OpEd

Akuzat e Speciales dhe lufta ҫinformative e Moskёs

Ashtu siç pritej, pas ngritjes së akuzave të Gjykatës Speciale ndaj Hashim Thaҫit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe bashkëluftëtarëve të tyre, Rusia riaktivizoi dhe intensifikoi luftën ҫinformative, në funksion të objektivave të saj gjeostrategjike dhe gjeopolitike, në Ballkan dhe më gjerë. Në krye të kësaj lufte është vënë Ministria e Punëve të Jashtme e Federatës Ruse dhe Departamenti i Shtypit dhe Informacionit pranë saj, me deklarata zyrtare periodike, duke filluar, që në muajin qershor, kur për herë të parë u fol për këto akuza.

Në deklaratën e saj të fundit, Ministria e Jashtme ruse “sqaron” se Gjykata Speciale po merret me hetimin e krimeve të UҪK-së, të kësaj “strukture të urryer”, si dhe të “profileve të larta” të saj, për të cilët janë grumbulluar shumë prova, që i implikojnë në veprimtari të kundërligjshme, përfshirë terrorizmin dhe krimin e organizuar. Në vazhdim, ajo thekson se “tani po bëhet e qartë se kë ndihmoi NATO-ja, kur në vitin 1999 bombardoi Jugosllavinë sovrane”.

Përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë në KS të OKB-së, V. A. Nebenza, veç hedhjes baltë mbi udhëheqjen e UҪK-së, u përpoq ta njollosë edhe Kosovën, duke e etiketuar atë si fidanishte të krimit të organizuar dhe qendër rekrutimi të terrorizmit ndërkombëtar. Në vazhdën e kritikave të Moskës ndaj Tribunalit të Hagës për Jugosllavinë, si gjykatë politike, e njëanshme, antiserbe e proshqiptare, ambasadori rus u shpreh skeptik se vendimet e Gjykatës Speciale do të jenë të drejta dhe në përshtatje me pritshmëritë e Moskës.

Duke marrë shkas nga akuzat e Dhomave të Specializuara, “analistë” dhe “ekspertë” rrogëtarë, apo servilë të regjimit putinist, shpërthyen në një rrebesh shkrimesh në media dhe rrjete sociale.

Bashkëpunëtorja e vjetër shkencore e Institutit të Sllavistikës pranë Akademisë së Shkencave të Rusisë në Moskë, Ana Filimova, e klasifikoi Kosovën si faktorin kryesor të destabilizimit të Ballkanit.

Analistët e portalit të njohur antishqiptar, “Fondi i Kulturës Strategjike”, Dmitri Sjedov dhe Aleksandër Mezjajev, risollën në skenë fantazmën e “shtëpisë së verdhë” dhe shpifjen mbi trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore, nga luftëtarët e UҪK-së. Trillimet e tyre kaluan çdo kufi imagjinate kur fantazuan se, gjatë luftës, organet e serbëve dhe të romëve transportoheshin për në “botën e civilizuar, nëpërmjet kamionëve të KFOR-it”, ndërkohë, që dihet botërisht se KFOR-i u vendos në Kosovë, pas çlirimit të saj, në qershor 1999. Në trillimet e tyre pa fre, gjeti vend edhe Osama Bin Laden, kuptohet, si aleat i UҪK-së.

Ashtu si në politikën zyrtare, edhe në mediat dhe rrjetet sociale ruse shprehet një skepticizëm patologjik, lidhur me punën e Gjykatës Speciale. Në një shkrim të botuar në portalin rus “regnum.ru”, me 17.11.2020, Daniel Igrec, ngre “shqetësimin” se, për shkak se kjo gjykatë është produkt i BE-së dhe SHBA-së dhe se prokurorët dhe gjykatësit e saj vijnë nga vendet që e kanë njohur Kosovën, shumica e të cilëve kanë marrë pjesë në dënimin e serbëve nga Tribunali i Hagës për Jugosllavinë, ajo mund të përdoret “për amnistimin dhe rehabilitimin e udhëheqësve të separatizmit shqiptaromadh”.

Nuk është vështirë që në valën e re të dezinformimit rus të dallohen elementët e pandryshueshëm të objektivave gjeostrategjike, afatgjata dhe afatshkurtra ruse. Midis atyre afatgjata, mund të veçohen: goditja e Kosovës së pavarur si projekt gjeopolitik perëndimor, i cili, sipas Kremlinit, synon copëzimin dhe shfaktorizimin e civilizimit sllavo-ortodoks në Ballkan; goditja e vlerave perëndimore dhe paraqitja e tyre si një maskë prapa së cilës fshihen interesat e Brukselit dhe të Washingtonit për dëbimin e Rusisë nga Ballkani; tëhuajësimi i Perëndimit me shqiptarët dhe anasjelltas, duke i paraqitur këta të fundit si fundamentalistë islamikë, terroristë, trafikantë armësh, droge dhe organesh njerëzore, destabilizues të paqes dhe sigurisë rajonale, të cilët, gjoja, kanë dalë jashtë kontrollit, që nga momenti i shkëputjes së Kosovës nga Serbia.

