Mohuesit e krimeve serbe në Kosovë, si puna e Vuçiqit dhe Daçiqit, janë me fat, sepse në Prishtinë kanë një garniturë politike e institucionale që ka ndihmuar botën gati të harrojë se çfarë ndodhi pranverën e vitit 1999, dhe me vite të tëra para asaj pranvere
Kur më 27 maj 1999, Tribunali i Hagës për Krime Lufte të kryera në -ish Jugosllavi njoftoi se kundër presidentit të Jugosllavisë së atëhershme, Slobodan Milosheviq, dhe katër zyrtarëve të tjerë të lartë të Jugosllavisë dhe Serbisë është ngritur aktakuza për krime lufte të kryera në Kosovë, e ardhmja e Kosovës u përcaktua: pas kësaj, nuk kishte më asnjë shans që Kosova të kthehet nën sundimin e Beogradit.
Fakti që një instancë e lartë juridike, një gjykatë e themeluar nga OKB-ja, që udhëhiqej nga ligjet ndërkombëtare, e ngriti një aktakuzë ndaj zyrtarëve të një shteti për krimet që kanë kryer ndaj një popullate të tërë vetëm për shkak se i takonin një kombi tjetër, ishte momenti kur edhe përkrahësit e Serbisë në botë e pranuan se Kosova nuk ka si të kthehet në gjendjen e mëparshme.
Aktakuza, më shkurt, vërtetoi atë që shqiptarët në Kosovë e kanë ditur kaherë, dhe që forcat aleate të NATO-s e kanë kuptuar gjatë viteve 1998-1999, por që jo e gjithë bota e pranonte si të pakontestueshme në pranverën e vitit 1999: Serbia e do Kosovën pa shqiptarë! Dëbimi i rreth një milion shqiptarëve, vrasja e më shumë se 10.000, dhunimet masive, djegiet e pronave, fshehja e trupave, falsifikimi i historisë, antike dhe moderne, krijimi i mitit mbi Kosovën si Jerusalem i serbizmit – të gjitha këto, me ngritjen e aktakuzës, u shndërruan nga deklarata e akuza politike e publike, në dokumente që ishin fakte e dëshmi.
Aktakuza e ngritur nga kryeprokurorja Louise Arbour, dhe e konfirmuar nga gjykatësi David Hunt, është prova finale që bota nuk i mbyll sytë përpara barbarisë së tillë çfarë ushtronte shteti i Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë.
Fatkeqësisht, aktakuza nuk u përmbyll me verdikt gjyqësor, pasi që “Kasapi i Ballkanit” vdiq në burg, pa u kryer procesi kundër tij. Por, për shumë nga krimet për të cilat qe ngarkuar ai, u dënuan bashkëpunëtorët e tij, zyrtarët më të lartë të Serbisë dhe Jugosllavisë së atëhershme, shefat politikë, ushtarakë e policorë të shtetit, gjë që, në vetvete, është provë e pakontestueshme se tentimi i zhdukjes së shqiptarëve të Kosovës ishte planifikuar dhe ekzekutuar në institucionet më të larta shtetërore serbe. Kjo, përtej asnjë dyshimi, e bën shtetin e Serbisë përgjegjës.
* * *
Sigurisht, përgjegjësinë penale e kanë ata që kanë kryer krime. Megjithatë, në rastin e krimeve të Serbisë në Kosovë, jemi larg, shumë larg nga arritja edhe e minimumit të drejtësisë.
Në Tribunalin e Hagës janë dënuar disa nga zyrtarët më të lartë shtetërorë serbë, përgjegjës për planifikimin dhe komandimin në aksionet vrastare kundër shqiptarëve të Kosovës, kryesisht civilë. Por, kanë mbetur edhe shumë të tjerë që kanë marrë pjesë në kryerjen e krimeve të luftës, por që nuk janë gjykuar asnjëherë. Disa, madje, mbeten aktivë në politikën serbe, dhe mbajnë edhe sot pozita të larta. Mes tyre janë edhe presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq, dhe ministri i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin. Që të tre kanë qenë pjesë të rëndësishme të makinerisë së luftës së Milosheviqit, ndërsa sot vazhdojnë të mohojnë krimet e kryera në Kosovë dhe e lartësojnë Milosheviqin, të cilit ia zënë për të madhe jo që ka tentuar të vrasë e të dëbojë shqiptarët, por që ka dështuar në atë tentim!
