Cilat janë motivet pas akteve gjenocidale të Izraelit në Gaza dhe cila është rruga përpara?
Më 7 tetor 2023, luftëtarët e Hamasit thyen gardhin e burgut të Gazës, duke nisur një sulm të koordinuar mbi të paktën shtatë lokalitete ushtarake izraelite dhe në më shuamë se 20 komunitete rezidenciale përreth. Mbi 1000 qytetarë izraelitë, civilë dhe ushtarakë, si dhe dhjetëra shtetas të huaj, u vranë në këtë sulm. Rreth 240 të tjerë u morën peng. Të kapur në befasi dhe në rrëmujë, ushtria izraelite iu përgjigj sulmit me furi, duke qëlluar pa dallim mbi lokalitetet e çara, duke vrarë në proces disa nga pengjet izraelite së bashku me luftëtarët e Hamasit.
Forcave izraelite iu është dashur gati një ditë për të rimarrë të gjithë territorin e humbur dhe për të siguruar perimetrin e Gazës.
Pas sulmit të papritur e të paprecedentë të Hamasit, aparati dhe organet zyrtare izraelite për marrëdhënie me publikun nisën një fushatë dezinformimi që qëllimin kryesor e kishte të nxiste frikë dhe tërbim/gjindosje dhe kështu filluan të përhapnin propagandë për krime të egra, por të paverifikuara.
Kjo fushatë, që përfshiu tregime se si foshnjave “ua prenë kokat”, “i dogjën” dhe “i varën në litar rrobash”, ndihmoi që tronditjen e publikut izraelit ta shndërroj në gjenocid tribal/fisnor dhe në të njëjtën kohë të largojë vëmendjen nga gabimet e politikëbërjes, shërbimeve sekrete informative, dhe ushtrisë së Izraelit, që në radhë të parë hapën rrugën dhe mundësuan një sulm të tillë.
Fushata gjithashtu ndihmoi Qeverinë e Izraelit të marrë mbështetje të rëndësishme nga populli për mobilizimin masiv të njësive rezervë, gjë që bëri të mundur pushtimin e plotë tokësor të Rripit të Gazës.
Pas sigurimit të mbështetjes së pakushtëzuar ushtarake, politike dhe diplomatike të sponsorëve të tij perandorakë në Perëndim, veçanërisht në Uashington, e nën pretekstin për t'iu kundërvënë Hamasit dhe për të shpëtuar pengjet, Izraeli nisi ekspeditën ushtarake në Gaza që është përshkruar me saktësi si një "fushatë vrasjesh masive" e udhëhequr nga inteligjenca artificiale. Dhjetë javë më vonë, shumica e Gazës tani është shkatërruar, mbi 20,000 palestinezë kanë vdekur, e shumë të tjerë ende janë nën rrënoja, dhe bota vazhdon të shikojë në mënyrë pasive shpalosjen e gjenocidit. Ekzaminimi i këtyre ngjarjeve dhe sjelljes se njerëzve përmes një llupe neuroshkencore mund të ofrojë njohuri mbi dinamikën kolonialiste të ardhacakëve sionistë në përgjithësi dhe për motivet e veçanta që qëndrojnë pas akteve gjenocidale të Izraelit në Gaza, si dhe për rrugën e mundshme përpara.
Shtyllat e propagandës sioniste
Si rrjedhoje e traumave historike, populli hebre ka një frikë të thellë nga antisemitizmi.
Në fund të shekullit të 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të, kjo frikë, së bashku me përbuzjen ndaj shtypësit, çoi në formimin e grupeve autonome vetëmbrojtëse hebraike në vendbanime të ndryshme. Sionizmi, një lëvizje koloniale evropiane, e hetoi herët potencialin e kësaj dinamike. Me sukses lidhi dëshirën e hebrenjve për siguri dhe vetëmbrojtje me ideologjitë mesianike, fashiste dhe të supremacistëve të bardhë.
Kjo sintezë ndihmoi në lindjen e një identiteti të ri, nacionalist-hebre që barazon sigurinë e hebrenjve me ndërtimin e një atdheu të veçantë në Palestinë përmes zhvendosjes dhe shpërnguljes së popullatës autoktone.
Përpjekjet koloniale të ardhacakëve zakonisht bazohen në përshkrimin e territorit të synuar si “të pabanuar”, dhe banorët e saj si të ‘egër, çnjerëzor’ dhe të padenjë për të qen të zot toke.
Ky lloj përshkrimi i lejoi sionistët të zhvendosnin popullsinë autoktone të Palestinës pa shqetësime morale, duke e paraqitur krijimin e Izraelit jo si shkatërrimin e një populli, por sikurse ndërtimin e një “pallat në mes të xhunglës”.