Midis objektivave afatshkurtra dhe afatmesme të Rusisë, janë edhe këto: destabilizimi i situatës politike e të sigurisë në Kosovë; bllokimi i njohjeve të reja, i anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, si dhe vazhdimi i procesit të ҫnjohjeve të saj; përçarja e shqiptarëve me njëri-tjetrin, në përgjithësi dhe kundërvënia midis Shqipërisë e Kosovës, në veçanti.

Një pjesë e mirë e objektivave gjeopolitike ruse, në mënyrë të veçantë, ato që kanë të bëjnë me rajonin ballkanik, përputhen plotësisht, ose, në masë të madhe, janë të ngjashme me ato të Beogradit.

I trimëruar nga mbështetja politike, diplomatike dhe propagandistike e Moskës, nga furnizimi me armë e teknologji luftarake ruse, si dhe nga njoftimi i kohëve të fundit për hapjen e zyrës së Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, në Beograd, presidenti serb, A. Vuҫiq, arriti deri aty sa të guxojë të kërcënojë se “në qoftë se nuk arrihet marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë, mund të shpërthejë një luftë si ajo në Nagorni-Karabah”.

Cili ishte reagimi i Tiranës dhe Prishtinës zyrtare ndaj valës së re të luftës informative të Moskës dhe kërcënimeve të Beogradit?

Ashtu si më parë, ministritë tona të jashtme nuk e morën fare mundimin për t`i hedhur poshtë deklaratat zyrtare të MPJ-së së Rusisë, të cilat përmbajnë akuza të rënda kundër shtetësisë së Kosovës, kundër UҪK-së si organizatë dhe kundër shqiptarëve si popull e si komb. Nuk pati reagim as nga institucionet tona studimore e shkencore që paguhen nga shteti. Me ndonjë përjashtim të rrallë, as media, as shoqëria civile nuk u morën fare me këtë punë, të paktën, për t`ia bërë të ditur publikut shqiptar, si dukuri.

Por e keqja nuk përfundon me kaq. Në vend që të ngrihej e t’i demaskonte tezat e propagandës ruse kundër Gjykatës Speciale dhe UҪK-së, politika në Tiranë dhe në Prishtinë, pozitë-opozitë, i shpalli luftë Gjykatës Speciale, mbi bazën e “argumenteve” putiniste dhe, me ose pa vetëdije, në thelb, po iu shërben objektivave gjeostrategjike të Kremlinit.

Njëlloj siç e kishte akuzuar Moska Tribunalin e Hagës, për gjyqe politike, edhe partitë politike shqiptare, të njëjtën akuzë po ia bëjnë Gjykatës Speciale; njëlloj, siç e kishte akuzuar Moska Tribunalin e Hagës, për njëanshmëri të drejtuar kundër serbëve, edhe politika jonë po e stigmatizon Gjykatën Speciale si të njëanshme dhe antishqiptare; njëlloj si Moska, e cila nuk i ka besuar as nuk i beson drejtësisë ndërkombëtare, as politika shqiptare nuk po i beson drejtësisë së Dhomave të Specializuara.

Jo vetëm kaq, por nën ndikimin e konceptit putinist se udhëheqësi është profet, gjykatës e prokuror (“Putini është Rusia dhe Rusia është Putini”), personalitete tё larta politike tё dy vendeve tona po kërkojnë ndërhyrjen e Qeverisë së Kosovës në punën e Gjykatës Speciale, gjoja, për t’i mbrojtur vlerat e UҪK-së. Me logjikë foshnjarake hidhet poshtë koncepti bazë i demokracisë dhe shtetit ligjor ku pushtetet janë të ndara.

Për çfarë ndihme tjetër ndaj të akuzuarve bëhet fjalë, kur tashmë dihet se ekziston Ligji për mbrojtjen juridike dhe financiare të personave të akuzuar nga Gjykata Speciale dhe Qeveria e ka miratuar edhe fondin përkatës për këtë çështje. Çdo “ndihmë” tjetër do të ishte e jashtëligjshme dhe, si e tillë do të konsiderohej ndërhyrje në punën e pavarur të gjykatës.

