OpEd

Albani ishte aty për ta bërë të dukshme të vërtetën

Në një kohë kur fjala e lirë ishte e rrezikuar – për më tepër vetë jeta jonë ishte e rrezikuar – kur bëhej trysni e madhe propagandistike e të dhunës që realiteti të fshihej ose të deformohej, Albani ishte aty për ta bërë të dukshme të vërtetën. Me fotografinë e tij, ai dokumentoi dhimbjen, rezistencën, por edhe shpresën e Kosovës. Ai nuk fotografonte vetëm momentin, por historinë që fshihej pas atij momenti

Të dashur Mybera, Jeta, Zjarr, Sharr,
Të dashur Vjosa, Hana e Mal 
Të nderuar familjarë, miq e kolegë,

Mbledhjet komemorative janë një ceremoni e cila përcjell vdekjen. Mblidhemi të gjithë ne, familjarë, miq e dashamirë si pjesë e një rituali që përpiqet t’i japë një shikim një jete të kaluar. Dhe, natyrisht që konteksti është i rëndë, është konteksti i vdekjes –  mbledhjet komemorative, për fat të keq, ende nuk mbahen gjatë jetës; ndoshta pse e marrim të mirëqenë jetën, pse besojmë se këtu do të jemi për një kohë. Ndoshta pse nuk është në kulturën tonë, apo kulturën njerëzore, që të dëgjojë vlerësimin për veten gjatë jetës; dimë disi se do të ketë një të pame, një mbledhje komemorative, një a shumë shkrime në rrjete sociale që do të përkujtojnë jetët tona pasi nuk do të jemi më të gjallë. 

Në mendjen time, sot jemi mbledhur këtu për të kujtuar Alban Bujarin, për të nderuar jetën e tij, por më shumë se kaq, për ta kremtuar atë. Sepse kjo nuk është vetëm një mbledhje kujtimi – është një kremte e jetës, e veprës dhe e trashëgimisë që ai na la pas.

Kremtojmë jetën e një njeriu që e deshi lirinë dhe që e jetoi atë duke e krijuar.  

Liria nuk është një dhuratë – ajo është një akt i vazhdueshëm krijimi. Dhe Albani ishte një krijues i saj, një nga ata që jo vetëm e përjetuan lirinë e Kosovës, por edhe ndihmuan ta ndërtonin. Ai ishte aty me aparatin e tij, me kolegët e tij gazetarë të rinj e të patrembur, duke regjistruar dhe dëshmuar rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë.

Në këtë rrugëtim, Nomen est Omen, siç kanë thënë romakët: emri është fat i përcaktuar. Në këtë rast mbiemri, Bujari. 

Sot, në këtë Bibliotekë Kombëtare, vendin ku ruhet kujtesa e një kombi, ne po shtojmë një kapitull tjetër në këtë kujtesë – një kapitull për Alban Bujarin. Jo vetëm si një fotograf i talentuar, por si një njeri që e kuptoi dhe e jetoi lirinë si një detyrim ndaj së vërtetës dhe shoqërisë

Albani ishte Bujar – bujar në shpirt, bujar në mendim, bujar në dhënien e tij për profesionin dhe për shoqërinë. Ishte bujar në mënyrën se si e ndante me të tjerët atë që shihte, atë që ndiente dhe atë që besonte se duhej të tregohej. Fotografitë e tij nuk ishin vetëm imazhe, por një dhuratë për të gjithë ne –  një dhuratë e së vërtetës, e kujtesës dhe e lirisë së shprehjes.

Në një kohë kur fjala e lirë ishte e rrezikuar –  për më tepër vetë jeta jonë ishte e rrezikuar –  kur bëhej trysni e madhe propagandistike e të dhunës që realiteti të fshihej ose të deformohej, Albani ishte aty për ta bërë të dukshme të vërtetën. Me fotografinë e tij, ai dokumentoi dhimbjen, rezistencën, por edhe shpresën e Kosovës. Ai nuk fotografonte vetëm momentin, por historinë që fshihej pas atij momenti. Ishte një dëshmitar i përkushtuar, një sy që kapte jo vetëm atë që shihej, por edhe atë që ndihej, e ai ndiente thellësisht.

Në State Department, në njërin prej takimeve kuptova se si në një mbledhje të mëngjesit i jepej raporti zv.Sekretarit të Shtetit, Talbott për gjendjen e rëndë në Kosovë dhe ai nga sirtari nxori fotografitë e Albanit nga masakra e radhës që kishim postuar në ARTA. Atë që kishte parë syri i tij –  imazhe që do t’i bartte në kokë e shpirt gjatë tërë jetës së mëpastajme – kishin arritur të tronditin mendjen dhe shpirtrat e njerëzve më të pushtetshëm në botë. 

Në KOHA Ditore, aty ku Albani e zhvilloi pasionin e tij për fotoreportazhin ai u bë një bashkautor i një narrative të re për Kosovën. Në kohët kur liria sapo kishte filluar të marrë frymë, ai ndihmoi që ajo të mos mbetej thjesht një koncept, por të bëhej një realitet i dukshëm, i dokumentuar, i ndarë me të tjerët.

Sot, në këtë Bibliotekë Kombëtare, vendin ku ruhet kujtesa e një kombi, ne po shtojmë një kapitull tjetër në këtë kujtesë – një kapitull për Alban Bujarin. Jo vetëm si një fotograf i talentuar, por si një njeri që e kuptoi dhe e jetoi lirinë si një detyrim ndaj së vërtetës dhe shoqërisë.

Dhe kështu, teksa e kujtojmë sot, ne nuk e mbyllim historinë e tij. Sepse ajo vazhdon të jetojë në fotografinë e tij, në ato imazhe që mbesin si dëshmi e një kohe, e një angazhimi dhe e një njeriu që e deshi dhe e kremtoi jetën me çdo fotografi që bëri.
I përjetshëm qoftë kujtimi i tij.