Brenda shoqërisë izraelite, të bazuar në grabitjen e tokës dhe vjedhjen e burimeve, agresioni dhe sulmi nën maskën e "vetëmbrojtjes" (sikurse e thërrasin edhe ushtrinë e tyre - "Forcat Mbrojtëse të Izraelit") është shpërblyer dhe është fuqizuar pa masë që nga fillimi dhe si pasojë e kësaj është bërë pjesë rutine e jetës.
Duke e lidhur frikën me traumat e popullit hebre, përvojat e tyre negative të së kaluarës si dhe të së tashmes, udhëheqësit sionistë siguruan mbështetjen e vazhdueshme të kolonëve ndaj politikave të tyre agresive, ekspansioniste, hegjemoniste, gjenocidale dhe e përdorën si mburojë për të mos u ekzaminuar nga publiku korrupsioni dhe veprimet e tjera kriminale të tyre.
Për të mbajtur gjallë status quo-në e regjimit Izraelit të dhunës dhe shtypjes dhe për të zgjeruar territorin kolonial për ardhacakët, sionistët në mënyrë oportuniste e përzien ideologjinë e tyre koloniale me judaizmin.
Duke cituar dispensimin hyjnor (dhënien e lejes nga feja), kolonët radikalë të ekstremit të djathtë nxitnin ardhacakët të kapnin majat e kodrave në tokën palestineze, të dëbonin ata që jetonin aty dhe të formonin vendbanime të paligjshme. Këto vendbanime më vonë fortifikoheshin nga ushtria izraelite dhe dikur më vonë "legalizoheshin" nga shteti sionist.
Përtej justifikimit të vjedhjes së dhunshme të tokës, përzierja e sionizmit dhe judaizmit shërben edhe për të delegjitimuar rezistencën indigjene (rezistencën e palestinezëve autoktonë) duke barazuar çdo kritikë ndaj sionizmit, apo politikave të Izraelit ndaj palestinezëve, si një sulm ndaj hebrenjve.
Përveç kësaj, kjo edhe e pengon rezistencën antikoloniale duke e përshkruar atë si një luftë politike për tokën dhe burimet midis kolonëve pushtues të mbështetur nga forcat imperialiste në njërën anë dhe nga njerëzit autoktonë të pushtuar, në anën tjetër – pra duke e paraqitur si një "konflikt" të lashtë fetar midis dy grupeve të barabarta.
Kjo përzierje ideologjike inkurajon sionistët qe të përvetësojnë mantrën që viktimë janë gjithnjë vetë ata -hebrenjtë.
Hasbara izraelite ( Hasbara - strategji komunikuese që “kërkon të shpjegojë veprimet, pavarësisht nëse ato janë të justifikuara apo jo”; lexo: propaganda)
e paraqet Holokaustin si gjenocid të pashembullt, duke u dhënë hebrenjve statusin: viktimë speciale. Ky tregim i justifikon privilegjet, zbritjet dhe kompensimet që i shijon Izraeli, si "shtet hebre" i ndërtuar për të garantuar sigurinë e hebrenjve, në kurriz të palestinezëve autoktonë. Për më tepër, revizionizmi sionist shpesh neglizhon dhe minimizon krimet naziste kundër grupeve të tjera, përfshirë këtu komunistët, socialistët, romët, personat me aftësi të kufizuara, LGBTQI dhe gjermanët afrikanë.
Krahu liberal i sionizmit shërben për të mbuluar bërthamën reaksionare të lëvizjes – të hedhë hi syve - për të fshehur objektivat e saj të vërteta – ekspansionizmin dhe aparteidin.
Me mjeshtëri, sionistët liberalë e portretizojnë sionizmin si një ideologji të përafërt me vlerat progresive demokratike dhe të drejtat e njeriut, duke projektuar në mënyrë të rreme një angazhim të vërtetë për paqe, drejtësi dhe integrim të plotë në Lindjen e Mesme.
Frikë dhe zell për gjenocid
Deri më 7 tetor, Izraeli mbështeti aspiratën e themelimit të tij, duke zbatuar doktrinën për ‘pushtim të pafund’, ndërsa tërë kohën luhatej - tundej midis formave të paqarta dhe të qarta të gjenocidit, ku kjo e fundit shpesh përshkruhej si "kositja e lëndinës"[ vërejtja e përkthyesit/redaksisë: një strategji ushtarake me durim të lartë, me qëllime të kufizuara, të zvogëlojë kapacitetin e kundërshtarëve për të dëmtuar Izraelin] dhe ka të bëjë me sulmet periodike të Izraelit, në enklavën e rrethuar palestineze – Gaza, që nga "tërheqja" e tij në vitin 2005.
Gjatë kësaj kohe, sionistët izraelitë korrën përfitimet e tyre nga toka palestineze dhe burimet e saj në një parajsë konsumatore moderne, të pasur, gjoja demokratike, duke nxitur lidhje të forta dhe identifikim me të bardhët nga SHBA-ja dhe Evropa, si dhe monarkitë e pasura me naftë/kesh të Gjirit, sesa me fqinjët e tyre të afërt.