Gjykata Speciale, vërtet, është pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës, por ajo nuk përfaqëson interesat e Qeverisë, as nuk i jep llogari asaj. Në Rusi po, drejtësia kontrollohet prej Putinit dhe vendimet e saj ndikohen nga ana e tij.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, shkon edhe më tej, duke u kthyer në promovues e zbatues të një prej objektivave themelore e konstante të Moskës e Beogradit-përçarjen e shqiptarëve. I përfshirë në ethet elektorale të 25 prillit 2021, pa asnjë fakt, ai po akuzon kundërshtarët e vet politikë si tradhtarë, të implikuar në përgatitjen e dosjeve kundër luftëtarëve të UҪK-së, duke futur pyka midis dy shteteve tona, Shqipërisë dhe Kosovës.

Sa i takon reagimit ndaj kërcënimit të Vuҫiqit për luftë, ai ishte shumë i vakët. Jo se ai paraqet ndonjë kërcënim real në këtë moment, sepse Kosova është pjesë e zonës së sigurisë dhe interesave euroatlantike, ndërsa Nagorni-Karabah, pjesë e domenit rus, ku Moska “ngrin” e “shkrin” konflikte, por për shkak të frymës anti-evropiane dhe militariste që sjell në rajonin tonë, edhe ashtu të trazuar, ky reagim do të duhej të ishte më i fortë dhe më serioz.

Sugjerime

Politika dhe shoqëria shqiptare duhet të vetëdijesohen se instrumentalizimi i akuzave të Gjykatës Speciale, nga ana e Moskës, është pjesë përbërëse e fushatës së saj dezinformuese për afirmimin e rrëfimit ruso-serb kundër Kosovës, Shqipërisë dhe Perëndimit. Në këtë kontekst, ato duhet të shkëputen përfundimisht nga pasiviteti dhe parazitizmi i deritanishëm strategjik dhe të angazhohen seriozisht në demaskimin e kësaj fushate, duke aktivizuar institucionet tona shtetërore, ato shkencore, median dhe rrjetin e organizatave joqeveritare. Duhet të kuptohet qartë se në shënjestër të luftës dezinformuese ruso-serbe janë shtetësia dhe pavarësia e Kosovës.

Nga faktori shqiptar të shfrytëzohet momenti pozitiv i zgjedhjes së Joe Bidenit si president i SHBA-së, i cili, duket se është i vendosur t’i japë fund kaosit strategjik të D. Trampit, lidhur me Rusinë dhe, në bashkëpunim me NATO-n, BE-në dhe aleatët e tjerë, të zbatojë politikën e përmbajtjes së Moskës. Jashtë bashkëpunimit me partnerët tanë strategjikë, fitorja jonë në luftën informative me Rusinë është thjesht iluzion.

Nga SHBA-ja dhe BE-ja kërkohet ndihmë më konkrete, politike, ekonomike dhe ushtarake për Kosovën, Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor për të përballuar kërcënimin shumëdimensional rus, si kërcënimi kryesor i jashtëm për rajonin tonë. Në funksion të këtij qëllimi, detyrë parësore mbetet anëtarësimi i Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës në NATO.

Politika shqiptare t’i ndërpresë sulmet ndaj Gjykatës Speciale mbi bazën e argumenteve putiniste. Ajo duhet lënë e qetë, të bëjë punën e saj, jashtë çdo ndërhyrjeje politike. Interesi jetik i Kosovës, Shqipërisë dhe shqiptarëve si komb, është që të zbulohet dhe të mbrohet e vërteta, jo emrat e përveçëm, partia, apo organizata. Duke mbrojtur të vërtetën, mbrohen individi, partia, organizata dhe shtetësia e Kosovës.

Qeveritë e Kosovës dhe të Shqipërisë mund t’i ndihmojnë luftëtarët e UҪK-së, të akuzuar nga Gjykata Speciale, me fakte e dëshmi të reja (në qoftë se ka), të cilat mund të provojnë pafajësinë e tyre. Ato mund të ndihmojnë edhe financiarisht avokaturën. Çdo “ndihmë” tjetër, është e paligjshme.

Kuvendi i Shqipërisë ta mbështesë rezolutën e Kuvendit të Kosovës që fajëson Serbinë për gjenocid.

Shqipëria, si anëtare e Interpolit, të shohë mundësinë e lëshimit të fletarrestimeve për një numër kriminelësh serbë, të njohur si ekzekutues krimesh lufte dhe kundër njerëzimit, gjatë agresionit të Serbisë në Kosovë, në vitet 1998-1999.

Në rast se Beogradi vazhdon të furnizohet me pajisje ushtarake dhe armatim rus, do të ishte mirë që Brukseli dhe Washingtoni të shihnin mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj Serbisë.