Ditët dhe javët në vijim do të jenë vendimtare për të ardhmen e veriut, të karakterit të misionit të KFOR-it, dhe vetë dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë
Viti 2022 filloi me dislokimin masiv të ushtrisë të Federatës të Rusisë në kufirin e saj me Ukrainën. Përkundër faktit që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar paralajmëronin agresionin rus në Ukrainë, Kremlini bënte shfaqje teatrale duke deklaruar pa fije turpi se ky nuk është qëllimi i tij, i cili i shkundi themelet e rendit të tanishëm botëror.
Këtë propagandë, nganjëherë edhe të amplifikuar, e shpërndanin me besnikëri edhe mediat e Serbisë të kontrolluara nga Vuçiqi. Çfarë shërbehej në tavolinën e mediave në Serbi nuk ishte ngjarje e rastit. Pas takimit tre-orësh me Putinin më 25 nëntor 2021 në Sochi të Rusisë, Vuçiqi deklaroi se ai është krenar me bashkëpunimin ushtarak me Rusinë, dhe lutej për arritjen e sa më të shpejtë të armatimit të kontraktuar me Kremlimin, pasi sipas tij “do të ketë gjëra të tjera të mëdha të një interesi strategjik për Serbinë në një të ardhme, dhe atë në një të ardhme jo shumë të largët”, duke dhënë një sinjal që ai ka mundur edhe të jetë informuar për qëllimet ushtarake të Rusisë ndaj Ukrainës, si dhe për koordinimin e Beogradit me Moskën për zhvillimet në Ballkan që mund të pasonin pas fillimit të agresionit rus. Vetëm një javë pas takimi, media të Washingtonit e Londrës filluan të raportojnë për synimet ushtarake të Rusisë ndaj Ukrainës.
Në anën tjetër, ministri Lavrov nuk pushonte së krahasuari rajonet separatiste të Donetskut dhe Luhanskut me veriun e Kosovës, duke u përpjekur që të krijojë rrethana propagandistike për të mundësuar një veprim të koordinuar ruso-serb me fillimin e agresionit në Ukrainë. Llogaritja e Rusisë dhe e Serbisë ishte se perëndimi do të mbetej i përçarë, dhe që brenda një kohe të shkurtër të dyja palët do t’i arrinin qëllimet e tyre, gjegjësisht Rusia me okupimin e tërësishëm të Ukrainës, dhe Serbia me marrjen de-fakto të veriut, dhe atë jo përmes forcave të rregullta ushtarake, pasi me këtë do të hynte në konflikt të hapur me NATO, por përmes formacioneve jo-zyrtare paramilitare (little green man) të infiltruar në territorin e Kosovës. Për më tepër, me këtë skenar, Serbia do të tentonte ta shtynte KFOR-in drejt shndërrimit të tij faktik në një mision klasik paqeruajtës që i ndan palët ndërluftuese, diçka ngjashëm me një mision “pa dhëmbë” si UNPROFOR-in në Bosnjë dhe Hercegovinë, dhe t’ia pamundësojë mandatin e tij të zbatimit të paqes, që nënkupton edhe ushtrimin e forcës ushtarake ndaj atyre që e rrezikojnë paqen e sigurinë.
Kështu, Rusia dhe Serbia do të dilnin triumfuese në fillet e një rendi botëror, të cilin, duke e përdorur edhe kërcënimin me armë nukleare, Kremlini mëtonte ta krijonte me forcë, ndërsa Serbia, me një NATO tanimë të paralizuar politikisht për shkak të përçarjeve të brendshme, do të vazhdonte në arritjen e ambicieve të sajahegjemone në Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Mal të Zi, dhe atë duke e vazhduar politikën edhe me Perëndimin edhe me Rusinë.
