OpEd

Albini kalon Rubikonin

Nga dje Albini filloi tranzicionin e tij nga Albini opozitar në Kurtin burrështetas

Liderët nuk kanë pasur kurrë jetë të lehtë. Jeta e liderit është jetë vendimesh të vështira. Nga embrionet e para të organizimit shoqëror në nivel të fiseve e deri te shoqëritë tona moderne, liderët çdoherë janë ballafaquar me vendime të vështira. Duke reflektuar mbi këtë peshë të rëndë, që bie mbi krahët e liderëve, ish-presidenti amerikan, Theodore Roosevelt, ofroi një këshillë: “Çdoherë kur nga liderët kërkohet një vendim, gjëja më e mirë është që të marrin vendimin e mirë, gjëja e dytë më e mirë është të marrin vendimin e keq, ndërsa gjëja më e keqe është të mos marrin vendim fare”.

Kësisoj, dje Albin Kurti mori një vendim: të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe të regjistrohen në kadastër pronat e Manastirit të Deçanit. Dhe ende pa u terur ngjyra e nënshkrimit të kimikut mbi vendimin e Qeverisë, ky akt vuri në lëvizje një lavë të zjarrtë kritikash. Të pajisur me ato fraza të zakonshme - “mashtrues” - dhe ato më pak të zakonshme - “tradhtar” – kundërshtarët e Kurtit zbarkuan në rrjete sociale, portale dhe televizione për të nxjerrë në shesh manipulimet dhe kundërshtitë e vetë Kurtit rreth çështjes së pronave të Manastirit. Dhe patjetër se kjo është një gjë e mirë për fibrin e demokracisë sonë. Është tregues i mirë i stamines sonë demokratike kur shohim kapacitetin e shoqërisë sonë për të mbajtur llogaridhënës liderë për gjërat që i thonë apo nuk i thonë.

Nga ana tjetër, sipas kutit matës të Roosveltit, vendimi i djeshëm i Kurtit patjetër bie në kategorinë e vendimeve të mira. Vendimi ishte i mirë në katër rrafshe të ndara, por të ndërlidhura.

E para, vendimi ishte akt shprehjeje e një urtësie dhe mirësie drejtuar komunitetit serb në Kosovë në sfondin e një mjedisi të tensionuar politik e shoqëror. Lidhja historike, kulturore dhe fetare e popullit serb me Kishën serbe është e një rëndësie të veçantë për komunitetin serb në Kosovë. Kjo është në veçanti e vërtetë në rastin e Manastirit të Deçanit. Moskthimi i tokës së Manastirit ishte një plagë e hapur në marrëdhëniet në mes të komunitetit serb dhe institucioneve qendrore të Kosovës. Dhe ndonëse Kurti tentoi disa herë të afrohej me komunitetin serb në Kosovë, duke mbajtur fjalime të veçanta në gjuhën serbe, siç thotë ajo thënia e vjetër amerikane: “Fjalët të dërgojnë vetëm kaq larg”. Dhe nga fjalët Kurti kaloi në vepra. Akti i djeshëm ishte zgjatje dore komunitetit serb dhe shprehje e vullnetit të mirë për të shëruar plagët e hapura në mes palëve.

E dyta, vendimi ishte uverturë e ofensivës së re diplomatike të Kosovës, dhe aleatëve të saj për faktorizimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës. Vetë Kurti në arsyetimin e marrjes së vendimit shpjegoi se bartja e pronës Manastirit ishte kusht i panegociueshëm për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Tani rruga është e hapur për votimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës në Asamblenë e Përgjithshme të KiE-së në muajin prill dhe Këshillin e Ministrave në muajin maj. Me progres të ngjashëm në mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri gjasat e ringjalljes së kërkesës së Kosovës për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE do të rriten eksponencialisht. Po ashtu, tani vendimi i ofron Kosovës kredi të reja politike për të shpenzuar në kuadër të kërkesave të saj legjitime brenda dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

E treta, vendimi adreson kritikën e vazhdueshme për standarde të dyfishta të Qeverisë për sundimin e ligjit. Gjatë gjithë kësaj kohe qeveria ishte insistuese për sundimin e ligjit në veri, e në anën tjetër nuk zbatonte vendimet e gjykatave në jug.

E katërta me vendimin e djeshëm Kurti vendosi një parim të ri politik. Në arsyetimin e vendimit të djeshëm, ai tha: “Nuk do ta ndryshoj qëndrimin ndaj këtij vendimi të dëmshëm asnjëherë. Në anën tjetër, s’ka dyshim që anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës do të ishte jo vetëm fitore historike, por edhe hap gjigant për Republikën tonë drejt njohjes së pesëshes evropiane që mundëson anëtarësimin në NATO dhe në BE për Kosovën e pavarur.” Pra, nga sot këtë mund të quajmë doktrina “vendim i dëmshëm, por hap gjigant”. Sipas kësaj doktrine, një akt politik cilësohet i dobishëm, ndonëse i dëmshëm, nëse ai akt përfaqëson një hapërim “gjigant” në faktorizimin ndërkombëtar të Kosovës. Dhe në fakt këtu nuk ka asgjë të re. Një përkufizim i tillë është riformulimi i strategjisë së “sakrificës së piunit”. Strategji kjo e vjetër sa vetë njerëzimi dhe me aplikim universal në fushat sikur sporti, ushtria, politika dhe biznesi. Por risia këtu nuk është strategjia, por lojtari. Vendimi i djeshëm i Kurtit është fillimi i tranzicionit të tij nga Albini opozitar, në Kurtin burrështetas.

Që nga zanafilla e karrierës së tij politike Kurti ka vendosur standarde jashtëzakonisht të larta morale në veprimtarinë e tij politike. Këtë edhe duhet të mirëkuptojmë pasi që të qenit në opozitë nuk ke edhe shumë shtigje të tjera përveç ofrimit të alternativave çdoherë më të larta qeverisëse. Shpesh ndoshta edhe utopiste. Nga kjo edhe buron ajo fraza e famshme “opozita është poezi, qeverisja prozë”. Sidoqoftë, që nga fillimi i mandatit të tij Kurti ka tentuar të ruajë me shumë kujdes trashëgiminë e vet opozitare. Por koha vjen kur çdo opozitar duhet të kalojë Rubikonin dhe të marrë përgjegjësitë e burrështetasit. Të sakrifikojë Albinin e djeshëm për Kurtin e nesërm.

Por në gjithë këtë mes, në fakt, neve më pak duhet të na interesojë sedra e Kurtit. Kuti matës i vendimit të sotëm nuk është historia e Albinit, por e ardhmja e Kosovës. Neve nuk na intereson se a bie Kurti i sotëm në kundërshtim me Albinin e djeshëm. Neve na intereson a kemi dobi nga vendimi i sotëm. Dhe sipas këtij kuti matës, ky është një vendim nga i cili do të vijnë vetëm lajme të mira për vendin. E sa i përket Albinit, liderët për këtë punë janë – që nganjëherë të sakrifikohen edhe për popullin, jo vetëm e kundërta.

Kur Hashimi bëri homazhe te serbët e vrarë gjatë luftës në Kosovë u akuzua për tradhtar. Tani kur Albini vendosi të regjistrojë pronat e Manastirit të Deçanit po akuzohet për tradhtar. Është barrë e rëndë, por e paevitueshme, e liderëve që të udhëheqin popullin e tyre drejt së panjohurës. Të marrin vendime të vështira, por të drejta. Të sakrifikojnë veten për shtetin. Ndonëse e tashmja mund t’i gjykojë, historia çdoherë do t’i nderojë.