OpEd

Amerika, qendra e re e jostabilitetit global

SHBA-ja do të bëhet, sipas të gjitha gjasave, epiqendra e re botërore e jostabilitetit politik dhe gjeopolitik gjatë javëve dhe viteve në vijim. Aleatët e Amerikës do të duhej ta mbronin bastin e tyre kundër kthimit të trumpizmit në të ardhmen, ndërsa rivalët strategjikë do të vazhdojnë me përpjekjet për ta destabilizuar SHBA-në nëpërmjet luftimeve asimetrike. Bota ia ka mësyrë një rrugëtimi të gjatë, të shëmtuar dhe me shumë gunga

Nëse bastisja në ndërtesën e Capitolit në Washington ishte tentim-puç, kryengritje apo sulm ndaj demokracisë, është thjesht një çështje semantike. Ajo çfarë ka rëndësi është se dhuna kishte për synim që ta trazonte transferimin legjitim të pushtetit në të mirë dhe me urdhër të një të çmenduri të rrezikshëm. Presidenti Donald Trump, i cili kurrë nuk i ka fshehur aspiratat e tij diktatoriale, tani duhet të largohet nga pushteti, t’i ndalohet mbajtja e një posti zyrtar dhe të persekutohet për krime të larta.

Tekefundit, ngjarjet e 6 janarit mund të kenë qenë shokuese, por nuk ishin të befasishme.

Unë dhe shumë komentues të tjerë kishim paralajmëruar prej kohësh se zgjedhjet e 2020-s do të gjeneronin trazira civile, dhunë dhe tentime prej anës së Trumpit për të qëndruar në pushtet, ilegalisht.

Përtej krimeve të ndërlidhura me zgjedhje, Trumpi është gjithashtu fajtor për shpërfillje të rëndë të shëndetit publik. Ai dhe administrata e tij e bartin pjesën më të madhe të fajit për shifrën enorme të vdekjeve nga COVID-19 në Shtetet e Bashkuara, të cilat përkojnë me vetëm 4- përqindëshin e popullatës globale ama numërojnë 20 për qind të të gjitha vdekjeve nga koronavirusi.

Dikur pishtar i demokracisë, i sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë, SHBA-ja tani i ngjason një banana-republike, që është e paaftë të kontrollojë qoftë një sëmundje bartëse – edhe pse për shëndet po shpenzon më tepër se cilido shtet tjetër – apo edhe turmat e nxitura prej një diktatori aspirues.

Liderët autoritarë kudo përreth botës tani po e përqeshin SHBA-në dhe po tallen me kritikat amerikane ndaj keqqeverisjes politike të të tjerëve. Sikur dëmi i shkaktuar ndaj pushtetit të butë të SHBA-së gjatë katër vjetëve të fundit të mos ishte mjaftueshëm i rëndë, kryengritja e dështuar e Trumpit ka lëkundur pozitën e Amerikës edhe më.

Ç’ është edhe më keq, ani pse presidenti i zgjedhur Joe Biden do të inaugurohet brenda afro një jave, kjo kohë është më se e konsiderueshme që Trumpi të shkaktojë kërdi edhe më të madhe.

Militantët djathtistë dhe supremacistët e të bardhëve veçse janë duke planifikuar akte të tjera të protestës, dhunës dhe të betejave racore në qytetet kudo përreth SHBA-së. Dhe rivalët strategjikë, si Rusia, Kina, Irani dhe Koreja Veriore, do të mundohen që ta shfrytëzojnë kaosin e krijuar, duke mbjellë dezinformata apo duke ndërmarrë sulme kibernetike, mbase edhe kundër infrastrukturës kritike amerikane.

Në të njëjtën kohë, Trumpi i dëshpëruar mund të përpiqet që t’i trazojë edhe më shumë gjërat duke urdhëruar mësymje – mbase me anë të aktivizimit të kokave taktike bërthamore – në objektin kryesor bërthamor të Iranit në Natanz, me pretekstin se po përdoret për pasurimin e uraniumit. Larg prej të qenit jashtë opsioni, administrata Trump veçse ka mbajtur stërvitje me aeroplanë bombardues dhe luftarakë – të mbushur, për të parën herë, me armë taktike bërthamore – për t’ia bërë të qartë Iranit se mbrojtja e tij ajrore nuk është fare mbrojtje.

S’do mend se kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, e ka ndier nevojën që t’i drejtohet shefit të stafit të shefave në SHBA për t’i diskutuar hapat e radhës lidhur me parandalimin e një sulmi bërthamor nga dr. Strangelove në Shtëpinë e Bardhë. Megjithëse urdhri i pajustifikuar për lansimin e një sulmi bërthamor ndaj një caku rrethuar me popullatë të madhe civile do të kundërshtohej nga ushtria si qartazi “e paligjshme”, sulmi ndaj një caku ushtarak në një rajon të pabanuar mund të mos refuzohej, edhe sikur të kishte pasoja të konsiderueshme gjeopolitike.