Më 7 tetor, një frikë dhe tronditje e fortë pushtoi shoqërinë izraelite, duke i dhuruar një mundësi të artë qeverisë së ekstremit të djathtë të Benjamin Netanyahut për të rrëzuar disidencën/ protestën kundër korrupsionit që ishte në rritje dhe në të njëjtën kohë të kënaqin anëtarët e tij të koalicionit me një grabitje gjenocidale të tokës palestineze.
Frika në Izrael mbahet përmes militarizimit, narrativave antipalestineze, riformulimit të rezistencës si "terrorizëm", kujtimit të krimeve mizore të së kaluarës, fokusimit në kërcënimet e perceptuara dhe promovimit të segregacionit - ndarjes, si p.sh., aparteidit.
Frika kronike shkakton simptoma të ngjashme me Çrregullimin e Stresit Post-Traumatik (PTSD), duke e bërë popullatën izraelite që janë të prirë ndaj agresionit ta maskojnë atë si "vetëmbrojtje".
Përzierja toksike e frikës, propagandës së çnjerëzimit [de-humanizimit të palestinezëve], shpërblimeve të agresionit dhe aparteidit intensiv ka mbjellë dhe ka sjellë tek izraelitët mungesë empatie [mungesë të ndjenjës së dhimbjes] ndaj palestinezëve.
Pavarësisht se pohojnë që konflikti i Gazës është për "vetëmbrojtje", liderët izraelitë fajësojnë hapur shoqërinë palestineze në tërësi, dhe në thelb miratojnë dënimin kolektiv të popullit palestinez. Për çdo ditë, udhëheqësit institucionalë izraelitë tallen me kulturën palestineze dhe brohorasin pro torturimit të tyre, zhvendosjes dhe asgjësimit të palestinezëve, duke zbuluar një mentalitet shqetësues gjenocidal.
Rruga përpara
Më 7 tetor, fasada sioniste, e ndërtuar me kujdes, e gjenocidit në rritje graduale brenda një kuadri liberal/demokratik u shemb, duke vërë në dukje - ekspozuar, thelbin gjenocidal dhe fashist të Izraelit.
Sionistët në Izrael dhe më gjerë nuk vajtuan fundin e kësaj sharade [dinakërie mashtruese], dhe në vend të kësaj festuan lirinë e tyre të sapogjetur për të vrarë dhe shkatërruar palestinezët pa asnjë kufizim, përmbajtje apo pretendim. Ky zhvillim jo vetëm që përbën një kërcënim për eliminimin total të popullit palestinez, por duke qenë se territoret e pushtuara përdoren si një laborator për zhvillimin dhe testimin e teknologjive dhe strategjive të reja ushtarake, ai gjithashtu mund të krijojë terrenin për përshkallëzime të ngjashme të dhunës kundër komuniteteve të shtypura në hemisferën jugore (Global South) si kundër njerëzve të zinj, indigjenë/autoktonë, njerëzve me ngjyrë dhe komuniteteve të emigrantëve brenda hemisferës veriore (Global North).
Sjellja gjenocidale e Izraelit në Gaza dhe gjetiu në Palestinën historike rezonon me modelet që shihen në eksperimentin e burgut të Stanfordit dhe studimin e bindjes të Milgramit.
Në këtë të fundit, individë, të nënshtruar nga administratorët - autoriteti, kishin dhënë goditje potencialisht vdekjeprurëse ndaj pjesëmarrësve të tjerë.
Në mënyrë që sionistët të thyejnë varësinë e tyre ndaj agresionit, atyre do t'iu duhet të kalojnë nëpër një proces deprogramimi dhe dekolonizimi. Kjo do të mund të realizohej vetëm nëse ata e zbulojnë dhe shohin të vërtetën e historisë dhe natyrës së Sionizmit, nëse angazhohen për përgjegjësi të sinqertë, nëse e pranojnë humanizmin e palestinezëve dhe i ndiejnë [empatizojnë me] vuajtjet dhe gjendjen e tyre. Vetëm kur sionizmi, kjo strukturë shtypëse shpërbëhet, dhe çmontohet në mënyrë efektive, atëherë mund të hapet një rrugë e re e një procesi të rihumanizimit dhe pajtimit përmes përdorimit të empatisë.
Çlirimi, pajtimi dhe fundi i dhunës gjenocidale të Izraelit mund të arrihet vetëm brenda një kuadri të palëkundur anti-ionist që përputhet me vlerat më të gjera majtiste, antiraciste dhe antikoloniale.
(Autori është doktor i psikologjisë/neuroshkencës, shkrimtar dhe fotograf izraelito-amerikan. Shkrimin ia ka kushtuar poetit të ndjerë palestinez Refaat Alareer. Artikulli është botuar në Al Jazeera. Përktheu dhe përshtati: Eki Rrahmani)