Fillimi i invadimit rus i befasoi shumë vende të perëndimit, të cilat edhe e shikonin se çfarë bënte Rusia, dhe nuk besonin që ajo përnjëmend e kishte okupimin e Ukrainës, kur tanimë Putini këtë qëllim e kishte bërë më se të qartë me esenë e “Mbi unitetin historik të rusëve me ukrainasit” të 12 korrik 2021. Në këtë artikull Putini theksoi se ai nuk i njeh kufijtë e vendeve të dala nga ish Bashkimi Sovjetik dhe ekzistencën e kombit ukrainas, por çuditërisht atij nuk ju kushtua ndonjë rëndësi e posaçme në perëndim.
Megjithatë, agresioni rus në Ukrainë solli dy efekte të rëndësishme të cilat Kremlini, por me shumë gjasë edhe Serbia i kishin keq-kalkuluar. Efekti i parë është se agresioni i pasuksesshëm në Ukrainë e vuri në pikëpyetje të madhe pretendimin e Rusisë për një status të një superfuqie globale ushtarake. Përkundrazi, ky agresion e shpërfaqi dobësinë konvencionale ushtarake të Rusisë, i cili e vuri në pikëpyetje edhe statusin e saj si fuqi rajonale ushtarake. Në anën tjetër, ky agresion, në vend se të thellonte dallimet në mes vendeve perëndimore, e ndërtoi një kohezion të paparë në mes tyre që nga intervenimi i NATO-s në Kosovë në vitin 1999. Për më tepër, ky agresion e ndërroi edhe politikën neutrale të Suedisë dhe Finlandës, dhe ato tanimë janë në përfundim të procesit të anëtarësimit në NATO. Në vend se të përfitonte, Rusia është duke pësuar humbjen më të madhe gjeopolitike dhe izolimin më të madh ndërkombëtar që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë. Serbia, e ballafaquar me këtë situatë të re, vendosi që të përkrahë rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Kombeve të Bashkuara kundër Rusisë, dhe atë me një mirëkuptim nga Kremlini.
Këto rrethana krijuan edhe një momentum urgjence për arritjen e një marrëveshjeje të normalizimit të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë. Në këtë situatë u aktivizua diplomacia perëndimore, e cila solli deri te propozimi i planit “franko-gjerman” që tani quhet evropian, dhe që parasheh këtë normalizim përmes modelit të dy Gjermanive. Në këtë momentum, të palexuar mirë nga Qeveria e Kosovës, Kryeministri Kurti refuzoi me një lehtësi të jashtëzakonshme që të marrë parasysh këshillën e sekretarit të Shtetit, Blinken, që të shtyjë për 10 muaj zbatimin e vendimit për targat ilegale serbe në veri të vendit.
Këtë përplasje të Kosovës me SHBA-në e shfrytëzoi Serbia për ta kthyer veriun në një territor të paqeverisur, përmes tërheqjes së serbëve nga qeverisja lokale, policia dhe gjyqësori në këtë pjesë të vendit, e cila u shoqërua me futjen e “little green man” të armatosur në këtë pjesë të Kosovës, dhe për ta vënë në jetë skenarin e shndërrimit de-facto të KFOR-it në UNPROFOR që do të ishte një dhuratë e jashtëzakonshme për Rusinë.
Ditët dhe javët në vijim do të jenë vendimtare për të ardhmen e veriut, të karakterit të misionit të KFOR-it, dhe vetë dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë. Shpresoj se Qeveria e Kosovës ka nxjerrë mësim nga ky keq-kalkulim, dhe se ka kuptuar një herë e përgjithmonë se SHBA-të nuk pranojnë që dikush tjetër t’i kurthojë në ndonjë konflikt në të cilin vihen në rrezik jetët e ushtarëve të tij, kundër interesave apo pajtimit të Washingtonit. Nëse dikush nuk e ka të qartë këtë, mjafton të lexojë historikun e negocimit të nenit V të Traktatit të Washingtonit në mes SHBA-së dhe aleatëve të tij evropianë.