Reciprocitet barrierash Shqipëri-Kosovë?! Në vend se të ishte e kundërta, reciprocitet lehtësirash?! Paramendojeni tash si do të dukemi ne – krenarët për dy shtetet tona – nëse do të shohim duke e bllokuar rrugën e cila do të duhej të na bashkonte.
E VËRTETA ËSHTË se shqiptarëve sot, në Kosovë e në Shqipëri, pavarësisht mosbashkimit politik, s’ka kush ua ndalon çfarëdo bashkimi ose bashkëpunimi. Natyrisht, përveç vetë shqiptarëve.
E teksa ditë e natë lexojmë e dëgjojmë deklarata e brohoritje plot bashkim e përqafim, në praktikë po shohim largim e zemërim.
Gjërat duket se kanë shkuar aq larg, saqë së fundi kemi parë edhe paralajmërimin e protestave e deri te bllokimi i autostradës Kosovë-Shqipëri, në qoftë se qeveritë në Prishtinë dhe në Tiranë nuk marrin masa për t’i trajtuar shqetësimet që po ngrihen.
E në këtë aspekt, taksa e lartë për kalimin e Tunelit të Kalimashit po shihet vetëm si njëra nga të fundit barriera në këtë rrugë, e cila do të duhej të ishte e bashkimit.
A MUND TË PAGUASH biletën për të hyrë në kinema, por aty të mos mund ta shohësh filmin që ke dashur, për shkak se ose nuk bën zërimi ose tabloja është e errët?
Ky mund të jetë një krahasim i parë që flet kundër aplikimit të taksës rrugore në pjesën e autostradës që kalon në territorin e Shqipërisë. Ajo nuk është e përfunduar!
Nga Morina në Milot ka shumë ndërprerje, ura të papërfunduara dhe pjesë të shembura. Pse duhet të paguash për diçka që ende nuk ekziston në formën përfundimtare? Aq më pak të paguash më shtrenjtë sesa të gjitha shtetet e tjera në rajon.
Përveç kësaj, nuk ekziston më edhe një rrugë tjetër, alternative, e cila do të mundësonte rrugëtimin deri në Milot për ata udhëtarë të cilët s’do të parapëlqenin të paguanin; meqë autostradat përgjithësisht janë rrugë “luksi”, për ata ngasës e udhëtarë, të cilët dëshirojnë të arrijnë më shpejt nga pika A në pikën B dhe për këtë edhe paguajnë, në një mënyrë ose tjetër.
Me 10 euro sa kushton kjo taksë vajtje-ardhje për vetura, kurse 45 euro për kamionët e mëdhenj – shumë më shtrenjtë se në Maqedoni dhe në Serbi, si shembull - do të jenë të shumtë ata që do ta mendojnë se a ia vlen ky udhëtim.
Gjithsesi, askush nuk mund të pretendojë se autostrada, qoftë kjo edhe Rruga e Kombit, do të duhej të ishte gjithmonë pa pagesë. Mirëpo, para se të fillonte të zbatohej pagesa, së pari do të duhej të sigurohej edhe qasja në një rrugë alternative, pa pagesë, siç është edhe standardi ndërkombëtar, si dhe ajo të përfundohej si projekt.
Pastaj do të mundë të diskutohej vetëm për lartësinë dhe mënyrën e pagesës.
NË ANËN TJETËR, bizneset kosovare ka kohë që janë duke e ngritur zërin për ato që i quajnë standarde të dyfishta nga Qeveria e Tiranës karshi prodhimeve nga Kosova.
Taksa e lartë për Rrugën e Kombit po shihet vetëm si ngarkesa e fundit në këtë drejtim.
Ka kohë që përmenden praktikat diskriminuese, kur çdo maunë nga Kosova duhet të paguajë për skanerët në doganë, pastaj politikat selektive në prodhimet farmaceutike e bujqësore, trajtimi i birrave kosovare njëjtë me ato të Belgjikës, ose mospranimi i certifikatave të kontrolleve fitosanitare.
Dogana e Kosovës konfirmon se gjatë vitit të kaluar kompanitë kosovare kanë eksportuar në Shqipëri produkte në vlerë prej rreth 50 milionë eurosh, teksa në Kosovë nga Shqipëria kanë hyrë më shumë se 150 milionë euro.
A ka të bëjë kjo vetëm me cilësinë?
Edhe Qeveria në Kosovë nuk mendon se jo. Ministri i Tregtisë dhe Industrisë ka treguar në “Rubikon” se ia ka dërguar tashmë disa shkresa homologut të tij në Shqipëri, por nuk ka marrë asnjë përgjigje. Nëse vazhdon kështu, tha ai, mund të zbatojmë reciprocitet.
Reciprocitet barrierash Shqipëri-Kosovë?! Në vend se të ishte e kundërta, reciprocitet lehtësirash?!
Paramendojeni tash si do të dukemi ne – krenarët për dy shtetet tona – nëse do të shohim duke e bllokuar rrugën e cila do të duhej të na bashkonte!
Të dy qeveritë do të duhej ta kuptonin tashmë se bashkëpunimi i sinqertë dhe “vëllazëror” kërkon shumë më tepër sesa vetëm poza para kamerash në salla të stolisura bukur në takimet e përbashkëta.
Dhe, po, duke bërë “gëzuar” me “prodhimet vendore”.
Natyrisht, sa për një fotografi!
Twitter: @adriatikk