Këtë qëndrim të tyre ata nuk e kanë fshehur; Daçiqi – që karrierën e tij e nisi si zëdhënës i Milosheviqit - rregullisht dërgon lule në varrin e Milosheviqit, në Pozharevc, ndërsa disa të dënuar për krime lufte në Kosovë i ka në partinë e vet, SPS (siç është rasti me Nikola Shainoviqin, i dënuar me 22 vjet për krime në Kosovë, që mbetet anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të partisë së Daçiqit). Ministri i Mbrojtjes, Vulin, vazhdimisht lartëson të dënuarit për krime në Kosovë, ndërsa me buxhetin e shtetit u boton biografi e libra, u jep pozita ligjëruese në Akademinë ushtarake, dhe shfrytëzon çdo rast t’i përkujtojë si “heronj të popullit serb”. E Vuçiqi, që kohët e fundit aktron kryeevropianin serb, përveç të kaluarës së njohur si bashkëpunëtor i radikalit kriminel Vojislav Sheshel, sot qëndron në krye të gjithë aparatit shtetëror që mohon krimet e kryera në Kosovë.
* * *
Mohuesit e krimeve serbe në Kosovë, si puna e Vuçiqit dhe Daçiqit, janë me fat, sepse në Prishtinë kanë një garniturë politike e institucionale që ka ndihmuar botën gati të harrojë se çfarë ndodhi pranverën e vitit 1999, dhe me vite të tëra para asaj pranvere.
Si ndryshe mund të shpjegohet se në tavolinën e bisedimeve me Serbinë, Kosova asnjëherë nuk e përballi Beogradin dhe ndërmjetësit e ndryshëm evropianë e amerikanë me aktakuzën ndaj Milosheviqit dhe aktgjykimet ndaj Nikola Shainoviqit (zv-kryeministër serb, 22 vjet burgim), Nebojsha Pavkoviqit (gjeneral serb, 22 vjet burgim), Sreten Lukiqit (shef policie, 22 vjet burgim), Vladimir Lazareviqit (zv.ministër i Policisë, 15 vjet burgim), Dragolub Ojdaniqit (gjeneral dhe kryekomandant i ushtrisë serbe, 15 vjet burgim). Asnjëherë nuk u nxor në tavolinën e dialogut tema e përgjegjësisë së shtetit serb për vrasjet sistematike, dhunimet në masë, shkatërrimet e pronës, deportimet e popullatës, fshehjen e dëshmive të krimeve, zhdukjen e qindra mijëra civilëve, burra, gra, pleq e fëmijë.
Zyrtarët e Kosovës, të ngarkuar me përfaqësimin e vendit në bisedime me Serbinë, prejse është pavarësuar Kosova, nuk e kanë ngushtuar asnjëherë Beogradin zyrtar të përgjigjet pse nuk ndërmerr asnjë hap për të vënë në vend drejtësinë e munguar, për të dhënë informatat për personat e zhdukur, për të sjellë para gjyqit përgjegjësit për mijëra vrasjet e krimet e tjera të luftës që janë kryer ndaj shqiptarëve në Kosovë, në emër të Serbisë.
As një herë. Hiç.
Madje, kanë negociuar edhe për amnisti të mundshme. Falje të krimeve. Përjashtim nga ndjekja penale. Që, në esencë, është e barabartë me amnistimin e Milosheviqit. Sepse, mosndjekja e atyre që kanë kryer krimet e urdhëruara nga Milosheviqi nuk është gjë tjetër pos amnisti për vetë “Kasapin e Ballkanit”.
* * *
Bashkësia ndërkombëtare, drejtësia e Perëndimit, ajo që shpeshherë kemi preferencë ta kritikojmë, në pranverën e vitit 1999 bëri atë që e gjithë bota nuk e besonte se mund të bëhet: ngriti akuzë ndaj kryetarit të një shteti, për të dalë në mbrojtje të një popullate të vrarë prej tij, për të vënë drejtësinë në vend.
Sot, 21 vjet më vonë, derisa ende çirremi për padrejtësitë që na i bën bota, drejtësinë për krimet e kryera ndaj nesh e kemi shndërruar në temë fjalimesh komemorative dhe deklarata politike në kohë fushatash zgjedhore, dhe, eventualisht, shpërthime emotive kundër botës si në skandalin kur një adhuruesi austriak të Milosheviqit iu dha çmimi “Nobel” për letërsi.
Por, përgjegjësinë dhe përgjegjësit i kemi lënë të qetë, de-facto të amnistuar.
Për këtë, nuk na ka faj bota...