varfra, të cilët aktualisht mund t’i marrin ato brenda dy vjetëve të ardhshëm.

Një gjendje e tillë qartazi nuk mund të zgjasë shumë pa shkaktuar tensione të mëdha shoqërore dhe trazira civile. Ç’është e vërteta, stuhia e përkryer të cilën po fillojmë që ta përjetojmë së shpejti do të përfshijë shumë më tepër jostabilitet shoqëror dhe politik. Në vend që ta nxisë një agjendë progresive dhe transformative, mund të katandiset në forma etnike, racore dhe të tjera të konflikteve, dhunës dhe kaosit.

Ky skenar prej makthi mund megjithatë të shmanget me bashkëpunimin skajshmërisht të shtuar ndërkombëtar në disa çështje kyç. Në aspektin e klimës, qeveritë mund të deklarojnë kolektivisht se do ta reduktojnë emetimin e dyoksid karbonit dhe gazeve të tjera serrë më ashpërsisht, me qëllim të arritjes së synimit prej zero emetimeve brenda një dekade, e jo disa dekadave.

Vendet e pasura me shkallë më të larta të emetimeve duhet padyshim që t’i bëjnë shkurtimet më të thella dhe t’i transferojnë teknologjitë e gjelbra në botën në zhvillim pa vënë kushte, për t’ua mundësuar edhe këtyre të fundit dekarbonizimin e shpejtë. Fondet për përshtatjen klimatike tani janë jetike dhe investimet e propozuara publike globale mund ta jetësojnë veprimin e atypëratyshëm.

Për ta vënë nën kontroll pandeminë ende në zhvillim, është e domosdoshme që dozat e disponueshme të vaksinave të shpërndahen menjëherë dhe të hiqen pengesat ligjore për zgjerimin e prodhimit nëpërmjet licencave të detyrueshme. Përveç kësaj, kompanitë farmaceutike që përfituan nga subvencionet e majme për zhvillimin e vaksinave anti-COVID duhet ta ndajnë hisenë e teknologjisë së tyre me prodhuesit e tjerë për rritjen e furnizimeve, siç ka rekomanduar Këshilli i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Shëndetin e të Gjithëve. Ndërtimi i kapaciteteve të qëndrueshme dhe të decentralizuara prodhuese, përfshirë në sektorin publik, do të jetë qenësor për ballafaqimin efikas me pandemitë e ardhshme dhe krizave të tjera shëndetësore.

Për sa u përket politikave ekonomike, bashkëpunimi global tatimor nuk është i pamend. Rregullat e thjeshta që do t’i shtynin kompanitë shumëkombëshe që të paguajnë hise të njëjtë në taksa sikurse kompanitë vendore dhe garantimi që të ardhurat ndahen drejtësisht midis shteteve, do ta tkurrte pabarazinë dhe do t’ua siguronte resurset më se të nevojshme ekonomive në zhvillim që përballen me kufizime fiskale.

Po kështu, një mekanizëm ndërkombëtar i lehtësimit të borxhit sovran do ta reduktonte barën fiskale të shumë vendeve në zhvillim, duke e liruar kësisoj hapësirën për shpenzime urgjente. Rregullimi i financave ndërkufitare skajshmërisht mobile dhe prezantimi i kushteve që ndikojnë që financat t’u përgjigjen nevojave shoqërore gjithashtu do të kërkojë bashkëpunim ndërkombëtar rregullator.

Mjerisht, gjendja aktuale e politikës globale nënkupton që kjo agjendë e nevojshme dhe e realizueshme vështirë se mund të realizohet. Liderët në vendet e mëdha deri më tani kanë shpërfaqur mungesë patetike të ambicies. Në vend të kësaj, ata kanë bërë premtime boshe për këto sfida ekzistenciale, përderisa kanë mbetur të nënshtruar ndaj kapitalit privat dhe interesave të maskuara.

Qëndrimi i qeverive të G7-s, të cilat janë më shumë të obsesionuara me ngritjen e Kinës sesa me ruajtjen e botës sonë përherë e më të brishtë, ka qenë veçanërisht dëshpërues. Nacionalizmi i tyre me vaksinat COVID-19 është shkurtpamës dhe i pahijshëm, derisa lidhja e tyre e ngurtë me të drejtat e pronës intelektuale ua mundëson kompanive private që ta kufizojnë dijen dhe prodhimin me qëllim të maksimalizimit të profiteve të tyre. Këto qëndrime e kanë tkurrur besimin dhe e kanë vështirësuar bashkëpunimin ndërkombëtar për luftimin e pandemisë.

Njerëzimi ende e ka një shans për ta hedhur një hap prapa prej pragut. A do ta bëjë këtë apo speciet e ardhshme do të pyeten përse kemi zgjedhur që të marrim pjesë aktivisht në vetë shkatërrimin tonë?

(Jayati Ghosh, sekretar ekzekutiv i Bashkëpunëtorëve Ndërkombëtarë për Zhvillim Ekonomik, është profesor i Ekonomisë në Universitetin e Massachusettsit, Amherst, dhe anëtar i Komisionit të Pavarur për Reformë në Taksat e Përbashkëta Ndërkombëtare. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).