OpEd

Agonia

Situata me koronavirusin ka bërë që të shohim jo vetëm fytyrën e vërtetë të këtij vrasësi biologjik, por edhe ca fytyra të tjera

 

Këtë javë kemi parë fytyrën e vërtetë të virusit.

Është një vrasës i pamëshirshëm, një kërcënim i madh dhe ende i panjohur tërësisht, mbrojtja prej të cilit është krejt pa garanca, pa siguri. Është një kërcënim që vret njeriun, jo vetëm të moshuarit, të sëmurët, apo të lëndueshmit. Më tepër se kaq, është dhe kërcënim jo veç për jetën, por edhe për të tashmen dhe të ardhmen kolektive; është faktori që mbyll biznese, lë njerëz të papunë, rrit koston produkteve dhe shërbimeve, kufizon lëvizjen dhe liritë, dhe e bën të ardhmen të paplanifikueshme dhe krejt të pasigurt.

Dhe, kjo është vetëm një pjesë e fytyrës së virusit, meqë ende nuk e kemi parë të tërin. Frika është se ajo pjesë që ende nuk e kemi parë është edhe më e frikshme sesa kjo që e shohim tani dhe që po na tmerron.

* * *

Por, situata me virusin ka bërë që të shohim jo vetëm fytyrën e këtij vrasësi biologjik, por edhe ca fytyra të tjera. Para së gjithash, fytyrën e vërtetë të politikës, një pjese të saj gjithsesi, e cila edhe në momentet më të rënda për njeriun të cilit thotë se i shërben, mendjen e ka te vota, te pushteti, te fuqia politike, përfitimet materiale, interesat e partisë, interesat e grupeve të ngushta, ndarja e kulaçit mes shokëve dhe ortakëve në atë që edhe nëse nuk është krim sipas ligjit, është krim sipas njeriut: përfitimin në kohë krize.

Dhe, kemi parë po ashtu, edhe fytyrën e shërbyesit, mjekut, policit, bukëpjekësit, shitësit, pastruesit, gjithë atyre që për një kafshatë goje, kryesisht kafshatë që nuk ngop tërësisht, kanë kryer punën e vet në kushte të jashtëzakonshme, krejt vetëm me synimin që jeta të mund të vazhdojë, nëse jo krejt normalisht, atëherë me shpresën e palëkundur se po kthehet drejt normalitetit.

Kemi parë dhe fytyrën e grykësve në mesin tonë, që mendjen e kanë vetëm te interesi personal apo dëfrimi personal, që për llogari të vet nuk hezitojnë edhe të përhapin gënjeshtra, të mohojnë rrezikun, të sajojnë lloj-lloj teorish konspirative, vetëm që të heqin pengesat drejt realizimit të interesit të vet. Sigurisht, kur flasim për ekonominë, sektorin privat, shteti duhet ndihmuar në këtë situatë që ndërmarrjet të mund të mbijetojnë. Por, edhe për këtë lloj vallëzimi duhen dy veta së paku, dhe në këtë rast ndihma që shteti duhet t’i ofrojë ekonomisë, duhet të përkthehet në ndihmë që ekonomia duhet t’ia ofrojë shoqërisë; nuk është koha të mendohet për përfitime – është koha të mendohet për mbijetesë.

Sigurisht, në gjithë këtë rrëfim, ka edhe shumë fytyra të tjera që kemi arritur t’i shohim, prej atyre që rrinë shpluar, pa maskë e distancë, dhe asistojnë vullnetshëm lëvizjen e vitrusit, deri tek ato fytyra që ua shohim vetëm sytë, por që përmes syve u shohim brenda në shpirt dhe aty e shohim të njerëzishmen, solidaritetin, kujdesin për tjetrin.

Krejt në fund, por jo për kah rëndësia, shohim dhe fytyrat e atyre që janë goditur më së rëndi, fytyrat e familjeve që vuajnë nga virusi, dhe në raste që për këtë vend të vogël janë shumë, që humbin edhe jetën. Fytyrat e tyre në fakt, janë fytyrat tona, që kalojnë nëpër vuajtje të pamerituar, të paftuar dhe të padrejtë.

Fytyrën që nuk e kemi shikuar ende, e që duhet ta shikojmë me më së shumti vëmendje dhe interesim, është ajo që shfaqet në pasqyrat para nesh. Duhet parë edhe atë fytyrë, dhe duhet shtruar pyetjen ç‘kemi bërë ne, secili prej nesh, që kjo sëmundje e panjohur, për të cilën ende s’ka ilaç a vaksinë, që përhapet në mënyra nga më të papritshmet, tiparet e së cilës nuk i kemi zbuluar ende – çka kemi bërë ne, pra, secili prej nesh, që kjo murtajë moderne të mos na godasë me tërë fuqinë që ka? Çka kemi bërë secili prej nesh që të ruajmë veten, familjet tona, fqinjët dhe miqtë, kolegët dhe shoqërinë prej virusit?

Përgjigjen e lë ta gjejë secili për vete.

* * *

Pandemia COVID-19 rëndom quhet krizë. Por, kuptimi origjinal i fjalës së vjetër greke “krizë” është: momenti kulmor i sëmundjes pas të cilit i sëmuri ose nis rimëkëmbjen ose bie viktimë e saj. Andaj, nuk më duket e përshtatshme ta quajmë situatën me virusin korona krizë. Më e përshtatshme është që këtë gjendje ta emërtojmë me një tjetër fjalë që ka origjinë greke: Agoni.

[email protected]