Për më tepër, Trumpi e di se sikur Arabia Saudite ashtu edhe Izraeli do ta mbështesnin apriori një sulm ndaj Iranit (ç’ është e vërteta, SHBA-ja mund edhe të ndihmohej nga mbështetja logjistike dhe ajo në terren e Arabisë Saudite për ta ndërmarrë një sulm të tillë, duke pasur parasysh rrezen më të shkurtër të aeroplanëve luftarakë të pajisur me armë bërthamore).

Gjasat e një sulmi ndaj Iranit mund t’ia japin nënpresidentit Mike Pence pretekstin që i nevojitet për ta aktivizuar Amendamentin e 25-të dhe për ta shkarkuar Trumpin nga detyra. Por edhe nëse kjo gjë do të ndodhte, jo domosdoshmërisht do të ishte fitore për demokracinë dhe sundimin e ligjit. Trumpi mund – dhe sipas të gjitha gjasave do të – falej nga Pence (siç Richard Nixoni ishte falur nga Gerald Fordi), në atë që do t’ia lejonte atij kandidimin e sërishëm për president më 2024 apo për të qenë mbreti i atyre zgjedhjeve, duke e ditur se ai tani e kontrollon Partinë Demokrate dhe bazën e saj. Largimi i Trumpit me premtimin për falje do të ishte ujdia faustiane që Pence do ta arrinte me Trumpin.

Ngase vetëfalja që Trumpi po e shqyrtonte mund të mos e kalojë pengesën kushtetuese, është e arsyeshme të supozohet se ai do të dalë me ide të tjera kreative. Ai nuk mund thjeshtë të japë dorëheqje dhe ta lejojë Pencen që ta adresojë faljen, shkaku që kjo gjë do ta bënte atë që të duket si “humbësi” që ka pranuar disfatën (ofendimi ky më i madh sipas leksikut egomaniakal të Trumpit). Por nëse presidenti do të urdhëronte sulmin mbi Iranin dhe më pas të bëhej një martir (i falur), ai do të mund t’i ruante si bazën e tij ashtu edhe ta shmangte llogaridhënien. Me të njëjtën kartë, Trumpi nuk mund të rrezikojë që të shkarkohet (përsëri), ngase kjo gjë do ta hapte mundësinë për t’u diskualifikuar nga mbajtja e detyrës në të ardhmen. Me këtë rezonim, ai e ka çdo shtysë të mundshme për të dalë me një krismë dhe atë sipas kushteve të tij.

Nëse gjithë këto tingëllojnë sikurse ditët e fundit të Neronit “që i binte fyellit derisa Roma po digjej”, atëherë ndodh, ngase përnjëmend kështu është.

Kalbja e perandorisë amerikane duket se po përshpejtohet ngutshëm. Duke e ditur se sa e ndarë është SHBA-ja politikisht, shoqërisht dhe ekonomikisht, katër vjetët e udhëheqjes së qetë të Bidenit nuk do të ishin të mjaftueshëm për ta zhbërë dëmin që veçse është shkaktuar. Sipas të gjitha gjasave, republikanët do të bëjnë gjithçka që munden për ta sabotuar administratën e re, siç kishin bërë me ish-presidentin Barack Obama.

Qysh para zgjedhjeve, agjencitë amerikane të Sigurisë Kombëtare ishin paralajmëruar se terrorizmi i brendshëm i krahut të djathtë dhe dhuna do të mbesin kërcënimi parësor i brendshëm për SHBA-në. Me Bidenin në detyrë, ky rrezik do të jetë akoma më i madh.

Gjatë katër vjetëve të fundit, militantët e armatosur të supremacistëve të bardhë janë mbajtur relativisht në gji falë faktit se e kanë një aleat në Shtëpinë e Bardhë. Por kur Trumpi të shkojë, grupet që ai i udhëzoi që “të ngrihen dhe të mësyjnë” thjesht nuk do ta pranojnë kontrollin demokratik të presidencës dhe Kongresit. Trumpi, duke operuar nga Mar-a-Lago, do të vazhdojë t’i nxisë turmat edhe me më shumë gënjeshtra, teori konspirative dhe të paqena lidhur me vjedhjen e zgjedhjeve.

SHBA-ja kësisoj do të bëhet, sipas të gjitha gjasave, epiqendra e re botërore e jostabilitetit politik dhe gjeopolitik gjatë javëve dhe viteve në vijim. Aleatët e Amerikës do të duhej ta mbronin bastin e tyre kundër kthimit të trumpizmit në të ardhmen, ndërsa rivalët strategjikë do të vazhdojnë me përpjekjet për ta destabilizuar SHBA-në nëpërmjet luftimeve asimetrike.

Bota ia ka mësyrë një rrugëtimi të gjatë, të shëmtuar dhe me shumë gunga.

(Nouriel Roubini, profesor i ekonomisë në shkollën e biznesit Stern pranë Universitetit të New Yorkut, është nikoqir i broadcastit “NourielToday.com”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë ndërkombëtare “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).